E merkure, 01.05.2024, 04:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Rudolf Marku: Nasi Lera - Kishim një ëndërr

E diele, 29.01.2017, 10:03 AM


Romani “Kishim një ëndërr” i Nasi Lerës

Nga Rudolf Marku

Shkrimtarit, pasi ka botuar një libër të mirë, nuk i mbetet veçse të jetojë për pak kohë nën hijen e këtij libri të mirë. Pas Të gjithë premtojnë Parisin, dashje pa dashje, më ndodhi të kem një lloj skepticizmi tek fillova të lexoj romanin...., si një roman i cili domosdoshmërish duhet të qe nën nivelin e romanit Të gjithë premtojnë Parisin. Mirëpo sa më shumë zhytesha në leximin e romanit të fundit të Nasi Lerës, aq më shumë bindesha se kishim të bënim me një vepër të pavarur, dinjitoze dhe me tone krejt të ndryshme nga krijimtaria e mëparshme. Ajo që e dallon këtë roman është kompozicioni origjinal, shumëplanësh dhe me regjistra të ndryshëm të narracionit. Kjo teknikë rrëfimtare krijon rrathë të brendshëm, të cilët duke qenë të pavarur nga njëri-tjetri, ndërpriten dhe lakohen në rrafshe të veçanta. Ndërrimi i vazhdueshëm i regjistrit të narracionit e bën romanin më intrigues, më të pasur në intonacion, më të besueshëm si ngjarje dhe më befasues. Është meritë e Nasi Lerës (falë përvojës si shkrimtar, por edhe si përkthyes) zhvillimi i karaktereve të romanit pa ndërhyrjen e autorit. Gjatë gjithë shtjellimit të romanit, autori duket sikur nuk ekziston. Ngjarjet dhe karakteret zhvillohen përmes natyrës së tyre, pa na shkuar ndërmend për dinakërinë e autorit që është fshehur aq mirë sa duket sikur nuk ekziston. Romani është një klithmë artistike për realitetin shqiptar. Si një simbolikë e paqëllimtë, duket se autori na thotë se i gjithë vendi është një agjenci varrimesh, jo thjesht një agjenci e varrimeve të njerëzve të vdekur, por mbi të gjitha një agjenci varrimesh e Shpresës, Ëndrrave, Ndjenjës, Dashurisë, Mirësisë. Asti, regjisori i pamundur për të vënë në skenë gërshetimin e Çehovit me Beketin, në fakt përjeton tragji-komedinë çehoviane-beketiane vënë në skenë në realitetin e përditshëm nga politikanët dhe politika shqiptare. Femra është viktima e parë e realitetit të romanit të Nasi Lerës, siç është edhe e realitetit shqiptar, por pa rënë në grackën e shabllonit joshës të idealizimit dhe viktimizimit të saj. Skena e varrimit në fundin e romanit është dhe skena më e fuqishme, sepse gërsheton bashkë tragjizmin, neverinë realiste, groteskun, komiken, dhimbjen se ajo që lexon është një realitet që përjetohet nga lexuesi çdo ditë.

Jetëshkrimi

Nasi Lera u lind në Korçë, ku mbaroi shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në degën gjuhë-letërsi shqipe. Ai tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës që në tregimet e para për nivelin e tyre të lartë artistik. Veprat e tij u vlerësuan menjëherë me çmime në konkurset kombëtare si dhe me Çmimin e Republikës. Disa prej tregimeve të Nasi Lerës janë përkthyer në bullgarisht, rusisht, hebraisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht. Ai ka botuar këto vëllime me tregime: Bora e fundit, Era e pishave, Nisemi, djema, Ditë nga ky shekull, Sytë e dashurisë, Treni ecte drejt dëborës, Duaje emrin tënd, Ulërima e heshtur, si dhe romanet: Gjaku i prillit, Të jetosh kohën, Orët e qytetit të vogël, Balada e vetvetes, Nata e premierës, Ngjallja e diktatorit, Ana Zh., Njeri pa stinë, Sytë e Sofisë, Të gjallë dhe të vdekur, Të gjithë premtojnë Parisin. Romani ... është romani i tij i dymbëdhjetë.

Një vend të madh në krijimtarinë e shkrimtarit zënë përkthimet e autorëve nobelistë si E. Heminguej, A. Kamy, J. Saramago, G. G. Marquez, A. Zhid, Le Clezio, M. V. Llosa, J. Kavabata, Kenzaburo Oe, M. Kundera, M. Duras, M.Turnie, Akutagava, S. De Bovuar etj.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora