E shtune, 12.10.2024, 07:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Ahmeti: Kanuni i Skënderbeut, vepër monumentale

E hene, 27.06.2016, 06:30 PM


Në 600-vjetorin e lindjes së Heroit kombëtar

KANUNI I SKËNDERBEUT-VEPËR MONUMENTALE E KULTURËS SONË

Nga: Isak Ahmeti

1. Semantika e fjalës kanun

Kanuni, sipas Fjalorit të Gjuhës së sotme Shqipe[1] është përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike-shoqërore të periudhave të kaluara dhe që në kohën e vet mbronin interesat e klasave të shtresave të caktuara shoqërore; është tërësia e normave të së drejtës zakonore.

Për më tepër fjala kanun është marrë nga gjuha sumeriane (gi, Rohr), dhe ajo akadiane (qanu, Rohr) për t`arritur deri tek gjuha hebraike (qane, Rohr) dhe që andej është marrë nga greqishtja (kanna, Rohr) dhe kështu është zhvilluar më tutje në kanon, me kuptimin „regull, normë“.[2] Termi kanun, sipas historianit Kristo Frashëri, është me origjinë bizantine, rrjedh nga kanon „vizuar“, me kuptimin metaforik „vijë e drejtë“ dhe më tej „normë që dikton rrugën e të vepruarit drejt“.

Pra kanun në veri, ashtu si venom në jug, kishte kuptimin e një norme juridike, të cilën bizantinët e quanin quanii „sindagma“ (kod) dhe turqisht „kanun-name“.

Shqiptarët kanë disa kanune, si për shembull, Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Malësisë së Madhe, Kanuni i Labërisë,

Kanuni i Lekë Dukagjinit[3] dhe me fjalën kanun ata kuptojnë edhe sot korpusin e së drejtës së pashkruar.

Mirëpo këtu, në 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, do shqyrtojmë KANUNIN E SKËNDERBEUT,

që në një formë të shkruar, nga forma gojore e zgjeruar e tij, është bërë për herë të parë nga Dom Frano

ILIA.[4]

2. Kanuni i Skënderbeut – i Arbërit

Me hulumtimin, grumbullimin e materialeve të së drejtës zakonore skënderbegiane ishin marrë studiues të ndryshëm

si: Marin Sirdani[5], Qemal Haxhihasani[6], Zef Valentini[7], Rrok Zojzi[8], Kristo Frashëri[9], etj.. Mirëpo

punën e tyre e ka tejkaluar, i vetmi dhe i pari deri më sot, Dom Frano ILIA, i cili materialin e grumbulluar e ka

sistemuar në trajtën e një kodi monumental, të cilin e botoi, pas vuajtjeve dhe peripetive të mëdha e të shumta,

më 1993, e jo më 1996 siç shkruan historiani ynë i nderuar Kristo Frashëri.[10] Ndryshe nga etnografët e tjerë,

materialet e së drejtës zakonore, që Dom Frano ILIA e grumbulloi, jo vetëm në Krahinën e Kurbinit, por edhe në

krahinat për rreth, të Shqipërisë Qendrore, i pagëzoi me të drejtë me emrin: KANUNI I SKËNDERBEUT. Veprova

keshtu, shkruan në Paradhanje Dom ILIA[11], mbasi vërtetova mirë se të gjitha këto krahina kishin një „kanun“ të

gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Heroit kombëtar. Këto norma të së drejtës së pashkruar, që janë regjistruar me një

pedantëri të rrallë nga etnografi ynë i madh kanë qenë në fuqi jo vetëm në periudhën e Motit të Madh, por edhe

më pas. Që Kanuni i Skënderbeut vepronte edhe në shek. XIX, për shembull, në Malësinë e Dibrës, kemi dëshmi

jovetëm nga Hahn-i por edhe nga konsulli rus, M Hirtovi, i cili, ndër të tjera, ka shënuar se në Dibrën e Poshtme

ishte ende në fuqi „një farë kanuni i lashtë, i trashëguar gojarisht brez pas brezi, që i atribuohet prijësit të lavdishëm

shqiptar, Gjergj Katriotit, i cili njihet me emrin e Kanunit të Skëndërbeut“[12] mirëpo e drejta qëndron në faktin

se Kanuni i Skënderbeut, sipas materialit dhe dëshmisë konkrete[13], shtrihej në Shqipërinë Qendrore ndër

krahinat e Principatës së Kastriotëve e të ndikimit të tyre: Krujë, Mat, Dibër, Valm (Elbasan), prej lumejve Mat-

Fand në veri e deri poshtë lumit Shkumbim (Librazhd) në jug, dhe prej Detit Adriatik në perëndim e deri në kufijt

më lindorë të Dibrës e të Ohrit në lindje.

Ky kanun themelet i ka të përbashkët me kanunet e maleve shqiptare. Thirrët i Skënderbeut, pse ky (Skënderbeu)

bëri disa ligje kanunore të veçanta për krahinat e veta dhe të ndikimit të vet. Prandaj mund të quhet edhe Kanuni i

Arbërit.[14] Ç`është e vërteta, edhe tradita popullore e paraqet Gjergj Kastriotin-Skënderbeun si ligjvënës, kur

thotë „Skënderbeu vuri kanun se gjaku nuk ngel për faj“. Madje nga normat kanunore të pleqëruara nga Gjergj

Kastrioti-Skënderbeu, tradita popullore e ka ruajtur kujtimin e disave prej tyre. Kështu, për shembull, dy etnografët

tanë të shquar, Marin Sirdani dhe Qemal Haxhihasani kanë regjistruar, në viset e dikurshme të Kastriotëve,

gjashtë norma kanunore që lidhen drejtpërsëdrejt me emrin e Gjergj Kastriotit. Për shembull, Skëndërbeu, ku pa

se po bëheshin shumë gjaqe, la në kanun „gjaku nuk ngelet për faj“. Në prakrikë, sipas këtij kanuni, në rast se faji

shpaguhet me vrasje, kjo vrasje nuk mund të bëhet objekt i gjakmarrjes.[15] Rëndësia e normave të Skëndërbeut,

sipas K. Frashërit,[16] mund të kuptohet nëse kemi parasysh regjimin shoqërorë që sundonte në malësitë e trevës

së Kastriotëve në shek. XV dhe nevoja që kishte për ta lufta për çlirimtare skënderbegiane. Ç `është e vërteta,

normat kanunore apo pleqërimet e mirëfillta të Gjergj Kastriotit, siç ka vërejtur edhe K. Frashëri,[17] kanë

shënuar një hap përpara në krahasim me parimet e lashta të së drejtës së pashkruar, që sundonin akoma në

shek e XV. Me zbatimin e tyre, organizimi shoqërorë i malësoreve i shërbeu më mirë se me normat e mëparshme,

luftës antiosmane. Karakteri i tyre progresiv dhe zulmi i pavdekshëm i Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut janë dy

arsye të forta që shpjegojnë përse emri i tij iu vesh mbarë së drejtës kanunore që sundonte në Shqipërinë e

Mesme.

3. Struktura e Kanunit të Skëndërbeut

Vepra Kanuni i Skënderbeut, mbleshë dhe kodifikuar nga Dom F. Ilia dhe botuar më 1993, nga autori, me ndihmën

materiale jo nga Atdheu i tij (?!), por nga Italia,[18] është vepër monumentale, që përmban një material të

pasur, i cili ka një rëndësi të shumëfisht për studime shkencore jo vetëm në lëmin juridik, por edhe në disiplinat e

tjera të shkencës. Sepse Kanuni i Skënderbeut nuk është vetëm një përmbledhje e thjeshtë e zakoneve, traditave

dhe normale të rralla të një qytetërimi të caktuar, por edhe një vepër monumentale ku spikasin vlerat e larta etike

dhe shoqërore në sajë të të cilave ai (shqiptari) ka mbijetuar shekujt e robërisë. Për më tepër, në Kanunin e

Skënderbeut, përmblidhet normativa që ka të bëj me: familjen, shtëpinë, detyrimet, qeverimi, ndëshkimet, fajet e

damet dhe kishën. Pra siç shihet edhe nga kjo përmbajtje, ky kanun përbëhet nga shtatë pjesë, nga shtatë libra

do thoshim. Përveç këtyre pjesëve, Kanuni i Skënderbeut ka edhe Hymjen, që përbëhet prej tre artikujve: Art. I -

Shtrimja (1-7), Art. II – Kanuni e autori i tij (8-9), dhe Art. III – E drejta dhe fuqia me ba ligje të reja kanunore

(2049). Ndërkaq i tërë Kanuni përmban gjithsejt 3534 nene. Secili nen dhe artikull është interesant, rregullon,

normon dhe përcakton aspektet më të ndryshme të jetës shoqërore shqiptare.

Duke u marrë me shqyrtimin dhe vlerësimin e Kanunit të Skënderbeut është me rëndësi të vlerësohet edhe njëherë,

ashtu siç ka vlersuar edhe kodifikuesi i tij Dom Ilia,[19] se ai, pra Kanuni i Skënderbeut, sot është historik, por

“jeton si i mbuluem prej kohës dhe qet kryet dhe vepon në çdo rrethanë anarkie. Ai asht rrajë e drejtësisë, e parimet

e tija që në thellësi të shekujve mbeten themel për çdo legjislacion shqiptar të gjitha kohve, në ma të ndryshmet

rethana. Ai asht fryt i njij mendehollësie të vazhdueshme e të mahnitshme të popullit tonë”.

Për më tepër, duke e vështruar në tërësi veprën, problematikën që ajo përfshin, gjërësinë e çështjeve që normon

dhe trajton, mund të themi se Kanuni i cekun nuk është vetëm një përmbledhje e thjeshtë e zakoneve, traditave,

psikologjisë dhe urtësisë së malësorëve, por ajo është një vepër me permasa shumë të gjëra. Si vepër monumentale

na ofron një materie shumë më të gjërë e të pasur të jetës shqiptare të viseve ku shtrihej dikur sundimi i

Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Vepra në fjalë, pos si material juridik duhet vështrohet edhe si vepër që prekë edhe

sferën e letërisë popullore, sepse nëpër faqet e Kanunit kemi edhe vlera latrare, fraza dhe proverba popullore, në

të cilat shohim të kondensuar urtësinë e malësorëve, formën koncize e lapidare të shprehjes së mendimeve që aq

shumë çmohej dhe çmohet nga populli shqiptar. Aty kemi një të folme, siç e thotë në Parathanje edhe kodifikuesi,[

20] është e të gjitha popullsive të kanunit dhe e shumicës së shkrimtareve më të rëndësishëm të vjetër e të

rinjë të kulturës shqiptare. Kjo vepër, siç e ka vënë re edhe Zejnullah Rrahmani,[21] mund të konsiderohet e

rëndësishme për shkrimet e letërisë në të ardhmen, sidomos për prozën shqipe. Me një fjalë, kjo vepër do të jetë

burim i rëndësishëm për shkrimin letrar shqip.[22]

Ç`është e vërteta, në veprën e kodifikuar të Dom Franos qëllimi kryesor ishte që në formën e një KODI MONUMENTAL

të shënoheshin e të ruheshin jo vetëm zakone e norma juridike të vjetra, që lidheshin për emrin e Gjergj

Kastriotit-Skënderbeut, por njëkohësisht të viheshin në pah edhe tiparet e cilësitë themelore të psikologjisë e të

shpirtit të shqiptarit, vyrtyti i tij, çiltëria, bujaria, krenaria, drejtësia, urtësia, dashuria, nderi, besa, burrëria, mikpritja,

dialogu pleqërues, toleranca etj.. Përveç kësaj ky Kanun ka edhe vlerën historike, qytetëruese, patriotike, dokesore,

dhoqërore dhe etike.

4. Përmbyllje

Në përmbyllje të këtij shkrimi le të theksojmë në mënyrë të veçantë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ka pas kanunin

fort të mirë “qi pa gjikue nuk ka ba burg as nuk ka ba syrgin”.[23] Në përgjithësi, edhe pse Gjergj Kstrioti

krijoi një shtet të përqendruar, edhe pse mori tiparet e një shteti absolut, ai kurrë nuk veproi si, për shembul, Stefan

Dushani. Përkundrazi, ai ndoqi shembullin e Perandorisë Bizantine, e cila edhe pse e qeverisi vendin sipas

ligjeve (nomos) të lëshuara nga pushteti qendror, nuk i preku normat e lashta që gezonin bashkësitë krahinore,

pra të drejtën vetëqeverisëse të brendshme. Ai ndërhyri vetëm në disa raste të veçanta në këtë fushë.[24]

------------------------------------------------------------------------

[1] Fjalori i Gjuhës së sotme Shqipe, A-M, Rilindja, 1981, fq. 780; krhs. poashtu Fjalor i Shqipës së Sotme, Akademia

e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërisë, bot. i dytë, Toena, Tiranë 2002, fq. 548.

[2] Michael SCHMIDT-NEKE, Der Kanun der albanischen Berge, në: Dardania, Zeitschrift für Geschichte, Kultur,

Literatur und Politik, nr. 5/1996, fq. 183-184.

[3] Zef AHMETI, E drejta penale në „Kanunin e Lekë Dukagjinit, në Urtia, nr. 1-2 (16), Zagreb 2003, fq.37-50. Mbi

burimet kryesore të së drejtës zakonore shqiptare shiko poashtu: Ismet ELEZI, Mendimi juridik shqiptar, albin,

Tiranë 1999, fq. 89-110. Sipas këtij autori e drejta zakonore shqiptare përmban norma të rendit patriarkal fisnor

(nga Iliria), patriarkal-feudal (të mesjetës- në një masë të kufizuar, sepse në mjaft zona malore ku ajo ka vepruar

nuk u vendos feudalizmi), si dhe norma të reja, në përshtatje me zhvillimin e marrëdhënieve ekonomikoshoqërore

në shek. XIX e në fillimet e shek. XX. Kjo e drejtë, me të drejt konstaton autori, nuk ka qenë statike, por

është ndryshuar duke lënë në harresë norma të vjetra dhe duke i pasuruar me norma të reja, por që nuk u asimiluan

nga ligjet e shteteve pushtuese.

[4] Dom Frano ILIA (1918-2000), meshtar i devotshëm. Ka qëndruar në burg 20 vite. Papa Gjon Pali i II-të, më 25

dhjetor 1992 e kishte emruar arqipëshk të Shkodrës. Është autor i disa veprave si dhe veprës Kanuni i Skënderbeiut,

për cka Komisioni i Kualifikimit Shkencor i dha titullin Professor.

[5] Marin SIRDANI, Skanderbegu mbas gojëdhanash, Shkodër 1926, fq.71-73.

[6] Qemal HAXHIHASANI, Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun, Tiranë 1957.

[7] G. VALENTINI, Skanderbeg ed il kanun, në „STudia Albanica Monacensia“, München, 1969, fq. 11-22.

[8] Rr. ZOJZI, Apspekte të kanunin të Skënderbeut, Studime historike, Tiranë, nr. 1/67.

[9] K. FRASHËRI, Skënderbeu, ASHSH, Toena Tiranë 2002, 217-228.

[10] Kristo FRASHËRI, vep. e cit. fq. 219.

[11] Dom F. ILIA, vep. e cit. fq. 219.

[12] Sipas K. Frashërit, vep. e cit. fq. 222.

[13] Dom F. IILIA, Kanuni I Skënderbeut, fq. 10-224.

[14] Kanuni i Skënderbeut, neni 2, fq. 15.

[15] K. Frashëri, vep. e cit. fq. 227. Është me rëndësi se përveq në dibër kujtimi i kësaj norme është ruajtur edhe

në Krujë, khs. Q. Haxhihasani, vep. e cit. fq.34.

[16] K. Frashëri, vep. e cit. fq.228.

[17] Po aty, fq. 228.

[18] Kanuni i Skwnderbeut, Parathanje, fq. 11.

[19] Kanuni i Skwnderbeut, Parathanje, fq.11.

[20] Po aty.

[21] Krhs. Isak AHMETI, Kleri Katolik shqiptar dhe lwtwrisa, Freizaj-Bergamo 1994, fq. 207.

[22] Po aty.

[23] Sipas K. Frashwrit, vep. e cit., fq. 228.

[24] Po aty, fq. 217.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora