Kulturë
Armela Hysi: Sakrifica e pengut
E premte, 14.04.2017, 09:41 AM
ARMELA HYSI
sakrifica e pengut
ajri qe i përsyktë sikur agimi të kish ngrirë
mbi çatitë naive të historisë së përgjysmuar.
ndoshta vetë rrëketë e ngrohta të gjakut
që turreshin të proshkëta në plaskomë
më kuqëlonin dritën.
ulërimat kafshonin ndjesitë dhe trurin e lodhur
mbase duhej të flisja më gjatë
por gjithë ç'munda të nxjerr qe
“ O At, fali se s'dinë ç'bëjnë”
tetor 2002
Nga libri "Ujdheses se perralles tende" Milosao 2013
NGA DITARI I PASHKRUAR I NOES
…Tani qiellit iu shfaqën plasaritje,
(ngjyrosin ëndrrën e paqes së venitur)
Rreze dielli. Në të rrallë. Të përbishtuara
E, në s’është mirazh i mendjes sonë të etur,
Retë, do t’i gëlltisim shkulma-shkulma
Si pambukun e sheqertë të fëmijëve, mes lëkundjesh
Manjake, të arkës sonë vetmitare, mbi këtë
Botë ujësisht të lodhshme.
Zogjtë u tretën… tej dëshirës sonë të lëngët… si
Hejbe mjegulle. Mbi kuvertë lëshohen
Cerga hiri, kridhem mes tyre.
Në sytë e çakërdisur të sime shoqeje,
Shkrumbohen në çmendi pyje të harlisur.
Rreth kokës, nebulozë krrela-shuar. Qerpikë,
Të përcëlluar nga kripa. Është ajo tani
Që dëgjon njerëz, në pëshpëritjen e
Erës marroke të Jugut.
Nuk di ç’t’i them. Nuk kam ç’t’i them
Veç pritjes. Për çdo një diku prehet një pekul
Për t’u shpënë mes mankthit, tej përhumbjes.
Shtator 2002
Nga libri "Amazone prej reje" Toena 2005