Kulturë
Kalosh Çeliku: Vrasësi im Rrufjani ende është gjallë
E hene, 05.10.2015, 07:19 PM
VRASËSI IM RRUFJANI
ENDE ËSHTË GJALLË
NGA KALOSH ÇELIKU
(Dimër jam Unë
akull dhe zjarr)
Zonja ime Vdekje, nuk e dua pranverën
Gjithë jetën e kam pasur në Shtëpi.
Ferrin sot e dua marrëzisht
Zjarrin. Dhe, një vorbë me groshë
Nana si dikur ta rreshkë në oxhak!
Ferrin e dua marrëzisht! Ferrin
Dru t’i hudh në vatër. Ndez me flakë!
Dimër jam Unë. Akull, dhe zjarr…
(Kafshët e buta
në Katund)
Gjithë jetën desha të mos jem i egër
Kafshët e “buta” më shpallën: Ujk.
Edhe pse, ende nuk e hëngra Kaun e zgjedhës
Mëzatin e tredhur me brirë, në Livadh.
Përveçse, ndonjë dele rudë bishtëpërpjetë
Dhe, rrunzën Rudë nën Dardhë Gorrice.
Unë nuk kam qenë i egër. Ujk
Kafshët e buta kanë faj. Derën e vathës
Krahmëkrah ma hapnin. Nateditë, në Katund…
(Gardh shelgu)
Urrejtja një gardh shelgu
“Vallai” që e mbolli në breg.
Urën e Gurit mos e kalojmë Nesër
Thupra që shpërthyen në degë.
Roje betoni nën shelgje
Verë e dimër shalojnë kuajt.
Karposhi me gjithë kalë
Përditë mbytet në Vardar.
Urrejtja një gardh shelgu
Hurdhë, ku fundoset bregu…
(Gruaja e vetme besnike)
Dudumët më martojnë përditë
Herë me një Mike. Herë me një lavire.
E, dudumët ende nuk e dinë
Hë për hë, se: nuk kanë për mua grua
Tra t’i bëhet Shtëpisë Çelike.
Hadumë, unë nuk kam nevojë për gra
Burra, nese jeni: më martoni me Paranë!
Gruan e vetme deri më sot besnike…
(Shpenzimet e netëve pagjumë
dhe poezisë “erotike”)
Përditë, bie zilja e telefonit në gjumë
Ditë e zakonshme pune. Ose, në rrugë.
Fatmirësisht, tek mua mjaullon “Macja”:
Ju lutemi, rehabilitoni shpenzimet jetësore:
Telefonit, rrymës, dhe ujit. Tatimet e Shtetit!
E dëgjoj sekretaren e tyre, vërtetë zëëmbël
Përgjigjem, vetmevete përgjumshëm: matanë telit.
E di se, nuk më dëgjon sot njeri i gjallë:
Gaçi, në Kopësht keq është përla me Pandën
Rryçka rebele me dhunë hyri në dhomë.
Shpërthej në këtë poezi, “bombë politike”
Dihet, nuk është e “shpëtimtarit” të shqiptarëve:
Po, mua kush do të m’i paguaj shpenzimet
E netëve pagjumë. Dhe, poezisë “erotike”?!...
(Rrënjët i kam hedhur
thellë në Qiell)
Përderisa, bimët dhe lulet. Lisat
Rrënjët i kanë shti në tokë.
Unë i kam hedhur thellë në Qiell.
Krah për krahu me yjet. Diellin e Hënën
Dritë feneri i bëjnë tokës martire.
Territ në Lëmë ia hapin sytë…
(Valle mbi shpuzën e zjarrit)
Vallja lehtë hiqet me shami në Livadh
Ose, Lëmë përpara Shtëpisë me lodra.
Nusen kur e zbresin krushkat në Lëmë.
Por, ecë e hiqe vallen në mal
Me krushqi të ngrirë. E, koçi pa Nuse!
Vallja lehtë hiqet në Livadh. Lëmë
Por, ecë hiqe mbi shpuzë! Zjarr.
Pena ime kur mbytet me raki rrushi. Verë
E, nga hurdha nuk e nxjerrë njeri i gjallë…
(Pleshtamadhi)
Pleshtamadhi nuk e ngre zërin për Liri
I mjafton qilimi. Një jastëk me pupëla.
Ushtria e pleshtave me komandantin në krye
Dhe, një copë buke me tëlynë. Djath.
Natën ta kalojë në gjumë. Gërhasë.
Pleshtamadhi, sot e do Robërinë
Ushtrinë e pleshtave. Gërhasë për Liri…
(Vrasësi im Rrufjani
ende është gjallë)
Vrasësi im, ka emër dhe mbiemër
Përçudi, ende që të dy jemi gjallë.
Edhe pse, ai ka vulë në ballë
E Unë, pusi pas ferre në mal.
Jo si ai, i përgëdhelur në Qeveri
Me çmime shtetërore. Anëtar në Akademi.
Vrasësi im, sot ka emër e mbiemër
Përçudi, ende që të dy jemi gjallë?!
Zonja Vdekje, gjykatëse speciale
Hetimet, siç duket do t’i mbyllë në varr…
(Përçudi zgjohem në varr
dhe Veten vras në Liri)
Kohën e fundit, Veten shoh ëndërr mes varreve
Rrëzë Çukës, edhe një varr i hapur.
Imzot, mos kam vdekur në gjumë
E, unë ende nuk e di nën Rrap?!
Nateditë turrem pas Dy shtambave me verë
Përçudi, nuk e di si zgjohem në varr?!
Dhe, Veten e vras në Liri…
Shkup, 19 shtator 2015