E marte, 03.12.2024, 02:32 AM (GMT)

Mendime

Shpëtim Beqiri: Suksesi i Iranit

E merkure, 29.07.2015, 06:42 PM


SUKSESI I IRANIT NË MARRËVESHJEN E VIENËS VLEN 100 MILIARD EURO

Nga Shpëtim Beqiri, Avokat

Është përshkruar si historike marrëveshja bërthamore Iraniane e cila shënoi më në fund kthesën pozitive në marrëdhëniet diplomatike midis Iranit dhe SHBA, një krisje e raporteve midis dy shteteve që zgjati  më shumë se 12 vjet.  Ajo që bie direkt në sy, përveç marrëveshjes që do flas më poshtë, ka të bëjë me atë çka Obama tha, një fjali që ndoshta, do mbahet mend gjatë, jo vetëm për kontekstin dinamik e të vështirë të negociatave të pafundme, por edhe në atë çka sot bota po kalon përsa i përket raporteve  ekonomike, politike, diplomatike, ushtarake që janë në nivele kritike. Shprehja ishte “Kjo marrëveshje nuk është e mbështetur në besim. Është e mbështetur në verifikime”. E thënë troç, të flitet hapur, tashmë edhe në nivele të larta diplomatike botërore, nuk është tabu edhe pse kjo ka ndodhur gjithmonë midis palëve, por  pa praninë e gazetarëve. Duket sikur po bie ajo velloja e holle  e gjuhës diplomatike dhe politike. Pyetja që shtrohet në këto raste është;  Marrëveshja, a e parandalon Iranin në ndërtimin e Bombës Atomike? Obama thote që: “Falë kësaj marrëveshjeje, Republika Islamike e Iranit nuk do të zhvillojë bombë bërthamore, të gjitha rrugët e armëve bërthamore janë të bllokuara”. Nga ana tjetër, homologu i tij Hassan Rohani theksoi se “vendi i tij nuk kërkon dhe nuk do të kërkojë kurrë të pajiset me armë bërthamore”. Të shikojmë në mënyrë të detajuar se cilat janë pikat kyçe të marrëveshjes. Marrëveshja u nënshkrua me dt 14 korrik 2015 midis Iranit dhe anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit  të OKB-së,  përbërja  5+ 1, SHBA, Franca, Anglia, Rusia, Kina + Gjermania. Kontributin më të madh në arritjen e kësaj marrëveshjeje e kane dhënë SHBA dhe Irani, këto dy shtete kanë dhënë maksimumin duke e ndërtuar dhe menaxhuar gjithë proçesin dhe proçedurat e gjata deri në finalizimin e marrëveshjes, nuk ka qenë e lehtë pasi aktorët e tjerë nuk kanë qenë aktivë dhe konstruktivë dhe përfshirja e tyre në këtë proces ka qenë sekondare duke ruajtuar gjithsecili anëtar i përhershëm i OKB-së interesat e tyre të ngushta. Të dy këto shtete nuk e kanë pasur rrugën e lehtë pasi janë përballur me lobe të brendshme dhe të jashtme që ishin kundër kësaj marrëveshjeje ose më mirë ishin kundër favorizimit të një strukture politike të qëndrushme në rajon, me përjashtim të BE, me të ngarkuarën e saj Mogherini e cila në fund të fundit, është munduar të përcjellë dhe të mbrojë  identitetin e BE-së, por prezenca e Gjermanisë dhe e Francës sfumuan rëndësinë e Mogherint në negociata, siç ndodh zakonisht. Le të bëjmë një analizë të aktorëve pjesëmarrës në negociata dhe  rolin e tyre. Fillojme me Anglinë; Duket sikur kohët e fundit e ka humbur atë identitetin vendimmarrës dhe fitues që e karakterizon në momentet e vështira, duke u kufizuar thjeshtë në atë çka bën dhe thotë diplomacia amerikane, një harmoni dhe pajtim me poltikën amerikane që më parë nuk është vënë re, në këtë kontekst SHBA-ve i ka bërë mirë sepse nuk ka penguar diplomacinë amerikane në arritjen e marrëveshjes. Franca dihet se i ka kundërshtuar negociatat,  deri në minutën e fundit. Eshtë kërkuar nga Franca futja e një mase që parashikon pezullimin e marrëveshjes dhe rikthimn e menjëhershëm të sanksioneve, në rast se Irani i shkel kushtet e marrëveshjes. Franca mbajti këtë pozicion pasi në krahasim me të gjitha shtetet e tjera anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit, nuk është duke kaluar një situatë të mirë ekonomike. Në këtë kuadër Franca po kërkon të ruajë dhe në të njëjtën kohë të rrisë influencën ekonomike tregtare me Arabinë Saudite dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe të cilat ruajnë një qëndrim kritik ndaj Iranit. Gjermania ka kohë që i është përshtatur një politike pragmatiste e reflektuar edhe në negociatat me Iranin. Politika diplomatike e Angela Merkel nuk ka qenë mbështetëse e madhe e ndërtimit të një raporti të ri midis Iranit dhe Gjermanisë, por ndryshe nga Franca, Gjermania gjatë negociatave nuk është ndaluar në një interes të ngushtë gjeopolitk të zonës, por ajo beson në ndërtimin e një raporti gjeo-ekonomik afatgjatë ose e thënë më mirë, të instalimit të investitorëve Gjermanë në Iran. Në planin afatgjatë, Gjermania i ka bërë më mirë llogaritë. Kina, tradicionalisht politika e saj e jashtme ka qenë e karakterizuar nga kujdesi, qetësia, maturia, kjo veçanti u vu re edhe gjatë negociatave me Iranin. Gjatë negociatave Kina mbështeti Iranin, por nuk ka rënë në sy ose  e thënë ndryshe ka ruajtur një profil të ulët politik. Kjo lloj politike e Kinës i ka dhënë mundësinë reale që të shtrijë interesat e veta gjeoekonomike në të gjitha kontinentet (kujtojmë se Kina udhëheq  BRICS që ka si qëllim parësor të kufizojë dominimin e dollarit)  pa u mbështetur në faktorin flamur, moral politik dhe sistem demokratik, dmth ajo që i intereson Kinës është negocimi dhe finalizimi i marrëveshjeve ekonomike, kuptohet në favorin e saj. Vijmë te rasti i Rusisë, e cila vazhdimisht ka luajtur rolin e aleatit me Teheranin. Duhet thënë se Rusia dhe Irani, historikisht nuk njihen si dy shtete mike por as armike. Qëndrimi i Rusisë ndaj negociatave duhet të shikohet në dy aspekte: a) Rusia dhe Irani kishin një interes reciprok, me idenë që çdo njëri mund ta shfrytëzonte më shumë tjetrin kundrejt SHBA-ve. b) nga ana tjetër Moska duhej të mbështeste Iranin në mënyre që suksesi i negociatave mos të shkonte vetëm në favor të amerikanëve, madje, ishte e detyruar, në mënyrë që të mbronte interesat e veta strategjike në rajon e më tej në Lindjen e Mesme. Le të vijmë te objekti i marrëveshjes dhe nëse u arrit objektivi.  Në marrëveshje u theksua e drejta e Iranit për pasurimin e uraniumit dhe të drejtën e zhvillimit të një programi kombëtar të energjisë atomike, sigurisht që marrëveshja parashikon kufizimin e këtij programi bërthamor.  Irani merr përsiper që të mos tejkalojë pragun e 3.67% të proçesit të pasurimit të uraniumit, për të kompletuar një raketë bërthamore, pasurimi i uraniumit duhet të jetë rreth 90%. Irani nuk mund të këtë më shumë se sa një kompani në zhvillimin e pasurimit të uraniumit.  Irani mund të mbajë vetëm 300 kg uranium të pasuruar nga 10 mijë egzistues, sasinë tjetër, pranon që ta trasferojë jashtë vendit, se në cilin vend apo zonë, nuk është bërë e ditur. Përsa i përket plutonit, një element tjetër me të cilin prodhohet bomba bërthamore, marrëveshja parashikon që reaktori i cili gjendet ne qytetin Arak, nuk mund të prodhojë sasi të konsiderueshme plutoni për qëllime ushtarake. Irani merr përsipër të përdorë centrifuga të gjeneratës së parë, e ashtuquajtura IR-1, duke kufizuar përdorimin e centrifugave me teknologji moderne vetëm në kontekstin e studimeve shkencore universitare. Nësë do flasim me shifra, marrëveshja parashikon uljen e centrifugave nga rreth 5000 në rreth 1000, të cilat do të jenë të destinuara vetem për prodhimin e izotopeve për përdorim mjekësor. Nga pikëpamja e inspektimit, marrëveshja parashikon se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike do të realizojë nëpërmjet instalimit të sensorëve, kontrollin dhe ekzaminimin e të dhënave në kohë reale në të gjitha qytet ku ndodhen këto centrale. Do jetë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e cila do vlersojë hap pas hapi, mundësinë e heqjes së sanksioneve në një periudhë sa më të afërt, dhe në zona të caktuara. Favorizimi më i madh nga heqja e sanksioneve do jetë ndaj sektorit bankar. Arritja e marrëveshjes tregoi se Iran është një ndër aktorët më të fuqishem në arenën ndërkombëtare i cili tregoi që është diplomatik, i matur, kërkues dhe fleksibël duke lënë mënjanë thashethemet me konjiktura negative që ishin krijuar, sidomos në Perëndim. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, deri në fund të muajit korrik, duhet të përgatisë tekstin e rezolutës e cila do të rregullojë zbatimin e marrëveshjes. Teksti i rezulutës duhet të përmbajë një mekanizëm procedurial i cili do të  parashikojë nga njëra anë revokimet e sanksioneve ndaj Iranit, dhe nga ana tjetër rikthimin e sanksioneve në rast të shkeljes së marrëveshjes nga ana e Iranit.  Firmosja e marrëveshjes nga Teherani ka një finalizim të favorshëm; nëse do llogaritej në vlerë monetare përfitimi do të ishte rreth 100 miliard euro,  kjo është shifra  që Irani përfiton nga heqja e sanksioneve. Përveç kësaj, Irani do të vazhdojë me pasurimin e metalit edhe pse vetem për nevojshmëri energjetike, shkencore, mjeksore. Në vitin 2016 në SHBA mbahen zgjedhjet për presidentin e ri, po në vitin 2016 mbahen zgjedhjet për rinovimin e parlamentit Iranian, që do të thotë brenda vitit që vjen dy administratat e vendeve përkatëse duhet të kenë gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrushme, kundrejt çdo administrate tjetër që do vijë në fuqi në vendet përkatëse. Duket sikur një epokë e re është hapur në marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Iranit që do të influencojë jo vetëm në rajon, por edhe në Lindjen e Mesme e më gjerë në mbarë botën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora