E shtune, 27.07.2024, 02:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Klubi i Xhelës

E marte, 11.04.2017, 06:22 PM


KLUBI I XHELËS

(Histori e treguar besnikërisht siç ka ndodhur)

Në Kooperativën e Bërzhitës, e cila përbëhej nga 11 fshatra dhe shtrihej që nga “Ura e Peshkatarit” në Mullet e deri në Gracen të Elbasanit, kisha filluar detyrën e Kryetarit në janarr të vitit 1984, duke zëvendësuar Dionis Çakallin. Po në atë kohë ishte zgjedhur edhe Kryetari i ri i Këshillit të Bashkuar, Met Alla në vend të Vait Hakës. Pas disa muajve u transferua edhe Sekretari i Byrosë së Partisë Mexhit Kullolli dhe në vend të tij u zgjodh Zootekniku i Kooperativës Bekim Çumani. Pra, siç na thoshte tani Sekretar Bekimi, ishim një udhëheqje e re e Koperativës dhe ishim në provë.

Udhëheqja e vjetër kishte lënë hijen e autoritetit, ata kishin qënë një treshe e fortë, agresive, atë që thoshin e realizonin me çdo kusht dhe kishin lënë plot historira me bëmat e tyre.

Treshja e re dukej se nuk i ngjante të parës. Ne përpiqeshim goxha dhe puna nuk na shkonte keq por për bëma e qyfyre nuk e arrinim dot treshen e mëparëshme. Unë, si jabanxhi që isha, bënja shumë kujdes në komunikimin me njerzit dhe isha pak i mbyllur por me kohë ndjeva se kisha fituar respektin e kooperativistëve. Kryetari i Këshillit të Bashkuar Met Alla ishte një xhanan burrë, shumë i urtë, shumë i ndershëm, por këmbora që i kishin varrur në qafë ishte e rëndë për të pasi ai nuk kishte arsimin e nevojshëm. Në treshen tonë Bekimi ishte më i shkathti. Ai kishte vite në atë Kooperativë dhe i njihte njerëzit kështu që i ngjiste fjala si Sekretar por ai nuk binte më poshtë se paraardhësi i tij edhe për muhabete e qyfyre, bile me kohë ia kaloi atij.

Një nga shumë historitë që kishte lënë treshja e mëparëshme ishte kjo:

Një ditë prej ditësh ata po ktheheshin të tre prej fshatit Rozaver që është mbrapa Malit të Krabës. Ai fshat nuk lidhej me rrugë makine kështu që duhej të ecnin më këmbë, nja një orë e gjysmë, deri tek Sektori Grijë i Minierës së Krabës ku i priste shofer Zydiu me veturën e Kooperativës. Kur i u afruan Sektorit Grijë ora po shkonte dy pasdite. E ndjenë veten pak të lodhur dhe u ulën në një shkëmb të merrnin një frymë. Si u shlodhën pak, kuptuan se i kishte marrë edhe uria. Në Sektorin e Grijës ishte një klub-restorant i famshëm i Minierës mirëpo asnjeri prej tyre nuk kishte qejf ta fuste dorën në xhep dhe po shikonin njeri-tjetrin duke bluajtur të njëjtin mendim: Si  të gjenin një viktimë që t’iu hiqte drekën. Kryetarit të Këshillit të Bashkuar,Vaitit, i polli mendja më parë. Si mësues që ishte në profesion, ai nuk e hiqte çantën nga dora. E hapi çantën, nxorri një letër format dhe filloi të shkruajë pa bërë zë. Kur mbaroi, ua lexoi bashkëudhëtarëve. Ja se ç’kishte shkruar në adresë të Pirro Kondit, Sekretar i Parë i Rrethit Tiranë:

“Shoku Pirro; ne kolektivi i brigadës së dytë të Fshatit Mushqeta të Kooperativës së Bashkuar Bërzhitë jemi të mobilizuar totalisht për realizimin dhe tejkalimin e detyrave të planit por me anë të kësaj letre duam t’ju vemë në dijeni për një shqetësimin tonë: Juve shoku Pirro e dini se fshati ynë ka kushte shumë të mira për zhvillimin e frutikulturës. Mirëpo neve nuk na duket e drejtë që një agronom i mesëm i fshatit tonë, Xheladin Muça i cili është specialist i mirë për frutikulturën, është larguar nga Kooperativa dhe sot punon si banakier në Klubin e Sektorit Grijë të Minierës së Krabës. Ne kërkojmë që ai të kthehet në Kooperativë dhe të japë kontributin e vet pasi, siç na mëson Partia, bujqësia është çështje e të gjithë popullit.

Përshëndetje revolucionare.

Nga kolektivi brigadës së dytë Mushqeta.”

Si mbaroi së lexuari, Vaiti ngriti kokën dhe po priste reagimet.

Ma jep mua atë letrën, tha Dionisi, Kryetari i Kooperativës, dhe ia rrëmbeu nga dora. Tani më nxirr nga çanta një rezervë të kuqe i tha Vaitit. Pasi mori rezervën Dionisi vuri në fund të letrës këtë shënim:

“Për kompetencë Sekretarit të Byrosë së Kooperativës Bërzhitë, shokut Mexhit Kullolli: Çështja të verifikohet me përgjegjësi dhe nëqoftëse është siç shkruhet nga kolektivi i brigadës, personin ta ktheni menjëherë në Kooperativë.

Pirro Kondi ”

Dhe poshtë emrit të Sekretarit të parë Dionisi hodhi një firmë me P. të madhe.

Letrën ja dhanë ta mbante Mexhiti, i ndanë rolet që do të luanin secili dhe u nisën drejt klubit të Xhelës (kështu e thërrisnin Xheladinin).

U ulën të tre në një tavolinë në qoshe të lokalit që të ishin më të qetë për të biseduar. Pas pak u erdhi Xhela, i përshëndeti ftohtë dhe i pyeti se çfar do të porosisnin.

Sot neve, siç na sheh, kemi ardhur të tre pasi na ka lindur një problem me ty kështu që rregulloi shpejt punët dhe eja të bisedojmë shtruar, i tha Mexhiti.

Po i lirë jam, hë si është puna, u përgjigj Xhela me njëfarë kapadaillëku.

Më mirë lexoje vetë këtë letrën dhe do ta marrësh vesh, i tha Mexhiti, dhe ja la në dorë.

Xhela afroi një karrike, u ul në tavolinën e tyre dhe filloi të lexonte.

Treshja ndiqte me vemendje se si i ndryshonte Xhelës çerrja e fytyrës pas çdo rreshti që lexonte. Kur e mbaroi së lexuari iu kthye përsëri nga e para duke fërkuar sytë. E tmerroi sidomos ai shënimi që kishte bërë shoku Pirro.

Kjo copë letër e bardhë, e shkruar me bojë blu, me një shënim me bojë të kuqe, e bëri dyllë të verdhë fytyrën e Xhelës dhe trupi po i dridhej.

Po mbahu or burrë i dheut se neve prandaj kemi ardhur, për të biseduar, i dha kurajo Dionisi.

Ah po e di unë o e di se kush ma ka bërë këtë punë, janë disa të afërm të mi që nuk ma duan të mirën, kanë haset se fitoj pesë lekë më shumë këtu, tha Xhela, dhe nxorri shaminë për të fshirë djersët. Po aman o shokë, si i bëhet këtij halli, kam katër kalamaj për të ushqyer, ju lutem mendoni për mua. Pastaj iu drejtua veçmas Kryetarit të Kooperativës pasi te ai gjeti mbështetjen e parë: O shoku Dionis; po ti ke një qerre me agronomë të lartë në Kooperativë ç’më do mua, unë një copë agronom i mesëm jam.

Eh po nuk është aq e thjeshtë kjo punë mo Xhelë se çështja ka vajtur deri tek i madhi, tha Dionisi dhe bëri një gjest me kokë për të treguar se ishin para një problemi të ndërlikuar. Pastaj, shtoi Dionisi, nuk e kam unë në dorë pasi shoku Pirro përgjigjen e kërkon nga Sekretari i Byrosë, jo prej meje.

Vaiti kishte vënë dy duart në kokë dhe nuk e fshihte mërzinë që e kishte kapur. E mo Xhelë, tha, kjo letër është shkruar për ty por më duket se do të hajë kokën time.

Po pse o shoku Vait ç’faj ke ti? Pyeti Xhela me shqetësim.

Kam o kam, si s’paskam, u përgjigj Vaiti, se atë lejën për të punuar ti në Klubin e Minierës ta kam lëshuar unë para dy vjetëve. E tani ky Mexhiti që s’po flet fare dhe të duket burrë i mirë ty, kur t’i kthejë përgjigjen shokut Pirro, s’ma merr mendja të mos ia thotë këtë fakt.

Aa, të lutem shoku Vait, ajo dihet që kompetencën e dhënies së lejëve për punë në Sektorin Shtetëror e ka Këshilli i Bashkuar dhe unë s’mund ta gënjej Partinë për këtë punë, ndërhyri Mexhiti duke treguar se ai nuk falte në parime.

Mirë o shoku Mexhit mirë e ke ti por po sikur ai shoku Pirro të verë një shënim tjetër e të thotë: “Çështë ky Kryetar Këshilli që specialistët e bujqësisë i dërgon banakierë klubesh?” Atëhere ku të mbytem unë i shkreti, do të gjej dot ndonjë banak që të fut kokën?

Kjo pyetje i dërrmoi të gjithë ç’ishin në tavolinë dhe po mendonin seriozisht për kokën e Vaitit. Megjithatë i pari e mblodhi veten Xhela, ai tani e ndjeu se nuk ishte vetëm në këtë hall dhe deshi t’i japë kurajo Vaitit: Të sjellim ndonjë gjë për të ngrënë o shoku Vait, tha, pastaj bisedojmë prapë. Shkoi tek sporteli i kuzhinës dhe kur u kthye tha: Ka bërxolla derri, byftek viçi, mish qëngji të pjekur, sallatra, pilaf, makarona…birrë, verë, raki, çfar të dëshironi.

Po mirë mo na sill nga një byftek e nga një shishe verë fillimisht pastaj shohim e bëjmë, foli Mexhiti.

Vazhduan të hanin e të pinin por dukeshin goxha të sikletosur për të gjetur zgjidhjen e nevojshme dhe në tavolinë mbizotëronte heshtja. Xhela s’i hiqte sytë nga Vaiti, i dukej shumë i vrarë shpirtërisht dhe Xhela po e ndiente veten fajtor pasi ai i kishte bërë mirë dhe tani do ta pësonte për shkakun e tij.

O Xhelë; e prishi heshtjen Dionisi, nuk ka vorbë që të mos i vihet vegla prandaj edhe kësaj punës tënde do ja gjejmë një vegël.

Të lumtë goja o shoku Kryetar, tha Xhela dhe i ndritën sytë. Iku menjëherë tek sporteli i Kuzhinës, këmbeu disa fjalë me kuzhinierin dhe u kthye.

Ç’far të porosis tjetër? Pyeti.

Mish qëngji të pjekur na sill dhe përsëriti këto shishet e verës se qënka e mirë, tha Dionisi.

Po shiko, ndërhyri Mexhiti, Dionisit ja sill gjysëm të pjekur se është lab ky, ashtu e ka qejf.

Si u mbush përsëri tavolina filluan ta rrafin edhe njëherë problemin nga e para, duke kërkuar edhe mendimin e Xhelës.

Me kolektivin e brigadës e kemi më kollaj, tha Mexhiti, se do të punojmë me njerzit dhe do t’i bindim por si t’ia bëjmë me shokun Pirro. Mua, të them të drejtën, nuk ma mban ta takoj për këtë punë dhe ngriti duart sikur po dorëzohej.

Vetëm ti shoku Dionis mund të na e zgjidhësh këtë hall, foli Vaiti me zë lutës.

Po si? Pyeti Dionisi.

Po ja, edhe Xhela e di që ti ke goxha muhabet me Sekretarin e Dytë të Rrethit, me shokun Faik. Po të duash ti, e bisedon me atë dhe mbaron kjo punë.

Aa.., kështu po, mund të bëhet, e mbështeti Mexhiti mendimin e Vaitit.

E po për hatrin tuaj do ta bëj, më zutë ngushtë, tha Dionisi, i cili po merrte mbi supe një barrë të rëndë.

Na sill dhe nga një kafe tani o Xhelë pa le të bëhet si të bëhet, tha Vaiti.

Pinë kafen dhe u larguan duke i premtuar Xhelës se pas pak ditësh do të vinin t’i jepnin përgjigjen.

Tre ditë më vonë, në të njëjtën orë, treshja e Udhëheqjes së Kooperativës u duk tek dera e klubit dhe u ulën në të njëjtën tavolinë.

Xhela, i cili s’kish bërë gjumë ato netë, sa i pa, i hypën të dridhura në trup por vërejti se Vaiti ishte i qeshur në fytyrë. Fshehur prej Mexhitit dhe Dionisit Vaiti ja shkeli synë Xhelës, për t’i treguar se punët ishin mirë.

I shkriu gjaku Xhelës dhe as pyeti fare por u a mbushi tavolinën me të tëra ç’kishte në kuzhinë.

O Xhelë; sot duam raki dhe ulu edhe ti me ne se do të bëjmë një çikë muhabet, tha Vaiti.

U ul Xhela dhe priste me ankth haberin që i kishin sjellë.

Pa nxirre atë letrën o shoku Mexhit, foli Vaiti.

Mexhiti e nxorri nga xhepi dhe ja dha, ashtu të palosur.

Vaiti e shpalosi, ja vuri Xhelës para fytyrës dhe filloi ta grisë copa copa.

Po çfar bën o shoku Vait, thirri Xhela i alarmuar, po si do t’i thoni shokut Pirro tani?

Po “shoku Pirro” ishte loja mo Xhelë, tha Mexhiti dhe nuk mundohej ta mbante të qeshurën.

U shastis fare Xhela, s’e merrte vesh as vetë nëse duhej të gëzohej apo të hidhërohej për këtë që po ndodhte dhe iu kyç goja.

Më në fund u përmblodh dhe foli: Ama gjer tani paski tallur bythën me mua yve.

Po mirë o Xhelë, po të ka ngelur hatri, ne i themi brigadës që të shkruajë një letër të vërtetë për ty, tha Dionisi serioz.

E e..jo jooo, tha Xhela, dhe u largua si i zëmëruar nga tavolina.

Pas pak erdhi përsëri, ishte kthjelluar, e kishte peshuar situatën dhe ai kandari i tij i kish treguar se më mirë që ndodhi kështu se të paktën do të vazhdonte i qetë punën e banakierit. Filloi të qeshë me të madhe dhe tha: E po ju lumshin hallatet, mirë ma bëtë, hallall i paçi të dy drekat që m'i hëngrët.

Këtu mbaroi kjo bëmë por mori dhenë në atë zonë pasi dhe vetë Xhela e tregonte me mburrje.

……

Meqenëse Miniera e Krabës ishte në teritorin e Kooperativës së Bërzhitës, edhe mua si Kryetar i asaj Kooperative më rastiste që të haja ndonjëherë drekën në klub-restorantet e minierës. Kisha qënë edhe në Klubin e Xhelës por nuk i jepja muhabet pasi edhe njohje nuk kisha me të. Dija vetëm se ishte vëllai i Mustafait (Muçi i thoshin). Ky Muçi ishte arkëtar i Kooperativës, ishte shumë korrekt, shihte punën e vet dhe nuk përzjehej me njerëz të tjerë. Muçi ishte beqar dhe jetonte në familje bashkë me vëllanë, Xhelën.

Rasti është mbreti i punëve thotë një fjalë e urtë kështu që nuk do të mbetesha edhe unë pa u “ngatërruar” me Xhelën:

Ishte fillim qershori i vitit 1985. Një thatësirë e madhe na kishte pllakosur dhe ne përpiqeshim me të gjitha mënyrat që të siguronim një pikë ujë për të mbjellat e Kooperativës. Në fshatin Krabë kishim disa parcela misri që dita ditës po na iknin nga dora. Bisedova me Përgjegjësin e Minierës së Krabës Fiqret Masha, i cili ishte dhe Deputet i Zonës, që të na ndihmonte të merrnim ujin e një përroi që ishte afër Sektorit Grijë të Minierës. Fiqreti na solli menjëherë elektropompën, tubacionet dhe specialistët e montimit. Brenda tre ditëve arritëm që ujin e Përroit të Grijës ta çonim lart në Krabë.

Nderi me nder shpërblehet, prandaj unë me Sekretarin e Byrosë, Bekimin dhe me Kryetarin e Këshillit, Metën, menduam që t'i qerasnim me  një drekë Fiqretin dhe disa inxhinierë të minierës që kishin punuar për vendosjen e elektropompës.

Dreka u organizua ne Klubi i Minierës. Na shërbeu Xhela por shpesh ai na hidhte romuze ne drejtuesve të Kooperativës. Me që s’po i jepnim përgjigje ne, ai e trashi muhabetin dhe si me shaka i u drejtua Fiqretit:

O shoku Deputet; mos u ngelet hatri këtyre shokëve të Kooperativës po unë po them të drejtën: As ne gishti i vogël i këmbëve nuk u vijnë atyre të parëve.

Qeshën të gjithë pasi e dinin historinë e Xhelës me ata të parët.

Mirë o Xhelë, i thashë, ne s’të ngacmuam, ti vetë po e kruan por dije se dardha e ka bishtin prapa, këtë fjalë ke për ta paguar rëndë.

Ë  hë.., tha Xhela, s’ini nga ata burra yve, s’ma hidhni dot mua.

Të jap fjalën se brenda muajit ti ke për të na e shtruar tavolinën, i thashë.

Kot e ke o Kryetar, s’e ha Xhela më atë kokër ulliri.

Ke për ta ngrënë bashkë me t’yt vëlla, Muçin, i thashë.

Mirë që ma the se e bëj çeço unë atë dhe ja thyej këmbët po më shkeli në klub.

Qershori po mbyllej dhe fjala ime me Xhelën do të mbetej vetëm fjalë. Mirëpo nuk i thonë kot se atë që sjell minuti nuk e sjell muaji e viti. Dhe kjo minutë ardhi: Bashkë me Bekimin ishim në Zyrën e Përgjegjësit të Sektorit Mushqeta Ymer Isufi dhe po diskutonim për përgatitjet që duhej të bënim për fushatën e korrje-shirrjev që kishim përpara. Në një qoshe të Zyrës më zuri syri një thes bezeje me nja 10-15 kile patate.

Po këto patate ç’janë këtu? E pyes Ymerin.

Shoku Kryetar, u përgjigj Ymeri, mbrëmë rojet kanë kapur një çun që i kishte shkulur tek parcela e patateve verore.

Po pse i mban në Zyrë?

Po do të zbatojmë rregullat, do të njoftojmë Muçin i cili është Kryetar i Gjykatës së Fshatit për Kundravajtjet në Bujqësi dhe mendoj që ta gjykojmë para kolektivit nesër ose pasnesër, tha Ymeri.

Po cili është ai çun? Pyeti Bekimi.

Është djali i…dhe Ymeri përmendi emrin e prindit pasi Bekimi i njihte pothuaj të gjithë banorët.

Dëgjo Ymer; tha Bekimi, është kollaj gjyqi por ai çuni vetëm 14-15 vjeç është. Prandaj, më parë, ti bashkë me brigadierin thirrini në Zyrë at e bir, dhe do të veproni sipas qëndrimit të tyre.

Po është familje e mirë o Kryetar, m’u drejtua mua Bekimi.

Dakord, s’kam kundërshtim, thashë unë por mendja po më punonte gjetkë.

Kur po udhëtonim nga Mushqetaja për në Bërzhitë, në makinë, i them Bekimit:

Me këtë Muçin na ka ardhur zogu në dorë o Sekretar.

E kuptoi menjëherë ku ishte fjala dhe aty për aty bëmë planin e veprimeve:

Fillimisht takuam në Ibë Kryetarin e Këshillit, Met Allën dhe i dhamë rolin që do të luante. Pastaj unë dhe Bekimi u kthyem në Qendrën e Kooperativës dhe u futëm secili në Zyrën e vet.

Pas pesë minutash troket në Zyrën time Muçi.

Urdhëro, i them, duke u hequr se isha shumë i zënë me punë.

Shoku Kryetar, thotë Muçi, më njoftoi me telefon Kryetari i Këshillit të Bashkuar shoku Met Alla, se sot në orën një duhet të jem në Qëndër të Sektorit Mushqeta pasi do të mblidhet kolektivi për të zhvilluar një gjyq për kundravajtje në bujqësi.

Po mirë,ç’punë kam unë me gjyqin?

Po jo shoku Kryetar, kam unë punë se jam Kryetar i Gjykatës së Fshatit.

Po mirë, shko atëhere, dhe i bëra shenjë të dilte nga Zyra pasi kishim mbaruar bashkë.

Shoku Kryetar, po ora ka kaluar dymbëdhjetën dhe unë nuk arrij dot në orën e caktuar.

Ore Muçi, unë kam hallet e mia, s’kam hallin e halleve të tua, ikë tani.

Po jo shoku Kryetar se në gjyq do të vijë të marrë pjesë edhe shoku Met Alla pasi kemi të bëjmë me një rast vjedhjeje.

Po mirë o, shkoni bashkë me Met Allën.

Po jo shoku Kryetar, se shoku Met më tha që të të them që të na i japësh veturën.

Ore ti, i thuaj atij Metës se Qeveria ia ka dhënë veturën Kryetarit të Kooperativës dhe s’ka punë ai me të, more vesh apo jo; dhe i inatosur dola nga Zyra ime, hapa derën e Zyrës së Bekimit dhe e ngrita zërin edhe më shumë: A dëgjon mo shoku Sekretar, ai Met Alla, bashkë me këtë Muçin, na dashkan veturën për të shkuar deri në Mushqeta.

Muçi i gjorë u tremb pasi s’e kishte parë ndonjëherë kaq të nxehur Kryetarin, uli kokën dhe u nis për të ikur, mirëpo në këtë kohë doli edhe Bekimi nga Zyra pasi dhe ai do të luante rolin e vet.

Po hë mo Muçi, si është puna? E pyeti.

Muçi shikonte nga unë sikur kërkonte lejë për të folur.

Folë, folë; shpjegoja Sekretarit, i thashë, dhe Muçi i përsëriti edhe njëherë ato që më kishte thënë mua por më shkurt.

Bekimi, pasi e dëgjoi, më drejtohet mua:

Shoku Kryetar, këtë punën e gjyqit unë e dëgjova që mbrëmë që e kanë lënë për sot në orën një, por nuk ma merrte mendja që të mos e kishin vënë në dijeni Muçin si Kryetar i Gjykatës që është. Tani besoj aty është mbledhur kolektivi i Sektorit dhe nuk është mirë që t’i lëmë njerëzit duke pritur. Po e di ç’ke ti Kryetar? A dalim edhe ne të dy nga Sektori i Mushqetasë se kemi ditë pa shkuar andej?

Më zbuti Sekretari dhe u futëm të dy në makinë në sedilen prapa

Muçi nuk deshte të ulej në vendin përpara por Bekimi ia preu: Lëri llafet tani, ulu aty se ti je kryesori, je Kryetari i Gjykatës.

Në Ibë na priste Meta. Hyri edhe ai në makinë, i hapëm vend në sedilen prapa.

Rrugës për në Mushqeta unë akoma shfrynja inatin.

Gjobën maksimale t’i japësh maskarait, patatet akoma të pa pjekura ai vete e i shkul.

Jo jo, thoshte Bekimi, ai nuk është djalë i keq, e ka për herë të parë, Muçi e njeh prandaj do të verë dorën në zemër.

Ore po kot ndërhyni yve, tha Meta, Muçi është gjyqtar i vjetër, e njef në majë të gishtave Ligjin për Kundravajtjet në Bujqësi dhe do e dënojë aq sa e mban ligji, as më shumë, as më pak.

Kur mbërritëm në Mushqeta duhej të linim xhaden dhe të ktheheshim majtas për në Qëndrën e Sektorit por shofer Zydiu e dinte itenerarin dhe vazhdoi rrugën drejt.

Po dale mo se gjyqi bëhet këtu në Qëndrën e Sektorit, bërtiti Muçi.

Gjyqi do të bëhet ne Klubi i Xhelës o Muç, i tha Bekimi.

Boboo... ç’më bëtë, po ai do të më mbysë fare pasi më ka paralajmëruar që të mos i shkel në klub bashkë me juve.

Mos u mërzit Muçi se vetë i ka ngrënë goja m.. atij t’yt vëllai, e ngushëlloi Meta.

Kur hymë në klub, pesë veta, se shofer Zydiun nuk e ndanim, Muçin e mbanim përpara, si rob lufte.

Sa na pa në derë, Xhelës i ra pika.

Hajde o byrazer hajde, i tha të vëllait, se këto kokat tona këtë feste duan dhe u drejtua nga sporteli i kuzhinës për të bërë porositë.



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora