E shtune, 05.10.2024, 08:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Bashkim Saliasi: E gjeç nga mos e pandehsh

E diele, 22.01.2017, 03:20 PM


E gjeç nga mos e pandehsh

Skicë

Nga Bashkim Saliasi

Ishte viti ’78, Instituti i Lartë Pedagogjik në Shkodër mbushte 20 vjet që kishte hapur dyert e dijes. Atë vit drejtoria e ILP vendosi që të festojë 20 - vjetorin. U morën të gjitha masat organizative që nga përgatitja e koncertit e deri te ushtrimet e aerobisë.

Vajza e djem të përzgjedhur nga komisioni i ngritur për përgatitjen e këtij aktiviteti kalonin orë të tëra në pallatin e sportit ku zhvilloheshin lojërat me dorë.

Nuk më kujtohet data, por dita qëlloj e premte. Shoku im Bardhi më bëri me dije se së bashku do shkonim në Korçë të merrnim uniformat e koncertit festiv që ishin porositur në Kombinatin “Josif Pashko”. Në qytetin e Korçës kisha qenë disa herë, por vizita që do bëja bashkë me shokun tim më gëzoi pa masë se kjo do më jepte mundësi që të njihja më mirë qytetin, por do vizitoja edhe Kombinatin “Josif Pashko”.

Morëm autobusin e linjës bashkë me Bardhin deri në Laç dhe nga aty premë biletat për në Prrenjas. Ndërruam disa herë trenin deri sa më në fund arritëm në Prrenjas. Nga Prrenjasi në Korçë me zor arritëm të merrnim biletat me autobusët e linjës. Në Korçë arritëm vonë dhe shoku im i mirë, Bardhi më ftoi  në shtëpi. Në familjen e Bardhit u gjenda si në shtëpinë time për arsye se babai i tij kishte punuar në Skrapar në vitet ’52 për disa vjet. Ramiu ishte mësues fillore dhe kishte një palë shtëpi private afër agjencisë së udhëtarëve.

-Vëllai i Bardhit ishte më i vogël dhe vazhdonte gjimnazin. Njëkohësisht luante dhe futboll. Motra e tij punonte në teatrin e Korçës, kurse nëna u përkujdes shumë për ne ato  ditë që qëndruam në Korçë. Ditën e shtunë në mëngjes u paraqitëm në Kombinat.

Gjatë qëndrimit në Korçë, vizituam godinën ku ishte hapur shkolla e parë shqipe dhe më pas parkun e qytetit. Më bënte përshtypje pastërtia e rrugëve dhe arkitektura e ndërtimit të shtëpive Korçare. Në mbrëmje në parqe dhe rrugë shikoja grupe të rinjsh djem e vajza që bënin serenata, veçori kjo për qytetin e Korçës. Ditën e diel nëna e Bardhit bëri një byrek në një tepsi të madhe që mjaftoi për gjithë pjesëtarët e familjes. Në hollin e katit të parë, Ramiu kishte vendosur sobën e zjarrit dhe ai ngrohte gjithë ambientin e shtëpisë. Ishte tetor dhe në Korçë i ndiznin shpejtë zjarret.

Ditën e hënë shkuam në kombinatin “Josif Pashko” dhe me faturë morëm porosinë, rroba të cilat ishin paketuar në një thes të madh (harar, i thonë nga anët tona), i cili nuk ngrihej vetëm.

E shkarkuam thesin te agjencia dhe shoferi i kombinatit na uroj rrugë të mbarë. Filluam të kërkonim makinë për të lëvizur në drejtim të Prrenjasit. Për autobusë nuk bëhej fjalë se kishte kaluar orari dhe oraret pasardhëse ishin vetëm pasdite.

Pas dy orë endjesh në sportel dhe jashtë sportelit mbërriti një autobot që kishte një vend para. Bardhi ju lut që thesin ta vendosnin pas kabinës së autobotit dhe ai të udhëtonte me të pasi nuk kishte mundësi që të gjenim mjet që të kishte dy vende bosh. Shoferi më në fund pranoi. Rregulluam thesin pas kabinës dhe Bardhi hipi në vendin e parë bashkë me një pasagjer tjetër.

Mbeta në agjenci. Njeri nuk njihja. Iu  luta sportelistit që të më ndihmonte për të më gjetur një mjet deri në Prrenjas ose Pogradec pasi më duhej të kapja trenin për në Shkodër. Po ku donte t`ia dinte sportelisti, një e më dy e te klubi. Kthente nga një teke raki dhe zhytej brenda në dhomë. Kur vinte ndonjë kamion hapte gjysmë sportelin dhe pasi firmoste fletën e udhëtimit e mbyllte atë me potere.

Kaloj 30 minuta dhe sportelisti s’po ma varte më dhe kjo u duk se nisi nja katër pasagjerë të tjerë që kishin ardhur pas meje. Si duket udhëtarët e njihnin rregullin, linin në banak të bufesë porosinë ku sportelisti shkonte e rrëkëllente gotat.

U ula në një stol dhe po rrija.

Isha pa asnjë lekë tjetër në xhep përveç lekëve të biletës. Dy hije më zunë diellin. Ngrita kokën dhe shohë se para meje qëndronin dy polic.

-Njëri nga policët më foli vrazhdë:

-Ç`bënë ti këtu?!

-Po pres të gjej ndonjë mjet të udhëtoj për në Përrenjas.

-Nga je? - foli polici tjetër që në krah mbante një automatik.

-Nga Skrapari, -iu përgjigja.

-Ke pasaportë? - pyeti polici që nuk mbante armë me vete.

-Po, kam,- dhe ia zgjata pasaportën.

E mori pasaportën në dorë dhe pasi e ktheu disa herë, m`u drejtua:

-Ti do vish me ne në Degë të Brendshme.

Ju luta të më linin dhe po të kishin mundësi të më gjenin ndonjë mjet se kisha rrugë të gjatë për në Shkodër, po ku donin t`ia dinin policët. Më vendosën në mes dhe të dy më futën krahun. Shyqyr që posta e policisë nuk ishte shumë larg se m`i shqyen krahët deri në Degë të Brendshme. Në katin e parë të degës së brendshme polici pa armë porositi shokun e tij që mos largohesha dhe vet hyri te shefi i degës.

Nuk kaloi shumë kohë dhe shefi më thirri në zyrën e tij. Ishte një djalë simpatik dhe uniforma i shkonte shumë bukur. U përshëndeta me shefin dhe i tregova se jam student në ILP Shkodër dhe në Korçë kam ardhur për të marrë uniformat e studentëve për festimin e 20 - vjetorit të Institutit.

-Kur ke ardhur në Korçë?- më pyeti kryetari i degës.

-Kam ardhur ditën e premte së bashku me shokun tim të kursit Bardhi Koçibelli, e quajnë.

-Me Bardhin e Ramiut, ke ardhur mo!?

-Po, me Bardhin erdha, por u detyruam të ndahemi se nuk gjetëm dot mjet për të udhëtuar të dy deri në Prrenjas.

Kryetari ndryshoi qëndrim dhe urdhëroi punonjësin e policisë, atë që ishte pa armë të më shoqëronte deri në agjenci dhe të më gjente pa tjetër një mjet për t`u larguar nga Korça.

Punonjësi policisë që më shoqëroi, më kërkoi ndjesë, por nga ana tjetër më tregoi se ne bëjmë kujdes se Korça është qytet kufitar dhe nga ta dinim se ti nuk ishe ndonjë person që doje të arratisesh jashtë shtetit...

Punonjësi policisë trokiti me zhurmë në sportel dhe sportelisti nxori kokën duke i bërtitur:

-Pse e godet sportelin me grusht?!

-Hape ore hajvan se ta tregoi unë ty atë të bërtiturën.

Sportelisti u step kur pa punonjësin e policisë dhe  i kërkoi ndjesë kur hapi sportelin plotësisht.

-Urdhëro, shoku policë!

-Kryetari Degës më urdhëroi që t’ju them që këtij studentit t`i gjeni një mjet për të udhëtuar sa më shpejtë për në Prrenjas.

Urdhri i Kryetarit është që të mos i presësh biletë dhe ta nisësh sa më shpejtë.

Sportelisti hapi derën dhe më ftoi brenda.

-Na fal bre se ndodhin edhe keqkuptime, mos u mërzit se do të nis shpejtë.

Fati nuk ishte me mua. Kaloi edhe një orë dhe koha po mblidhte.

Më në fund fati më buzëqeshi. Një skodë e mbushur me qymyr mori fletë udhëtimin për në Prrenjas. Dëgjo,- i foli sportelisti shoferit, - këtë pasagjerin do e marrësh deri në Prrenjas me urdhër të kryetarit të Degës.

-I kam të zënë vendet, nuk mundem të zbres ata që kam hipur dhe të marrë këtë.

-Nuk di, unë zbatoj urdhrin, ti bëj si të duash.

Shoferi më pa me inat.

-Hip lartë se vende para nuk kam, - më foli me tërsëllëm.

Desha s’desha hipa lartë në karroceri mbi qymyr.

-Shyqyr që shpëtova,- thashë me vete dhe nuk po i  kushtoja vëmendje pluhurit të zi të qymyrit që po më bllokonte hundët. Nxora shaminë nga xhepi dhe bllokova frymëmarrjen.

Kur zbrita në qytetin e Prrenjasit isha bërë më zi se një arixhi.

Përballë stacionit të trenit priste shoku im, i cili nuk kishte luajtur nga vendi që kur e kishte shkarkuar thesin me uniformat e koncertit të madh të 20 vjetorit të hapjes së ILP. Transportuam thesin në drejtim të platformës ku qëndronte treni dhe pasi morëm biletat pritëm në stacion mbërritjen e trenit.

I tregova Bardhit shkurtimishtë se çfarë më kishte ndodhur në Korçë.

Ai u mërzit shumë dhe nuk e priste nga punonjësit e policisë së qytetit të tij që të më trajtonin në atë mënyrë. Isha i dërrmuar tërësisht. Në tren më zuri gjumi, veç në Vorë më zgjoi shoku im për të ndërruar trenin për në Laç...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora