E marte, 30.04.2024, 08:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Nëpër faqet e gazetës Nikaj-Mërtur

E premte, 16.10.2015, 11:33 AM


NËPËR FAQET E GAZETËS “NIKAJ-MËRTUR”…

Nga: Murat Gecaj

Ndoshta, ndonjë lexues mund të mos e dijë, se ku ndodhet krahina malore e Nikaj-Mërturit. Ajo është pjesë e Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe kufizohet me krahinën e Dukagjinit të rrethit Shkodër. Për lashtësinë dhe traditat e saj të çmuara atdhetare, kulturore e shpirtërore etj., që janë trashëguar brez pas brezi, do të duheshin faqe të tëra. Për njohjen, ruajtjen dhe çuarjen përpara të tyre, ka disa vite që është ngritur dhe funksionon një shoqatë atdhetare, shoqërore e kulturore, me të njëjtin emër, e cila tani ka kryetar Av.Gjin Niklekaj.

Për ta pasqyruar sadopak jetën dhe veprimtaritë e kësaj Shoqate, është viti i shtatë qëkur del gazeta periodike, me titullin “Nikaj-Mërtur”.  Në redaksinë e saj bëjnë pjesë disa intelektualë të njohur të krahinës, me drejtor Pashk Prekën dhe kryeredaktor Dedë Qokaj (dede.qokaj@gmail.com). Kjo gazetë përgatitet dhe botohet  me përkushtim, duke përballuar edhe vështirësitë e njohura financiare.

Kësaj here, po ua tregojmë shkurtimisht përmbajtjen e numrit 7, të gazetës “Nikaj-Mërtur”…

Në faqen e parë është editoriali i shkruar nga Jak Përpali dhe që vazhdon në faqen e dytë, “Ndarja me trojet e të parëve, si endje nëpër tallze drite”. Duke folur me dhimbje, për largimin e të rinjve e të rejave nga toka amtare, ai nënvizon se rinia, “nisi shkëputjen nëpër ëndrra të mjegullta, plot shpresë dhe si nëpër një trandje, që ngjitej prej nëntoke, ajo zbriste nga qiejt e ndërfutej nëpër shpirtëra…”. Në faqen e tretë flitet për zgjedhjet e zhvilluara këtë vit, në Shoqatën “Nikaj-Mërtur”, nga doli edhe Asambleja përkatëse, me njerëzit e ngarkuar sipas të gjitha fshatrave të krahinës. Në të, bëjnë pjesë edhe dhjetë përfaqësues nga Kosova.

Faqja e katërt i kushtohet ceremonisë së organizuar për dhënien e titulli “Qytetar nderi” i Nikaj-Mërturit, gazetarit të njohur sportive, Mejdan Zhivani (pas vdekjes).

Krahina e Nikaj-Mërturit është e njohur edhe për traditat e bukura në fushën e artit e kulturës, por dhe të arsmit. Këtij qëllimi i shërben shkrimi i ing.Sokol Meshit, shoqëruar me fotografinë e Mark Mitrit, “Dinastia artistike e Paplekajve; arti dhe muzika në Nikaj-Mërtur”. Po në faqen 5 dhe që vazhdon në të 16-tën, është intervista me intelektualin e krahinës, prof. Lush Susaj, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, përgatitur nga Dedë Qokaj. Gjithashtu, interesant është shkrimi i faqeve 12-13, me titullin “Gurra nikajmërturase dhe shpirti artistik popullor”, nga Ndoc Bushgjoka.

Në faqet gjashtë dhe shtatë të kësaj gazete bien në sy shkrimet e prof. Musa Krajës dhe Mujë Buçpapajt, që i kushtohen dy librave të autorit Frrok Vukaj, pas atij të mëparshmit, duke formuar kështu një “triptik”, për jetën arsimore të vendlindjes së tij dhe tërë Malësisë së Gjakovës, në përgjithësi.

Duke shkruar për “Historinë e dyerve të mëdha të krahinës së Nikaj-Mërturit”, autori Ylli Prebibaj ndalet në disa prej tyre dhe konkretisht jep të dhëna me interes për “Derën e Sadik Gjergjit të Palçit”, për Adem Sadikun dhe Fetë Sadik Gjolin-“Martir i Demokracisë” e Ukë Çunin.

Në faqen 14 është botuar shkrimi i arsimtarit e publicistit, nga fshati Zogaj i Tropojës, Ibrahim Hajdarmataj, kushtuar librit të prof. M.Gecaj, “Për ju, krijuese” dhe ai që pasqyron veprimtarinë për arsimtarin e poetin e paharruar Selim Aliaj, i cili u shpall “Qytetar nderi” i komunës Tropojë. Shkrimi me titullin “Burrat zemërbardhë e orëmëdhenj i tretë dheu, por koha s’i harron”, me autor  Dedë Zhivanin, na jep të dhëna rreth librit “Amaneti i pashkruar” dhe veprimtarisë përuruese të tij, që i kushtohej birit të paharruar të krahinës Nikaj-Mërtur, Dedë Rrustemi (pas vdekjes).

Në faqen përmbyllëse të gazetës “Nikaj-Mërtur” janë botuar katër fotografi me ngjyra, nën titullin domethënës, “Curraj i Epërm, mrekullia e bjeshkëve”.

Duke e uruar redaksinë e gazetës “Nikaj-Mërtur” për botimin e këtij numri, shpresojmë e presim, që ai të pasohet me botime të reja, sa më cilësore dhe në përshtatje me kërkesat e lexuesve të shumtë të saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora