Kulturë
Nebi Dragoti: Mik fshati
E enjte, 17.03.2016, 06:41 PM
NEBI DRAGOTI
MIK FSHATI
Mirë se të vish ti, mirë se të vish,
për miq të mirë fshati ka nevojë,
po se mos pengohesh arave me shalqinj,
ku aty më gjen , aty do t’më takosh.
Rriskë e hollë e hënës ulet prapë
mes grigjës,në shtrugë, qumësht rrjedh;
kam për të servirur një gotë dhallë,
më e mirë është se boza në qytet.
Dhe mos prit ti të dërgoj ftesë,
se rrushi duhet vjelë, kemi punë.
Ah, në ardhsh me diellin në mëngjes,
do të them : e dashke fshatin shumë!
Hëna lahet zhaurimës së liqenjve,
këtu hapsirë e gjërë qesh dhe ndrit,
duket sikur fshati është iso kënge
sa dhe delja rud gazmore blegërin.
Ç’ka na duhet, toka i prodhon të gjitha…
Ti mirë se të vish, mirë se të vish !
Në ardhësh me mëngjesin, kur agon dita,
kam për të thënë: ta kthejmë një kupë, or mik!
ESENIN
Ndryshoj me ty, Esesnin i Rusisë,
doemos, në vargje dhe karakter.
I dehur me votkën ruse, o lirik,
i ndezur në grackën e jetës re keq…
Megjithatë, dije: shqiptari Nebi,
o bilbil i Rusisë, ruan respekt.
Vërtetë, shumë ndryshojmë, Esenin,
por…për të kënduar erdhëm në jetë.
POETI QESHI
Sedërsëmuri kritizer
inatin e nxjerr;
(jo,jo s’e botoi bukuroshen lirikë)
dhe përgjigjes shpejt
vegjen ia gjen:
-Vrite “mizën”
prozaizëm!...
Atëherë,
qeshi e theri
gjithë ironi poeti.