E marte, 05.11.2024, 12:36 PM (GMT)

Mendime

Gëzim Hoxha: Hapësirat publike të pasistemuara

E enjte, 30.07.2015, 06:55 PM


Hapësirat publike ende të pasistemuara.

Nga Gëzim Hoxha

Kanë kaluar gati 3 muaj, ditë kur shteti vendosi të tregojë forcën e vet dhe të prishte kioskat në qytetin  e Fierit. Që nga ajo ditë me dhjetra familje që kishin lidhur fatin e tyre me to, u hodhën në rrugë, dhe për mendimin tim ishte një nga ato vendime me kosto politike që duhej marrë shumë kohë më përpara. E them këtë se kur vihen në balancë e mira e disa dhjetra familjeve me të mirën e të gjithë qytetit kuptohet që peshorja duhet të anojë nga ana e kësaj të fundit.

Historia e kioskave dihet tashmë nga të gjithë ne. Shumica e tyre është vendosur pa leje në hapësirat publike që aso kohe  ishin të lira dhe askush nuk kujdesej për to, dhe ato që ishin me leje, një zot e di sa u ka kushtuar ajo pronarëve të tyre. Po unë nuk kam përse të shkruaj për diçka që e dinë të gjithë. Shqetësimi im si qyterar I Fierit ka të bëjë me hapësirat publike.

Fieri është ndoshta qyteti më i betonizuari në Shqipëri dhe fajin e kanë administratorët e tij ndër vite, i vetmi pa një hapësirë të blertë dhe pa një park prej të vërteti. Përgjatë rrugës “Skënderbeu” aty ku ndodhen dhe tv “kombi: por edhe qëndra tregtare “ETC”, përballë tyre, ndodhet një nga lulishtet e vetme të qytetit tonë me një shtrirje të tillë, që të gjitha rrugët e tjera do ta kishin zili. Edhe pse kioskat që ndodheshin aty u hoqën përsëri sipërfaqe të tëra të kësaj lulishteje mbetet ende nën pushtetin e betonit.

Kemi dëgjuar se në premtimet elektorale të kryetarit të bashkisë përfshihet edhe ngritja e një parku në Qafën e Koshovicës duke përfshirë në të dhe një qendër rekreative dhe shumë funksionale. Diçka shumë e nevojshme për qytetitn. Jam i bindur që të gjithë ne mezi e presim një gjë të tillë. Po kjo do kohën e vet dhe nuk besoj se  do të ndodh para pranverës tjetër, përsa i përket alokimit të fondeve . Duhet pritur që të miratohet buxheti nga këshilli I ri bashkiak, nëse është hartuar më parë projekti, më pas duhen pritur procedurat e tenderit për përzgjedhjen e firmës që do të kryejë punimet. Por dhe punimet janë histori më vete dhe për ata që nuk e dine u them se koha e tyre përmban 3 rezerva kohore që çdo manaxher i zgjuar do t’i përdorte për të justifikuar zgjatjen e punimeve. Rezerva e vogël përdoret për të justifikuar ndoshta festat, por dhe raportet për paaftësi afatshkurtër në punë nga sëmundjet e ndryshme. Rezeva e mesme mund të përdoret në raste se vonohen materialet ose kur numri i makinerive është jo i mjaftueshëm por edhe kur firma për arsye ty ndryshme nuk ka likujditet të mjaftueshëm për vazhdimin e punimeve , dhe ajo e madhja në raste të katastrofave natyrore. Kështu që ky premtim ka shumë mundësi të materializohet andej nga fundi i vitit të ardhshëm ose më keq akoma nga viti 2017. Deri atëhere na duhet të presim, ose të bëjmë diçka.

Në vend që të presim unë do të preferoja që të bënim diçka. Po çfarë? – do të thoshte dikush nga ju. Kjo është një pyetje shumë e mire që e ka dhe përgjigjen. Fola më lartë për lulishten që shtrihet pothuajse përgjatë gjithë rrugës Skënderbeu. Metra të tërë katrorë hapësire publike u liruan nga pesha e kioskave por ato ende janë nën pushtetin e betonit. Kjo sepse INUK – u hoqi mbeturinat inerte por siduket asnjë prej zyrtarëve të tij nuk I vajti mendja se duhej të hiqnin dhe shtresën e betonit mbi të cilën lulëzuan kioskat. Kjo vlen të thuhet edhe për troutuarët e çliruar prej tyre të cilët I shkelim për ditë dhe I shohim që janë ende si mos më keq. Por një punë e lënë përgjysëm vë në dyshim dhe qëllimin e mirë të saj.

Po deshët ka edhe më. Në lagjen 8 shkurti ka nja dy hapësira mes pallatesh që janë sistemuar duke u asfaltuar dhe anët e tyre janë rrethuar me lulishte të vogla dhe nga ndonjë pemë e stol tek – tuk. Ky është një shembull shumë i mirë që ia vlen të ndiqet. Ka ende për fat sheshe mes pallatesh ende të pazaptuar, të cilët në verë janë burim pluhuri dhe në dimër burim balte. Sistemimi i tyre do t’ia bënte punën më të lehtë për mirëmbatjen dhe pastrimin e shtëpive, shtëpiakeve të shumta, të cilave iu nxi jeta jeta nga pluhuri dhe balta.

Por selektiv ose jo, aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në përgjithësi dhe të kioskave në veçanti është domethënës dhe mezi pres që edhe në Fier të ndodh ajo që ndodhi me Lanën në Tiranë. Edhe pse në fillim kishte hatërmbetje, tani të gjithë i gëzohen lumit të çliruar dhe një shëtitje buzë tij. Tek e fundit të tilla gjëra tregojnë se hapësirat publike nuk janë mall pa zot dhe më i forti mund të zaptojë cilën pjesë të dëshirojë. Por veç kësaj kjo do të thotë se modelit ekonomik të kioskave, i cili i ktheu të gjithë qytetarët në shitës dhe të gjithë në blerës, i ka ardhur fundi. Duhet thënë gjithashtu se dhe pesha që do të mbajë industria e ndëtimit në ekonominë fierake do të vijë gjithnjë duke rënë. Kjo për 2 arsye e para se trojet e lira për ndërtim sa vijnë dhe paksohen dhe e dyta sasisë së madhe të apartamenteve të ndëtuara pa asnjë lloj plani, e cila ka mbetur pa u shitur. Është koha ti kthejmë sytë nga prodhimi bujqësor dhe ai blegtoral duke shfrytëzuar  pozitën gjeografike e cila është shumë bujare me ne duke na dhënë një hapësirë fushore të pamatë dhe pse jo pa harruar potencialin e sektorit të shërbimeve duke përfshirë pa dyshim dhe turizmin në të.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora