Kulturë
Poezi nga Vjollca Pasku
E merkure, 29.06.2016, 07:10 PM
Vjollca Tiku Pasku
SONET JETE
Kush ka ndjerë qysh herët melodinë e vesës së agimit,
që rrëshqet butë mbi harqe petalesh transparent,
ka ndjerë edhe një rapsod të rënë nga gjuha e qiellit,
kur në të varet një ujëvarë që me pika kristali kërcen.
Kush ka thithur aroma lulesh mbjellur nga nimfat në tokë,
ka ndjerë lindjen e ëndrrës që me parfum trëndafili ajrin qëndis,
thyerjen e qelq petaleve për të ngritur shpirtin në vallëzim,
dridhmat dhe mornicat e erës në përjetësimin e bukurisë.
Kush i ka parë zogjtë me krahë gjigantë prej dallgësh deti,
sfungjerët që kanë mbledhur butësinë e përkëdheljes ujore,
koralet yjorë ku puthen nga buzët e peshqve në gjethe rrymash,
ka ndjerë orët e kaltra në byzylykun e perlave të ditëve verore.
Kush ka ndjerë tingujt e një violine të zjarrtë në vetveten e tij,
të zhytur brenda zemrës që çliron hiret e një vullkani në zgjim,
ka ndjerë vakumin e ëmbël të çasteve hyjnore të dashurisë,
që shkrinë fjalët çastit dhe u dorëzohen britmave në amshim.
FORMULA E BARDHË
Te pemët e vjetra në një shtëpi rrënuar nga netët e kohërave,
Ju, grupi i të rinjve mbledhur gërmuq, të ftohur e pa ngjyrë,
fluturoni nën kotësinë e pluhurit të bardhë, të drogave,...
që mbartin sferën e heshtjes në vagonin e vdekjes pa fytyrë.
Ju gjalloni në diellin e ëndrrave me pyje pa rrënjë e pa planet,
sy mbyllur stimuloni shpirtin, vini helmetën pa peshë të iluzionit,
vidhni çaste, orë, e rënkoni të dehur nga jeta që mbyt veten e vet,
duke u gjeneruar nga ekzekutimi i arsyes së dhimbjes, e pasionit.
Sa mallkime lëshojnë sytë e skuqur të horizonteve tuaj të errët,
kundrejt krimbave, që lindin fshikëza prej pluhuri të bardha,
sa kazma metalike godasin në aortën e organizmit tuaj të mjerë,
kur shikojnë filizat e çarë që mbyllen në rrënjët e selvive të larta.
Errësira është pjellë e hijes së çalë të varfërisë mendore,
vezë bosh pa embrion që pushtohet nga flaka e qiririt të shkrirë.
Drita është burim i zërit të krijimit nga inteligjenca njerëzore,
jeta pa sy, zgjedh psalmin e djallit, veshur si engjëll pa gjymtyrë...