Kulturë
Poezi nga Qazim Shehu
E shtune, 18.07.2015, 05:30 PM
QAZIM
SHEHU
Kur u nisëm udhës së bashku,
Në një ditë që kulmoi pa asnjë mendim,
E ardhmja erdhi shpejt,
Dhe ajo ditë sot kërkon një verifikim,
Se ne u nisëm gabim...
+++
Nëpër fusha të gjëra të imagjinatës
herë herë bie një mjegull e pathirrur
dhe na mbulon zbulimet .
Një mjegull si arsye e vjedhur e djallëzisë,
E përhime dhe e pafajshme
si mjekra e një shkencëtari mbi gjumin e terratisur.
Dhe shoh sesi shfryn e heshtur
mbi gjithë brigjet e imagjinatës
për t`i dhënë ekzistencë,
Për ti dhënë dashuri për mjegullën
+++
U nisëm nga dielli i vështirë i kërkimit absurd,
Unë,ti dhe një lule
e krijuar nga një buzëqeshje e rastësishme.
U nisëm dhe arritëm diku,
lulja rrinte me ne në aromën e një fjale
me rrënjë në humusin e lodhjes dhe petalet e saj
shkriheshin në retinën e një vështrimi.
Sikur ajo mos vinte ,s`dihej në se do e kishim arritur këtë pikë.
Kjo botë gjihnjë bukuritë i mbjell me rrallësi
po, i mbjell;
prandaj mirënjohje
edhe një rrezeje dielli që e përqafon herë herë..
+++
U shthur shoqëria.
Dalin nga portat e harrimit
dëshirat e mpira.
nuk gjen një stacion
ku mund të mjekosh një patë që nuk e ke.
ndërsa klithmat e egra të instiktit
avullojnë mbi katrorin e xhamave që ua kalojnë sfinksit.
U shthur shoqëria.
një vajzë myslimane me shami
ndërsa një tjetër gati lakuriq
më rrinë në autobuz përbri.
Dikur moti një lule të bardhë me ca pika të zeza
e shihja me habi.
Pikat e zeza flisnin për pak nder.
Tani ajo lule s`është më ,as lëndina që e rriste.
edhe ajo u shthur.
Ferra e kafshon dhe braktisja...
+++
Ku rrinë zogjtë natën pyesja dikur.
Shtëpia e tyre ndodhet diku?
Ndërsa natën e ëndërroja veç me hije
Aty ku thuret e keqja.
Për të ma besuar këtë ndjesi hapej legjenda.
Më vonë mësova se natën bëhen aq punë.
Amshohet,
tregtohet ,
përdhunohet,
mund ta them edhe se ëndërrohet;
gjithmonë natën.
I harrova zogjtë, mjegullat, hijet,
i harrova gjithë fantazmat që thurnin pëlhura nëpër drurë;
sepse, tani, gjithmonë natën, asgjë nuk deshifrohet nga fëmijëria,
veçse ca vargje që vijnë për kujtesë,
për të dalë nga nata e pabesë..
+++
Të ikësh nga një ëndërr nuk ke nevojë.
më parë ajo ka ikur prej teje.
dhe të lë ca shenja si lule mbi rrënojë.
Ca gjymtyrë besimi,ca klithma të trishta
si e zënë gafil në pendim.
të papërsëritshme janë ëndrrat
dhe të përsëritshme në gjymtim...
+++
Faltorja më e bukur e fjalës
ndodhet në një fletë të vjetër.
Pasi u lodh duke hyrë e dalë
nga një zemër në një zemër,
zuri vend këtu,
duke pritur fletën të përthyhet.
dy sy mbi të bien
dhe nga pëthyerja zemrat dridhen...
+++
Mëkati im më i madh është se unë të dua.
po ti mos bëj mëkat të më dashurosh.
Duhet të rrish larg si një statujë
ku kullon ujë i hireve
me të cilin freskon gjithmonë një ëndërr të pritshme.
e cila sa ngrihet në një ajër të ndezur
thërmohet si yjet mbi statujën e dehur.
+++
Në qytetin tim që po e quaj timin ,
vetëm ngaqë jetoj në të.
Nuk gjej asnjë trashëgim brezash.
Dhe fjala qytet më tërheq dhe smë lë.
Vras mendjen ,
Vallë ata qytetin nuk e deshën.
mund të vinin para meje këtu.
por ata më shumë e deshën jetën
gurin, lulen dhe ajrin,
më shumë vetën gjithashtu...
+++
E humba adresën tënde
Tani,me siguri duhet të jeshë
duke u përkundur në ëndrrën e një tjetri.
Ose po sjell në ajër ca tinguj të njomë
si ngacmim për ëndrrën time.
Nuk e di ku je,edhe pse dashuria ma njom një shpresë.
ndoshta në pamundësinë e saj duhet të jeshë..
+++
Unë gjithnjë dali zbrazët
nga kundrimi i një luleje,
nga përngjasimi i një zonje me të dashurën e parë.
Mund të ndodhte ndryshe,
po jam aq i zbrazët
sa më duhet ndoshta një javë,një
muaj,
mbase të arrija në pikën e nisjes.
kur isha i mbushur me budallëkun e pritjes...