E shtune, 05.10.2024, 07:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Vjollca Spaho e rrethuar me kolegë

E enjte, 26.01.2017, 08:11 PM


Skicë:

VJOLLCA SPAHO, E RRETHUAR NGA KOLEGË E DASHAMIRË TË SAJ…

Nga Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.

Siç dihet, njeriu ka disa faza të jetës së tij. Pas fëmijërisë e adoleshencës, vjen periudha e mësimeve e studimeve. Më tej, ajo pasohet nga puna në profesion, përpjekjet për t’i shërbyer vetes e familjes, por dhe mbarë shoqërisë…

Ndoshta, ishin të panevojshme këto radhë!? Por desha të tregoja se edhe kolegia e mikja jonë, gazetare e krijuese, Vjollca Spaho, i përshkoi me nder dhe përkushtim këto periudha të jetës së vetë. Shërbeu në arsim, në vendlindje, Elbasan; pastaj, disa vjet radhazi, redaktore në gazetën e revistën “Mësuesi”, pranë Ministrisë së Arsimit dhe, së fundi, drejtuese në një shkollë të kryeqytetit.

Po ja, vjen një ditë dhe njeriu, cilidoqoftë ai, i përmbyllë vitet e jetës së tij në punë, duke dalë në pension. Sigurisht, kjo përbën një ngjarje “kthese” dhe të rëndësishme për çdo njeri. Janë të ndërthurura e të pandara: nostalgjia e largimit nga kolektivat, ku ke punuar vite të tërë, por dhe gëzimi, që i kreve me përkushtim detyrimet ndaj vetes, familjes e shoqërisë, duke i venë në shërbim të tyre, të gjitha njohuritë e fituara, si në bankat e shkollës dhe në jetë.

Me këto ndjenja e përjetime ishte dhe kolegia e mikja jonë e mirë, Vjollca Spaho, kur na ftoi në një drekë të përbashkët, në një “rreth të ngushtë”. Në një lokal, në qendër të kryeqytetit, u tubuam disa ish-punonjës të gazetës dhe revistës “Mësuesi”, ku ajo kishte shërbyer edhe vetë. Një buqetë me lule të freskëta ia dorëzoi asaj, në emër të tërë kolektivit tonë, Afërdita Toska. Pastaj, me radhë, e përshëndetëm dhe e uruam, përzemërsisht: unë, Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”; Viron Kona, me bashkshorte Liljanën, mësuese dhe vetë  publcist e shkrimtar i njohur; Andon Andoni, krijues dhe botues i sotëm i revistës “Mësuesi”. Gjithashtu, kishin ardhur: Sejdo Harka e Bashkim Saliasi, drejtues në dy shkolla të Tiranës dhe Ibrahim Hajdarmataj, nga fshati Zogaj i Malësisë së Gjakovës (Tropojë), ish-drejtor i gjimnazit aty dhe të dy, bashkëpunëtorë shumëvjeçarë të  këtij organi arsimor.

I pari, me fjalë të zgjdhura, e përshëndeti Vjollcën, me rastin e daljes në pension, B.Xhama. Por, me fjalë dashëmirëse e respekti për të, folën të gjithë të pranishmit në atë takim mbresëlënës. Ndërsa unë pata kënaqësinë që t’i dhuroja asaj librin tim më të ri, “Kur flasin zemrat”, në të cilin flitet për rreth 65 krijuese e veprimtare të dalluara. Në librin tim të mëparshëm, “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015), V.Spaho ka qenë redaktore e tij. Por edhe ajo na dhuroi të gjithëve, me dashamirsi e me nënshkrim, librin e saj të ri poetik, ”Si vjeshta…”. Disa nga poezitë e këtij vëllimi i recituan: vetë Vjollca, por dhe Bardhyli, Andoni e Ibrahimi, që u pritën me duartrokitje.

Sigurisht, në këtë takim të gezueshëm, ne folëm për  familjet tona, bëmë shakara miqësore dhe kujtuam, jo pa nostalgji, vitet e punës në gazetën dhe revistën “Mësuesi”. Sollëm në biseda emrat e disa  drejtuesve e redaktorëve, që mund të ishin të pranshëm, por dhe të mjaft bashkëpunëtorëve. Ja, sikur ishin me ne aty edhe Fran Gjoka, i cili mori në celular dhe e uroi Vjollcën, nga Ishull-Lezha dhe Kadri Tarelli, nga qyteti i Durrësit.

Gjatë këtij takimi të paharruar, “konkurruam” me aparatet tona fotografile, unë e Bardhyli. Fotot, që fiksuam, janë kujtim i paharruar për ne të gjithë. Por do të botojmë vetëm dy prej tyre, me urimin e zemrës, për kolegen e miken tonë të nderuar, Vjollca Spaho:

Të keshë përherë shëndet e mirësi në jetë, bashkë me dy vajzat dhe familjet e tyre! Ndërsa, kudo që të shkosh e të jetosh, mbaje kokën me shkimin prapa, pra në vendlindje e në Tiranë, ku do të gjeshë kurdoherë miq e dashamirë të shumtë, të cilët ti i ke të tillë, me punën e përkushtimin tënd, me aftësitë profesionale të dëshmuara dhe cilësitë e një njeriu të dashur e të respektuar.

2.

Në këto radhë përmbyllëse, të kësaj skice modeste, dëshiroj t’i tregoj lexuesit se Vjollca Spaho, përveç punës redaktuese, në gazetën e revistën ‘Mësuesi”, ka botuar dhjetëra shkrime cilësorë, me firmën e saj. Por, po të hapësh skedarin e Bibliotekës Kombëtare, do të lexosh aty, që ajo është edhe autore e bashkautore e disa librave e studimeve, sidomos, për çështje të arsimit dhe shkollës sonë.

Këtu dua të veçoj, që Vjollca Spaho është autore e librave me poezi: “Po të shkruaj…”(Tiranë, 2011) dhe “Si vjeshta…”(Tiranë, 2016). Ndërsa janë me interes studimet e botuara nga ajo, si:”Tej mureve të fjalës”(Komente për tekste letrare), Tiranë, 2006; “Analiza dhe interpretime te teksteve letrare…”(Tiranë, 2016); “Mësimi me tema-Përvojë për lëndën gjuhë e lexim), Tiranë, 2016.

Gjithshtu, ka botuar studime tjera, si: “Kurrikulla, kjo shtyllë e sistemit arsimor”, studime për krijimtarinë e Martin Camajt dhe Azem Shkrelit, “Gjimnazi i Elbasanit, me emrin e Kristoforidhit” etj. Vjollca Spaho është bashkautore në disa botime  dhe ka redaktuar 6 libra të autorëve të ndryshëm.

…Jemi të sigurtë që kolegia e mikja jonë, Vjollca Spaho, edhe në vitet e pensionit, nuk do ta ndërpersë punën e saj krijuese e studimore. Prandaj, e urojmë atë që përsëri të shkruajë e botojë, po me atë pasion e cilësi, si deri tani, libra e studime të pëlqyera dhe sa më të vlefshëm për lexuesit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora