E marte, 30.04.2024, 10:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Pasku: Të shoh duke ikur

E hene, 30.01.2017, 09:26 PM


Vjollca Tiku Pasku

 

CIKLI ; VALË MUZIKE, FRYMËZIM, DASHURI.

 

TË SHOH DUKE IKUR

 

Sa herë më prisje me buzëqeshjen e kitarës,

sa herë nga tigujt e të dyjave derdhej një melodi,

dhe notat e pentagramit të qiellit, i ngjanin ujëvarës,

që derdhte shkumëzimin të dritës vibruese me magji.

 

Ngjisja frymëzimin në buzët e tua, si hënë e ditës,

si një këngë që zgjohej nga rrudha e ballit,

si një lule që lëshonte aromën e virgjër tunduese,

derisa një tjetër melodi ç'burgosi ndjenjën e mallit.

 

Në ç'libër dëbore me gjurma shpendësh jetonte dashuria

që u fshi sa dëgjove tingujt e një violine tjetër,

kitara ime rri heshtur, me atë magmën e saj që kullonte,

pasditeve e gishtat e mi luanin sa skuqeshin telat e vjetër.

 

Të shoh duke ikur pa zë, si gur zhytur në mendime,

me ndjenjat e vdekura pa lamtumirë antikuarësh të shtrenjtë,

ti ngele si një pikturë e vjetër, harruar në një mur bujtine,

unë hapa dritaren e më hynë zogj muzike me melodi të re.

 

MUZA IME

 

Ti më vjen si dritë shtegtare nga gjerdanet e gjithësisë,

ti më jep me dashuri të pi nektarin e zgjoit magjik të qiellit,

derdhur në të tinguj muzike, me nota nga jehonat e yjësisë,

tretur me pijen e luleve dhe hiret e hënës dhe diellit...

 

Udhëtojmë bashkë me yllin polar, ku shkund vesën si zamkë.

nëpër shkëmbinj që zgjohen të parfumuar me erë qiellore,

detet qeshin me hijet zogjve detarë tek fluturojnë mbi dallgë.

përplasin krahët, e rruazat e kripës ngjiten nëpër re pupëlore.

 

Teksa udhëtonim me molekulat e ajrit të mrekulluara,

hije të errëta, të vagullta kalonin xhindosur në monopate,

më përplasën në një lëndinë me gonxhe të lënduara,

që lëshonin dritën e fundit e fishkeshin në ngjyrë nate...

 

Vesha fustanin e turbullt të lumit e qava me oshtimën e tij,

ju luta pasqyrës së qiellit të lashtë, në një kornizë prej druri,

në hendekun midis qenieve të mbjellë bukuria e zemrës të rri,

se bukuria ka rrjedhur nga lart e shëmtia nga shpirtra guri.

 

Muza ime, ti je si drita që prek smeraldin në kapakët e syve, fshehur,

ti je përpëlitja e frymës së natës, kur ikën nga drita e fshehtë,

ti je fija e fshehtë e mëndafshit thurur me aromë gjethesh sapoçelur,

ti je emblema e dashurisë ku vë kokën të prehet shpirti im lehtë..

 

SONET DASHURIE

 

Unë mbështet kokën në gjoksin tënd

ndjej qielli ka ndryshuar veshjen me ty,

çdo lëvizje ajrit është vëllim i frymës tënde, ...

zogjtë ringjallen të cicërojnë për ne dy.

 

Unë mbështet kokën në gjoksin tënd,

ëndrrat binjake luajnë një vals mbi buzë,

ti pa dashur më kafshon me një yll të kuq,

me një pije drite më shëron edhe në muzg.

 

Unë mbështet kokën në gjoksin tënd,

fluturat e erës luanë me vështimin lulembjellës,

unë vallëzoj me lulet që rriten çasteve në zemër,

mbjellja e trëndafilave është kënaqësi e pranverës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora