E shtune, 27.07.2024, 02:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Makthi

E merkure, 12.04.2017, 07:00 PM


MAKTHI

Tregim nga Resmi Osmani

Ata ishin katër. I kishin thirrur me ngut, pa e ditur përse. Qendronin të heshtur, në pritje si mbi gjemba ne paradhomën e shokut Kiço, që e kishte hijen të rëndë.Shoku Kiço ishte ende i zënë. U duhej të prisnin. Sekretarja që shtypte në makinën e shkrimit që rrapëllinte si mitraloz, nuk u tha pse i kërkonin.

Tringëlliu zilja.Sekretarja u tha se mund të hynin. Shoku Kiço, sekretari i ekonomisë në Komitetin e Partisë, i priti me buzëqeshje të shtirë dhe e toku dorën me secilin me atë pyetjen e mërzitshme për shëndetin dhe punën, pasi i ftoi të uleshin, i dha fytyrës atë shprehjen  e maskës autoritare, që ia kërkonte ofiqi dhe u mendua për të zgjedhur fjalët. I pëlqente të fliste me figura dhe metafora,që jo vetëm ligjërimi të kishte bukuri por edhe të bënte efekt te dëgjuesit.Për këtë ishte i njohur dhe e vlerësonin. Ai hyri drejt e në temë:

-E dini që ka rënë tërmet.Përmbysi ministrin e bujqësisë, po valët e tij u ndjenë edhe te ne, na drodhën nga themelet. Direktiva për prodhimin e bukës në vend nuk u plotsua.Edhe tek ne gjithashtu. Karriket tona janë këmbëthyera, s’duan veç një të shtyrë që të gremisen. Priten lëvizje të mëdha.

Pas këtij paralajmërimi ogurzi ai i pa drejt e në sy:

-Nga mesi i tetorit do thërrasim aktivin për mbjelljet e vjeshtës. Një aktiv pune, me analizë, kritikë e autokritikë, me nxjerrje përgjegjësie për mosrealizimet. Byroja ma ngarkoi mua këtë detyrë. Unë u zgjodha juve për të hartuar raportin. Besoj që kam bërë zgjedhjen e duhur.

U bë heshtje. Ata panë njëri-tjetrin të sikletosur.

-  Kam besim dhe e di që e bëni.Porosia që kam është: Pena juaj duhet të kthehet në plug, që në arën e bardhë të letrës, të punojë thellë dhe në vend të farës, të mbjellë fjalën e partisë: të rreptë, kritike , të përgjegjshme, shëmbullore, por jo disfatiste, optimiste dhe mobilizuese, të mbizotrojë fryma revolucionare. Çdo pjesmarrës e kuadër të gjejë në të veten, si në pasqyrë. Besoj jam i qartë.

Shoku Kiço u duk i vetkënaqur nga ato që sapo tha dhe u mbështet në shpinë të karriges për të parë efektin e fjalës së tij.

-  Në krye të grupit të punës do të jeni ju shoku Pajtim. Kjo është njëhershe detyrë shtetërore dhe detyrë partie. Në fund të javës raportin e dua mbi tryezë. Shpresoj të jetë I duhuri. Ka pyetje?- Pyetje s’kishte- Mund të shkoni. Ditën e mirë dhe punë të mbarë.

Të nesërmen dhe ditët vijuese u ndrynë në një zyrë të veçantë. Zyra ishte në katin e dytë dhe kishte dy dyer. Në njërën hyhej nga koridori, tjetra lidhej me sallën e mbledhjeve. Të vetmet orendi të saj ishin tryeza e gjatë me rimeso arre dhe raftet e bibliotekës ku ishin ngjeshur ngusht veprat e udhëheqësit. Kishte dy dritare nga jugperndimi, me perde kadife ngjyrë allë,që I përgjaknin rrezet e diellit. Nga muret e bardhë buronte ftohtësi. Lart, mbi raftin e bibliotekës, në mes murit, në kornizë të praruar, portreti me ngjyra i udhëheqësit me atë buzqeshjen enigmatike që s’ua ndante shikimin tinzar. Tryeza e punës ishte mbushur rrëmujshëm plot me libra, buletine dhe gazeta të cilave duhet t’u referoheshin.

Mërzi, zymtësi dhe makth. Secili mendonte me vete :ku dreqin më gjetën mua?”

Shef Pajtimi, ishte i vetmi komunist në grup. Sillej ecejak në hapësirën e ngushtë , peripatik si Sokrati. Ashtu i vinin më mirë mendimet dhe diktonte. E dinte: fjala ishte e para. Ç’ironi e hidhur!  Me fjalën shprehet dashuria, me të edhe urrejtja. Fjala edhe vret si plumb, turret si bishë, shqyen barkun dhe derdh rropullitë, çartallos mendjen, ngrin zemrën, por edhe shëron si melhem, ajo të lartëson, ajo të gremis, ajo të nderon, ajo të turpëron. Kjo ishte arma e tij. Ndaj i qëmtonte me kujdes dhe i fliste me theks si deklamim nga foltorja, për të dëgjuar sesi tingëllonin. Lekua shkruante, duke i stilizuar, dy të tjerët, Fatmiri dhe Asllani bënin plotësime dhe saktësime: me shembuj, me emra, me fakte.

Kaluan dit,fletët e letrave të shkruara u bënë stivë. Në dukje të heshtura, si zhgaravina,si hedhurina, por memecëria dhe shurdhëria e tyre shlyhej sapo t’u hidhje sytë dhe goja të shqiptonte fjalët. Ishin si strofull gjarpërinjsh helmues. Ato bubullonin, shkrepëtinin,trazonin mendjet, bënin të dridheshin burrat, nëse kishte vërtet burra.Në ç’do faqe ishte buka e munguar, si detyrë e paplotësuar.Kërcënimi i urisë, që nuk thuhej por kuptohej. Të shumta kritikat, të pakta lavdërimet, e rëndë barra e  detyrave.

Ditën e katërt,raporti u përfundua. E lexuan me zë. Ishte tronditës. Zgjaste dyzet e pesë minuta. Ishin të vetkënaqur nga puna e tyre. U dukej se kishin hequr një barrë nga supet, por s’i linte të qetë mendimi që barrën e kishin shkarkuar në shpinën e të tjerëve. Mjerë ata. Sido qoftë, thika e fjalëve e ngulur në mishin e të tjerëve, nuk dhimbte. Si do qoftë, Ishin plagë pa gjak.

Vangjelia e daktilografoi jashtë radhe dhe kopja e parë ju dërgua shokut Kiço.

Të nesërmen, pasi pinë kafen, u ndrynë në zyrë. Ishin në pritje. S’ia shqisnin sytë telefonit. Ai s’ishte telefon, por një qen i zi që rrinte në pritje dhe kur ja kërkonin, lehte, lehte dhe kafshonte si qen i tërbuart. Ata prisnin që nga telefoni i zi të vinte një lajm i bardhë dhe jo një e kafshuar! Kur kishin djegur cigare pafund, qeni lehu me zilen e alarmuar, ishte sekretarja e paradhomës: shef Pajtimi të shkonte në zyrëne shokut Kiço.

Ndërtesat ishin pranë e pranë.Pajtimi shkoi dhe u kthye shpejt. Ishte bërë dhe: Shoku kiço, nuk ishte aty, por kishte lënë porosi. Pajtimi fuqiprerë dhe i dëshpëruar e hodhi raportin mbi tryezë. E shfletuan. Faqeve të tëra u ishte hequr kryq me laps të kuq. Ishin si ca plagë të përgjakura Në paragrafë të tërë ishin vënë pikpyetëse dhe pikçuditëse. U dukej se aty ishin mbledhur tërë pyetjet dhe çuditë e botës !

Raporti nuk ishte pëlqyer dhe ishte kthyer. Vetëm një shënim i vvogël:Të thellohej kritika, autokritika dhe të dilnin përgjegjësitë për mos realizmet. Asgjë të mos kalohej lehtë!

Zbritën të katër në bufe dhe pinë nga një kafe të hidhur për të mbledhur veten. U kthyen në zyrë dhe e nisën punën nga e para. Shqyrtuan çdo fjalë, çdo fjali e paragraf,ndryshuan dhe ristrukturuan renditjen e problemeve, nxorën përgjegjësi të tjera, lakuan dhe përbaltën emra drejtuesish e specialistësh.

Dikur Lekua e la lapsin.

-E dini, që pas aktivit, ne do armiqësohemi me kolegët dhe drejtuesit e ekonomive, veçanërisht ata që do të shkarkohen nga detyrat dhe do t’u jepen vrejtje të rënda! Thjesht do të jemi ca njerëz të urryer e të poshtër që do të na rrëfejnë me gisht. Të gjithë e  dinë tashmë që raportin po e hartojmë ne! Ku dreqin vajtën e na gjetën!

-  Mos u qederos, ne po zbatojmë një porosi, tjetër gojë është ajo që do të flasij dhe do të marrë përsipër autorësinë.

-  Ashtu vërtet, po ato fjalë jemi ne që i vëmë në gojë të tij.

Ç’të thoshin, fjalët kishin shterrur, ishin bajatosur.Ç’ishte për të thënë ishte thënë, ç’ishte për të shkruar ishte nxirë e zeza mbi të bardhë.Shikimi tinzar e qortues i portretit nuk u ndahej. Nga muret e bardhë notiste ftohtësi dhe makth që endej në ajrin e zyrës si fantazmë dhe me helmin e tij u mpinte mendjen dhe trupin.

Varianti i dytë i përpunuar u përfundua dhe iu përcoll shokut Kiço.

Përgjigja nuk vonoi të vinte: duhej thelluar partishmëria. “Po nuk e bënin dot, le t’a linin, se do t’a shkruante vetë, por pas kësaj….. kishte thënë ai,- le t’a dinin se ç’i priste!” Me siguri,menduan ata, transferimi në ndonjë kooperativë malore, në filifistun!Larg grave, larg fëmijëve.

- Ky raport u bë si pëlhura e Penelopës:thur e çthur, si kështjella e Rozafës, ndërto dhe shemb! Duhet gjetur një kurban!

Dikush trokiti në derë. E hapën. Ishte Andoni,një gërxho i shkollës së vjetër, inspektor i mbrojtjes së bimëve, në prag të pensionit, i ngurtë e i rreptë, që s’falte asgjë dhe vinte gjoba të rënda.

-Mirëmbrëma çuna. Pashë dritat ndezur dhe thashë të kthehem një herë. Kam dëgjuar që s’u ecën lapsi dhe porositësi s’ua pëlqen.

-Na ler në hallin që na ka gjetur, edhe ty të kishim mangut!

-Jeni të rinj dhe akoma s’i dini ca gjëra. Do t’u them një sekret.

- Pa hë.

- Xhaba nuk e them. Një birrë e një meze!

- U tha, u bë!

- Mirë. Keni shkruar për mjellmat e mbretit Eduard?

- Ç’farë?

- Dëgjojeni: një herë në muaj, lordi I admiraliatit,shkonte para mbretit Eduard dhe raportonte për flotën. Mbreti kishte dobësi për mjellmat në basenin e pallatit Bakingam, përditë i sodiste dhe i ushqente. Duke e ditur këtë dobësi, lordi e fillonte raportimin me fjalët: “ Flota mbretërore, endet në detet e botës, si mjellmat e mbretit Eduard në basenin e pallatit Bakingam” dhe vijonte. Po të mos e niste kështu, mbreti i jepte ca shkelma bythëve dhe e përzinte!

-  Ç’ne kjo mesele?

- Plenumi për gruan, gruaja forcë e madhe në prodhim, ngritja e gruas në përgjegjësi etj.etj. Bëhuni të mënçur: hapeni me gruan dhe mbylleni me gruan! Birrën nesër. Natën e mirë.

Të nesërmen, kërkuan dhe gjetën citate e vlerësime të udhëheqsit, mishëruan në to Zymbylet, Merushet, Dritat, Dafinat, brigadiere të vjetra e të sapo emruara, përgjegjëse sektorësh, kryetare kooperativash, të dalluara, luftëtare të frontit të prodhimit që kishin realizuar apo luftonin për realizimin e prodhimit të bukës në vend! Të shërbenin ato si shembull për gjith ata që ishin për turp në bisht të situatës….

Varianti i tretë i përpunuar iu përcoll shokut Kiço. Ata pritën dy dit të ngujuar në zyrë, të shtypur nga ankthi dhe makthi, në pritje të një fjale miratimi apo degdisjes kushedi se ku, mbase prapa diellit.

Koha u prish.Fryu era dhe nisi shiu. Shpresëhumbur, për një përgjigje, po bëheshin gati të niseshin për në shtëpi. Kur se prisnin, lehu qeni i zi. Pajtimi ngriti dorezën. Ishte shoku Kiço. I ngriu gjaku. Pas një heshtjeje, u dëgjua zëri:“Këtë herë keni qëlluar në shenjë. Raporti u pëlqye nga udhëheqja. Mirupafshim në aktiv”

Të katër panë njëri-tjetrin në sy, ofshanë dhe u ulën në karrige që të çtendoseshin.

Mjellmat e mbretit!

U nisën  nëpër shi për në shtëpi, në rrugë të ndryshme, të krrusur ende nga pasha e atyre ditëve. Prapa si një hije i ndiqte makthi që s’u shqitej.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora