Kulturë
Muharrem Kurti: Nostalgji dhe elegji me peshë
E shtune, 21.01.2017, 07:22 PM
“KTHIM NË SHTËPINË QË NUK EGZISTON” I SEJDI BERISHËS,
NOSTALIGJI DHE ELEGJI ME PESHË TË RRALLË POETIKE
(Duke lexuar poezinë-“poemthin” “KTHIM NË SHTËPINË QË NUK EGZISTON”)
Nga Muharrem KURTI
Poezia, ose siç po e quaj tani, “poemthi”, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, e shtrirë në njëqind e pesëdhjetë e një vargje, e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, dhe e kënduar në njëzetë e dy nënndarje shpirtërore, të cilën sapo e lexova në një nga portalet, tej mase më la një përshtypje të thellë, duke më bërë për veti që ta lexoj herë pas here, e duke gjetur gjithnjë në të kënaqësinë e bukurisë artistike, ndijimin e thellë shpirtëror, mesazhin edhe historik por edhe lartësitë e të shkruarit. Kjo “poemth”, që në fillim më bëri që të kundërshtoj kriterin e disa konkursistëve anekënd vendit, të diktojnë rregulla apo norma, e që cilat nuk i përkasin poezisë së mirë, qoftë e shkurtër apo e gjatë!
Normat e konkursistëve, që i dëgjojmë shpesh: ”Poezia të mos ketë më shumë se tridhjetë vargje, sepse, nuk do të merret në shqyrtim nga juria“, tregon diktatin e keq apo normën e pakuptueshme kundër vetë poezisë, letërsisë apo edhe vlerave krijuese përgjithësisht.
Poezia nuk lejon norma kushtëzimi për të shkruar shkurtë apo gjatë...!
Sepse, tek poezia “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston“, thënë saktë, “poemthi”, që është shkruar në mënyrën me të mirë nga autori Sejdi Berisha, i zhbënë normat pro kursiste, sepse, poezia e mirë, e shkruar gjatë apo shkurtër, nuk mund të paracaktohet nga askush tjetër përveç se autorit, me kaq apo aq vargje.
Le të mendojmë, se po t’i ishte thënë Edgar Alain Po, arkitektit të fjalës artistike, simbolistit të madh botëror, autorit të kryeveprës poetike “Korbi”, që ta shkruante vetëm tridhjetë vargje dhe aspak më të gjatë atë! Sa do të gjymtohej poema “Korbi”?! “Normatistëve” të konkurseve tona poetike, autori i “Korbit” do t’u shprehte përbuzje të madhe dhe refuzim profesional.
Mora si shembull dy poemthat, për t’i hedhur poshtë disa tendenca të konkursistëve për poezinë, se si të shkruhet, apo, sa të shkruhet, që vetëm në teori të letërsisë nuk i janë lexuar dhe mësuar normat në fjalë.
Por, të kthehem tek analiza poetike e poezisë-“poemthit”, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston” të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, dhe të prezantoj përjetimin tim gjatë leximit të saj. Poezinë-“poemthin” në fjalë, e përjetova thellësisht, dhe në fakt, krijimi letrar që nuk përjetohet, si ka mundësi që të komentohet me plot lëvdata.
Kur e bukura skalitet dhe përjetësohet në vargje
Në poezinë-“poemthin” “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston“, e hasë mesazhin që në titull dhe kudo, në tërë poezinë. Në të gjënë vargun e latuar më së miri, me figura të përzgjedhura dhe adekuate, siç janë metafora dhe krahasimi, e ndonjë figurë tjetër letrare. Gjënë skofiaritetin dhe muzikalitetin e vargut, nga të cilët nuk largohesh dot, as shpejt, apo edhe asnjëherë. Sepse, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, fillim dhe mbarim prezanton jetën e prindërve, të më të shtrenjtëve të fëmijëve, dhe si ka qenë dikur e sa mungon sot ajo jetë.
Me anë të detajeve artistike karakteristike për familjen bujare dukagjinase, ne ndjejmë mungesën e jetës që nuk është më. Figura e babës dhe e nënës, ashtu siç ishte në traditën tonë, janë skalitur me vargje të bukura:
Ka mbi një gjysmë shekulli
Dritaret e vogla si etje drite
Duart e nënës m’u kujtuan
Bukë duke gatuar
Edhe plisi e kamishi prej qelibari
Edhe tirqit me gajtanë dymbëdhjetë fijesh
(Nënndarja 1, 3, 5, 16)
Në shtëpinë që nuk ekziston
Vetëm hëna
Një cep të trapazanit e ndriçonte...
(Nënndarja 9)
U ktheva tek dhoma e çerepit
Çdo gjë dukej bosh
Edhe ajri që përftonte andejpari...
(Nënndarja 12)
Në kullë vetëm veriu frynte...
(Nënndarja 13)
Mënyra e jetesës, sidomos bujaria e jetës sonë në të kaluarën jo shumë të largët, madje, edhe ushqimi që është përdorur atëherë, janë skalit me një lirizëm të ngrohtë, tejet përzemërsisht dhe me përkushtim të thellë shpirtëror dhe njerëzor.
Vargjet janë thurë e shtruar me shumë ngazëllim, herë herë me admirim të paparë, nga këndvështrimi i autorit, duke parë zbrazëtirën që ka lënë e kaluara ë nuk harrohet dot, edhe ajo jetë e prindërve tanë.
Vargu si një lirizëm i rrallë dhe i ngrohtë e me mesazh të veçantë shpirtëror
Prandaj, pa hamendje mund të thuhet, se poezia-“poemthi”, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, është një nostalgji e rrallë poetike, një elegji e dalë nga zemra, apo një poetizim i shquar artistikisht i autorit për jetën që ka shkuar dhe që nuk kthehet kurrë më.
Gati në secilin varg, paraqitet mungesa e shumë çkaje, e jetës së prindërve tanë, në këtë rast, e prindërve të autorit, që ka lënë gjurmë të thella, por që tani nuk ekzistojnë më.
Poezia-“poemthi”, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston“, përjetohet thellësisht, dhe po ta lexosh edhe disa herë, në të gjen çdo herë mungesën e jetës së prindërve, shtëpinë e tyre bujare, ekzistencën e tyre stoike, mikpritjen e madhe, jetën e bardhë shqiptare, siç ishte veshja e tyre e bardhë, fryma e bardhë e dashurisë së tyre për jetën plot burrëri dhe njerëzi, në kushte dhe rrethana bukur të vështira dhe të pafavorshme, dhe që asnjëherë nuk u lëkund apo dridh. Pikërisht, ajo shtëpi, me të gjitha të mirat e veta, nuk ekziston më...!
Ky këndim poetik, mund të quhet kumbim i tërë asaj që na mungon. I asaj që ishte fëmijëria jonë, e ushqyer dhe e rritur me dashurinë e shenjtë prindërore. Pse ka ndodhur kjo, shtrohet pyetja?! Autori na krijon ndjenjën e mungesës. Ndalet, pikërisht këtu, sepse, atë ka për qëllim të skalis në vargje, ndërkohë që ne e dimë se e kaluara e jonë nuk ekziston më si arkitekturë dhe relikte, se në trojet tona patëm luftëra barbare dhe të përgjakshme gjatë pushtimeve shoviniste, sidomos të kohës së fundit. Mirëpo, shtrohet pyetja tjetër. Se a po i ruajmë ne gjurmët tona, dëshmitë historike... A po i ruajmë kullat tona heroike, në të cilat zhvilluam jetën duke e mbrojte atë me bujari, mikpritje, dashuri, por edhe më qëndresë.
Kullat tona, shtëpitë tona, që i rezistuan furtunave dhe stuhive, sot nuk ekzistojnë më. Për to, ndjejmë vetëm mall që na përvëlon e përcëllon!
Titulli i poezisë-“poemthit”, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, është edhe titulli i librit të autorit Sejdi BERISHA, që është botuar në gjuhën greke, në vitin 2016, përkthyer nga krijuesi dhe përkthyesi i shquar Iliaz Bobaj, dhe që është mirëpritur atje.
Librin në fjalë e kam objekt vështrimi në të ardhmen.