E premte, 01.11.2024, 12:31 AM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Shyqyri Fejzo

E marte, 20.09.2016, 07:06 PM


Shyqyri Fejzo ka lindur me 5 Mars 1943 në fshatin Shënepremte të rrethit Gramsh. Mbasi mbaroi shkollën  7 vjecare “Tahir Sadiku” në Shenepremte  vazhdoi shkollën e mesme “Irakli Terova” në Korce. Më pas vazhdon studimet e larta në degën e ekonomisë agrare, ku titullohet ekonomist-agrar, ndërkohë përfundon dhe kursin e lartë të gazetarisë. Filluar nga viti 1967 ka kryer detyra të ndryshme në rrethin e Gramshit, si ekonomist, Drejtues I Bankës të Shtetit dhe asaj Bujqësore, si dhe në disa ekonomi bujqësore dhe aparatet shtetërore të kohës. Për pesë vjet ka qënë në emigracion dhe pastaj shkon në qarkun e Korcës ku ka punuar në sistemin banker dhe në TVSH- me Part-Time. Ka botuar 7 vëllime me tregime humoristike e satirike, si “Verejtje me shënim në portofol”. “Kur merr shtatë e shpenzon tetë, s: ke nevojë për kuletë”, “Nastradini në internet”, “Kur gabon i mencuri cuditet budallai” etj. dhe së fundi del me romanin “Qytetarët e të nesërmes”. Penës tij i përkasin dy monografi për fshatin e lindjes Shënepremten. Ka shkruar  tre dokumentarë të cilët i ka transmetuar TVSH, si dhe shkrime për probleme sociale e ekonomike. Është përgatitur për botim dhe një vëllim me poezi me titull provizor “Le të na dinë ashtu si themi, mos qofshim kështu si jemi”. Ky cikël me  poezi është marrë nga  vëllimi që është përgatitur për botim. Në krijimtarinë e tij i ka shërbyer pasuria folklorike e gjuhësore të trevave të Gramshit e vecanërisht fshatit të vet, Shënepremtes.

 

1. Pronari dhe prona

 

E mallkuar është kjo prona

Kokën lëmë për pasuri

Është e imja është e jona

Jargavitet çdo njeri

 

Ka njerëz që i vënë të tëra

Sa asgjë nuk ju mungon

Tani duan fusha të gjëra

Është ky neps që nuk mbaron

 

Dikujt fati portën i hap

Plot me prona e pasuri

I shkon djalli në krevat

I shton oreksin në kopraci

 

Kamja vet ka një fillim

Si dhe jeta që ka një fund

Prona rritet me tundim

Mosha pronarin e shkund

 

Ja, papritur e gjen bandillin

E vërteta krejt lakuriq

Një takim me xhebrailin

E mbuluam, thamë “vdiq”

 

Shpesh pronarin e mban shpresa

Se do rrojë përgjithmonë

Mendjen djalli ia mori

Pasurinë ja”fshin” më vonë

 

 

2.Vjeshta.-

 

Ngarkuar, e kapitur çapitet vjeshta

Ndërruar kostum ngjyrë floriri

Më fton çmendurisht në krahët e veta

Të prek, të shijoj frutet tek gjiri

 

Të zotët i ngritën fustanin deri në ije

Të liruan, të puthën trupin e bukur

Sutjena të bëri mjergulla, jot bijë

Që çirren si gënjeshtra gazete me të ndukur

 

Njerëz me shporta e arka kudo

E presin dhe përcjellin rrugëve, dyerve

Disa i njeh mirë, të tjerë jo

është stina e qafkthyerve.

 

Ka njerëz që këto ditë gëzimin shijojnë

“Sa bukur, këtu pranë prodhimit”

Ka të tjerë që heshtaz theksojnë

“Sa mirë që nuk ishim në kohen e punimit”

 

 

3.Harmoni e kohës.-

 

Kjo e kohës harmoni

Sot shumë ka evoluar

Eshte futur në çdo shtëpi

Dhe njerzit i ka liruar

 

Nuk di a e kini venë re?A u kane thënë

Tamam, fiks, në të njëjtën orë

Çiftet ndjejnë nevojën për tu zënë

Me  fjalë goje, a me dajak në dorë

 

 

4.U ndërrua zakoni.-

 

E pyetën një dit duhanin

Pse s’te shohim në tavolinë?

Si ja gjete dot dermanin

Mos je zënë me rakinë?

 

Bashkë  gjithnji ju shikonim

Sic rri nipi me një teze

Njerzit me ju bisedonin

Përpara tavëll e meze

 

Kur ligjet u shtërnguan

Ne të dy shkuam të flemë

Njerzit zakone e ndërruan

Tani kane xhan kafenë.

 

 

5.Erërat.-

 

Ti fryn e lirë, andej nga deshe

Kur vjen rradha me flakën luan

Zjarr të fikur dojë të ndizje

Dhe zjarre të ndezur i shuan

 

Era,hija e gjetheve e luleve

E lakuriqte bredh gjith behare

Fryn e fuqishme, lugjeve, honeve

Ne dimer martuar me acare

 

Bota ka shumë erera, kjo dihet

Disa janë qefllinj të parfumeve

Erërat pranverore presin të tjerë

Të bukura erat e mollës e agrumeve

 

Era e djersës është era e vërte

Ajo pak pëlqehet në njerëzi

Po ta njihte atë një deputet

Kjo do te ishte një mrekulli.

 

Pika e djersës e mërgon pikën e lotit

Kjo dihet në gjithë rruzullimin

Ndaj ka formën e peshën e globit

Ti sjellë njerëzimit gëzimin

 

 

6.Merak nëne.

 

Sa ishe gjallë na ndiqje në çdo hap

Të kërrusi meraku për femijët e tu

Dhe kur u rritën dhe dolën në jetë

Nuk pushove e nuk ktheve tëhu

 

Darkë nuk haje pa ardhur djali

“Ka të pa pritura vera dhe vjeshta

Rrugë e keqe ajo që vjen nga mali

Kam frikë se mos e hajë dhe breshka”

 

Tani që ke ikur të gjitha mi le mua

Meraklinj të mëdhenj kemi qënë të dy

“A dolën femijët në tel a skype moj grua?”

Dhe gjumi nuk më ze pa të kujtuar ty.

 

 

7.Kënga dhe lumi.

 

Sa herë që shkoj në fshatin tim Lenie

Do e marr një sy gjumë në prozhme a hije

Sa shtrihem mbi bar thellë më kapit gjumi

Bashkë me një këngë të bukur që vjen nga lumi

 

Asnjëherë në gjymë s’ia dallova fjalët

Në këndonin brigjet a këndonin valët

Fjalët e kengës me miqtë i mësova

Sic vinin nga Lenia apo nga Grabova

 

Në konak gurgullon kënga e vërtetë

Si e nisur nga malet që prekin retë

Ai që ja thosh këngës si lumi i sertë

Ai që priste këngën si pellgjet i qetë

 

Kënga merr vrull e nuk do të ndalet

Ajo sjell gëzim dhe ju qan hallet

Isoja si valë,  gjat bregut gjëmonte

Dukej si një garë, kush më mirë këndonte

 

Lumi plot me këngë këta njerëz rriti

Ndaj ata këngën kurrë se ndajnë nga shpirti

 

 

8.Hidroçentrali i Lenies.

 

Dyzetepesë vjetorin feston këtë vit

Ankim sikur njëherë s’të dëgjova

Punon i qetë, pa pushim nat e dit

Me ujin e ftohtë që vjen nga Grabova

 

Rekorde ke thyer duke gatuar dritë

Edhe pse kapaciteti duket pak

Nuk ke pushuar qoftë dhe një dit

Vetëm rinohesh e s’plakesh aspak

 

Lumi alpin i Grabovës, i Devollit nip

Hidrocentral i Lenies i ngritur mbi të, e para pranverë

Lumi dhe hidroçentrali, nuk e quajnë vehten vip

Se mbi lumin Devoll po lindin gjigande te tjerë.

 

 

9.Vjelsja e mollëve.-

 

Dielli me mollët të ka pjekur

Të ka zgjatur sa pemët vetë

Në gji dy reneta të ka fshehur

Dhe në sy..të ka zbritur nga retë

 

Frutat kudo me të ylberit ngjyra

E kuqja e mollëve aty ngatërrohet

Ku ka starking e cila është fytyra

Nën rrezet e diellit gjithshka flakërohet

 

Duart si flutur nxitojnë në vjelje

Ato nuk i lodh një ditë e tërë

Melodia e njohur i bën përkëdhelje

Djaloshi provon renetat a janë bërë.

 

 

10.Tundimi

 

Ka ndodhur pa dashje tundimi

Pa dashje, shumë lehtë dorzimi

Diku, pa dashje jepemi

Dhe pa dashje diku stepemi

 

Kjo, deri sa hëna noton në retë

Se po doli ashiqare, hëna sy i fshehtë

Ju fshiheni, në cdo skute e kend

Po është era, gjuhë që nuk le vend

 

 

11.Kthimi në Korçë.-

 

Si erë pranverore në Korcë të erdha

Nga banaku nuk të nxora me dredha

Se me deshe pa erdhe, megjithmend

Gjoja ke problematik një klient

 

Me shikim të rrëzova si molla përdhe

E plagosur rëndë,  aty ku më dhimbëte re

E ke pyetur vehten, e ke vënë re

Vërtet, Korçare pse, përse u ndamë ne?

 

Këto nuk ndodhin përhera

Na ndau shumë keq i paudhi

Korcës  duket se ja heq dera

Tamam, si doktor Avramudhi

 

 

12.Deri kur?

 

Në majën e gjuhës sharja na ka mbetur

Shajmë të gjithë, në klub, rrugë vaj medet

Shajmë gjithëshka, të gjallë të vdekur

Monomente,Skënderbeun, Krisht e Muhamed

 

Kjo na u kthye pasion i pa parë

Ndonjë sot dhe me kunj pyet

Duke u zgërdhirë e duke sharë

“Si e kini me shëndet, gomarin që cofi vjet?”

 

Të kish më pak sharje tek ne

Të kish dhe më shumë dashuri

Do të kishim më shumë Atdhe

Do të kishim me nam një Shqipëri.

 

 

13.Te korrat e poetit

 

Poetët nuk mbjellin

Cuditërisht, ata korrin gjithnji

Drithin e ëndrrave vjelin

E shijnë në vargje e poezi

 

Libri është hambar i poetit

Librat nuk qajnë as nuk qeshin

Kanë gjërësi e thellësi të detit

Të mbyllur, gojëkycur heshtin

 

Gërmo në stivat e tyre a në arë

Gjen duaj me kallinj të pjekur

Gjen një portret të paparë

Fantazmën e poetit të gjallë a të vdekur

 

Hapeni të poetit hambarin

Pa dashur do tundni kokën

Do gjeni rrebelin, “të mbarin”

Do shihni realisht botën

 

 

14.E fshehta

 

Atje ku ende nuk kam qënë

Shpesh aty shkoj me të shpejtë

Kërkoj atë që nuk kam lënë

Kërkoj me ngulm një të fshehtë

 

Kam nje çast të mrekulluar

Si në endërr ku njëlloj

I gëzuar ndodhem zgjuar

Është ëndërr a jetë, se dalloj

 

Sa matem ta prek me dorë

Ngjethem i tëri.E dini pse?

Thosh gjyshja ime e gjorë

E fshehta djalë, vdes e re.

 

 

15.Strofa nga kënga e dembelave

 

Gjysma e jetës na shkoi në gjumë

Dhe një çerek jete në kafene

I hapëm vetes goxha punë

Debate të zjarrta bëjmë ne

 

Ç’ të bëjmë? Ja, filozofojmë

Nëpër klube për politikë

Globin në sater duam të shkojmë

Faj të madh kanë partitë

 

Ndonjë na thotë; “Pse nuk punoni?”

Kjo si shpesh ne na ka ndodhur

Çuditemi se si nuk mendoni

Ne kemi lindur të lodhur.

 

 

16.Rëndon…

 

Guri, druri, hekuri janë të rëndë.

Dhe balta, shpesh njerzit e thonë

Kështu e tjerr me ligje dhe një këngë

Me të lehta se ndarja përgjithmonë

 

Ende nuk e di si është e vërteta

Se, realisht emigrant po vuaj

Peshë te rëndë mbi shpinë më vuri jeta

Po s’paska më të rëndë se dheu i huaj.

 

 

17. Trupi dhe shpirti.-

 

Në Arrdenet, në  Bastonjë të Belgjikës

Ca fije po mi hedhin, se di se si

Si skllav  atje po shuhem prej frikës

Nën mbretërinë e saj gjatë po rri

 

Ku shkoi vallë,ku u shua një miqësi?

Lenia, Gramshi, Korça, burimi nën pisha

Ku është Pendavinji, mocalet po liqeni i Zi?

Të gjitha këto sot doja ti kisha

 

Dhe në Belgjikë ka pyje, lumenj e kalaja Larosh

Ka rrugë e qytete me drita, natyrë që nuk ka të sharë

Dhe aty ka fruta, perime kafe, që i gjen si ti kërkosh

Po mua këtu me duket se është gjithshka e shplarë

 

Dielli këtu është me dhëmbë

Rrallë me mua del në shetitje

Kur nis shiu bie me shtambë

Na qeras me rrufa e teshtitje

 

Këto mendoj dhe them pa  frikë

Kështu açik cdo gjë ka hije

Trupi im është në Belgjikë

Shpirti bën roje në Lenie.



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora