Kulturë
Resmi Osmani: Fundjava e avokat Zaçe Seferit
E shtune, 19.08.2017, 09:14 AM
Resmi Osmani
Triptik
FUNDJAVA E AVOKAT ZAÇE SEFERIT
1
Forcës së zakonit s’ke ç’i bën. Edhe pse e kishte vendosur që atë mëngjes fundjave të flinte më gjat, u zgjua si zakonisht, në kohën kur shkonte në zyrën avokatore. Në shtëpi gjendej vetëm. Neta me vajzat kishte shkuar në Vlorë për të parë prindërit.Të mbetesh beqar ca dit,s’ka ndonjë të keqe! Nga punët e shumta e kishte lënë veten pasdore, andaj këtë fundjavë vendosi të bënte shëtitje,të dihaste ajr me gjithë mushkritë, në natyrë,të fluturonte si zog i lirë. Të harronte dhe të harrohej, ta rrëmbente vorbulla e mjegullt e harresës shlodhëse dhe të pluskonte në të i çliruar nga vargonjtë e përditësisë së rëndomtë, si një shpirt i tejdukshëm, ku të mos shihte askënd e të mos e shihte askush. Mori një vakt të lehtë,kafen e la ta pinte përjashta. Pantallona të shkurtëra, bluzë pambuku të lehtë, atlete, kapele golfi, çantën e vogël,që varej në qafë dhe mjaftuehëm lek për të bërë blerjet e ditës kur të kthehej. Ec Zaçe! Ashensori nuk vonoi dhe ai u gjend përjashta, u uroi mëngjesin pleqve që pinin kafen te lokali i katit të parë dhe duke vërshëllyer një melodi të lehtë, ngau udhën për në parkun e liqenit.Mirmëngjes o ditë e re: dita e majit ishte e kthiellët, e ndritur, e bukur dhe e freskët.Pasi kaloi rrugicën e asfaltuar, kaloi rrugën e madhe dhe shkeli në këmbësoren e rrugës së sapo përfunduar, që e quanin rruga e “Kosovarëve”. E gjerë, me dy kalime, në këmbësoret korsia për biçikletat. Mir e bukur. Një punë për së mbari. Asfalti ishte ende i freskët dhe ndjehej duhma e ziftit. I shkujdesur, me vështrimin nga pylli i parkut të liqenit, u nis të hidhej në krahun e majtë të rrugës, të mbushur me pallate e ku kafet në katet e para ishin varg e vistër. Sa kishte hedhur hapat e parë, befas kërcitën me ulërimë frenat, gomat u fërkuan në asfalt dhe sosh doli tym. Zaçja ndjeu një goditje në ijë dhe forca e përplasjes e flaku tej dhe ai u rrëzua me duart shtrirë. Gjërat kishin ndodhur aq befas dhe shpejt sa ai nuk arriti të kuptonte atë që ngjau. U ngrit me zor. Dridhej i tëri e s’i kishte mbetur pikë gjaku në fytyrë. Preku trupin. Kishte shpëtuar paq, pa thyer ndonjë gjymtyrë. Maqina ishte një “Smart” i vogël, por që gjëmën e bënte të madhe. E ngiste një vajzë. Ajo zbriti me vrull nga kabina,dhe kur e pa në këmbë, pa e pyetur nëse ishte vrarë, iu turr me furinë e fjalëve:
-O qorr dreqi, o humbameno i shkalafitur, plasi sytë, shihe udhën, ku të kullot mendja. Nga i ke lëshuar dhitë? Mirë që s’mendon për vete, po a edi se ç’do më bëje mua? E di apo jo! Hë, e di? Do më kalbje në burg. E pse? E gjeç nga mos e pandehç, nga një humbameno që i është mërzitur vetja!
Zaçja s’bzante,folë o mur, folë o gur! I ishte lidhur gjuha, i ishte mpirë truri, fjalët ishin arratisur. Veç e shihte vajzën drejt e në sy si të kishte para vetes fantazmën e mortjes.E ç’ti thoshte?
- Folë një fjalë!
- Ti ke të drejtë. Faji është imi- kaq mundi t’i thotë.
- Je vrarë? Ke nevojë të të përcjell në spitalë?-zëri i saj u zbut dhe mori nuanca dhimbsurie.
- Jo. S’është nevoja.Ec në punën tënde. - Deshi t’i thoshte edhe që nga ajo gojë e bukur nuk i priste ato fjalë të shëmtuara, por nuk e zgjati më tej.
Makina mori turr, teksa Zaçja u hodh në këmbësoren e anës tjetër, me nijet të mblidhte veten dhe të surbte një kafe të fortë.Tryezat ishin mbushur plot. Të shumtat vajza, me cigare në dorë dhe filxhanët para. Njëra më e bukur se tjetra. Nga dekoltetë e hapur teptisnin gjokset e bëshëm dhe nga fundet e shkurtër, zbuloheshin këmbët e hatashme. Eh, femrat! Psherëtiu ai. Gjithmonë i kishte dashur, por duke qënë natyrë e drojtur dhe e përmbajtur,ai nuk guxonte, dëshira për ‘to rrinte mbuluar brenda tij si prushi nën hi, ama që nuk shuhej asnjëherë. Pastaj ishte edhe Neta, që i rrinte mbi kokë si gjeraqinë.Nënqeshi hidhur: qënie e çuditshme është njeriu. Shih ku i shkonte mendja! Për një fill kishte shpëtuar nga vdekja dhe i fanepsej bukuria dhe hijeshia femrore! Dimë kur kemi lindur, por jo kur do vdesim,ajo, vjen befas e të shkëput nga jeta, në lule të moshës, apo të ndjek pas,tinzare deri në pleqëri të thellë, atëherë kur si duhesh më as vetes dhe i lutesh të vijë. Prandaj o mik, -i tha vetes- gëzoje çastin, gëzoje jetën sa e ke.
Porositi kafen dhe në pritje si shqitej nga mendja ajo që i ndodhi. Ju kujtua që,sa herë dilte nga shtëpia Neta e porosiste: ”Zaçe,kujdes ruhu nga makinat! Dhe nga gratë,- priste të dëgjonte ai, por ajo nuk e thoshte, paçka që e linte të nënkuptohej.Ishte mashkull i hijshëm dhe gratë e gjuanin.
Dita e fundjavës kishte nisur ters.
2
U bë afro gjysmë ore që po ecte me hap të shpejtë në shëtitoren e pyllit të liqenit.Freski dhe gjelbërim. Në atë orë shëtitësit ishin të pakët.Burra dhe gra në moshë të rënduara nga shëndeti, tërë bark e vithe, të tjerë me qenushët e tyre,sikush në qejf të vet.Rrall të zinte syri ndonjë të re elegante e të bukur.
- Zotëri, pse vetëm, pranoni t’u bëj shoqëri?
Zëri femëror ishte tingëllues e melodioz,vinte nga pas,djathtas. Zaçja ngadalësoi hapat dhe ktheu kryet. Ishte një zanë, e tillë nimfë mund të kishte dalë nga ujërat e liqenit ose nga thellësia e drurëve të pyllit.Flokët korb të zi, sytë të gjelbër,ovali i fytyrës me ngjyrë bronzi,qafa e gjatë.Kanotierja linte ti dukeshin gjokset e bukur, ndërsa streçet këmbët elegante si të balerinave. Atij buzëqeshja i çeli vetiu dhe shikimi i mbeti në fytyrën e bukur.
- Kur ftesa vjen nga një damë e bukur, ç’farë kavalieri do të isha pot ë mos pranoja!
- Mimoza, shkurt Moza- u paraqit ajo dhe i zgjati dorën e kolme.
- Zaçe Seferi,avokat.
Ajo se mbajti dot të qeshurën:
- Ku ta kanë gjetur këtë emër démodé, në muzeum?
- Ishte emri i gjyshit, por edhe Mimozat, sado të bukura, janë bërë bozë- u hakmor ai
- Pse ngutesh në të ecur? Kaqë shpejt s’të pasoj dot. Je i martuar?
- Po.
- Burri e ka të nevojshme të ketë grua.
- Për seks?
- Jo.Që të jetë i sunduar dhe komanduar.Këtë vetëm gruaja mund t’ia bëjë. Ke dashnore?
- Shoqe po, të dashur jo.
-Qënke për të qarë hallin.E kuptova nga vështrimi yt lakmues.Gruaja, sado e mirë, asnjëherë nuk mjafton. Ajo asnjeherë nuk të bën atë që ta bën e dashura.Gruaja për hall, e dashura per qejf. Gratë s’mund t’i kesh shoqe. Duhet ti bësh të tuat,ti zotërosh. Ato që të hiqen si shoqe, këtë presin që të bësh me to dhe nëse s’e bëre, ta heqin fillin. Gjejnë një tjetër që t’i bëjë të vetat e t’i kënaqë fizikisht e shpirtërisht. Bota është plot me meshkuj. Gjërat janë fare të thjeshta dhe morali si t’a kuptosh.
- Nëse më lejohet të të pyes,me se merresh?
- Më së shumti me gjueti dhe peshkim. Gjuaj dhe peshkoj burra- dhe ja dha të qeshurit,aq sa Zaçe e mori për shaka.
- Bien shpesh në grepin tënd?
- Varet.Një karrem si mua e bën grepin aq tërheqës sa ndukja është e sigurtë.
- I bie që unë sot të jem viktima jote e radhës.
- Gabohesh. Me Mozën gjithkush del i fituar, përjeton çaste parajsore, shijon frute dhe ndjesi që s’i ka gjetur te asnjë femër tjetër.
Zaçja mbeti pa fjalë.Ç’ishte kjo? Kaq e çlirët, pa droje, grishëse dhe ngacmuese.Thua të ishte vërtet e tillë? Fjalët e saj,thënë si me shpoti,mes qetsisë, vetmisë dhe gjelbërimit të harlisur të pyllit, e përshkuan si një rrymë dridhëse, kishte në fjalët e saj magji dhe tërheqje femërore si zëri i sirenave, ishte si një rrymë uji që të rrëmben në shtjellën e saj dhe ai po i shkonte pas, në atë që po kthehej në kuturisje të pavullnetshme. E la veten në dorë të aventurës dhe rastësisë.
- I beson vërtet këto që të thashë? Ishte një shaka. Jam vajzë për së mbari. Çështë e vërteta, më mërzit vetmia.
- Thonë që shakaja është gjysma e së vërtetës, nganjëherë edhe gjithë e vërteta, por unë po e marr vërtet si shaka.
-I mërzitshëm betoni i kësaj shëtitoreje. Le ta bëjmë ecjen tonë më romantike: kthehemi në monopatin që hyn në thellësi të pyllit, tërë hije, me lisa dhe që del lart në kodër. Në kthim ndalemi për një kafe. Qeras unë. Si thua?.
Ashtu e bënë.
Rrugica ishte e ngushtë, njëkalimshe,midis shkurreve të shqopeve dhe trëndafilave të egër që kishin lulëzuar dhe të tjerave të nënpyllit. Zaçja shkoi përpara, moza e ndoqi pas. Ai ndjeu që ajo e kapi për dore.Dora ishte e butë, e ngrohtë,pak e djersitur dhe ndjehej në të një dridhje e lehtë.Kur rrugica u zgjerua, moza i doli në krah.
- Kështu po, dukemi si një çift dashnorësh- tha ajo dhe iu ngjesh pas ijes.Brryli i tij takoi në sisën e djathtë, iu duk se një rrymë dridhëse i kaloi në trup. Ecën ashtu të zënë për dore, pa folur. Moza nxori nga çanta një cigare të dredhur dhe i dha zjarr me çakmak, pastaj e thithi me ashk disa herë. Zaçja ndjeu grahmën e rëndë të drogës.
- Është bar.Provoje t’a tymosësh, do ndjehesh këndshëm.
- Jo.Faleminderit.
- Për çastin është ajo që të duhet. As një herë nuk e ke provuar? Nuk mund ta marrësh me mënt se çfarë ke humbur. –Dhe pas pak:- Beson tek e thëna, fati dhe rasti? Unë për vete besoj.
Ecën një copë herë, në thellësi të pyllit. Moza hiqte udhën në ca shtigje që dukej se i njihte. Kur arritën në një çeltirë,si një qilim i gjelbër stolisur nga luleshqerrat, u ndalën. Ishte qetë.Dëgjoheshin vetëm ciatjet dhe cicërimat e zogjve. Askush tjetër veç atyre të dyve. U ulën mbi qilimin e barit.
“Pranë meje eja, bukurosh i ri, / Së pari, sa me turp që je! Vallë së pari, një femër ledhaton ti ?”,recitoi ajo. E di të kujt janë këto vargje? Dhe pa pritur përgjigje ju ul në gjunjë dhe i hodhi duart në qafë. Zaçja ndjeu mbi gjoks peshën e saj, shtypjen e gjokseve, frymën e ngrohtë dhe buzët drithëruese që kërkonin të tijat. E shtrëngoi fort, i dha një të puthur të zjarrtë dhe e shtriu në qilimin e barit. Ajo fërgëllonte.
-Hiqi duart nga vajza,more kurvar!- zëri dhe hija e ati që fliste, ranë njëhershe mbi Zaçen. Ai mbeti i fantaksur, si të kishte parë një fantazmë. Njeriu që s’u mor vesh nga çatisi,si ta kishin pjellë shkurret, ishte i maskuar me kapuç dhe i armatosur me revolver. Ata të dy, të frikësuar qëndruan ndenjur. Moza mbuloi gjokset dhe u ngjesh pas Zaçes si për të kërkuar mbrojtje.
- Kush je ti, ç’kërkon nga ne? Pyeti Zaçja zëdredhur.
-Do t’a mësosh menjëherë. Jemi njësoj, por ti xhvat hallexhinjtë ligjërisht, kurse unë ta rrëmbej forcërisht, pa dredhi. Ai rrëmbeu çantën, e hapi dhe mori celularin- pa shiko Samsung Galaksi, fërst klas, i bën njëmijë euro! - Mori edhe një shuk me lekë që gjeti aty, pastaj duke tundur revolverin urdhëroi:”Orën, byzylykun, varësen, unazat, shpejt se s’kemi kohë” Zaçja, i ndodhur nën kërcënimin e armës, bëri si e urdhëroi. “Kjo po që është plaçkë: orë Roleks i vlen dy mijë euro! Unaza, flori i bardhë me diamante, byzyliku safi ar edhe varësja-ai i peshoi në dorë-bëjnë nja njëqind gram. Grabitësi bëri inventarin dhe siç duket mbeti i kënaqur.E pakët plaçka por me vlerë. Mbajtësi i saj kish qëlluar me gusto.
- Bëhu i mënçur or mik, duhet të jetojmë të gjithë, jo ca e ca. Sikush zgjedh mënyrën e tij.
Ndërkohë i tringëlliu celulari. “Po, Skifteri jam, merr më vonë se kam në kthetra një çift pëllumbash”
-E di çtë pret me këtë që po bën?
-Ma kanë thënë të tjerë para teje: neni 134,pika b: armëmbajtje pa leje,3-5 vjet,neni 63, pikat d dhe e: sekuestrim personi dhe grabitje me dhunë, 5-7 vjet! Por ja ku jemi. Zere lepurin ti marish opingat! Kush nuk rrezikon nuk fiton.
-Mos e harro, qeveria e ze lepurin me qerre! Do ta pësosh kur se pret.
Pas bastisjes, ia lidhi duart prapa shpine, pastaj dhe këmbët. –Dhe mos u lodh të bësh denoncim në polici,-vijoi njeriu me maskë- se ajo që të prêt është ku e ku ndaj kësaj, S’të kam shkulur veç një qime! Të gjej edhe po të fshihesh në vrimë të miut e ta pres gjuhën, luhet me kokë!
-Ti, kuçkë, eja me mua, ta mbarojmë bashkë atë që nise me kavalierin e pafat. Ec përpara. Ajo ju bind. Zaçja vuri re që vajza u shtir si e tronditur, dhe bëri sikur kundërshtoi, por me siguri kjo ishte pjesë e lojës e kurthit të gjuetisë.
Ata ikën. U ndje gumzhima e një motorri, pastaj heshtje. Ai mbeti i lidhur si trung, një shkretan humbameno, në pritje të ndonjë kalimtari të rastit që ta zgjidhte. I grabitur dhe i poshtëruar, rob i mëndjelehtësisë së tij. I vinte ta hante veten me dhëmbë! Burri, kishte rënë pre e mashtrimit si adoleshent buzëqumësht.
Nuk ju desh të priste gjatë. Aty pari kaloi një çift të moshuarish që bisedonin me zë të lartë. Ai thirri për ndihmë. Të habitur, ata e pyetën ç’i kishte ndodhur, e zgjidhën dhe kur mësuan se atë e kishin grabitur, i ofruan celularin të lajmëronte policinë, por ai u kujdes të mos u thoshte kush ishte dhe vetëm sa i falnderoi.
Ishte një vendim i çastit: lajmërimi ishte gjë që s’bëhej.Lajmi do të merrte dheun, do flitej në kronikat e ditës, do shkruanin gazetat, do të bëhej gazi i botës. Berihaj i madh, klientela do t’i largohej dhe karriera e tij do të rrënohej.Kjo do të ishte e keqe më e madhe sesa ajo që i ndodhi.
3
U orientua shpejt.Po të ecte nëpër kreshtën e kodrës drejt perndimit, rruga e nxirte te kisha e Shën Prokopit, pasta zbriste tatëpjetë dhe merte rrugën për në shtëpi. Por nuk thonë kot:”Kur vjen e keqja hapi derën!” Në ecje e sipër hasi në një tufë qen rrugësh.Gjithnjë i kishte patur frikë qentë e rrugëve. U kaloi anash, por ata sepse u ngacmuan dhe nisën të lehin. Vuri re që të gjithë kishin nga një pullë të verdhë plastike në vesh. Zaçja shpejtoi hapat, por ata ju turrën, duke ruajtur njëfar distance. Pa rrotull mos gjente ndonjë gur apo shkop, por asgjë. U tremb. U bërtiti, u ul sikur do të merrte një gur. Prijetari i tyre u ndal por nuk u zbraps, kreshpëroi qimet dhe kërveshi buzët duke rrëfyer çatallët e mprehtë kanosës. Zaçja bëri të ikte, por ata si ndaheshin. E vunë në mes. Ai i goditi me çantë, por çantën ia zuri me dhëmbë dhe ja shqiti nga dora, atëhere ai provoi t’a godiste me shkelm, por ai iu shmang goditjes dhe i dha një të kafshuar në pulpë të këmbës së djathtë. Pulpa i theri dhe gjaku i mbuloi këmbën.Me aq u duk se qentë e shfrenë dufin dhe u larguan duke lehur. Zaçja u ul dhe pa plagën që ishte e mbuluar me gjak. Ishin katër vrima të thella të bëra nga dhëmbët prerës. Fshiu gjakun dhe e lidhi plagën me shaminë e xhepit. U ngrit dhe duke ecur çalë-çalë mori drejtim për të dalë në rrugë të madhe ku të merrte një taksi që do ta shpinte në ambulancë.
Taksixhiu qëlloi llafazan, ai I tregoi për tërbimin: edhe në rast se qeni i egërsuar që të kafshon nuk është i tërbuar, ai mikrobin e tërbimit e ka në jargë dhe të futet në gjak. Mos o zot tërbimi, vdes njeriu me adhap të madh, bile arrin të lehë edhe si qen, një herë në fshatin e tij… Zaçja ja ndali vrullin dhe i tha se s’donte të dinte më shumë.
Në ambulancë e mjekuan, dy të qepura në plagë, ia fashuan dhe i bënë vaksinat kundër tërbimit dhe tetanozit.
Shoferi i taksisë e pruri në shtëpi, priti në oborr sa mori pagesën dhe i uroj të shkuara.
Vetëm kur hyri në shtëpi, Zaçja u ndje i sigurtë, por si hiqej nga mendja ajo që i tha taksixhiu, që të sëmurët nga tërbimi ulurinin si qen! Mbushi një gotë me uiski u ul në kolltuk dhe nisi të mendojë sesi do t’i spjegonte besueshëm Netës dhe vajzave kur të ktheheshin atë që i kishte ndodhur. Hapi televizorin. Zëdhënësja e rendit ;po jepte një njoftim për shtyp: “Fundjava në kryeqytet po kalonte e qetë, pa ngjarje kriminale apo aksidente, qytetarët ndjeheshin të sigurtë dhe forcat e rendit janë në krye të detyrës.Urojmë të Kaloni një fundjavë të gëzuar!”
Tiranë,korrik-gusht 2017.