E marte, 30.04.2024, 11:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Habazaj: Mjeshtri i mushtit metaforik

E shtune, 28.01.2017, 09:57 AM


MJESHTRI I MUSHTIT METAFORIK TË JETËS NË SY

Nga MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues

Poetin Xhemil Lato e njohin dhe e respektojnë të gjithë në Vlorë, Sarandë, Tiranë e më gjerë. Në Principatën Letrare të Pentagonit Krijues Vlorë, Fier, Lushnjë, Berat Rrogozhinë veçanërisht, e nderojnë atdhetarin tonë idealist dhe poetin e talentuar çam, sepse është edhe një njeri fisnik e i vërtetë.

Sot po njoftojmë një gëzim letrar, sepse sapo doli nga botimi libri më i ri “Njeriu vritet nëpër njeri” me poezi të zgjedhura, i poetit të mirënjohur Xhemil Lato, me banim në Vlorë. Libri është botuar në Fier nga Shtëpia Botuese “Ymeraj print”, ka 190 faqe, përmban 122 poezi në 4 cilke poetikë dhe secili cikël prezantohet me lajtmotivin përkatës poetik. Vëllimi poetik është përgatitur për botim nga Efrosina Papa, Albert Habazaj dhe Rrustem Geci. Redaktor i librit është studiuesi i njohur i letërsisë prof.dr. Bardhosh Gaçe. Libri “Njeriu vritet nëpër njeri” me poezi të zgjedhura ka një parathënie nga Albert Habazaj dhe, në vijim, vlerësimet “Duke u menduar për metaforizmin e poezisë së Xhemil Latos” nga poeti Idajet Jahaj. Për krijimtarinë e bollshme dhe të pasur letrare të autorit kanë shkruar Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Efrosina Papa, Namik Jahaj, Seit Seitaj, Eqerem Canaj, Andrea Petromilo, Lorena Abazi etj.

Parathënia për vëllimin poetitk “Njeriu vritet nëpër njeri” të autorit Xhemil LATO

Xhemil Lato është Poeti i vërtetë, natyral, dinjitet i poezisë dhe prozës sonë bashkëkohore. Sidomos me poezinë e tij, autori është një brerore e ndritshme për krijuesit dhe lexuesit tanë. Xhemili është sa poet i lindur aq dhe poet i talentuar. Edhe në prozë ai është poet, pa e prishur ekulibrin e masës në dy gjinitë e letërsisë artistike. Ai shkruan poetikisht dhe me shumë dashuri edhe në novelat dhe tregimet e tij gjurmëlënëse në kujtesën tonë. Edhe në vëllimin e ri “Njeriu vritet nëpër njeri” (tetor 2016) me poezi të zgjedhura, që sot kemi në dorë, gjykoj se, autori, me nuhatjen e mahnitshme poetike, me intuitën e tij karakteristike prej artisti: të mprehtë, të hollë e të thellë e ka realizuar me dinjitet letrar “Platformën e poetit”, e cila gjen mishërim në shprehjen e Borges-it: “…për një poet të vërtetë çdo moment i jetës, çdo fakt, duhet të jetë poetik”. Lato ka mënyrën e tij poetike të vështrimit të jetës dhe të përshkrimit artistik të botës, një mënyrë origjinale, të patjetërsueshme, të besueshme. Në fuçinë tij me verë poetike pi e s’ke të ngopur. Vera e tij poetike është aq e shijshme dhe e shëndetshme letrarisht. Kam fatin dhe mundësinë që e njoh më nga afër krahasuar me kolegët e tjerë të penës krijimtarinë e tij letrare, të paktën qysh kur përcollëm viganin Petro Marko në Dhërmi e gjer më sot. A e dini, o miq, ç’i punon Xhemili poezisë?! E torturon, ia nxin jetën. O të bëhet, o të mos bëhet! Pako e pako me letra harxhon Poeti. Shkruaj, kontrollo, korrigjo, hiq, shto, prish, “tritolin” për ç’ka shkruar e s’i pëlqen e i rrudh buzët e shijeve të tij artistike, ndaj thotë  se ka “frikë” nga poezia e tij. Po s’i pëlqen prodhimi autorit, si mund t’i pëlqejë lexuesit?! Dua të ngop një herë veten, pastaj ta shijojnë të tjerët veprën time, - thotë autori me ç’kam parë nga laboratori i tij krijues. Në poezitë e tij është një harmonizim i bukur i njeriut me natyrën, me botën; një lidhje e natyrshme dhe e përshtatshme e dimensionit tokësor me dimensionin hyjnor. Ai ka një rrëfim poetik të rrallë, sa që lexuesi vihet në mëdyshje për dy motive: 1. Personazhi i Xhemilit është real, ashtu është njeriu në jetë; po aq ngjarja, fenomeni, natyra, universi i tij i njohjes, i ndijimit e perceptimit të botës që e rrethon autorin, por me farën letrare në themelet e strukturës poetike. 2. Mesazhi që jep autori se si duhet të jetë njeriu dhe bota e tij më e mirë, më e bukur, më e dobishme. Poeti Xhemil Lato përbën një fenomen “bio” në gdhendjen e karaktereve njerëzorë, po aq dhe me të vërtetat e hidhura, që ngul me vargjet e tij dritëruese, si pak kush ndër autorët e kohës që jetojmë. Çdo libër poetik i tij është një tufë me lule të bukura poetike, hijeshuar me simbole, ngjyra, forma, tinguj, ritëm, sinekdoka, krahasime e similitude, me figurat e sintaksës poetike vitale, të befta e origjinale. Ndërsa vëllimi me poezi të zgjedhura “Njeriu vritet nëpër njeri”, që kemi në dorë, nuk është thjeshtë një tufë me lule të zgjedhura poetike, por me lule të zgjedhura me dorë nga i pamëshirshmi i krijimit të vetë Xhemil Lato, për të kënaqur lexuesin, në maksimimin e mundshëm letrar dhe estetik. Ai është befasues në krijimin poetik, duke prodhuar pa pozuar situata të papritura. Sqimatar, në kuptimin letrar të fjalës. Në poezinë e tij i gjen të katër stinët, gjen njeriun me të tërë gjendjet emocionale, jetën e përditshme të ngritur natyrshëm në artin më të lartë të fjalës artistike. S’ka kollare në poezinë e tij, s’ka gufosje, s’ka droje që ta shkruajë jetën artistikisht me të gjitha ngjyrat. Me të gjitha. Duke filluar që nga Xhema adoleshent e deri te Xhemili 60 vjeçar, apo gjer tutje, tek mbretëresha e Anglisë. Nuk të merret fryma në poezinë e tij. Është e bukur ajo, si nuse bregdeti, si Çamëria, si Shqipëria. Është e thellë ajo, e gjerë si Mesdheu.. Dhe pikon ende gjak si Çamëria jonë, mbre!

Duke lexuar me vëmendje e duke e shijuar poezinë e zgjedhur të Xh. Latos, noton bukur nëpër lumin e vargjeve të tij, të kulluara. Nuk të ngec leximi. I ka pastuar vargjet ustai nga guriçkat e prozaizmit, se është qibar i madh ai e ka kërkesa të rrepta ndaj vetes. Shumë të rrepta. Edhe ndaj miqve të letrave. Lexon poezitë e Xhemilit e thua: “Po, po, kështu është. Unë e dija. Edhe unë këtë mendim kam”… Ja, fjala vjen vargjet: “Pas më ndiqte nëna në fëmijëri/ me një fletëz bukë -/ të hollë sa buza,/ me një petull - / sa hëna në ëndrra…/ sa pjesa e diellit/ jashtë reve mbetur,/ apo një dardhëz të vonë/ të prerë gjatas - si një vetull… / Qëkuri, si nëna, ndaj në feta/ kohën time për shokë, kushërinj miq…/ U jap atyre që më duan, e s’më duan,/ u bie me gurë të tjerëve/ që duan të më PËRDORIN,/ të bëj spiunin e horrin …” e sa e sa të tjera si këto, më pëlqejnë aq shumë e jam në një mendje me ndjenjat dhe filozofinë e shkruar të autorit, Xhemil LATO është i pari dhe i vetmi në këtë formë letrare kaq të përsosur dhe kaq natyrshëm. Dhe kjo ndodh se autori i mirënjohur, që kullon i tëri poezi, dhembje e dashuri, është mjeshtër i mushtit metaforik të jetës në sy; është poeti i njeriut në të katër stinët, në lëndina me lule dhe në det me furtunë; është poet i Atdheut çdo ditë, çdo javë e çdo muaj, vit pas viti e gjithë jetën. Dhe e do të bukur, ballëlart e në këmbë, si poezinë e tij, mbushur me frymëmarrje të plotë, të pastër e të pasur letrare, fisnike e me dinjitet, si një poezi përjetësisht lulëzimtare.

Albert HABAZAJ

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”

Vlorë, ALBANIA



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora