Kulturë
Halil Haxhosaj: Përjetimet e tmerrit të luftës
E diele, 12.04.2015, 03:24 PM
PËRJETIMET E TMERRIT TË LUFTËS TË SHPËRFAQURA NË LIBËR
Teuta Këpuska Qarkaxhija: “Pranvera e lotëve 1999”, botoi Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2015.
NGA HALIL HAXHOSAJ
Lufta çlirimtare e fundshekullit të XX në Kosovë në përgjithësi, e në Gjakovë në veçanti, është një përjetim plot tragjizëm, lot, dhimbje, gjak, vërragë e plagë, pushkatime, maltretime e përdhunime, dëbime e burgosje masive, madje edhe me plot vdekje që rrallë janë parë në botën njerëzore. Të gjitha këto i përjetoi Gjakova në pranverën e lotëve të vitit 1999 mbi kurrizin e saj, në gjirin e vet, në banorët dhe popullin e pafajshëm e duarthatë, nga pushtuesi serb me ushtarë, policë, paramilitarë, madje edhe me serbë vendas të Gjakovës, të cilët nuk patën fare mëshirë, madje as ndjenja e shpirt njeriu në këto masakra të cilat i përjetuan të gjithë ata që ngelen në vatrat e tyre pas bombardimeve të NATO-s të 24 Marsit të vitit 1999. Në mesin e tyre ishte edhe Teuta Këpuska Qarkaxhija me familjen e saj, bashkëshortin dhe fëmijët. Të gjitha përjetimet tragjike e të dhimbshme që përjetoi ajo dhe të tjerët i paraqiti objektivisht duke i ngritur në nivel artistik në veprën “Pranvera e lotëve 1999”.
Vepra “Pranvera e lotëve 1999” e autores Teuta Këpuska Qarkaxhija hyn në radhën e veprave me këtë tematikë që kanë shkruar edhe autorë të tjerë në formë ditarësh, memoaresh, përjetimesh e të tjera. Por që në fillim duhet konstatuar se kjo vepër e kësaj autoreje nuk është as ditar lufte, as memoare e as ndonjë formë tjetër, por është një bashkëparaqitje në formë simbioze e të gjitha ngjarjeve dhe ndodhive në Gjakovë prej bombardimeve të NATO-s e deri me ardhjen e trupave poashtu të NATO-s më 12 qershor të vitit 1999. Nëpër unazat e kësaj kohe të stinës së pranverës së lotëve shpërfaqen ngjarjet dhe momentet e përjetuara nga autorja, fëmijët e bashkëshorti i saj, nga prindërit, kolegët e punës, nga fqinjët e bashkëqytetarët e Gjakovës, që ishin buzë greminës së ekzistencës. Dhe kësaj, autorja Teuta Këpuska Qarkaxhija ia arrin mirë, pse jo edhe me guxim e vetëdije të lartë prej bashkëshorteje, nëne, bije e shqiptarje të paepur.
Vargëzimi i paraqitjes së ngjarjeve të shtruara në këtë vepër bëhet në mënyrë kronologjike, por jo duke marrë formë të shkrimit publicistik të ditarit duke shënuar ditën, datën dhe vitin e ngjarjes. Madje, kjo autore këtë mbarshtrim e bën në mënyrë të shtruar ashtu siç i ka përjetuar ndodhitë dhe ato që ishin kufi në mes të jetës e vdekjes në qytetin e Gjakovës së atyre ditëve të pranverës së lotëve. Nëpër këtë vargëzim të strukturimit të veprës defilojnë edhe personazhet që në këtë rast janë reale, madje fëmijët e saj, bashkëshorti, prindërit, fqinjët, të njohurit, kolegët e punës të spitalit dhe të ambulancës së qytetit e të tjerë. Nëpër të gjitha qelizat e mbarështimit duket se defilojnë tërë peshat e tragjedisë së luftës me pasojat, vdekjes, përdhunimit, kidnapimet, maltretimet e përndjekjet e banorëve shqiptarë nga shtëpitë, trojet dhe banesat e veta përtej kufirit për në Shqipëri.
Çështja e përndjekjes ka një përballje reale në brendinë e kësaj vepre të Teuta Këpuska Qarkaxhija, sepse bëhet jo vetëm në mënyrë të saktë, por edhe të përjetuar në kurriz e shpirt, siç thuhet. Pamje që mbesin të paharruara edhe në mendjen e lexuesit janë sidomos ikja nga Gjakova për në fshatin Moglicë, pastaj për të dalë në Shqipëri dhe sidomos kalimi i Erenikut mbushur me ujëra të bollshme të pranverës së lotëve të vitit 1999, të vitit të tragjedisë kombëtare të popullit të Gjakovës. Autorja në këto pjesë të veprës së saj e paraqet në mënyrë adekuate dhe ashtu siç ka qenë solidarizimi e njerëzve për njëri-tjetrin, duke ndihmuar më çka kishin, madje duke ndarë shtëpinë, dhomën shtratin, e besa edhe bukën në mënyrë të barabartë. Ky solidaritet në mes të tragjikes kombëtare ishte një anë shkëlqyese e asaj kohe me domethënie hamletiane “të jesh, apo të mos jesh!”. Ky solidarizim pasqyrohet edhe në vendet e punës në ambulancën dhe spitalin e qytetit, kur të gjithë kolegët dhe të gjitha koleget ishin një për të gjithë. Autorja e librit në këtë kaptinë i shënon emrat e të gjithë mjekëve, teknikëve e teknikeve dhe punëtorëve të tjerë shëndetësorë që punonin në ato kushte të luftës. Kështu që sot secili prej tyre do ta hasë emrin e vet në faqet e librit “Pranvera e lotëve 1999” të Teuta Këpuskës Qarkaxhija.
Reagimet e autores nuk janë të rënda e as drastike, por ato përcillen me rrjedhën e ngjarjeve të jetës në kushte të tilla. Depërtimi i rrëfimit shpesh duket se ka shkëputje, madje edhe kapërcime, por fatmirësisht jo të qëllimshme, madje as të kurdisura, por rrëfimi rrjedh ashtu siç ndodhnin ngjarjet e rastet edhe pse për banorët e Gjakovës edhe sot e kësaj dite janë të rënda, madje në disa raste edhe të papërballueshme. Në raste të tilla, mbase, ndonjë person, apo personazh edhe sot do ta gjej veten, apo do t’i kujtohet ndonjë ngjarje e atyre ditëve në Gjakovë që kufiri në mes jetës e vdekjes pothuajse nuk ekzistonte apo ishte sa një fije floku. Jetë e tillë ishte ajo, sepse dominoi mbi vdekjen, sepse përjetoi pranverën e lotëve të 1999-tës dhe të gjitha tragjeditë e llahtarshme. Këto dhe disa të tjera, mbase të fiksuara me vend, do t’i hasi lexuesi në rreshta kur ta lexojë veprën “Pranvera e lotëve 1999” të autores Teuta Këpuska Qarkaxhija.
Veçanti e asaj tragjedia janë tri ngjarjet e ndodhura në familjet Huma, Haraçia dhe Sharani. Pasqyrimi i këtyre ngjarjeve janë dëshmia më reale, pse jo edhe më e guximshme e kësaj autoreje, sepse plagët e tyre ende kullojnë dhe janë të pashëruara. Madje, personazhet që janë anëtar të gjallë ende bartin mbi ndjenjat e përjetimet e tyre mallin, dhimbjen, ofshamat e asaj tragjedie familjare. Ndërkaq, pamje të shtrirjes së kufomave të vrara, madje edhe të djegura nëpër rrugët e Gjakovës, janë kulmi i tragjedisë kombëtare të luftës së vitit 1999 në pranverën e lotëve, e cila kurrë mos u përsërit në këto hapësira.
Vlerën veprës ia shtojnë edhe fotografitë, të cilat janë një dëshmi, por edhe dokument i njohur nga shumë agjenci të njohura informative të mediave të shkruar apo vizuale. Në qendër të fotografive është ajo e Agim Berberit, e cila ishte bërë e njohur duke u përfshirë në të gjitha mediat botërore. Kjo fotografi shpalos specifikat e ardhjes së trupave të NATO-s në Gjakovë, sepse së bashku me to vjen jeta e banorëve të Gjakovës, ndërsa vdekja merr arratinë bashkë me forcat vrastare ushtarake, militare, policore e paramilitare serbe. Jehona e kësaj fotografie është një shpirtëzim, është një jetëngjalljes, e cili është strehuar buzë varrit të një vdekje katastrofile dhe zhbibërëse. Jetëngjallja triumfon dhe marshon duke brohoritur nga zëri i Agimit dhe të tjerëve pastaj nëpër të gjitha rrugët e qytetit të Gjakovës, që autorja i quan rrugë të jetës së lirë e triunfuese çlirimtare. Në libër ka edhe fotografi të tjera që janë pasqyrim i barbarisë serbe në shtëpitë, rrugët, dyqanet, madje edhe në ndërtesat e kultit siç është rasti me Xhaminë e Hadumit dhe varrezat në oborrin e saj.
Fotografitë e Çarshisë së Vjetër janë diçka e veçantë në këtë libër. Ata janë dëshmi e tërë ktrahursë, shkatërrimit, djegies dhe tentim zhbërjes së kësaj Çarshie me qëllim të zhdukjes së çdo gjëje autoktone shqiptare, sidomos origjinale e tradicionale gjakovare. Në këto fotografi pasqyrohet një dëshmi e egërsisë se ushtrisë, policisë militarëve e të tjerëve të pushtuesit serb në pranverën e lotëve të vitit 1999.
Libri i Teuta Këpuska Qarkaxhisë me titull paksa figurativ metaforik “Pranvera e lotëve 1999” është një formë e dëshmisë së luftës së asaj kohë, veçanërisht në Gjakovë, por përgjithësisht edhe në mbarë Kosovën. Të gjitha pasqyrimet në formë reale, por edhe artistike, lëvrojnë një qëndrim të popullatës së Gjakovës dhe jetës së tyre gjatë atyre ditëve. Duke i rangëzuar ato në libër autorja ia ka arritur të shpërfaqë atë që ka shënuar gjatë atyre ditëve të katrahurës në formën dhe mundësitë veta. Dhe kësaj ia ka arritur, sepse sot lexuesit ia ka dhuruar këtë libër dëshmi, që do të jetë dokument i duhur për atë luftë, për atë jetë e cila ka lënë plagë që edhe sot e kësaj dite kullojnë.