E premte, 08.11.2024, 12:20 PM (GMT)

Kulturë

Lumturi Ymeri: Gjinia

E merkure, 18.01.2017, 07:57 PM


LUMTURI YMERI

GJINIA

(Si të kapërcente ylberin?!)

-prozë-

Gjer ditën kur mësoi në shkollë për gjininë, ndjehej thjesht fëmijë që luante me të gjithë. Filloi të distancohej dhe vetmia iu bë shoqëri gati e përherëshme e mendimeve dhe meditimeve. Deri atëherë nuk dinte t’i përcaktonte njerëzit, gjërat që e rrethonin dhe t’i ndante ato në gjini. Fundja ishin të dashurit e saj që i përkisnin dhe i donte. Termi “gjini” e shtyri në mendime kontradiktore të paimagjinueshme. Ja, qielli i pushtetshëm mbi tokën dhe natyra krejt nën zotërimin e tij. Asgjë nuk dritonte zymtisë së tij kozmike, dhe gjithçka merte ngjyrë prej ndriçimit të tij e diellit. Madje edhe jeta e ditës dhe natës varej vetëm nga dielli, me hyrjen e daljen e tij në portat qiellore të lindjes dhe perëndimit. Mali gjigand i ashpër, i paepur ngrihej mbi fushën, herë të butë e herë të përzhitur. Lisi i lartë kryeneç i paarritshëm për shkurret e gjora pa trungje, veç me ca degëza të holla e të shtrembra. Lulet e gjithë bimësia, ngrinin e kalbeshin nën thëllimin e dimrit, vetëm gruri rritej pa iu tutur të ftohtit dimëror...

Ky bumerang i gjinisë mashkullore i dukej posedues, fuqiplotë, i panënshtrueshëm, i pathyeshëm. Femërorja në gjithtërësinë e saj mbetej e vogla, e brishta, e nënshtruara…

Po ajo?! Vetë ajo ç’ishte?! Për herë të parë mori frikë të qenurit vajzë dhe pse asnjëherë nuk donte të vishte fustan apo të rriste flokët. Ecte gjithnjë shkujdesur, me duar në xhepa e shpesh fërshëllente. E ndërsa rritej, ankthi filloi ta brejë në gjoks pikërisht atëherë kur dy spikama të vogla mishtore po i shpërthenin nën bluzë. Edhe ato, i mbërtheu me një morsetë të sajuar llastiku të gjerë për t’i shpëtuar makthit të vet dhe syve të botës që çuditërisht, prania e saj i bëhej përherë e më trembëse.

Gjinia dita-ditës po e gërryente përbrënda . Donte medoemos të ishte djalë. A mundej?! Po sikur të kapërcente ylberin?! Kish dëgjuar për këtë. Por a kapërcehej ai disk qiellor i lartë, ai brez dielli shumëngjyrësh i mrekullueshëm?! Sikur me magji të thyhej mbi lumë, do ta kishte më të lehtë! Shumë herë e grishte kjo gjë si e vërtetë dhe në ato raste që ylberi e zbriste diku afër njërën “këmbë”, kish tentuar t’i afrohej e sa më shumë i afrohej, aq më larg shkonte e i lartohej bukurisht si me një të përqeshur sfilitëse...

Ah, era! Po, era, e vetmja femër kapriçioze që e detyronte ajrin t’i bindej hazdisjeve të saj çapkëne, fluturimeve të furishme të pakapshme. Do të bëhej erë. Po i bëhej si qëllim i vetes të mbërrinte erën, ndaj nisi të vraponte, përherë e më shpejt, gjithnjë e më shumë, deri në dihatje. Madje me biçikletë e garonte erën dhe e shihte të mbetej prapa bashkë me ondet e vogla të ballit që ia merte lart. Dhe pse ia skuqte majën e hundës dhe mollëzat e faqeve ngarendte aq sa ndjehej më e parrokshme se era, larg njerëzve të huaj. Askush nuk mund t’ia shihte larushinë e gjelbër të syve. As trupin e bukur sportiv! I mplekste pjesët e tij me timonin e biçikletës dhe pedalet në rrotullim të hutueshëm.

Ashtu rrotulloheshin edhe ditët, stinët, vitet, kur ndjeu që erën në ikje ia rrëmbeu deti blu i paanë, i mistershëm, i magjishëm. Si një pelte e padukshme vale ajo u përthith krahëve të tij, gjoksit të gjerë, thellësive e u përpi e tëra si një frymëmarrje e thellë me ngulsh dallge…

Një trandje tjetër e përfshiu atë vetë në gjininë së cilës po i përkiste tashmë në mënyrë të pashmangëshme, duke hyrë në moshën pesëmbëdhjetvjeçare.

Nocionet për jetën, botën, natyrën, qiellin, diellin, veten, po ndryshonin tek ajo dalëngadalë si domosdoshmëri në lidhje me njëra-tjetrën, në lëvizje, në vazhdimësi të pafundme.

Po rritej...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora