E shtune, 27.07.2024, 03:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Pranvera Belba Fusha - Lule akulli

E diele, 09.04.2017, 10:00 AM


PARADIGMA LIRIKE ME SYRIN E SHPIRTIN E NJE FEMRE

(Vështrime kritike për librin "Lule akulli " të Pranvera Belba Fusha)

Natyra e Durrësit të lashtë me detin herë zulmëmadh e herë qetanak, rrethinat si ato kopshtet e varura shkallë- shkallë, kanë qenë dhe janë mrizi ku gjallojnë zanat e poezisë. Deti, deti me gjuhën e dallgëve, që herë shkërmoqet me zulme brigjeve dhe batllave, e herë puthet ëmbël në rërën e artë, janë një poezi e pambarimtë. Currilat, Kallmi, Kodërvila, Bishti i Pallës si një gisht stërmadh në zemër të detit, Shkëmbi i Kavajës ku gugasin pëllumbat e këndojnë pa pushim bilbilat, janë magjeja ku gatuhet kjo nostalgji e pjellon kjo poezi e pakufi.

Në këto mjedise u lind dhe u rrit dhe poetja Pranvera Belba Fusha, ajo "shehelija" durrsake siç e quan veten në një poezi.

Eshtë kënaqsi kur merr në dorë të lexosh një libër me poezi  për vendin tënd nga një e mërguar, bashkëqytetare. Ndjesitë janë të dyfishta nga që karburanti i mallit për vendlindjen dhe njerëzit më të dashur janë akumuluar aq shumë sa që qëndrojnë shpërthyeshëm, në një pikë vlimi.

Vëllimi poetik "Lulet e akullit" i vjen lexuesit me një amalgamë lirike e motivesh subjektive të qëmtuara nga jeta e autores. Që në leximin telegrafik vihet re se kjo përqasje i ka dhënë poezive hapësira shumëdimensionale, si në planin shoqëror dhe në atë shpirtëror.

Në iracionalitet, libri nxit tek lexuesi interesin permanent, e ngërthen atë në shumëllojshmërinë e problemeve, ideve dhe motivëve të cilat i kanë krijuar mundësinë autores të qëmtoj poezitë.

Në tërësinë e vlerave, kjo përbën dhe thelbin e ideve dhe qëllimeve poetike.

Pranvera, me këto 90 poezi, të përmbledhura si një përbashkësi uniko- lirike, ndjenjësore, me motive në rrjedha llogjike të jetës së poetes gjer në personalizime, duke plotësuar hapësirat e zbrazëta shpirtërore në reliktet individuale të jetës. Me arkeologjinë e memorjes, kësisoj, autorja arrin të kodifikojë arkeologjinë e poezisë së saj me anë të palimsesteve poetike. Këtë  ajo e maturon nëpërmjet metaforave, simboleve, anaforave e similitudave, duke pikturuar poetiksht tabllotë e jetës me kolor shpirtëror, në funksion të fisnikërimit, shpirtëzimit, përmes tabulateve të artit poetik.

Prurjet e saj poetike, e pasurojnë dukshëm poetikën durrsake duke sjellë një frymë më transparente, më autoktone, më bioshqiptare, e veshur ma atë rroben e shijen e koncepteve të reja të atdheut të dytë, ku ajo jetëson.

Subjektiviteti dhe universi lirik i Pranverës, vjen dukshëm si një aranzhim sa natyror, aq dhe shpirtëror, me paradigmat poetike që ajo i bubrron në mendjen e zemrën e njerëzve, në hallet e kësaj toke.

Gjithçka definon mes dramaciteteve lirikë dhe shoqërorë, si të vetmet gjenerime që të çojnë në zhvillimin e një shoqërie njerëzore.

Dashuria për vendin, për punën për të dashurit, për liri dhe prosperitet të vërtetë shoqëror, janë hapësirat në të cilin vozisin mendimet e ndjesitë poetike të autores. Në këtë udhë e gjen vetën dhe lirika erotike, aq shumë impulsive, e cila si një çelës magjik, shërben për të çelur kanalet e dramaciteteve shoqërorë: "Nëse më do,/eja sonte, po të pres.../ Nesër është vonë, shumë vonë/ Po të pres në shtrat,/ veshur kam një këmishë të hollë,/ nesër është tepër vonë,/ tani kam epsh,tani kam mall,/ dua t'më ngjallësh, dua të të ngjall..."- e sjell autorja dramacitetin lirik, në funksion të atij shoqëror.

Një sinkroni, me domosdoshmërinë e një blatimi për një dashuri universale, një thirrmë shpirtërore e poetes për gjithë autorët dhe aktorët e skenës së sotme shqiptare, për më shumë dashuri, frymë mirëkuptimi të ndërsjelltë, se nesër do të jetë " vonë, shumë vonë". Kjo thirrmë me ngjyrime  liriko- erotike vjen sot kur njerëzimi, familja shqiptare me divorcet si gangrena të shoqërisë, kanë nevojë më shumë se kurrë për mirkuptim dhe dashuri.

Me këtë frymë perceptohen dhe krijimet për familjarët, të afrmit, të dashurit. Ky këndvështrim sa social aq dhe lirik, e gjen veten tek triniteti poetik" si bijë, si femër, si nënë" në më të shumti në poezitë: " Për vajzërinë time", "Fotografitë", "Baladë për një engjëll", "Veç se ti shpirti im", "Ata sy jeshil", "Pasqyra" ku dashuria e nënës, gruas, femrës vishet këndshëm me rroben natyrale, një antraksion poetik ky, që mishëron një kumt të pastërt njerëzor, siç është dhe vetë natyra dhe habitati ku autorja mediton.

Ky natyralitet njerëzor arrin magjinë e përtejme, sa që gjuha e syve plotërohet  me gjuhën  e shpirtit kur poetja poetikisht dialogon: "Ah, ata sy smeraldi,/ më folën më shumë,/ se ç'më the Ti."

Ky trinitet i lidhur ngushtë me filigramet artistike të lirikës, autorja, me më shumë frymmarrje poetike, si në mardhëniet me prindërit, përmes nostalgjive kujtimore, si femër, me botën dhe sensualitetin femror dhe si nënë me frymën e dashurisë, mirëkuptimit, të mardhënieve e kujdesit të pakufi mëmësor, ku ajo definon:" Unë mbrëmë të bërtita bija ime/ dhe mbase të drejtë nuk kam,/ Por më fal, më fal e shtrenjta ime,/ sot unë e vetmuar ndihem e jam."

Me një lexim të vemendshem, e veçanta e këtyre lirikave është se ato në përmbajtësinë  e tyre mbartin një rifiniturë poetike, si një fisto e bukur, me një sens humori, apo lakoninë e situatave erotike, gjë e cila evidenton se autorja është lakmuese e finesës e zgjedhjes dhe qëmtimit të fjalëve e të vargut. Fjala qe e para. Për poeten Belba "Fjalët që s'i thamë" janë thagma e gjithëçkaje shpirtërore se: "Disa i mbajtëm për vete,/ nuk i thamë as unë, as ti,/ Gjithësesi s'u bëra merak / t'i lexova një nga një në sy..."

Siç shihet, poetja në të shumti flet me gjuhën e shpirtit e sytë për të janë transmetuesi më i përkorë i tyre; janë definicioni shpirtëror më shumë se çdo gjë tjetër, ndaj në poezinë "Buzëqesh..." autorja ngulmon:

" Buzëqesh o njeri,/ dhe ndriçimin e shpirtit mos e fik,/ gëzoju agimit çdo ditë/ dhe muzgjet përcilli me gëzim."

Duke vëzhguar këto dukuri të interpretimeve poetike të poezisë të poetes Belba, si një fasho ylberike del në pah një tjetër veçori në hyjnitetin liriko- erotik: universi dashuror. Në poezitë "Dashuria është hyjnore" dhe "Për  dashurinë " ajo e shtjellon këtë univers tek gjithçka që lind dhe gjallon në shpirtin njerëzor, frymorë e jo frymorë, duke e vjelur  çdo trill në magjinë që kanë sendet dhe fenomenet për të ndjellë dashuri në pakufi, si diçka që jeton përjetsisht si një "materie" kujtimore- shpirtërore sepse ajo:"Do të vijë si zogu shtegtar,/të ndalojë pak kohë tek ti, / do pijë ujë te burimet e tua/ e në prehrin tënd do të rri."

Nga ky këndvështrim stilistik, lirika erotike vjen si një përbashkësi e sinqeritet poetik dhe botës së brendëshme  si ato rrezet e mëngjesit, qelibarë, plot tone ndriçimtare e nuk lenë shtigje për ekuivoke të tërthorta. Autorja  është e drejt për drejtë, në asnjë varg, në asnjë strofë ajo në tërësi , nuk pranon të fshehtat artistike.

Gjithçka vjen në dritën e diellit dashuror, si në poezinë "Endërrr", një lirikë erotike, do thoja e jashtëzakonshme, safojane, me një tharm poetik që të zgjon një mori fluturash nën lëkurë me ato ndjesi që përcjell tek lexuesi. Gjithçka që transplatohet në mendje dhe zemër nuk të shqitet, por bëhet përjetimi yt.

Kjo është madhështia e artit të vërtetë.

Poezia e vërtetë ka si mision, të stimulojë zhvillimet shoqërore. Këtë mision me karakterin e saj universal poezia e Pranvera Belbës e kryen më së miri nëpërmjet kumtit të saj social- poetik. Social- poezia është një dukuri e kësaj poeteje, e cila e sjall atë krejt natyrshëm, me më shumë frymë vendlindjeje, me hallet e saj e të popullit të shumëvuajtur. E veçanta e saj është se ajo ka aranzhiar bukur dramacitetin liriko- erotik me karakterin social, si një domosdoshmëri e zhvillimit shoqëror.

Poezi të tilla si: "Mos më kërko", "Vajza e qirinjve", " Kam forcë", "Vetëm lotët", " Udhët tona", " Shehelia", "  i them gomës" ku poezia me shembullin e personazhit- autor, vjen si vetëvetja poetike, mbarsur me tregues biografikë e plotëruar, duke thirrmuar: "Mos më këfko netëve,/ kur stuhitë do sulen me suferinë,/ Unët do jem në jetën time, / ndoshta mes njerëzve dhe miqve, / ndoshta mes të vegjëlve e mes jetimeve..."

Në këto ndërthurje stilistike, autorja e ka pasur të lehtë, por edhe domosdoshmëri futjen e konceptit filozofik të dypersonalitetit në poezi. Gjithçka, estetikisht, vjen si një dukuri e re poetike.

Këtë konceptim poetiko- filozofik autorja e realizon bukur me anë të letrarizimit poetik të konceptit frojdian mbi dypersonalitetin, nën frymën Jung dhe Lakant, ku në poezinë " Vitet që ikin, vitet që shkojnë" nëpërmjet intertekstit, na sjell karakterin e personalitetin e femrës në kontraversin e mohimit ku: "Vërtetë nuk hidhem si çupëlinë/ e kamasutra nuk e bëj dot, / por jam si frut i pjekur,/ që pret të thahet në degë, / ose të bjerë lehtë për tokë." Si në këto raste dhe  në realizime konceptuale të tjera, është aliteracioni ai që i vjen në ndihmë në formëzimin artistik, të ideve të saj.

Duke e njohur forcën artistike të aliteracionit në shumë poezi monokolonë ajo ka ditur që t'i japë poezive potencën artistike, në ripërtritjen  e vargut si "Jam kjo që jam" , " Mos më kërko" ku poetja i jep vargut cilësi gjeneruese në përmbajtjen artistike, me frymëmarrje e valenca në rritje drejt një paradigme qëllimore.

Poezia" Mos më qorto" për mua është etalon se si aliteracion merr funksionin e një elementi të mirfilltë artistik, e jo siç ndodh rëndom tek shumë poetë ku vargu aliterativ vjen vetëm si përsëritës për të mbushur një boshllëk vargëzues.

Me dashamirësinë, mirëkuptimin, në të mirë të artit poetik, por edhe të poetes zonjës Pranvera Belba Fusha sipas bindjeve të mia kam evidentuar dhe disa mangësi që më trazuan pak sa shijen e leximit në ato poezi të mrekullueshme që më mbushën me besim për një ardhje të sigurtë të poetes durrsake në komunitetin e poetëve.

1- Në poezitë "Dua të jem një zgalem", "Dua", "Nuk kam faj", "Nga cili univers erdhe eros" ndjehet shija e një deklamacioni, sidomos në fund të strofës së fundit ( kjo ndodh në shumë poetë, gjoja si kulmim poetik) pa dashje poetja kalon në retorikë. Kjo më sjell ndërmend ato pusullat poetike të adoleshencës që bënim dikur me deklaratat patetike.

2-Poezia në tërësi duhet të karakterizohet nga një barazpeshë ndërmjet ndjenjës dhe mendimit. Në poezitë deklarative të mësipërme  e ndonjë syresh si " Dua", "Kërkoj muzën time" mbisundon mendimi, gjykimi i autores. Gjithçka mbisundon mbi ndjenjën, mungon mesi i artë, poezia vjen e akullt, cerebrale, nuk të ngroh.

Ndërsa tek poezia "Endërr" ndonëse e bukur si gjetje, "Fol me mua", " Unë të ndjej" fryma poetike vjen si e shtirur, me sforco, si një lule artificiale që ska aromë dhe ngjyrim natyral.

3-Poezia e Pranverës në tërësinë esaj, priret nga e thjeshta, ka vlera kuptueshmërie nga një kategori e gjërë lexuesish, ka pak nuanca të poezisë inteligjente. Autorja duhet të punojë më shumë, me intertekstin pietik, duke shtuar potencialin inteligjent të poezisë, duke iu shmangur sa më shumë provincializmit.

Në mirëkuptim të këtyre vrejtjeve, në të mirë të një pune më studjuese dhe më artistike, me bindjen time them se libri që kemi sot në duar "Lule akulli" ka poezi etalone, shumë të arrira, ka dhe të lexueshme që gjithsesi të ndjellin kënaqsi.

Kur lexuesi të lexojë këto poezi, mund të pohojë me të drejtë se Pranvera është një poete e trilleve të goditura poetike, e qartë në idetë dhe mesazhet e saj, është mbi të gjitha vetëvetja poetike.

Vladimir Muça

Shkrimtar dhe kritik

Prill 2017



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora