Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: I izoluari i Bosforit!
E premte, 19.12.2014, 08:00 PM
I izoluari i Bosforit !
Nga Elvi Sidheri
Arrestimet e shumta të gazetarëve në Turqi gjatë ditëve të fundit, mund të sjellin si pasojë, kthimin përfundimisht të faqes “Erdogan” nga liderët perëndimorë, duke dëmtuar kështu njëkohësisht të gjitha palët në këtë kontekst gjeostrategjik me rëndësi themelore për ekuilibrat ekonomikë dhe gjeopolitikë të rajonit EuroAziatik, Lindjes së Mesme e më tej.
Po ashtu, falë sjelljes gjithnjë e më autokratike të klasës erdoganiste në Turqinë e sotme, në ujë janë duke rënë me ngadalë edhe idealet dhe vlerat europianizuese në këtë vend të madh mysliman, këtë aleat dhe anëtar kyç të NATO-s, që ish hamendësuar shpesh në Perëndim, se do të kish mundur të luante një rol vendimtar në zgjidhjen e kaosit të pafundëm të Lindjes së Mesme.
Tashmë ndodhemi përballë një izolimi total të presidentit turk, i cili dikur shkëlqente si një shembull për t’u ndjekur nga liderët diktatorialë të vendeve arabe, ndërsa sot, megjithëse në një heshtje aparente, një “mur i ri” imagjinar, sa edhe tepër real (për nga ndryshimi themelor, në botëkuptimin dhe respektimin e implementimin e përpiktë në përditshmëri të vlerave demokratike), është duke u ngritur midis Perëndimit dhe Turqisë, në Edrene, aty ku Turqia shkel në tokë europiane, dhe ku Europa takohet “fizikisht” me shtetin turk.
Llogaritë gjeopolitike perëndimore, demokracinë laike kemaliste turke, vazhdimisht e patën servirur si një përbërës tejet të rëndësishëm të “recetës” perëndimore, për të kontrolluar sigurinë dhe stabilitetin në rajon, ashtu si edhe për përhapjen e vlerave demokratike.
Ndërsa tanimë, pas valës së madhe të arrestimeve, pré e të cilës ranë shumë gazetarë antagonistë të regjimit erdoganist, shefa të dikurshëm policie dhe hetues të ndryshëm, si pasojë e përplasjes për jetë a vdekje, midis pushtetit të presidentit Erdogan dhe ish aleatit e financuesit të tij, Fetullah Gylen, i cili jeton në SHBA, gjithësesi përfundimisht, po vërehet një shkëputje finale midis Turqisë (me shëmbëlltyrë e trajta erdoganiste) dhe Perëndimit demokratik.
Gjë kjo që po ndodh për një arsye tepër të thjeshtë, ngaqë askush tashmë, nuk duhet të guxojë të thotë (apo shkruajë), qoftë edhe një fjalë të vetme kundër pushtetit autoritar të Erdoganit.
Fakt me interes për ne shqiptarët në këtë mes sidoqoftë, është që ndër opozitarët më të zëshëm gjatë zhvillimeve të fundit represive në Turqi, e sidomos në ditët e arrestimeve masive në gazetën e fuqishme “Zaman”, ishte politikani dhe ish futbollisti i njohur me origjinë shqiptare, Hakan Shukur, i cili përveç kundërshtive të hapura kundër politikave shtypëse të presidentit turk, u shfaq edhe personalisht në godinën e gazetës në fjalë, për të mbështetur e mbrojtur gazetarët e shënjestruar nga regjimi.
Nga ana tjetër, vërejtjeve zyrtare që erdhën nga Bashkimi Europian, që veprimet e fundit antidemokratike në Turqi, i quanin si “të kundërta katërcipërisht me vlerat dhe standartet europiane, të cilat Turqia prej kohësh përçapet t’i bëjë edhe të sajat”, Erdogani iu pat përgjigjur me moskokëçarjen më të lartë.
Për më tepër, ai i pati akuzuar të arrestuarit, për promovim dhe pjesëmarrje në “operacione të ndyra” kundër tij personalisht.
Presidenti turk gjithashtu, i hodhi poshtë kritikat e BE-së lidhur me lirinë e shtypit në Turqi, dhe shtoi se nuk e ka fare problem mendimin e Brukselit, duke thënë: “Nuk jemi të shqetësuar mbi atë që mund të thonë në Bruksel. Ju lutem, këshillat tuaja, mbajini për vete”.
Një lider tipik autoritar pra, që nuk pranon kurrësesi asnjë kritikë, dhe shton paturpësisht se: “Vlerat dhe hapësirat demokratike në Turqi, shtohen e zgjerohen ditë pas dite”.
Shumëkujt në Shqipëri sidomos, këto pohime groteske, mund t’i kujtojnë patjetër, vetëlavdërimet e regjimit monist dikur tek ne, që ndërsa në vendin tonë, njerëzia vdiste për bukë, e mbante rradha pafund, qoftë edhe për 100 gramë gjalpë e një kokërr vezë, rrihte gjoksin papushim duke u rrekur t’i tregonte botës, sesa të lumtur e të shëndetshëm (të mirëushqyer gjasme), qenë shqiptarët e ngratë !
Ka nisur vallë zyrtarisht “era despotike” në Turqi tashmë, pas kaq viteve gjatë të cilave, ish kryeministri e sot presidenti Erdogan, me autoritarizmin flirtoi hapur, pa u hedhur krejtësisht në krahët e tij, apo ende një hap e ndan atë vetë dhe shtetin e tij, nga një regjim i tillë “de facto” ?
Gazeta e shumëshitur “Zaman”, mbështetëse e Fetullah Gylenit, prej kohësh ka qenë në fakt, një halë në sy për Erdoganin.
Prandaj, për t’i dhënë një goditje fatale kësaj gazete, ishte i nevojshëm arrestimi i kryeredaktorit Ekrem Dumanlli.
Aksion me efekt të fortë kërcënues dhe propagandistik ky, që pushteti erdoganist, u kujdes që të kryhej në transmetim direkt televiziv, në mënyrë që impakti tek “armiqtë e regjimit” (si “armiqtë e popullit” tek ne dikur), të ishte më i fuqishëm, duke synuar t’ua fusë frikën në palcë atyre që sipas fjalëve të përçarta të presidentit Erdogan, “donin ta varrosnin Turqinë, dhe të ndërtonin një shtet paralel”.
Pohime që janë si fotokopje e “Agjitacion-propagandës”, apo e shablloneve moniste të stilit “Tentativa për rrëzimin e Pusht-etit Popullor”, në Shqipërinë e 45 vjeçarit diktatorial.
Në shoqëri si ajo turke, ku investohet shumë në ndarjen e popullsisë në “patriotë” e “tradhëtarë”, opinioni publik gjithnjë priret të ndahet në llogore të ndryshme, tejet armiqësore njëra me tjetrën.
-“Edhe Hitleri kështu e pat nisur”, ishte titulli i kryeartikullit të një gazete të njohur opozitare turke pas këtij aksioni gojëmbyllës ndaj shtypit dhe mendimit të lirë.
-“Ky aksion, do të thotë që duhet ta mbyllim gojën”, shkruhej në një gazetë tjetër të madhe sekulariste të Stambollit, ndërsa në artikull theksohej se “ky operacion ka për qëllim përforcimin e autoritarizmit dhe diktaturës së Rexhep Taip Erdoganit, meqënëse arsyeja e ndërmarrjes së këtij aksioni është e thjeshtë, pra që t’i mbyllet goja njëherë e përgjithmonë shtypit të lirë” !
Gazeta “Zaman”, ku qëndron edhe çelësi për të lexuar e kuptuar këtë aksion dhe goditje autoritariste presidenciale, këto ditë sidoqoftë publikoi një artikull të kryeredaktorit të arrestuar Dumanlli, i cili siç duket, pati qenë që më parë, në dijeni të arrestimit të tij të pritshëm, në të cilin ai i dënonte ata që “duan që Turqinë ta kthejnë në pronë të tyren private dhe në një republikë të frikës, të cilët pandehin se mund të zotërojnë gjithçka e gjithkënd”.
Gazetat proqeveritare ndërkohë, dëndeshin me lavde e lajka për aksionin famëkeq.
Diku në ndonje televizion filo-erdoganist, këto veprime represive quheshin “vetëm fillimi”, i masave të ashpra kundër “grupit të madh të banditëve”, të përbërë nga elemente subversivë, që sipas mendjes së sëmurë dhe paranojake të ithtarëve të regjimit, janë infiltruar nëpër mendia, gjyqësor, polici dhe në rrethet e biznesit.
Gazeta të tjera proqeveritare, citonin fjalët e Erdoganit mbi “strukturat paralele”, dhe flisnin për një futje të dorës së hekurt të qeverisë e pushtetit erdoganist, deri “thellë brenda shpellave dhe guvave të armiqve të shtetit dhe pushtetit”.
Por gjithësesi, synimet e presidentit Erdogan, nuk kufizohen vetëm me kaq.
Në syrin e ciklonit janë përfshirë edhe dy ndër shkrimtarët më të njohur turq, Elif Shafak dhe fituesi i çmimit “Nobel”, Orhan Pamuk.
Këta dy gjeni të letrave turke, Erdogani i pat perifrazuar si të “rekrutuar nga lobi i errët ndërkombëtar i letërsisë”, me qëllim që ata të punojnë kundër atdheut të tyre Turqisë !
Elif Shafak megjithatë, këtyre cilësimeve tragjikomike, u ish përgjigjur thatë se: “ Në sferat e larta të pushtetit, po përhapet një paranojë pandemike” !
Ndërkohë, në qarqet pro-erdoganiste gëlojnë teoritë e konspiracionit që këta dy shkrimtarë të mirënjohur botërisht, i shohin si një “Projekt”, duke hamendësuar se ata janë pjesë e forcave të errëta të mbështetura nga Perëndimi, me qëllim që të dëmtohet pushteti erdoganist.
Për këtë arsye këta dy personalitete duhen përbaltur menjëherë, në mënyrë që kështu të shkojë mesazhi i frikshëm tek të tjerët që e mendojnë si ata.
Si shumë autokratë të tjerë, as Erdogani, nuk i shmanget po ashtu, rishkrimit të historisë, sipas shijes dhe pikpamjeve të tij personale.
Për
shembull, në një konferencë të madhe të liderëve, politikanëve dhe
shkencëtarëve amerikano-latinë ku pat qenë i ftuar, Erdogani
Pohime të pambështetura në asnjë provë apo fakt historik këto, mënjanë që tejet qesharake për veshin e çdo historiani apo specialisti të fushës, që i patën bërë ta vënë buzën në gaz masivisht (si pasojë e injorancës së thellë historike, ashtu si edhe për shkak të arrogancës delirante të presidentit turk) pjesëmarrësit latino-amerikanë në atë konferencë, por që në të vërtetë, kishin për synim, që të dëgjoheshin kryesisht në Turqi.
E
përnjëherë, gazetat proqeveritare, patën shpërthyer në ovacione për pohimet e
presidentit, duke u rrekur gjithashtu, të gjejnë e furnizojnë publikun
Por së fundi presidenti Erdogan nuk është mjaftuar vetëm me futjen e hundëve në liritë themelore të shtypit, dhe rishkrimin sipas përshtypjeve të tij të historisë turke dhe botërore.
Ai pat pohuar po ashtu se “femrat nuk janë të barabarta me meshkujt”.
Arsyetimi i tij është mjaft i cekët (gati fëminor për nga formulimi jashtëzakonisht sipërfaqësor i teorive që shtjellon)... “roli i femrës është mëmësia dhe asgjë më tepër. Disa këtë mund ta kuptojnë, disa jo. Këtë gjë s’mund t’ua shpjegosh feministeve, sepse ato nuk e kuptojnë apo pranojnë thelbin e mëmësisë. Gratë nuk mund të jenë të barabarta me burrat, kjo është kundër natyrës së tyre”.
As çështjet gjuhësore, nuk i kanë shpëtuar vëmendjes erdoganiste, duke i dhënë një tjetër goditje kështu themeleve moderne dhe sekulare të shtetit turk, të formuar nga Mustafa Kemal Ataturku.
Ish pikërisht Ataturku, që pat vënë në përdorim alfabetin latin (ashtu siç patën bërë rilindasit tanë vite përpara tij, në 1908-ën në Manastir), duke hequr dorë nga shkrimi arab dhe duke e shndërruar thellësisht gjuhën turke.
Ndër të tjera Ataturku, e pati “qëruar” gjuhën turke nga mbeturinat e tepërta gjuhësore arabe dhe persiane, duke adoptuar për përdorim, shumë prej fjalëve të gjuhës turkomane, të popullsisë “gagauze” (turq me fe ortodokse, që jetojnë në Moldavi), një dialekt i turqishtes, që atëherë gjykohej si tepër i pastër dhe i pandikuar nga influencat e gjuhëve të tjera mbi atë osmane
(turqishtja e vjetër).
Po ashtu, nën ndikimin e parisë së qytetëruar urbane turke, që shquhej prej kohësh për kulturën e theksuar frankofone, në turqisht me kalimin e viteve, kanë hyrë dhe janë rrënjosur qindra fjalë me origjinë nga frëngjishtja, të cilat i janë mbivendosur “huazimeve” të shumta nga gjuhët e tjera neo-latine, të përthithura nga turqishtja, gjatë kontakteve të gjata me Venecianët, Gjenovezët etj.
Por tanimë, Këshilli kombëtar i Arsimit në Turqi, nën direktivat e hapura të presidentit Erdogan, ka vendosur që gjuha osmane, të kthehet në shkollat e mesme.
“Rrezatimet” e kësaj politike thellësisht “neo-otomane”, rastësisht apo jo, nuk mungojnë të vijnë gjer në realitetin tonë të koklavitur gjuhësor, ku pastërtia post-osmane e gjuhës shqipe, prej vitesh tashmë, i është nënshtruar një sulmi të fuqishëm, të përqëndruar fort, në rikthimin prepotent, të mbeturinave (fjalëve të harruara, të tepërta dhe krejtësisht të panevojshme) nga osmanishtja e para 1912-ës, që përditë e më tepër po e ndosin dhe fundosin nën një shtresë të trashë prapanike “osmanofile”, shqipen moderne të 2014-ës.
Ndërkohë që meritojnë respekt fushatat “puritaniste”, që mëtojnë ta pastrojnë shqipen nga latinizmat, italishtizmat, anglishtizmat dhe tërë “perëndimorizmat” gjuhësore, por si i bëhet që askush s’e çan kokën për riturqizimin masiv të shqipes ?
“Ujdia (marrëveshja), Ortaku (partneri, bashkëpuntori), Hisja (pjesa), Haraçi (taksa), Hesapi (llogaria), Kapanxha (puseta), Surrati (fytyra, turiri), Sakati (i gjymtuari, invalidi), Simitja (Buka, paninia), Sahati (ora), Vakti (koha për të ngrënë), Hasmi (armiku), Hiç-i (Asgjëja), Boll-i (mjaft), Bosh-i (zbrazur), fukarai (i varfëri, i skamuri), Zengjini (i pasuri), soji (raca, fisi), Kismeti (fati), Ahengu (festa), Ustai (mjeshtri), Çiraku (ndihmësi), Ezmer (brun), Çapkën (i shkathët), Mysafir (mik), Rehat (të ndjerit mirë), Telashi (probemi, vështirësia), Sekëlldia (mërzia), Sikleti (shqetësimi), Borxhi (huaja), Komshiu (fqinji, gjitoni), Pazari (blerjet, tregu), Shyqyr-at (në vend të shqipes “Faleminderit Zotit), Tersi (fat i mbrapshtë), Hajëri (fati i mirë), Para-të (lekët, eurot), Jeshilja (E gjelbëra), Meraku (shqetësimi), Xhan-i (shpirti) Zori (mundimi)... e shumë të tjera ”, nuk janë fare rastësi as për ne !