E enjte, 28.03.2024, 01:03 PM (GMT)

Kulturë

Veselaj: Shkodra dhe shkodranët në formimin tonë

E hene, 20.06.2016, 08:29 PM


Shkodra dhe shkodranët në formimin tonë kombëtar e intelektual

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Me të mësuar për ftesën që më është dërguar nga organizatori për të marrë pjesë në seminarin “Shkodra në shekuj”, për çka e felenderoj, pa u hamendur shumë e përzgjodha si më të përshtatshme temën “Shkodra dhe shkodranët në formimin tonë kombëtar e intelektual”, temë kjo që mund të kuptohet, për nga përgjithësimi, si një sinonim i temës bosht të seminarit, por njëherazi mund të kuptohet si një temë që e ekspozon një thesar të pashtershëm, i cili mund të eksplorohet edhe individualisht, siç po veprohet në këtë punim. Unë, në të vërtetë, veprova kështu, veç tjerash, edhe për këto tri arsye: e para, për t’i dalë borxhit, sadokudo, familjes sime e më gjerë, e cila e ka pasur të mbjellë thellë simpatinë për Shkodrën dhe shkodranët, së dyti, për të falenderuar mësuesit tanë të parë shkodranë, të cilët ditën aq mirë të na edukonin dhe të selitnin te ne diturinë dhe atdhedashurinë dhe, së treti, të shpreh mishërimin tim personal ndaj veprave përkatëse krijuese të shkodranëve, qoftë të krijimtarisë letrare, qoftë të asaj shkencore-gjuhësore, për të cilat kam pasur dhe kam respekt të veçantë. Së këtejmi edhe punimi im ndahet në tri pjesë: 1) Autoriteti shekullor dhe simpatia e mbjellë që frymon; 2) Çasti i kthesës historike, sakrifica dhe fama dhe 3) Krijimtaria si dhunti hyjnore, mishërim i bazës trashëgimore dhe idealizimi.

I. Autoriteti shekullor dhe simpatia e mbjellë që frymon

Autoriteti i Shkodrës (me frymimin dhe ligjërimin ilirisht-arbënisht-shqip), me sa dihet, ka jetë më se 25 qindvjetsha, autoritet ky që më pak a më shumë, hetohet në çdo trevë të vendit, të cilin unë e në familjen time e kam vërejtur që nga mosha 7-8 vjeçare, ngase prej se jam bërë me dijtë kam dëgjuar që për Shkodrën e për shkodranët flitej me simpati të veçantë. Me epitetin “djalë shkodran”, b.f. kuptohej, siç kuptohet edhe sot, çdo veti e mirë e njeriut të rij të sjellshëm, të mençëm, punëtor, zelltar, besnik etj. Po kështu kuptohen po ato veti edhe me “vajzë shkodrane” a “shkodraneshë”, por këtu shtohet edhe bukuria e veshjes së brendshme dhe të asaj së jashtme “nazelike” të femrës së re. Mbaj mend, gjithashtu se Shkodra e shkodranët përmendeshin përveç në bisedime edhe në shumë këngë, duke filluar nga “lojëkapuças”, këngë “ashikie”, këngë ”shahirash” e deri të këngët historike e patriotike, siç janë ato të kohës së Bushatllinjve dhe pas tyre, si kënga për Oso Kukën, këngët rreth ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Është e vërtetë që qysh atëherë e kam dëgjuar kengën “O moj Shqypni” të Vaso Pashë Shkodranit, si dhe këngë të tjera, sidomos ato të luftrave me Malin e Zi. Po i kujtoj së pari nja dy inserte nga “lojë kapuçash”, ku fjalamujtas ceket edhe Shkodra, si p.sh.:

E mban veten “trim” shkodran,

Po s’po di kokrrën me zanë!

ose

Për me fshehë mirë t’ shkretën kokërr

Shko merr mësim në Malësi e n’Shkodër!.

Gjithashtu në biseda përdoreshin e që mund të dëgjohen edhe sot shprehjet gnomike, si p.sh.: Besë e burrni në Shkodër e në Malësi; Kanë thanë në Shkodër: çka ban n’kodër e gjen në votër; Mos më hedh: kodër m’kodër - Shkup e Shkodër etj.

Po i cek, jo pa qëllim dy fragmente nga kënga për Mehmet Begun “Dy gavaz” ,  i cili për autoritetin e sundimtarit të Shkodres - Vezirit, “Qak në More kish luftue/ marre Shkodres s’i ka pru-e “, ja edhe dy fragmente:

1) Mehmet Begu i plotë e i gatë

Dron Veziri ia don gratë!

-O Vezir, o Vezir zeza,

Kur asht plasë për ato urumesha

Tuj pasë zojat shkodranesha,

Hem të bukra, hem zojnesha,

treqind qese ua ban vesha;

tridhet lira kundrat e zeza!...

 

2) Mehmet Begu dallamkuqi

Kah u ngjit kalanë e puthi,

Kah u zdorgj me gjak e mbushi!

-Amanet o mori grue

Ata djem ti me m’i rue!

Me i largue natën prej Shkodrës

Me m’i çue te miku i votrës:

Me m’i çue te Fana i Zi

Le t’mi vesh n’tirqi xhurdi,

Mos t’i njohin se janë zotni

se droj m’i pret ai faqezi!...

(Të vihet re në pjesën e parë intriga politike rreth elozhe jo grave urumesha, po shkodranesha dhe në të dytën toleranca fetare a ndërlidhja miqsore e Begut shkodran me malësorët, sidomos me  mikun e votrës, fanën e zi, të cilit ia beson ruajtjen dhe edukimin e fëmijëve etj.):

Lidhur me autoritetin e Shkodrës në familjen tonë dhe më gjerë mund të shtrohen një varg pyetjesh: Prej nga ky nam kaq i madh? Ku qëndrojnë fijet e arsyes që lidhen aq shumë me Shkodrën e jo me qytete të tjera? Çfarë interesi politik e ekonomik qëndron prapa këtij autoriteti? e të tjera. Përgjigjet në këto pyetje kërkojnë analiza më të thella dhe studime më të plota, megjithatë unë do të shpërfaq ndonjë mendim timin që mendoj se ia vlen.

Së pari, mund të them se nuk di, kjo famë sa mund të ketë bazë trashëguese nga bashkëjetesa e fiseve ilire: labeote e dardane e më herët, sa ka fille para e me kohën e legjendës për Rozafën, nga Shkodra si kryeqytet i kohës së Gentit ilir, si qendër tregtare e ushtarake e Romës, qendër e rëndësishme e Bizantit, kryeqendër e Zetës, seli e Ballshajve, pre lakmuese e Venedikut, kur djaloshit i jepnin me ngranë “llokum sheqer” etj., por dihet me siguri se ky akumulim i famës vjen i shprehur gjithnjë e më me forcë që nga koha e sundimit të Ballshajve që kishin shtrirje edhe në këtë trevë prizrenase, që mund të ketë gjurmë edhe një legjendë fshati që ndërlidhet me një muranë- kishë të një (shën) Gjergji shkodran(!), por sidomos kjo fame i vjen më vonë me sundimin e Bushatlijve të Shkodrës dhe aq më tepër vjen e shtohet, me ngjarjet e rezistencës kundër ndarjes së tërësisë tokësore, në kohën e Lidhjes së Prizrenit e më vonë, kur Rilindja Kombëtare Shqiptare vuri rrënjë edhe më të thella në zgjimin tonë mbarëkombëtar.

Së dyti, për një famë të tillë mund të kenë ndikuar edhe ndërlidhjet fizike, qoftë ato të natyres farefisnore e të krushqisë, qoftë të interesit politik e ekonomik, duke pasur parasysh edhe ndërfërkimin e mishërimin e kulturës popullore të trashëguar, madje edhe gërshetimit të kulturës orientale me atë oksidentale, që ishte mjaft e theksuar në trevën e Shkodrës. Pikërisht për këto pika, duke u ndërlidhur me historikun e familjes sime, do të përpiqem paksa ta trajtoj këtë çështje, pa i ikur edhe ndonjë të dhëne hipotetike.

Ç’është e vërteta, familja jonë, Veselaj, konsiderohet anase, e vendosur në fshatin Reçan të Suharekës (Theranda e sotme), ku me dijtë se kur, por dihet se del e identifikuar me emra  kryfamiljarësh muslimanë  që nga fundi i shekullit XVII, përkatësisht fillimi i shekullit XVIII. Sipas gojëdhënës, që ende e ruajmë trashëgim, kjo familje ka pasur njëfarë lidhje mbase gjenelogjike e më fort ekonomike me fshatin Blinisht të Shkodrës (tash ndoshta rrethi i Lezhës), ngase siç thuhet blinishtasit “gjanë i veronin këtu në Rrafsh, në arat tona, kurse tanët i dimnonim atje, tue i plehnue arat e tyne, por kjo farë pune ndërkohë erdhi tue u harrue derisa u këput krejt”.

Sidoqoftë, oda e Veselajve të parë, por sidomos ajo e Vesel Topallit, përkatësisht e birit të tij Mehmet Reçanit(1826-1918), bëri emër të mirë, ngase ishte e njohur dhe gjithmonë e hapur e mikëpritëse për miq e shokë dhe për shtegtarë të largët. Në të jo rrallë, siç thuhet, bunin edhe burrat “beng e deng” shkodranë a të tjerë që i qitte rasa, qoftë për punë pleqnie, qoftë tregtie, ngase ky fshat zinte vend mjaft strategjik deri sa ishte frekuentuese rruga Shkodër-Gjakovë-Shkup, por edhe ajo Shkodër - Prizren - Ferizaj - Shkup. Është e vërtetë,  siç del edhe në këngë popullore e të burime të tjera, se Mehmeti, i cili përmendet herë si Mehmet aga, herë si Mehmet pasha, por më shumë si Mehmet Reçani, kishte bërë emër si luftëtar e si pleqnar, sidomos gjatë ngjarjeve rreth Lidhjes së Prizrenit e më vonë, kur ai (me familjen e tij) ka qenë mjaft aktiv. Kishte miqësi e njohësi me burrat e kohës si Haxhi Zeka, Ali Pasha Gucia etj., por edhe me shkodranë, por sidomos mbante lidhje fisnore e vëllaznore me Ali e Shaban Binakun e tropojanë të tjerë, ngase edhe ky ishte pleqnar krasniqas, madje gëzonte autoritetin e stërplakut. Një ndërlidhje e tillë ka rivazhduar edhe pas vitit l941 me tropojanët, kur në rrugën për Prishtinë më 1944 ka bujtun në odën tonë Sali Mani, por që në të kthyer nuk han as zjafetin e përgatitur, ngase kishte qenë tepër i zhgënjyer nga biseda me “shokët” atje. Madje në të larguar i pati thënë babait tim dhe të tjerëve “Kushërinj, si  veten edhe juve po ju shoh të gjithëve të vdekun!” Dihet arsyeja e një zhgënjimi të tillë?! Në odën e tij qe vendosur që Kosova të bashkohet me Shqipërinë pas Luftës, por ashtu nuk u bë. Dihen shkaqet.

Im at Muharrem Uka (1888 -1951) që një kohë ka shërbyer si “djalë mbas plakut” i Mehmet Reçanit, tregonte se “Babaplak”,  kështu e quanin në familje,  ka pasë  marrë pjesë në mjaft “ pajtime e mbarime” jo vetëm nga ana e Malësisë, por edhe nga ana e Shkupit, Tetovës etj.. Kur ka qenë më i ri, tregonte ai, Mehmet Reçani, si pari i vendit, paska pasë marrë pjesë në Luftën për Plavë e Guci, madje atje pas një beteje të sukseshme me një shok të Shkodrës për kujtim ishte zënë sivëllam dhe i paskan pasë ndërruar pushkët “përzerenjanen” me “shkodranen”,  të punuara në qytetet përkatëse. Atë pushkë “Babaplaku” e paska pasë ruajtur në odë  për “antikë”, deri në vitin 1912, kur nuk dihet se si i paska humbur fija. Edhe Bajram Curri paska pasur njohësi me Mehmetin dhe me djemt e tij, sidomos me Ukën (1849 - 1923), i cili paska shërbyer si “suhari” i mbretit në atë kohë, d. m.th. ishte bartës i postës kryesisht në relacionin Manastir-Shkup-Shkodër e anasjelltas. Është me interes të ceket edhe ky rast, pra, që Mehmet Reçani, pos nga zotnitë e fshatit (turqeli) ka qenë në korrent me ngjarjet e kohës, duke marrë informata edhe nga djali i tij.

Mehmet Reçani ia dinte vlerën shkollës, prandaj nipin e vet Murselin e dërgon në medrese. Për që Mulla Murseli ka qenë i ndërthithur nga idetë e Rilindjes sonë Kombëtare, tregon vetë veprimtaria e tij. Kështu ai, siç thuhej, paska pasë rënë në kundërshtim me hyqymetin e Prizrenit, ku shërbente si hoxhë-mësues, pse popit (serb) të Prizrenit i ishte lejuar në atë kohë të përvetësonte vend-gërmadhën (muranën) e një faltoreje të vjetër dardane të fshatit tonë dhe aty të (ri)ndërtonte kishë, kur ajo s’kishte qenë kurrë serbe dhe në fshat në atë kohë nuk kishte pasur as ortodoksë as katolikë, pos varreve të llatinëve që shtriheshin krye fshati, madje kur në fshat ende nuk ishte ndërtuar as xhami! Thonë se ai, si gjaknxehtë që ishte, kundërshtimin e tij e paska drejtuar edhe më thellë, duke sulmuar qeverinë, e cila lejonte në atë kohë që në Shkodër, b.f. të punonin dy shkolla “llatine:  për prift e  për frat, ndërkaq në Prizren për pop, mejtepe e medrese në turqishte, ndërsa për shqiptarë asnjë”!?  Këto “sebepe”, siç thuhet, bën që ai, ndonëse ishte “ixhazetli” të pushohej nga puna dhe për t’u shpëtuar masave ndëshkimore, u detyrua të shpërngulej në Damask, Bejrut dhe më vonë në Kairo, ku së fundi paska pasur në pronësi një duqan ortarie edhe aty vdes. Nuk kemi njohuri se atje a do të ketë pasur farë aktiviteti në shoqëritë e mergimtarëve shqiptarë të kohës apo jo? Sidoqoftë, edhe kjo flet për formimin atdhetar të familjes në kohën, kur në Shkodër dhe në mbarë trojet tona ky zgjim ishte në rritje e sipër.

Në vazhdë të kësaj po e përmend edhe një fakt fare të vogël në dukje, por me përmbajtje jo aq të thjeshtë, që flet vet. Si fëmijë kam pasur njëfarë xhelozie, ndaj një sivëllait tim Hasanit, djalit të axhës Rizah, ngase atë e quanin me përkëdheli Hasan Riza -Pasha, d.m.th. ia kishin vënë emrin në shenjë respekti ndaj mbrojtësit të Shkodrës, për të cilin im at fliste me admirim, ngase ai duke qenë luftëtar i Hasan Prishtinës dhe “argat” i Bajram Currit, në vitin 1913/14 dhe pas Luftës së Zhurit, të organizuar nga Hasan Prishtina, në tërheqje e sipër paska qenë i detyruar të strehohej njëkohë pikërisht në Shkodër, dhe atje paska dëgjuar edhe më mirë për punën e lavdishme të Hasan Riza Pashës.. Atëherë, atje në Shkodër, siç thoshte baba, ishin strehuar edhe shumë njerëz të shkollës e të dijes, njerëz me autoritet, me ta përmendet edhe mixha Sylë, djali i Mehmet Reçanit. Aty babai im, si i ri, ishte marrë me punë krahu, si kostar, pastaj me ngarkim-shkarkimin e lundrave (anijeve) etj. Një herë kishte shfrytëzuar rastin sa për kërshëri të shkojë deri në Blinisht për të hetuar së paku se a mos ka mbetur ndonjë fije kujtese të familjes sonë me ndonjërën të atij fshati, por si duket fijet e tilla tashmë ishin harruar, mbase edhe për shkak të ndërrimit të konfesionit e ku ta dimë.

Dihet se gjatë Luftës I Botërore lidhjet e Kosovës me Shkodrën (e me tërë Shqipërinë) u këputen, ndonëse në vitet 1918 - 1924, pikërisht Shkodra shërbente si seli e Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, ku në njëfarë dore drejtoheshin edhe çetat kryengritëse çlirimitare të Kosovës, siç ishte ajo e Azem Galicës e ndonjë tjetër. Ngjarjet e mëvonshme qenë edhe më të kobshme për ne. Kështu që deri në vitet `40 nuk kishte asfarë mundësie të ndërlidhjes së Kosovës me Shkodrën.

Pra këto ishin disa nga mbresat e para të simpatisë së familjes sonë ndaj Shkodrës e shkodranëve, të cilat gjithsesi kanë ndikuar edhe në mbrumimin e personalitetit tim. Mbase në familje të tjera kujtime të tilla do të jenë ruajtur edhe më të gjalla dhe më të plota, prandaj kjo paraqitje ime le të shërbejë si nxitje edhe për të tjerët që të shkruajnë rreth kësaj teme. Le të shndritet b.f. pse disa familje e bartin mbiemrin Shkodra, Shkodriqi a Shkodrani, që nuk janë të paka në Kosovë, dukuri kjo që nuk është pa interes të trajtohet në tema të veçanta.

II  Çasti i kthesës historike, sakrifica dhe fama

Për t’u kuptuar më mirë sadopak gjendja shoqërore politike e asaj kohe robërie do të më lejohet të kthehem edhe njëherë në kujtimet nga mosha 7-8 vjeçare, pikërisht në vitet ‘38 - ‘41. Më 1938 ështe vrarë krushku dhe miku i shtëpisë sonë Ramë Bllaca. Siç dihet, Rama ishte deputet shqiptar në parlamentin jugosllav, ky me guzim kundërshtoi politikën rreth shpërnguljes, ai kërkonte nga popullata jonë që të ketë durim dhe kurrsesi të mos shpërngulet nga trojet e veta. Nën ndikimin e shembullit të tij edhe te ne qe ndërtuar në atë kohë një odë e re shembëll: Oda e Rizah Dautit, vjehërr i bijes së Ramë Bllacës të sapofejuar për një kushëririn tonë Abazin. Ishin vërtet kohë shumë të liga. Pas vrasjes së Ramë Bllacës propaganda për shpërngulje bëhet gjithnjë e më e egër, represioni i llojllojshëm sa vinte e shtohej. Ose shpërngulje ose, siç thuhej, ne duhej të vënim shapka të zeza në vend të plisave të bardhë. Po këtë synim shkombëtarizimin e kishte edhe shkolla serbe, të cilën ne ishim të ftuar ta ndiqnim. Më kujtohet se im at pas çdo faljeje të namazit lutej: O Zot i madhnueshëm, mos na bën muhaxherë, mundësona ta gëzojmë punën e mundin tonë në shtëpiat tona! Vërtet, ishte kohë shumë e vëshitirë dhe e keqe për ne, mirëpo në këtë kohë ngjau mrekullia. Më 6 prilll 1941 Jugosllavia u sulmua nga Blloku nazo-fashist dhe shumë shpejt u shpartallua, mirëpo zhgënjimi e ankthi te ne vazhdoi edhe për disa ditë, ngase krahu i ushtrisë jugosllave në kufi me Shqipërinë me shpalljen e luftës, shfrytëzoi rastin të përparonte në frontin “drejt Shkodrës”. Pikërisht në këtë kohë, për të disiplinuar njerëzit tanë në prapavi, filloi të digjte pamëshirë fshatra të tëra si fshatin Gjinoc, një lagje të Suharekës etj. Dikush nga burrat e familjes sonë rrokën armët e ne u detyruam të shpërnguleshim në male. Kapitullimin e atij krahu të ushtrisë jugosllave nga gjermanët në trevën tonë e pamë së largu nga bjeshkët përtej Budakovës. Sidoqoftë, pas këtij “çlirimi”, ne tashti filluam të frymonim lirshëm. Meqenëse treva jonë i takonte zonës italiane, ushtrinë italiane-shqiptare ne e pritëm si çlirimtare. Disa reparte të saj qenë stacionuar një kohë në fshat, përkatësisht në Livadhet e Gjana të fshatit tonë. Me ushtrinë italiane ka pasur edhe disa ushtarë shkodranë. Nga ata e kam dëgjuar dhe mësuar si dovë këngën Besa-besë, me përmbajtjen si:

Besa besë besën ta kam dhanë

Për atdhe me luftue moj nanë.

Se me shef-o jo mos mbaj uzdajë.

Do të vdes, nano njate mbaj!

Është e vërtetë se për ne shpartallimi i Jugosllavisë së Kralit ishte shpëtim. Tashti, jo vetëm se do të gëzonim mundin tonë, por për të parën herë do të mund të ushqeheshim edhe me ilaçin më të madh shpirtëror, me mësimin shqip. Fati e desh që në Suharekë (ku ishte shkolla jonë) në shtator “me na ardhë” mësues, shkodrani Hilmi Duli, i cili shërbeu aty 3 vjet rresht. Hilmi Duli -Rraxhimi (1912 -1997) ishte ndër të parët vullnetarë, i cili iu kishte përgjegjur zërit të atdheut, përkatësisht thirrjes së drejtuesit arsimor të kohës, patriotit shkodran Ernest Koliqi, i cili kishte shfrytëzuar rastin dhe pa humbur kohë në Kosovë dërgon 200 - 400 kuadro (kryesisht mësues të kualifikuar) vullnetarë për “me hapë shkolla si dhe me përgatitë edhe administratën shqipe”. Në vitin e tretë më 1943/44 në shkollën tonë erdhën edhe një mësues e një mësuese, po me origjinë nga Shkodra,: i ndrituri zotni Pashuk Ndok Ilia me zonjën mësuese Antoneta Ilia (Fishta). Mirëpo këta të tre sa na i shpërndanë dëftesat, para mbarimit të luftës ikën dhe më s’patën mundësi të ktheheshin. Mësuesit e atëhershëm për ne nuk ishin vetëm mësues pedagogë, por ata ishin diçka më tepër, ishin shenjtorë. Deshi fati që edhe pas “Çlirimit” puna e tyre e nisur, shkolla shqipe, nuk u ndërpre, ndonëse nuk kishte kuadër aq profesional. Në të vërtetë, edhe në vitin 1945, erdhën ca kuadro nga Shqipëria si ndihmë për arsimin shqip, mirëpo qëndrimi i pushtetit të ri, që na hoqi flamurin tonë, ndaj shkollës shqipe kishte gjithnjë e më tepër qendrim nënçmues, ngase synohej që sërish të rimëkëmbëj shkolla serbe. Si mësues vullnetar i vitit 1945 ishte edhe shkodrani Ndoc Deda, i cili punoi një kohë gjetiu, por te ne erdhi në vitin shkollor 1947/48, për të punuar me semimaturantët e parë të Suharekës.

Edhe sot këta mësues shkodranë i kujtoj me nderim të veçantë, ngase vërtet na lanë përshtypje të paharrueshme. Zotni Pashukun e kujtoj si njeri të ditur, me kulturë të lartë që e kishte kryer shkollë edhe në Austri. Mbaj mend se na këshillonte se pos gjuhës e këngës nxënësi duhet të mësojë mirë edhe lëndët e tjera, por sidomos matemaikën se ajo është “fiskultura e trunit”. Zonjën  Antoneta, e kujtoj si një zonjë tamam shkodrane, grua e vetme intelektuale shqiptare që njihej te ne në atë kohë. Kishte sjellje shembullore, ishte e urtë, modeste dhe kishte takt pedagogjik për lakmi. Ajo la mbresa të jashtëzanshme, sidomos në botën e femrës sonë të atëheshme të pa shkollë, fanatike, por edhe më gjerë. Ajo pati ndikuar që për të parën herë shkollën ta vijonin më me guxim edhe vajzat, ndonëse prinin vetëm disa të familjeve më të dalluara. Për shëmbëlltyrën e kryemësuesit Hilmi e kam vështirë të gjejë fjalë miradije sa meritonte vepra e tij. Mjafton të cek faktin se edhe sot, nuk e di se ka mbetur kush në Suharekë (Therandën e sotme) të mos e ketë dëgjuar për të mirë emrin e tij. Vërtet, ai s’kishte se si të mos kishte sukses, ngase diti me na u gjetë në çastet më kritike të jetës kombëtare. Është e vërtetë se ai posedonte të gjitha tiparet e një njeriu strateg të kohës: ishte në moshë të pjekur e me përvojë (afro tridhjetë vjeçar), kishte përgatitje solide shkollore, kishte aftësi organizative, ndërshmëri morale, kishte vullnet për punë dhe kombëtarisht kishte formim të drejtë. Ai diti të bëjë punë të suksesshme, jo vetëm në punën me nxënës, por edhe me tërë masën.

Zotni Hilmiu, të cilin pata fatin ta takoja në Shkodër pas afro 40 vjetësh, në vjeshtën e vitit 1980 dhe me të cilin pata njëfarë korrespendence, për fat, na ka nderuar me “Kujtimet e paharrueme” të cilat i shkroi, në shkurt të vitit 1981, pas insistimi tim. Në ato “Kujtime” përfshin vetëm kohën sa ka qenë në Kosovë dhe lidhur me të, dokument ky që sivjet më ra dorë dhe ka vleftë të konsiderueshme, jo vetëm për historikun e shkollës së parë shqipe të Therandës, por hedh dritë edhe për historikun e dy shkollave të Prishtinësi, të gjimnazin Sami Frashëri dhe të shkollës fillore tash Elena Gjika, ku ai punoi një kohë në dy-tre muaj vere të vitit 1941.

Si fakt që “Kujtimet” e tij kanë edhe vlera të tjera të natyrës historike, veç asaj që u tha më sipër po i cek edhe tri raste:

1) Në vitin 1923, sa ishte fëmijë 11 vjeçar, kishte pasur rastin ta “takonte” Azem e Shotë Galicën në një han te Dogajt e Reja (në Shkodër), kur edhe i mbillet dëshira për t’i ndihmuar Kosovës, dhe kjo do t’i plotësohet më 1941, të vijë si mësues dhe të marrë shkas edhe ptë punojë me aq vullnet.

2) Kur ky me disa shokë mësues vinin si pararojë për të parën herë në Kosovën “e lirë”, sqaron ai, kufitarët dhe doganierët italianë që e ruanin për çudi pikën e kufirit me Kosovën  në Morinë si dhe në Prizren karabinierët, ishin sjellë me arrogancë të paparë ndaj tyre, arsyeja ishte, siç e shpjegon autori, Italia fashiste (viktor Emanuelli) fillimisht kishte ndërmend që Kosovën t’ia aneksonte Malit të Zi e jo Shqipërisë, ngase kështu donte të kënaqte oreksin e Mbretnëshës së vet (gruas së tij që ishte malazeze), por me insistimin kë,bëngulës të patriotëve shqiptarë të kohës bashkimi i Kosovës (zona italiane) me Shqipërinë u bë me dekret vetëm katër muaj më vonë.

3) Gjatë muajve të verës të vitit 1941 në Prishtinë krahas së punës me nxënës, kishte mbajtur edhe kurse gjuhe për nëpunësit e Bashkisë si dhe për rininë prishtinase. Madje në fund të kursit (pa lejen e italianëve) me shokë kishin pasë organizuar shfaqje e më pas edhe parakalimin me flamur shqiptar rrugëve të Prishtinës, duke kënduar edhe këngë patriotike.Veprim ky që kishte pasur sukses marramendës në atë kohë.

Para se të shpërfaq ndonjë kujtim edhe për mësuesin tjetër shkodran Ndoc Deda, i cili në Kosovë, siç e thashë, ka ardhur vullnetar në vitin 1945, por që mbeti këndej edhe pas vitit 1948,  më duhet të përmend edhe një rast tjetër, ku shprehet qartë, por pak si tërthorazi autoriteti i Shkodrës.. Në atë kohë (1942), kur u çel rruga me Shkodrën, një hoxhë i ri nga Prizreni, Hafëz Jakupi, mik i shtëpisë sonë (turqishtfolës në familje), jo për zor, por për të marrë dije e përvojë vjen këtu në Shkodër dhe punësohet një kohë në shërbim fetar. Mirëpo këtu ai, si duket, duke thithur nektarin e mësimeve të pasardhësve të muderriz Sali Hyljes, dhe sjelljes tolerante ndërfetare të masës që e vëren, përqafon me forcë moton: “atdhe e fe - shqiptari”. Kështu ai kur u kthye te ne nuk solli vetëm libra fetare, por edhe oso beletristike e shkencore, dhe me rastin kur m’i dorëzoi ca libra, ku ishin edhe vjershat e Gjergj Fishtes, të Vinçenc Prenushit etj. më pati thënë: “T’i solla këto libra shqip, t’i lexosh se të ndihmojnë për shkollë. Shkodra ka pasë e ka prifta të zot, por ka pasë e ka edhe hoxhallarë të zot. Këta bashkëjetojnë pa e pasur “hasret” njani-tjetrin”.

Po shtoj edhe këtë se Hafëz Jakupi duke e përqafuar me shpirt, me dije, me fjalë e me punë moton e sipërcekur “atdhe e fe-shqiptari”, domosdo do të binte në kundërshtim me rirobërimin e Kosovës, prandaj edhe vuajti mbi dhjetë vjet burg të rëndë në kazamatet jugosllave, por asnjëherë sa jetoi nuk u përkul, qëndroi stoik në idealet e veta patriotike e fetare.

Për leximin e atyre librave më nxiste im at, madje edhe t’i lexoja e t’ia rilexoja, madje t’ia përsëritja shumë herë, ngase i shkonin mallin e “muhabetit me burra të mençëm shkodranë” dhe vjershat që i mësoja duhet t’ua recitoja deri edhe mysafirëve (hipur në trapazan të odës). Kjo punë bëri që unë të ndikohesha aq shumë nga ato, saqë fillova edhe vetë të imitoja vargje, kështu që kur pata guxim dhe ia dhashë mësues Ndocit për lexim dy vjershat e mia të para“ ”Pranvera” dhe “Koha asht ar” më 1948,  ai i mirëpriti dhe ato m’i ktheu me vlerësimin me shkrim: Të lumtë!  Kjo ishte, si me thënë, viza që më dha zemër edhe për vjershërime të tjera, të cilat sadokudo do të dalin të sukseshme, kështu që në vitin 1952 e kam pasur të kryer përmbledhjen e parë (Cace dhe hope djaloshare 52/97). Ndoci vërtet na pati dhënë baza mjaft cilësore edhe në punë të gjuhës. Për punën e Ndocit në këtë vijë lavdohet edhe poeti më frytdhënës kosovar për fëmijë dhe të rinj, Rifat Kukaj. Në të vërtetë, veprimtaria e Ndocit në Suharekë doli e dalluar edhe në aktivitetet jashtëshkollore. Është i pari që pati nderin ta shqelmonte topin me rastin e përurimit të fushës së sportit (futbollit) në Suharekë më 1949.

Me mësues Ndocin, pas sa e sa ecejakeve e peripetive që pata (pas daljes nga burgut dhe pas kryerjes së shërbimit ushtarak), pata fatin të takohem në Ferizaj, ku ai punonte si inspektor arsimi, por më mirë e më intimisht u njohëm me të gjatë vitit shkollor 1961/62, kur atë e sollën në postin e drejtorit në Shkollën fillore nr. 1 të Ferizajt, ku punoja unë. Më kujtohet njëherë erdhi të hospitojë në një orë mësimi. Unë atë rast me qëllim zgjodha për analizë vjershën “Malli për Atdhe” të Ndre Mjedës, disa vargje të së cilës i kishim në librin e leximit, mirëpo atyre u shtova vargje të tjera, madje e ilustrova edhe me vargjet nostalgjike të Filip Shirokës e të Gj. Fishtes, të cilat i dija përmendësh. Ndërkohë vërejta se sytë e Ndocit, që ishte ulur në fund të bankave, ishin mbushur lot. Aq shumë ishte përmalluar për Shkodrën, por ishte i prekur edhe për fatin tonë që s’mund të bënim asgjë më shumë në atë kohë robërie. Ai në fund të orës më përgëzoi, më falenderoi për njësinë metodike të zgjedhur që e zhvillova aq mirë, por edhe më këshilloi që të kem kujdes se për gjëra të tilla mund të pësoja edhe me burg etj. Me plot mallëngjim më pati treguar më në hollësi, jo vetëm për Shkodrën, rrugët e saj, Maranajn, Bunën, Taraboshin, Rozafën, Liqenin, Rmajn etj., por edhe për familjen e tij, për lagjen e Ndocajve në Shkodër, për vëllain, me të cilin s’kishte korrespendencë. Ndërkohë filluam të jemi edhe më shokë intimë. I rrëfenim njëri tjetrit për hallët që kishim. Ndoci meqenëse ishte martuar me një kroate, në shtëpi ishte i detyruar në njëfarë mënyre të jetonte nën “ombrellën” e gjuhës serbokroate, madje fëmijët i mësonin në paralelet me mësim në gjuhën serbe dhe për të ndërruar diçka në këtë drejtim ai nuk kishte fuqi. Me fjalë të tjera ai vuante edhe nga kjo pikëpamje dhe si duket vetëm me mua mund t’i qante hallet. S’mund ta anashkaloj një rrezikim të Ndocit lidhur me mua. Para se të fillonte viti i ri shkollor Ndoci kishte mësuar nga burimet përkatëse për një “urdhër-qendrim policor-partiak”nga lart, me të cilin kërkohej që mësuesi i gjuhë shqipe në atë shkollë duhet patjetër të pushohej nga puna. Me shumë keqardhje, si në besë, ai ma parakumtoi këtë lajm dhe njëherazi propozoi që për t’i shpëtuar sadopak teheve të këtij ingranazhi hë për hë, duhet të bëjmë një eskivazh. Unë posa të fillojë mësimi, së paku përkohësisht, duhet të pranoj “me dhënë” jo lëndën e shqipes, po atë të matematikës. Kështu edhe vepruam, mirëpo me të filluar viti shkollor, pas një jave e gjysmë erdhi vendimi i prerë për përjashtimin, përkatësisht transferimin tim. Pothuajse në të njëjtën kohë u shkarkua nga posti i drejtorit edhe Ndoci. Për shkaqe sigurie më nuk kam pasur rast të takohem me të. Ai vdiq në vitin 1986 dhe unë nga Prishtina shkova dhe mora pjesë në varrimin e tij.

Po e theksoj edhe një herë se më duket se vetëm ky akt i mësues Ndocit që sapo e tregova mjafton sa për të kujtuar dhe kuptuar shpirtin e vërtetë shkodran të Ndoc Dedës, i cili edhe në aso kushtesh të pakushte përpiqej të ndihmonte shokët dhe shkollën shqipe.

Po përfundoj edhe këtë pikë duke e rikujtuar faktin se synimi im është të tregoj se Shkodrës nuk ia kanë rritur e ngritur famën vetëm, mbretrit, pashallarët, gjeneralët, pushtetarët, këngëtarët, piktorët, poetët e përgjithësisht shkencëtarët e artistët e mëdhënj, por, si me thënë, ia kanë ngritur e rritur emrin e mirë edhe njerëzit  e thjeshtë, siç u përmendën këtu: Hilmi Duli, Ndoc Deda, Pashuk e Antoneta Ilia e shumë e shumë të tjerë.

III. Krijimtaria si dhunti hyjnore, mishërim i bazës trashëgimore dhe idealizimi

Lidhur me pikën e tretë, kur është fjala te mishërimi i autoritetit të Shkodrës në krijimtarinë time letrare, nuk mund ta fsheh faktin se vërtet kam qenë i mahnitur dhe në fillim s’kam mundur t’i ik ndikimit të kolosëve të pazëvendësueshëm shkodranë në këtë fushë, siç janë: Pashkë Vasë Shkodrani, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Vinçenc Prenushi, Luigj Gurakuqi, Filip Shiroka, Hilë Mosi, Risto Siliqi e të tjerë, pa e harruar edhe krijimtarinë popullore të “Visareve të kombit” e kështu me radhë. Shfrytëzoj rastin të përmend faktin se prej 10 librave të mi të botuar nga kjo fushë në 6 sosh si lajtmotiv në mjaft raste përmendet Shkodra, përkatësisht shkodranët, qoftë si personazhe të vërteta të njohura, qoftë të imagjinuara, dukuri kjo që tregon për autoritetin e përvijuar në botën time të brendshme, që nuk është pa interes të trajtohet si temë e veçantë. Do të ishte mëkat që në veprat tona letrare të mos përftohen e skaliten personazhet e tipit të Anton Harapit, i cili si ideolog e luftëtar, duke e futur Ungjillin në shpirtin e vet, i shqeu barkun biblës libër për të fshehur aty revolën si mjet lufte e mbrojtjeje, Marie Shllakut, e cila si luftëtare me sjellje e punë hyri aq thellë në shpirtin e familjes kosovare sa do të mbetet e paharruar si heroinë etj. Kështu me personazhe të tilla synohet të tregohet se si duhet ndjekur rruga për ideal, deri në flijim, për çlrimin e Kosovës si dhe bashkimin e tokave shqiptare.

Edhe sa i përket anës shkencore profesionale, sidomos nga fusha e gjuhësisë, veprat e shkodranëve kurrsesi nuk mund të anashkalohen, si p.sh.: kontributi shkencor i shoqërive shkodrane  “Bashkimi” (Fjalori e Gramatika ), ”Agimi” (sidomos veprimtaria e N. Mjedës), Veprimet në Kongresin e Manastirit, rezultatet nga Komisia Letrare e Shkodrës (1817), kontributi i madh shkencor i  revistave “Leka” dhe “Hylli i dritës”, madje edhe materialet e botuara në Buletinin (shkencor) të kohës sonë, pa lënë anash edhe botimet e veçanta të studiuesve shkodranë.

Do të më lejohet të shpreh një bindje timen të fituar pas konsultimit të veprave kryesore të gjuhëtarëve shkodranë. E them me plotgojë se gjuhëtarët shkodranë, assesi s’mund të akuzohen si konservatorë e seperatistë lidhur me normën e shqipes letrare, as përpara as tash. Kjo vërtetohet që nga vepra (gjuha) e Shemimit (1835), e Dedë Kolecit, Pashk Bardhit dhe e Luigj Gurakuqit, e Gasper Jakova - Merturit, Gasper Mikelit, Kolë Kamsit, Justin Rrotës, Osman Muderrizit e deri te nënshkruesit e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Shqipes (1972), nga të nderuarit: Kolë Ashta, Jup Kastrati, Tomor Osmani e Luigj Franja. Lidhur me këtë për mos me lënë keqkuptim mbrapa po theksoj se:

1) Shkodra mund dhe duhet të krenohet me koinenë e gjuhës letrare të formësuar që në shekullin XVI, XVII, që siç e thotë Pjetër Bogdani shumë fjalë i ishte dashur “ndrequn mbë dhe të Shkodrës”.

2) Shkodra mund dhe duhet të krenohet edhe me gjuhën e poetëve të saj të talentuar, të cilët në kohë-hapësirën e caktuar e shfrytëzuan dialektin e vendit për tipizime etj., ngase liria e tillë në fushën e letërsisë është e lejueshme.

3) Shkodra, gjithashtu, mund dhe duhet të krenohet edhe me faktin se pikërisht shumica e gjuhëtarëve shkodranë, të udhëhequr nga ndjenja e patriotizmit dhe të interesit kombëtar u pajtuan, madje edhe vetë propozuan që gjuhë letrare (administrative) e përbashkët mos  të jetë shkodranishtja, por gëgërishtja e mesme (elbasanishtja) me disa plotësime, përkatësisht  më vonë: toskërishtja me disa plotësime.

4) Shkodra edhe më shumë duhet të krenohet me gjuhëtarët e shkencëtarët e vet, të cilët duke e zbatuar normën e shqipes letrare në fuqi, me qëllim përsosjeje të saj, drejtojnë gishtin edhe në ndonjë të metë a zbraztësi organike të saj, siç bëri b.f. prof. Tomor Osmani, kur në një konferencë shkencore (gjuhësore) (1992), tërhoqi vërejtjen se “gjuha letrare ka nevojë për paskajoren me + pjesore”.

Kur është fjala te gjendja e sotme e shqipes letrare (standarde) pajtohem me mendimin e Elsa Demit që  “disa fjalë dhe forma vërtet të bukura që ka dialekti gegërisht”, të lëna nën hije në Kongresin e drejtshkrimit (1972), duhet të kihen në konsideratë për vlerësim e integrim në normen e shqipes standarde, që unë do t’i konkretizoja, si më poshtë:

l.  Të jetë i lejueshëm përdorimi i paskajores me + pjesore për nënfusha të caktuara semantike.

2. Të specifikohet përdorimi foljeve me -ro dhe -no (me rrjedhojat), të cilat sipas një studimi që kam bërë edhe mund të bashkëjetojnë paronimisht për koncepte të caktuara, pa e dëmtuar përdorimin e njëra-tjetrës.

3. Të specifikohen më mirë nënfushat semantike ekzistuese në mes të emrave prejpjesorë të tipit: pritë, pjekë ndaj paronimeve pritje, pjekje;

4. Të mos pengohet subjektivisht shumimi i emrave të tipit: e pame, e pasme, e varme, kur për formime të tilla paraqitet nevojë..

5. Të vazhdojë plotësimi i fondi leksikor të shqipes letrare me formime nga areali verior si dhe ai terminologjik nga përftimet e qëlluara nga treva e Kosovës e më gjerë.

6. Të plotësohet mozaiku i mënyrave të fjalëformimit me formante të reja të pahetuara më përpara, siç është parashtesa si-, tipi: sikarth, sifjali, sivëlla, sivëllamë etj., të favorizohet prapashtesa -tore për emërtimin e vendshërbesave, si dhe përgjithësisht të përvijohen e favorizohen modelet sipas ndajshtesave, me prirje specifikimi e specializimi.

Për të gjitha këto unë kam argument të shtruar sadokudo, në punime të veçanta. Me përfshirjen e çështjeve si më sipër, si me thënë, nuk lëndohet aspak norma e latrarishtes së sotme në fuqi, ndonëse kam mendimin se lidhur me normën standarde duhet të rishikohen, të gjitha rrafshet, duke filluar nga rregullat e drejtshkrimit e deri te rrafshet më ta larta, qoftë me qëllim verifikimi e sforcimi, qoftë me qëllim plotësimi a përsosjeje. Sigurisht gjithkush e di se norma letrare duke qënë në thelb fleksibile, edhe pse ka karakter konservativ, gjithmonë ka vend për përsosje. Gjithsesi pra kërkohet përsosja e normës letrare e jo kurrsesi shembja e saj.

Po përfundoj këtë paraqitje timen duke ilustruar edhe me dy fakte që tregojnë për rriten e autitetit të Shkodra sot, njëra lidhet me këngën e tjetra me shkencën. Në këngën Besa-besë  (të përfshirë në fondin aktiv të këngëve të UÇK-së (gjithnjë aktuale), vetëm Shkodra prej qyteteve tona përmendet dy herë, kështu Shkodra ndëron këngën, por edhe kënga nderon Shkodrën: Besa-besë Shkodra e Tetova/ Pa liri s’ndalen pushkët tona!.  Gjithashtu me seminarin ”Shkodra në shekuj”, Shkodra nderon intelektualët, por edhe intelektualët nderojnë Shkodrën, madje ky  ndërnderim shkon edhe më lartë, nderohet jo vetëm Shkodra, po  mbarë Atdheu i shqiptarëve,  të cilin sigurisht dëshirojmë ta kemi sa më fatbardhë, sa me më shumë suksese në të gjitha fushat dhe gjithsesi shpirtërisht e gjeografikisht pa vizë të zezë kufindarëse.

P ë r m b y l l j e

Tema “Shkodra dhe shkodranët në formimin tonë kombëtar e intelektual” që mund të kuptohet në njëfarë mënyre edhe si sinonim i temës bosht të seminarit “Shkodra në shekuj”,  por edhe me një kuptim tjetër më të specifikuar, siç është përdorur këtu, që nënkupton një siqasje të re për të vjelë sa më mirë thesarin e pashtershëm që lidhet me autoritetin e Shkodrës në përgjithësi, por edhe në treva të caktuara në veçanti. Këtu autoriteti i Shkodrës shihet i shtrirë konkretisht në tri rrafshe, në rrafshin e traditës familjare, në atë fillestar shkollor dhe në rrafshin e formimit intelektual vetjak, sidomos në fushën e krijimtarisë letrare e shkencore.

Së pari, autoriteti shumëshekullor dhe simpatia e mbjellë që frymon lidhur me Shkodrën, që del diktueshëm, diku më pak e diku më shumë në çdo trevë shqiptare, këtu kjo simpati del e vërejtur prej meje qysh nga mosha e re konkretisht në trevën e Suharekës (Theranda e sotme), përkatësisht në familjen Veselaj të fshatit Reçan. M:e epitetin “djalë shkodran” a “vajzë shkodrane” b.f. nënkuptohej, siç kuptohet edhe sot, çdo veti e mirë të një njeriu të ri. Emri i Shkodrës zinte dhe zë vend edhe në thënie e shprehje gnomike si p.sh. Kanë thënë në Shkodër: çka ban në kodër e gjen në votër, Mos më hedh: kodër më kodër, Shkup e Shkodër, Besë e burrni Shkodër e Malësi etj.,  pastaj në masë mjaft të madhe ishte dhe është e pranishme kjo simpati edhe në ligjërime, biseda e në këngë popullore, duke filluar nga këngë kapuçash, këngë ashikie e deri te këngët shoqërore e historike. Që në vegjëli patëm rast të dëgjonim këngë nga koha e Bushatllinjve, rreth ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit e më vonë. Një autoritet i tillë i Shkodrës gjithsesi ishte vërtet i fuqishëm, po mund të shtrohen pyetje, pse ishte pikërisht Shkodra e jo ndonjë qytet tjetër? Ku qëndron arsyeja historike, ekonomike e politike për një dukuri të tillë?! Pikërisht në këtë vazhdë jam përpjekur të përgjigjem, duke u shërbyer edhe më ndonjë të dhënë hipotetike. Është e vërtetë se familja Veselaj që konsiderohet si anase në këtë fshat, ruan në kujtesë një gojëdhënë, se dikur kishte njëfarë lidhje mbase gjenealogjike me fshatin Blinisht të Shkodrës (tash rrethi i Lezhës), lidhje kjo që shprehej më fort me interesa ekonomike, ngase kishte të bënte, siç flitet, me verimin, përkatësisht dimërimin e bagëtive herë atje e herë këtu,  por që kjo lidhje kishte filluar të këputej mjaft herët, në fund të shek.XVII dhe fillim të shekullit XVIII, atëherë kur kryefamiljarët e familjes Veselaj identifikohen me emra muslimanë. Ç’është e vërteta, Reçani, duke qenë vend strategjik në rrugën Shkodër- Gjakovë-Shkup e Shkodër-Prizren Ferizaj Shkup bën emër, sidomos del e përmendur oda e kryefamiljarit Vesel Topalli, përkatësisht e djalit të tij Mehmetit, i cili rrit autoritetin e vet, qoftë si mikëpritës, qoftë si luftëtar, qoftë si pleqnar, duke hyrë edhe në disa rrëfime e këngë popullore e në burime të tjera, me emrin herë si Mehmet aga e herë si Mehmet pasha, por më tepër si pleqnar (plak e stërplak) Mehmet Reçani  (1826-1918).  Mehmeti dhe familja e tij (djemt e nipat) kanë  qenë  mjaft aktivë në Lëvizjen rreth ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Ceket e vërteta se ai kishte njohtësi me shumë burra e autoritete të kohës duke marrë pjesë edhe në disa tubime me rëndësi. Ishte bashkëpunëtor shok fisi me Ali e Shaban Binakun e të tjerë. Ai kur më njësinë e vet paska pasë marrë pjesë në Luftën për Plavë e Gusi, qenka njohur e sivëllamëruar me një kren shkodran, me të cilin edhe i paskan pasë ndërruar edhe armët për kujtim. Prej djemve të tij përmendet Ukë Mehmeti (1849-1923), shok i Bajram Currit, i cili paska shërbyer si “suhari”, bartës  i postës Manastir-Shkup-Shkodër e anasjelltas. Po ashtu ishin aktivë edhe meshkujt e tjerë të familjes, qoftë si luftëtarë kundër ushtrisë malazeze, qoftë asaj turke e më vonë asaj serbe. Kështu që para e pas luftës së Zhurit, duke qenë ushtarë të Hasan Prishtinës e  “argatë” të Bajram Currit,  Syla djali i Mehmetit dhe Muharremi nipi i tij e të tjerë në vitet 1913-1914 paskan qenë strehuar një kohë në Shkodër. Edhe ky fakt pos tjerash mund të ketë ndikuar në rritjen e autoritetit të Shkodrës në familjen tonë, mirëpo edhe më shumë do të ketë ndikuar më vonë fakti se nga Shkodra  ishin orientuar shpresat për shpëtim, ngase në atë qytet e pati selinë komiteti: Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918-1924). Sidoqoftë, ky autoritet, që ishte i mbjellë me shekuj, nuk u zbeh asnjëherë, madje as gjatë akupimit total të Kosovës deri në vitet ‘41, kur kanë qenë vitet më të vështira për ne. Ishte koha kur masat represive u shtuan edhe më shumë ndaj familjes sonë, sidomos pas vitit 1938, kur u vra krushku e miku i shtëpisë Ramë Bllaca. Atëherë me propagandë të paskrupull përcillej si mesazh “zgjidhja”: Ose shpërngulje, ose duhej vënë shapkat e zeza në vend të plisave të bardhë, kërkesë kjo që zbatohej edhe me anë të shkollës serbe, të cilën ftoheshim ta ndiqnim. Mirëpo në këtë kohë, në pranverën e viti 1941 ngjau mrekullia: Jugosllavia e Kralit u shpartallua, prandaj edhe autoriteti i Shkodrës do të marrë përmasa të reja, gjithsesi mirakëndëse me ndihmë mësuesie.

Së dyti, pikërisht në analizën: çasti i kthesës historike, sakrifica dhe fama, vihet në pah kontributi konkret i mësuesve shkodranë në vitet ‘41-‘44 e më vonë, të cilët na sollën ilaçin më të madh shpirtëror, që ishte: mësimi shqip, përkatësisht edukimi arsimor e intelektual në frymë  kombëtare. Konkretisht patëm fatin që fillimisht në shkollën e Suharekës (që ishte edhe shkolla jonë) të vijë mësues, shkodrani Hilmi Duli -Rraxhimi, pastaj edhe Pashk Ndok Ilia, Antoneta Ilia (Fishta) si dhe Ndoc Deda, edhe këta nga Shkodra. Veprimtaria e tyre e suksesshme s’mund të shprehet me fjalë, sado të zgjedhura të jenë ato. Ata në të vërtetë ia shtuan edhe më tej namin Shkodrës, prandaj më duket me vend konstatimi se për ngritjen e autoritetit të Shkodrës në vazhdimësi nuk kanë kontribuar vetëm personat historikë ushtarakë e punëtorët e dalluar të shkencës e të artit, por edhe njerëzit “e thjeshtë”, siç ishin mësuesit e lartpërmendur. Në mënyrë të veçantë ia vlen të ceket kontributi i Hilmi Dulit, i cili për atë kohë edhe i ka lënë të shkruara “Kujtimet”, të cilat nuk kanë vlerë vetëm për historikun e shkollave përkatëse ku ai punoi, në Prishtinë e sidomos në Suharekë, por edhe me gjerë. Po i cek nja tri raste me interes nga ato “Kujtime”:

E   para,“takimi” i tij me Azem e Shotë Galicën, në një han te Dugajt e reja në Shkodër në vitin 1923, kur edhe i hyn dëshira për të ndihmuar Kosovën kur të rritet, rast ky që iu dha në vitin 1941 si mësues, prandaj edhe punoi me aq vullnet.

E dyta, është me interes shpjegimi që bën autori për sjelljen arrogante të kufitarëve dhe të karabinierëve italianë ndaj tyre, d.m.th. pararojës së mësueve vullnetarë shqiptarë, në qershor të atij viti, ngase italianët fillimisht kishin ndërmend që Kosovën t’ia aneksonin Malit të Zi, për të kënaqur kështu apetitin e mbretëreshës së vet, që kishte origjinë malazeze! Kjo mbase ishte arsyeja që “bashkimi i Kosovës” (zona italiane) me Shqipërinë u bë me dekret vetëm 4 muaj më vonë.

E treta, nga “Kujtimet” hidhet dritë rreth mbajtjes së kurseve të gjuhës shqipe gjatë verës në Prishtinë, jo vetëm për nxënës e rini, por edhe me nëpunësit e Bashkisë së Prishtinës si dhe për defilimin e suksesshëm nëpër rrugët e qytetit që bënë me flamur, shoqëruar me këngë patriotike, veprim ky që la përshtypje të jashtëzakonshme në atë koh. Sidoqoftë, veprimtaria e tij në Suharekë zë një kapitull të veçantë, gjithsesi të lavdishëm.

Së treti, në nëntitullin krijimtaria si dhunti hyjnore, mishërim i bazës trashëgimore e idealizimi, përmendet ndikimi konkret i krijuesve letrarë të njohur shkodranë, kolosëve: Pashko. Vasa, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Filip Shiroka, Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Vinçenc  Prenushi, Risto Siliqi  etj., jo vetëm në aspektin kombëtar, por edhe në atë tematik letrar, ngase  prej 10 veprave të mia letrare të botuara deri më tashti, në gjashtë sosh lajtmotivi lidhet, në mjaft raste, me Shkodrën a me shkodranët, ku dalin të mishëruar edhe personazhet si ajo e Anton Harapit, Marie Shllakut e të tjerëve, të cilët me veprimtarinë e tyre shtyjnë penat e pushkët për përjetësimin e mesazhit idealist se vetëm me punë deri në flijim mund të arrihet çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare.

Edhe sa i përket anës shkencore gjuhësore autoriteti i krijuesve shkodranë del i pazëvendësueshëm, siç është b.f. kontributi i shoqërisë “Bashkimi”,  asaj  “Agimi”, Konstributi në Kongresin e Manastirit, Kontributi  i Komisisë Letrare të Shkodrës,  i revistave “Leka” e “Hylli i Dritës” si dhe Buletinit (shkencor), pa i lënë anash veprat e veçanta të autorëve të caktuar. Me interes është konstatimi që del nga konsultimi i këtyre burimeve, kur është fjala të vendosja e normës letrare, gjuhëtarët shkodranë assesi s’mund të etiketohen si konservatorë e separatistë, ngase te ta përherë ka mbizotëruar ndjenja e interesit kombëtar, andaj jo vetëm e përqafuan, por edhe vetë propozuan që gjuhë letrare (administrative) të jetë gegërishtja e mesme (elbasanishtja) me ndonjë plotësim, përkatësisht toskërishtja me ndonjë plotësim. Andaj edhe ndonjë vërejtje, që mund të vijë, qoftë nga shkodranët, qoftë nga të tjerë, rreth përplotësimit a  përsosjes së normës se sotme letrare me elemente nga gegërishtja, siç është edhe integrimi i  paskajores etj., duhet mirëpritur e mirëkuptuar.

Në fund po e përmbyll këtë paraqitje me pyetjen retorike, vallë, përkundër pushtuesve të shumtë të huaj, Shkodra, si ka mundur, që në 25 shekujt e gjëllimit të saj të frymojë e ligjërojë ilirisht-arbënisht -shqip dhe njëherazi ta ruajë, ta trashëgojë, madje edhe ta rrisë autoritetin e saj? Sigurisht me mund e me punë shumë,  me vepra të mira e cilësore, siç po veprohet edhe sot me organizimin e festivaleve dhe të asociacioneve të ndryshme në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, siç është edhe  seminari “Shkodra në shekuj”, vazhdë kjo që nuk rrit vetëm autoritetin e Shkodrës, por në radhë të parë rrit dhe ndrit autoritetin e Atdheut të shqiptarëve, të cilin  dëshirojmë ta kemi sa më fatbardhë, me suksese sa më të mëdha në të gjitha fushat dhe gjithsesi shpirtërisht e gjeografikisht pa vizë të zezë kufindarëse.

Prishtinë, më 7. 11. 2000 / ril. 2016



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora