E hene, 09.12.2024, 07:32 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Dora ilaç e bletës

E diele, 09.04.2017, 08:42 AM


"Dora ilaç" e bletës

Tregim

Nga Përparim Hysi

Këtë tregim që sjell për lexuesin, ma ka treguar gjyshja ime nga babai dhe, tek e dëgjoja së pari nga ajo,as e mendoja se kishim të bënim me një përrallë. Zakonisht, përrallat janë veç trillime gjithfarësh që, në fund të fundit, kanë edhe moralin, por edhe mesazhin  e tyre, por, kur gjyshja ime e mirë e mbaroi rrëfimin e saj, unë ballafaqohesha me një realitet që bënte mu!  Faktet ishin aq të vërteta sa unë si fëmijë as që e vija në dyshim rrëfimin e saj. Mandej, si një thelë mbi bisht, të njëjtin rrëfim më bëri dhe dajua i babait tim, i urti,Ismet Korita (ky qe kushëriri i parë i gjyshes sime) dhe mua më gjeti si në atë këngën e vjetër  humoristike që thotë: "... po ia themi një, le t'na bëhen dy?!!!". Kështu u binda me të vërtetë që atë që më rrëfeu gjyshja dhe, mandej, edhe dajua i babait, nuk ishte fare përrallë. Dhe ja përse:

*    *   *

Dëgjo,- më tha gjyshja,- dëgjoje nënën tënde dhe kurrë mos ia bëj fjalën dy. Se vjen një ditë që ia shpie inatin në majë të hundës dhe, sado që nuk ka si dashuria e nënës, ndodh që  edhe  të mallkon. Nëse të mallkon nëna, (dëgjon Perëndia që, sado që është lart, po poshtë shikon) këtë mallkim do ta vuash,se edhe Perëndia me nënën është. Unë  rrush-aguridh që nuk dëgjoja me atë vesh, por gjyshja ime ishte "ilaç për të sëmurë", kur pa që nuk po ua vija veshin këshiilave të saj, më tha:

- Pa hajde këtu tek nëna (unë gjyshes i thosha nënë) dhe vëre kokën këtu, mbi prehër!  Kurrë gjyshes nuk ia kisha bërë fjalën  dysh dhe, tek vura kokën mbi prehërin e ngrohtë të saj, dëgjova këtë rrëfim që po e sjell dhe për ju.

*     *    *

Ka qenë një nënë që kishte katër çupa. Çupat kishin dhe emrat e tyre: merimanga, mushka, gjinkalla dhe, më e vogla, bleta. Ua,- bëra të habiturin unë. Pse motra qenkan ato?

- Motra, motra,- tha gjyshja dhe, pa më lënë të flisja më unë, tha:- Jo vetëm kanë qenë motra, po  a e ke dëgjuar atë fjalën ti që motra, motrës nuk i ngjan dhe aq nuk i ngjan,sa thuhet: " Motra jemi, por shoqe nuk jemi".

Moj gjyshe, - nuk m'u durua mua pa folur,- po si qenkan motra ato, kur tri janë insekte dhe mushka është kafshë.

Gjyshja ma priti flakë për flakë:- Mos m'u hidh si zorra në prush, por dëgjo dhe vëru vesh fjalëve të  mia.

Pra,- vazhdoi gjyshja,- ishin motra dhe kjo, që do të tregoj unë, ka ndodhur kur njëra nga motrat, mushka, ishte e martuar dhe kish ardhur tek e ëma.

Të katër motrat ishin në shtëpi dhe ndodhi që nëna e tyre të bëhet keq nga koka. Nuk i duronte dot dhimbjet dhe ca nga dhimbjet dhe ca se ishte vapë e madhe, mend po vdiste nga e keqja.

- Moj merimangë,- iu lut së bijës,- hajde më mbaj pak kokën se mend po vdes.

Mama,- tha e bija fodulle,- unë jam duke endur "pëlhurën" tani dhe nuk kam kohë të merrem me ty.

Dhe mamaja e mallkoi:- Ti që nuk gjen pak kohë për nënën tënde, kur ka nevojë, endësh e endësh pëlhurë dhe era të ta marrë e të ta bëj copë e çikë!

Hë,- më tha gjyshja,- a nuk ia merr era "pëlhurën" merimangës?

Unë, buzqeshur, pohova me kokë.

Dale, dale,- tha gjyshja. I tha gjinkallës:- Moj gjinkallë, hajde më mbaj pak kokën se vdiqa nga dhimbjet.

Mama,- foli e nervozuar gjinkalla,- nuk e sheh që jam duke kënduar dhe ti dashke të ndërpres këngën?

Dëgjo, moj bijë,- tha gati duke ulëritur nëna,- këndofsh e këndofsh dhe të pëllcaësh e të bësh bam aty tek pema!

Ua,- bërtita, ndaj i gjej gjinkallat të ngordhura unë? Ndaj. Pse  ç'pandeh ti?

Po me mushkën?- pyeta unë.

Mushkë, moj mushkë,- thirri e ëma,- hajde më mbaj pak kokën!

- Moj mama, po nuk e sheh që jam me barrë dhe nuk kam kohë të merrem me ty?!

- Kurrë të mos pjellësh,- lëshoi mallkimin nëna!

Oho,- bërtita unë pa e mbajtur dot gazin,- ndaj nuk pjellin mushkat?

-Po  duro,- të thashë,- dhe mos më ndërprit.

I thiri bletës:

-Bletë, moj çupë e vogël e nënës, hajde më mbaj pak kokën,se plasa.

-Moj mama,- tha bleta,- po kot jam çupa jote unë.  Ja, sa të bëj një shami me uthull dhe erdha. Vrapoi në kuzhinë dhe pasi lagu një shami me uthull, ia vendosi mbi ballë dhe nuk ia ndau dorën nga balli. Pak nga pak, nëna sikur u lehtësua nga dhimbjet dhe e ndjeu veten më mirë. Bleta atje mbi kokë.

Dhe nëna tha:- Ti, moj çupë e vogël e nënës që ma pate "dorën ilaç", qofsh tërë jetës e uruar aq, sa dhe "mutin" tënd ta hanë njerëzit!!!

Kur gjyshja tha atë fjalën" mutin", unë  mend u hodha përpjetë nga gazi dhe bërtita:- Do më japësh pak nga  ai"muti" i bletës?

-Do të jap, por me një konditë:

- Do ta dëgjosh nënën tënde apo do të gjej si ato"motrat" e para?

-Për kokën tënde që do ta dëgjoj,- i thashë.

Ndërsa gjyshja ime  e mirë bëri drejt qilarit, ku mbante,veç tjerash, dhe atë"mutin" e ëmbël të bletës, unë mezi prisja  që, pasi të kollofisja nga  ç'do më qeraste gjyshja, të dilja dhe t'ua tregoja shokëve.

Nëse po e sjell si tregim, mendoj se mesazhi i kësaj"përralle- tregim" ka vlera të posaçme për këtë brezin e sotëm që,siç vihet re, po bëhet i ftohtë si në Polin e Veriut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora