Mendime
Ndue Dedaj: Të fala verore nga Tetova
E marte, 21.07.2015, 07:30 PM
TË FALA VERORE NGA TETOVA
NGA NDUE DEDAJ
Nuk është
vetëm deti i lakmuar gjatë verës, po dhe
Tetovën e shumëndërruar për ta parë nga afër, një qytet karakteristik i rrafshët në prehër të maleve, me fshatrat panoramikë si një “dorë prush” nëpër shpate, e gjetëm në një nga ditët e lumtura të vetat, pasi kremtohej Fiter Bajrami, për çka lokalet ishin të gjitha të kyçura. Ishin mbyllur dhe dyert e Universitetit, ku shpresonim të gjenim dikë nga të njohurit tanë sa për të pirë një kafe e shkëmbyer libra. I bashkohesh urimit të festës së këtyre njerëzve, por nuk e kupton se si në raste kremtimesh të tilla të shenjta, të çdo besimi qofshin, të “kyçet” gjithçka, ku udhëtari, turisti të mos ketë ku të blejë një shishe uji? Ishte hapur vetëm një bar i vogël i një qytetari serb, por që nuk arritëm të blinim gjë, pasi ai jepte e merrte me monedhën e vendit, dinarin maqedonas, ndaj u larguam vetëm me një “kalofsh mirë” që nuk donte përkthim. (Kështu pati ndodhur para pak vitesh në disa zona dhe me Krishtindjet, ku s’kishte një dyqan hapur të kremten e tyre, por që ka filluar të ndryshojë.)
Përkundrazi,
mesditën e së premtes, masivi turistik i Mavrovës ishte me njerëz e makina që
ndaleshin pranë resorteve turistike, çka do të thotë se turizmi e bën punën e
vet pa u bllokuar asnjë çast. Fundja, turistët që kanë ardhur nga vende të
tjera të Europës nuk ka pse të mos shërbehen me përkushtim dhe si prurës të një
kulture që deri dje nuk e kishim fort publike e të zhvilluar, asaj të turizmit.
Kanë meritë njerëzit që e kanë ruajtur këtë park natyror pa iu pre një dru, me
një rrugë malore të bërë prej vitesh, por të mirëmbajtur. Ashtu siç është në
pjesën e Kosovës, mjaft i kërkuar, parku i Sharrit (Prevalla e Brezovica) në
lartësitë ekologjike të Prizrenit. Natyra në këto anë, si dhe në Grykën e
Rugovës, shfaqet me të gjitha ngjyrat dhe simfoninë e blertësisë së përjetshme.
Turizmi malor është si një “kala” që gjithnjë e më shumë po merret nga
turistët, që në këto rajone e ka krijuar një standard. Kemi udhëtuar mbi 500 km
nga Tirana për të shijuar një ditë rreth e përqark Sharrit, këtij gjigandi
mahnitës, në njërën anë të të cilit rri Prizreni e në tjetrën Tetova. Disa
thonë se
Maqedonia ka arritur një marrëveshje politike për zgjedhje në vjeshtë, por ne jemi thjeshtë vizitorë pa ndonjë lidhje me zhvillimet politike të fqinjit lindor, veçse kritikë për politikën e ndjekur ndaj shqiptarëve, sjellja e së cilës shpesh ka qenë represive, si pak muaj më parë në Kumanovë. E jo vetëm kjo, po dhe lënia pas dorë e qyteteve shqiptare, si Dibra e Madhe, ku pamja është ende ajo “jugosllave” e viteve ’70, thuajse pa asnjë investim të ri. Sytë na zunë vetëm një pedonale në ndërtim, shumë pak për një qytet që e hijeshon shtatorja e Skënderbeut në qendër. Pa i hyrë anës tjetër, që iu takon vetë banorëve dhe Komunës ta mbajnë të pastër qytetin e tyre dhe jo me hedhurina andej-këndej dhe barin të tharë nga mungesa e ujitjes, ani se me një liqen në anë dhe lumin e kthjelltë të Radikës, bashkudhëtar me ty nga kreshtat e epërme drejt Drinit të Zi, një lumë që nuk ka nevojë të ta tregojë askush, pasi të ngjan aq i njohur, si një lumë që ka hyrë në folklorin epik të lirisë dhe në politikën ndërshtetërore shqiptare-maqedonase.
Ishte hera e parë që venim në qytetin historik të dibranëve në zë, duke dashur që dhe sot ta meritonte emrin e vjetër “Dibra e Madhe”, me një të shkuar plot lavdi kombëtare. Por nuk ka një projekt zhvillimi për këtë rajon shqiptar nën Maqedoni. I vetmi lajm është se nga Peshkopia, Maqellara, Bulqiza dhe Burreli njerëzit përdorin këtë “shteg” drejt Gjermanisë. Dhe politika e Tiranës hesht, nuk ka fjalë për këtë. Bën sikur nuk ndodh asgjë atje në “periferi”, ku është nisur e s’dihet se kur mbërrin Rruga e Arbërit. Po sikur të kishte shkuar para tre apo pesë vitesh ajo rrugë? Po sikur Bulqiza të kishte një minierë kromi me të gjitha kushtet? Po sikur mollët e Peshkopisë të bënin prapë kokrra për tregun e gjerë? Po sikur të ishte bërë më pak politikë “tallava” në Tiranë dhe në zona të ishte bërë më shumë politikë investimesh? Atëherë ndoshta dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk do të na shihte nga kryeqyteti ynë si një vend azilkërkues?
Atëherë mbase shumë gjera do të ishin ndryshe dhe në rajonet ndërkufitare, fjala vjen në Dibrën e Madhe do ta kishim një librari me libra shqip. Sa shumë fjalë për integrimin europian të shqiptarëve, maqedonasve e të tjerë, dhe sa pak (ndër)veprim konkret. Kufijtë kulturorë, edhe pse jo me piramida e klon, janë ende të pakapërcyeshëm, prej “graniti” politik.