E diele, 28.04.2024, 08:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Zë kritik i ndërgjegjes kombëtare

E diele, 07.02.2016, 03:07 PM


Zë kritik  i ndërgjegjes dhe vetëdijes kombëtare

Nga Gjekë Gjonaj

Jo pak nga intelektualët shqiptarë në Malin e Zi  shohim të jenë të renditur nëpër taborret partiake dhe sipas logjikës së kopesë, kanë shkuar pas prijësve të tyre,  dhe nuk kanë patur guximin të mendojnë me kokën e vet, përveç me kokën e udhëheqësit të grigjës, edhe atëherë kur ai i ka çuar drejt kullotave të huaja. Përjashtim nga këta intelektualë bën  kolegu im i  nderuar Shaban Peraj, i cili    tash disa vjet është shkëputur   nga politika aktive dhe ka zgjedhur një rrugë më pak të levërdishme, rrugën e mosheshtjes dhe të kritikes ndaj politikës.  Me opinionet dhe analizat e tij   kryesisht nga jeta politike  e shqiptarëve nëpër revista, gazeta dhe portale  të ndryshme shqiptare në   Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri dhe në diasporë, ka krijuar imazhin e një analisti me të drejtë fjale, që nuk është politikan por që merret me politikën. Këtë konstatim  timin e deshmon  libri i tij i dytë  me titull ,, Vitet e humbura,,  i cili u përurua të enjten në mbrëmje në Krythë të Anës së Malit, Ulqin.

Analisti Shaban Peraj në këtë libër  publicistikë me artikuj, komente, opinione, reagime, intervista etj., shpreh opinionet, pikëpamjet, mendimet, idetë, vlerësimet dhe qëndrimet e tij kryesisht për politikën shqiptare  gjatë 25 viteve të fundit të pluralizmit politik,    cilat autori me të drejtë i vlerëson  vite të humbura të periudhës së tranzicionit. E këtë kohë, siç e dimë të gjithë,  e karakterizon  një realitet i hidhur i shoqëruar me një mal  paradoksesh,  (mos) veprimesh  absurde. Sepse në vend të bashkimit  ngriti  kokën mosbashkimi e përçarja,  në vend të moralit mbizotëron jomorali, në vend të vlerave  mbizotërojnë jovlerat,  në vend të guximit na kaploi frika e ligështimi, në vend të shpërgjumjes ndodh përgjumja, në vend të shpresës kemi zhgënjimin, në vend të punës dominon papuna, në vend të së vërtetës kemi gënjeshtrën, në vend të mirëqenies kemi varfërinë u shumëçka tjetër që rëndon mbi shpatullat e  shqiptarëve. Këto dhe të tjera dukuri shoqërore  Shaban Peraj i ka trajtuar, i ka përmbledhur në këtë libër me përkushtim, vetëmohim, sakrificë e përgjegjësi intelektuale. Ai  shkruan për realitetin jo të kënaqshëm të shoqërisë shqiptare ,,pa doreza,,   e pa frikë për ta thënë të vërtetën. Ai tregohet  mjaft kritik ndaj  pushtetarëve  e politikanëve shqiptare në nivel vendor e komëetar, pavarësisht kush nga ata janë në  pozitë e kush në opozitë.  Edhe njëra edhe tjetra palë, me gjithë luftën që zhvillojnë , thotë autori i librit, dëshmojnë  se hallin nuk e kanë për bashkëkombësit, por për poste e për pozita. Klasa politike shpitare, shkruan autori , po ndihmon humbjen e identitetit të shqiptarëve në Mal të Zi ,  po ndikon në humbjen e vlerave të popullit, po e shpërfill votën e qytetarëve, po përçanë shqiptarët, po njollosë  njëra - tjetrën , po punon jo për të mirën e komunitetit, por thjesht  për kaarrierën  e interesat e tyre.

Peraj  në këtë botim shpreh shqetësimin e tij  për mungesën  e bashkëpunimit të përbashkët të të gjitha subjekteve politke shqiptare në Mal t   Zi, për mospasjen  e një platforme të përbashkët të veprimit politik të liderëve tanë politik, për rajonalizimin e trojeve shqiptare në Mal te Zi, për   mungesën e planprogrameve mësimore, teksteve shkollore, administratës shkolllore,  për formimin  e komunës së mëvetësishme të Tuzit e nevoja të  tjera të shqiptarëve në Mal të Zi.

Opinionet e tij, siç del edhe në këtë libër, shpërfaqen para nesh tamam ashtu siç i ka hije një intelektuali te mirefillte  që i përcjellë me vëmendje proceset politike, kulturore, arsimore, ekonomike  etj. Reagimet, opinionet e tij vijnë si rezultat i ndërgjegjes së pastër dhe vetëdijes së lartë kombëtare e intelektuale. Ai ngre zërin me qëllim ndërgjegjësimi, në mënyrë që të mos na përsëriten gabimet, në mënyrë që të mos merremi pastaj me pasojat. Ai tregohet konkret e korrekt, konsekuent e parimor, bindës në qëndrimet dhe konceptet e veta. Ai kërkon vetëdijesim, ndërgjegjësim, shpërgjumje, unitet, seriozitet, sinqeritet dhe vendosmëri veprimi të inteligjencies, politikanëve e  subjekteve të ndryshme.

Libri  ,,Vitet e humbura,,  është një shembull e mësim për rolin dhe kontributin e intelektualit në kohën e  tranzicionit, një shembull se cili duhet të jetë roli i intelektualit në shoqëri, se si ai duhet të merret me problemet e kohës, se si duhet të reagojë e jo të heshtë, se si duhet të gjykojë me kohë e me kokën e vet.

Vlera e këtij libri është e padiskutueshme, sepse është artikuluar si duhet zëri i ndërgjegjes dhe vetëdijes kombëtare e intelektuale. Ky zë kritik,  e them me bindje,  do të dëgjohet dhe do të gjejë shtrirje në kohë dhe hapësirë përmes kësaj vepre. Sot dhe nesër. Gjithnjë. Kush ka vesh dhe durim  ta dëgjojë.

(Fjalim me rastin e përurimit  të librit “ Vitete e humbura” të autorit Shaban Peraj, në Krythë të Anës së Malit- Ulqin, më 4 shkurt 2015)

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora