Mendime
Adil Fetahu: Libër që pushimin ua bën të këndshëm
E marte, 28.07.2015, 07:32 PM
“Le të mburrën të tjerët me faqet që kanë shkruar,
unë mburrëm me ato që kam lexuar”.
(Jorge Luis Borhes)
NJË LIBËR QË PUSHIMIN UA BËNË MË TË KËNDSHËM
(Remzi Limani: “ETJA E LUMIT”,roman, botoi ShB “ArsA”, Prishtinë, 2013)
Nga Adil FETAHU
Pushimin e sivjem në bregdetin shqiptar (në Shëngjin) ma bëri më të këndshëm leximi i disa librave, ndër të cilat edhe romani “Etja e lumit”, e piktorit, poetit, prozatorit, eseistit të njohur kosovar, Remzi Limani. Me autorin e librit jam njohur në baza kulturore, duke lexuar veprat e tij, sidomos ato vargje poetike të pëlqyeshme e domethënëse, të cilat i boton në facebook gadi çdo mëngjes e çdo mbrëmje. Përmes mesazheve, caktuam një takim kafeje në zyrën e tij, ku u njohëm më përsëafërmi realisht, dhe shkëmbyem ca libra. Me atë rast (ishte 21 prilli 2015), Remziu më dhuroi 3 libra, njëra prej të cilave ishte romani “Etja e lumit”. Dy të parat: “58 dromca dashurie” dhe “Ese kritike”, që ishin me vëllim më të vogël, i lexova ato ditë kur m’i dha autori, ndërsa romanin që ishte më voluminoz (374 faqe), e lash ta lexoj gjatë pushimit në bregdet, ku zakonisht lexoj nga disa libra.
Këtë verë, gjatë pushimit në Shëngjin, pas një komunikimi përmes e-mailit, realizuam një takim njohjeje edhe me poetin e shkrimtarin tropojan, Zeqir Lushaj, i cili më dha katër libra të tij, dy prej të cilave i lexova atje, e dy tjerat pasi u ktheva prej pushimit.
Leximin e romanit “Etja e lumit” e fillova me një dozë ngurrimi, për shkak se është kryekëput roman dashurie, ndërsa unë jam në moshë të shtyrë dhe “nuk më kishte hije” të lexoja roman të tillë. Mirëpo, sapo lexova ca fletët e para, pastaj ishte vet mjeshtria e autorit dhe përmbajtja e romanit që nuk më shqiteshin, deri në faqen e fundit.
Syzheu i romanit është dashuria e zjarrtë dhe e sinqertë e kryeprotagonistit (Fis Guraziu), me dy protagonistet tjera kryesore të romanit: Hana dhe Nita. Fis Guraziu është një arkitekt i njohur, udhëheqës i një kompanie ndërtimore (“Shtrojera”) në kryeqytetin e Dardanisë. Fisit i kishe vdekur gruaja para disa vjetëve, me të cilën e kishte një vajzë, Bubulinën, tashmë studente. Një ditë, derisa arkitekt Fisi ishte duke shqyrtuar projektet e objektit që ishte gati kah përfundimi i ndërtimit, cingëroi celulari prej nga vinte një zë i ëmbël femre, shoqëruar me një muzikë të lehtë nga sonata “Marshi i Turkut”. Përmes celularit i prezentohet Hana, një pianiste e njohur, vajzë e pashme 35-vjeçare, profesoreshë në fakultetin e arteve, e cila e kishte blerë një apartament në objektin në të cilin punimet i kishte udhëhequr arkitekt Fisi. Më vonë, në takimin në zyrën e arkitektit, Hana e luti Fisin për disa punime shtesë në apartamentin e saj. Kërkesa e Hanës kishte të bënte me izolimin e zërit, në mënyrë që të mos i pengonte fqinjët gjatë ushtrimit të përditshëm e të përnatshëm me pianon e saj. Fisi me një mirëkuptim dhe mirësjellje e pranoi kërkesën dhe e siguroi Hanën se do të angazhonte mjeshtrit më të mirë dhe të zgjedhte materialin më të mirë për izolim. Sjellja e njerëzishme dhe e kulturuar e Fisit, i la përshtypje Hanës, e cila e ftoi ta qeraste me një drekë në Restorantin “Marko Pollo”, në afërsi të “Termokosit” në kryeqytet, ku u njohën më afër. Pas përfundimit të drekës, Hana e shpiu Fisin deri te banesa e tij, afër Furrës së Qerimit. Fisi i kënaqur, me nderin që po i bënte Hana, lëshoi një pasthirrmë: Oho-hooo, ndihem i privilegjuar të vozitëm në duart e një pianisteje.
Në banesën e Fisit, bashkë me vajzën e tij Bubulinën, bashkëbanonin edhe dy shoqe të saj, gjithashtu studente. Një mbrëmje Fisi me vajzën e tij dhe dy shoqet e saj shkuan për darkë në “Marko Pollo”, por aty nuk gjetën vende të lira, dhe vajtën në Restorantin “De Rada”, aty ku para lufte mblidheshin elita e kulturës, artit, politikës. Fisi u foli vajzave për ngjarjet në atë restorant dhe për shkrimtarin e madh De Rada dhe poezinë e tij, “Këngët e Milosaos” që ishin të gravuara në suvaton e Restorantit. Papritmas u afrua Hana, u përshëndet me Fisin e me vajzat e pastaj u kthye në tavolinën e saj me shoqet, qe po festonin diplomimin (magjistraturën) e një pianisteje të re, studente e Hanës. Kur Fisi e thirri kamerierin për të paguar llogarinë e darkës, kamerieri i tha se llogarinë e kishte paguar ajo mikja juaj, e cila kur mbaroi darkën u përshëndet së largu me Fisin dhe vajzat. Sapo u kthyen në shtëpi, Fisi i shkroi Hanës një mesazh falënderimi për darkën dhe i tregoi se Bubulinës dhe shoqeve të saj u kishe pëlqyer Hana. Në shkëmbim të mesazheve, Hana merr vesh se Fisit i kishte vdekur gruaja para nëntë vjetëve, duke e lënë këtë “si një bastun i papërdorur”.
Autori e paraqet kryepersonazhin (Fisin) si njeri i dashur dhe i kujdesshëm jo vetëm ndaj vajzës së tij, por edhe ndaj axhës dhe kushërinjve. Këtë e bënë përmes kujdesit dhe angazhimit ndaj kushëririt Berati, i cili i zhgënjyer nga situata e përgjithshme pothuajse kishte rrëshqitur nga mendja dhe kishte bërë veprime të çuditshme. Por, falë angazhimit të Fisit dhe me ndihmën e psikiatrit, Beratin e ktheu në gjendje normale.
Në mbrëmjen para ditëlindjes së vet, Hana e kishte ftuar Fisin për darkë në “Marko Pollo”, ku Fisi i kishte sjellë dhuratë një kollanë me monedha argjendi të Perandorisë Osmane, dhe ca piktura, që Hanës i pëlqyen shumë. Gjatë asaj darke, papritmas u afrua Vegimi, shoku i vjetër i Fisit, u përshëndet me Fisin dhe u njoftua me Hanën, emrin e së cilës e kishte dëgjuar sa herë, si pianiste e njohur. Me qenë se Vegimi po shkonte në Tiranë për një aktivitet kulturor, Fisit ia la thirrjen për një solemnitet që organizonte Ambasada gjermane në “Vila Gërmia”, me rastin e përvjetorit të bashkimit të Gjermanisë. Në atë darkë, Fisi dhe Hana u njohën më mirë dhe u afruan më tepër. Në mbarim të darkës, kamerieri u tha se llogarinë e kishte paguar Vegimi. Fisi menjëherë i shkroi një mesazh dhe e falënderoi për darkën dhe ftesën. Darka e ditëlindjes i afroi aq shumë, sa që ata shkuan për ta kaluar natën në shtëpinë e Fisit në fshat, te “Guri i Plakës”. Hana u mahnit me shtëpinë e bukur dhe rregullin që gjeti aty, dhe me muret përplot piktura unikale e të tjera. Aty Hana i tregoi Fisit historinë e saj; se ishte një vajzë e birësuar nga një qift me mbiemrin Nishliu, të cilët nuk kishin pasur fëmijë të tyre, e që Hanën e kishin marrë nga jetimorja në Qytetin e Minatorëve, qyshkur ajo ishte pesëvjeçare, se prindërit e vet biologjik nuk i dinte, por këta i donte, respektonte dhe kujdesej për ta si prind të vërtetë.
Një natë para se Hana të shkonte në një koncert në Vjenë, ku do ta shoqërojë Fisi, i thirri në darkë Vegimi dhe e shoqja, Zana. Në atë darkë me llokume, erdhi Nita, një mësuese e matematikës, grua e pashme, së cilës para tetë vjetëve iu kishte vra burri në Avganistan, kur kishte shkuar me ushtarët britanikë të dislokuar atje nga Kosova. Pasi Nita merr vesh se Fisi me Hanën po shkonin në Vjenë, e lutë Fisin t’ia blejë një lloj ilaçi për vajzën e saj të vetme, Siditen. Fisi e siguroi se pa përtesë do t’ia sillte ilaçin, ndërsa në vetvete u kaplua nga dukja dhe magjia e zërit të Nitës, të cilën e zonja e shtëpisë, Zana, e lavdëronte si një grua e zonja, që i shkon përdore çdo punë.
Performanca e Hanës në koncertin e mbajtur në Vjenë ishte i suksesshëm dhe u prit shumë mirë nga auditori, ashtu që elita kulturore e vendit pati rastin të njihte suksesin e një artisteje Dardane. Pasi u kthye nga Vjena, Fisi u takua me Niten në Restorantin “Simfonia”, ku ia dha ilaçin e blerë për vajzën, duke mos ia marrë paratë dhe duke e këshilluar Nitën, se për ilaçet as nuk duhet të falënderohet. Në bisedë e sipër, Fisi i tregon Nitës statusin e vet, dhe se me Hanën nuk kishte ndonjë lidhje zyrtare. Të nesërmen, Nita përmes celularit i kërkon Fisit ta dërgojë në shtëpinë e saj një mjeshtër elektriku. Fisi shkon bashkë me mjeshtrin, i cili u largua sapo evitoi defektin, kurse Fisi jo vetëm se ndenji më gjatë por edhe bujti atë natë, meqë Nita ishte vetëm, ngase vajza e saj kishte shkuar në Sarajevë, si përkthyese në një konferencë ndërkombëtare. Se si kaluan Fisi e Nita atë natë, mund ta merrni me mend.
Jeta është si rrjedha e lumit, thotë autori. Derisa Hana po bënte përgatitje intensive për një koncert në Tiranë, një natë tjetër Nita e ftoi Fisin për darkë, ku edhe bujtën bashkë. Pasi merr vesh në hollësi gjendjen dhe statusin e Fisit, Nita i propozon martesë, sepse bashkëjetesa (me Hanën) nuk është punë serioze. Edhe Fisi lakmonte ta kishte një grua si Nita, intelektuale, e vyeshme, e pashme, serioze, me tipare të një zonje komplete e për admirim, që ta kishte një jetë të rregullt.
Në koncertin që pati Hana në Tiranë, Fisi nuk e shoqëroi, për shkak se ishte i zënë me punët e transferimit të kompanisë në një punishte tjetër. Në ndërkohë takohet me Niten dhe vajzën e saj në “Simfonia”, që prej andej Fisi e Nita shkuan e bujtën në katund.
Kur u kthye Hana nga Tirana, vajti drejt në zyrën e fisit, i tregoi përshtypjet nga Tirana dhe i kishte sjellë gazetat që kishin shkruar për te, por i tregoi se nuk ndihej mirë, se kishte një turbullirë, për të cilën Fisi mendonte se e kishte nga fluturimi me aeroplan, prandaj i bëri ca prova që ta qetësonte. Hana shfaqi dyshimin në mos ishte shtatzënë që nga koha kur ishin në Vjenë, për çfarë Fisi u gëzua dhe premtoi se “për këtë mrekulli do të shtronte darkë, në të cilën do ta ftonte edhe Vegimin me të shoqen”. Hana, qejfprishur tha se ajo do të shtronte edhe drekë edhe darkë vetëm që të mos ndodhte “ajo mrekulli”. Që nga ky moment, Fisin e kaploi një ndjenjë përgjegjësie dhe një ftohje ndaj Hanës dhe afrie ndaj Nitës. Pasi që nga kontrolli mjekësor u vërtetua shtatzania, pa e përfillur mendimin e Fisit, Hana kishe vendosur të abortonte, sepse nuk donte të lidhej me obligime familjare, të cilat do ta pengonin në karrierën profesionale. Në një nga takimet e Fisit me Nitën, ata u moren vesh që të martoheshin.
Natën e fundit që bënë bashkë Fisi me Hanen në banesën e saj, “pa e turbulluar lumin”, Fisi me zemër të thyer firmosi lamtumirën në një letër, ku i shkroi: “Ndarja s’ishte aspak e lehtë. Gjithë të mirat në mendjen dhe trupin tënd! Me konsideratë – Fisi”. Nga hallka e çelësave, e nxori çelësin e banesës së Hënës dhe e lëshoi mbi letër.
Nga personazhet dhe ndërthurjet interesante të romanit, është edhe takimi i Fisit në autobus, me Erzenin, një inxhinier i ndërtimtarisë, një eremit që jeton në vetmi, që pi vetëm supë e çaj kamomilje, që ka vetëm një banesë njëdhomëshe dhe shtatë fletore të trasha, të cilat i ka mbushur me shënime personale e biografi të njerëzve të panjohur të cilët i ka takuar rastësisht, sikur që ndodhi edhe me Fisin, të cilit i jep edhe disa këshilla nga përvoja e tij jetësore. * * *
Pa pretendime te bej kritikë letrare, sepse nuk jam kritik profesionist, vetëm po ju tregoj se romani “Etja e lumit” është një gërshetim i bukur artistik-letrar i dashurisë, siç e thotë autori, dashuri e dy niveleve: atij shpirtëror dhe trupor, e që funksionon si një tërësi. Po ka në këtë roman primesa historike e letrare, përmes emërtimeve: Dardania, Dodona, Molla e Kuqe, Nishliu, De Rada, “Këngët e Milosaos”, si dhe emërtime reale: “Marko Pollo”, “Simfonia”, “Te Pishat”, “Furra e Qerimit”, “Guri i Plakës”, “Vila Gërmia”, etj. Ka në te aforizma, sentenca e fjalë të urta, këshilla të dobishme, vargje poetike, sidomos ato të Ali Asllanit (“Hakërrima”), që edhe sot i përshtatën kohës dhe situatës aktuale për demaskimin e antivlerave e mediokritetit. Teksti përshkohet me ndjenja njerëzore solidariteti, rezoni të arsyeshëm, sjelljet të kulturuar, edukatë, marifet, stil, plot bukuri shpirtërore e trupore. Të gjitha këto autori, Remzi Limani, si një artist i përkryer, i gërsheton përmes personazheve, ngjarjeve, situatave të ndryshme. Me veprat e tij artistike e letrare, autori i romanit ka mbjellë shumë farë dashurie. Por, të mos e shtrydhim romanin në tërësi për t’ia lënë lexuesit “vetëm lëvoret”; t’ia lëmë edhe ca “lëng të ëmbël”, ta shtrydhë e shijojë vet lexuesi.
Për ata që nuk e njohin autorin: Remzi Limani u lind në Shalë të Drenicës (1955). Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve – Dega e Dizajnit, në Universitetin e Prishtinës. Merret me krijimtari në dizajn, pikturë, poezi, prozë, ese, aforizma. Për punën e tij krijuese, ka marrë shumë shpërblime e mirënjohje. Në vitin 1999, nga Senati i Akademisë Internacionale “Qyteti i Romës” u emërua kryetar artistik për Kosovë. Ka realizuar shumë ekspozita, disa edhe në Itali e Namibi (me karakter humanitar). Nga fusha e letërsisë ka botuar 12 vepra, ndër të cilat ka të përkthyera edhe në gjuhën rumune, e një poezi është përfshirë në antologjinë poetike rumune. Punon në Prishtinë, në detyrën e udhëheqësit të kulturës në Pallatin e Rinisë, Sportit dhe Kulturës.