E merkure, 01.05.2024, 01:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Mimoza

E hene, 30.01.2017, 09:22 PM


MIMOZA

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Mimoza! Me këtë emër kaq të bukur më kanë quajtur mua që edhe pse origjinën e kam të largët, nga Australia, jam përhapur të jetoj edhe në vendin e bukur me emrin po aq të bukur, SHQIPËRI.

Çuditërisht, Nëna Natyrë më ka krijuar me flokë të verdhë prandaj edhe më quajnë edhe lule artë, për të lulëzuar në muajt e parë të çdo viti, në stinën e acartë të dimrit dhe në pragpranvere.

Zakonisht, në stinën e ftohtë të dimrit, ndodh që, papritur moti ndryshon për pak ditë, ditët ndjehen më të ngrohta se ditët e tjera dhe, kur rrezet e diellit dimëror përkëdhelin flokët e mi të artë, unë, atëhere e përkëdhelur filloj të shpërthej me lulëzimin tim duke u dhënë njerëzve gëzim, kënaqësi si lajmëtare e ardhjes së pranverës.

Edhe kur flokët e dëborës bien lehtë lehtë mbi trupin tim, bardhësia e saj ngjan si një vello nusërie mbi flokët e mi të verdhë.

Sheshet, rrugët, bulevardet e qyteteve të ndryshme ku më kanë vendosur për të jetuar, zbukurohen nga ngjyra ime e artë; aroma ime e këndshme përhapet gjithandej duke hyrë thellë mushkërive të njerëzve.

Njerëzit! Ah, sa shumë njerëz kam parë! I dua njerëzit, sepse edhe ata më duan mua.

Sa shumë njerëz të gëzuar vijnë drejt meje; më shikojnë me kërshëri dhe kënaqësi; atë kënaqësi që edhe unë ua shikoj në fytyrat e tyre të qeshura plot dritë.

Më përkëdhelin degët, flokët e mi të verdhë, afrohen pranë meje duke nuhatur aromën e këndshme të luleve të mija dhe sikur duan të më thonë diçka. Ndërsa unë, i vështroj, i vështroj...

E ndjej veten të jem pema më me fat që mbledh rreth vetës, shikoj njerëz të moshave të ndryshme.

Eh, sa shumë njerëz shoh, në çdo orë, ditën edhe natën, mëngjeseve edhe mbrëmjeve!

Ndjehem e lumtur kur shoh dy të rinj të dashuruar, të përqafuar të vijnë drejt meje, të qendrojnë nën degët e mija dhe ja, po u dhurojnë njëri tjetrës plot afsh dhe ndjenjë puthjen e parë. Pastaj puthjen e dytë, puthjet e panumërta, përkëdheljet, ledhatimet...

Si një simfoni muzike, bashkë me fëshfëritjen e degëve dhe gjetheve të trupit tim, dëgjoj edhe pëshpëritjet e tyre, fjalët më të zjarrta: "Të dua! Të dua shumë!

Dëgjoj pëshpëritjet e të dashuruarve të ndryshëm që jo pak herë shijojnë kënaqësinë nën strehën e trupit tim.

E si të mos ndjehem e lumtur unë, Mimoza luleartë, kur emrin tim e gëzojnë shumë vajza dhe gra të bukura e fisnike, intelektuale dhe shtëpiake shembullore...

Dhe, në mes gëzimit dhe kënaqësisë që ndjej, më breh shpesh mendimi, së shpejti njerëz të moshave të ndryshme do vijnë drejt meje, ashtu siç vijnë përherë të qeshur e të gëzuar, me buzëqeshjen që u shkëlqen fytyrat.

Por, pa mëshirë, do më sakatojnë duke më shqyer krahët e mi të brishtë të mbushura plot me lule, do më përkulin degët, do më këpusin, do më thyejnë pjesë të ndryshme të trupit.

Dhe unë, si një vajzë e bukur, e pafajshme, nuk kam forcë ta ndal atë masakër që po i bëhet padrejtësisht trupit tim.

Krejt papritur, bukuria ime shndërohet. Trupi im i ngjan një kufome të masakruar.

Largohen pastaj njerëzit të gëzuar, ndërsa unë, me dhimbje i vështroj degët e bukura të lulëzuara të shkëputura masakrisht të trupit tim të qendrojnë në trupa të huaj, të përqafuara në qindra krahë njerëzish të panjohur.

E di, ato pjesë, degët e lulëzuara të trupit tim, do zbukurojnë dhoma të ndryshme shtëpijash, do jenë të vendosura në vazo të mëdhaja me ujë si ushqimi i tyre i përkohshëm, do t'i çojnë edhe në pikat e shitjes së luleve për qellime fitimi.

Ato pjesë të trupit tim, do gëzojnë shumë zemra të dashuruarish edhe në ditën e tyre të shenjtë të 14 shkurtit.

Por, ah! Sa shumë e dëshiroj, që, për të gëzuar zemra të dashuruarish, zemrat e njerëzve të ndryshëm që më vendosin në vazot me ujë në shtëpijat e tyre, të mos vijnë njerëzit e ndryshëm e të më sakatojnë.

Dëshiroj shumë të vijë lulishtari i kujdesur, të më presë me kujdes degët e lulëzuara, ashtu siç pret floktorja duarartë flokët e tepërt të një vajze të bukur, veçanërisht, vajzës bjonde ashtu siç jam edhe unë.

Kam hyrë në muajt e mi të artë të lulëzimit dhe do e dëshiroja shumë të mos ndodhë ajo çfarë ndodh me mua në vitet e shkuara.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora