E premte, 19.04.2024, 01:52 AM (GMT+1)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Me integritet moral e profesional

E premte, 12.09.2014, 08:01 PM


Homazh për dr. Lukë Gjokaj

Njeri me integritet moral e profesional

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

Doktor Luka,   bashkëvendasi dhe miku im i shtrenjtë,  u nda pak ditë më parë nga jeta në Tuz. Iku në amshim. Kështu ndodhi. Papritur dhe pabesueshëm.Kur mora lajmin e vdekjes së mjekut të dalluar, nuk e besova. Sepse  një natë para  se  dr.Luka ra në gjendje kome,  afro një gjysmë ore biseduam nëpërmes  telefonit   për shumëçka  si shokë  të sinqertë të kahershëm. Ashtu siç  flasin miqtë e shtrenjtë në mes veti, si vëllezër të dashur të një gjaku.   Kësaj here e thirra unë doktorin, tani të ndjerë, edhe pse më shpesh ai më merrte mua në telefon se sa unë atë.   Me  këtë rast e ftova të kalojmë një ditë bashkë në  fshatin Cërkvina, jo larg  Kollashinit, ku isha në pushime verore me familje. I thashë eja të  shijojmë së bashku aromën të pyjeve dhe bimëve shumëvjeçare në Parkun Nacional “ Biogradska Gora”. Të kënaqemi  në flladin e   pishnajave . Të shuajmë etjen me ujin e freskët e të kthjellët të  bjeshkëve të larta. Të ngopim barkun me  kos e kaçimakë, si dikur na i përgatisnin nënat tona, dritë paçin,      vendlindjen tonë të përbashkët - Triesh.  “ Me gjithë qejf””, më tha doktori, duke më  njoftuar se atë ditë është i ftuar në një ceremoni festimi të përbashkët të  fisit Gjokaj, nga i cili nuk  mund të mungonte. Pas mbarimit të bisedës telefonike mbeta me shpresë se  do të shihemi së shpejti. Nëse jo në  Kollashin, atëhere gjëthësesi në Tuz, në kthim. U  mashtrova. Dëshira ime dhe e tij, nuk u realizua. Në vend të vizitës së tij, unë  heshtur, i pikëlluar e i përlotur si shumë qytetarë të tjerë të Malësisë dhe më gjerë, ditën e ngushëllimit u përkula me pietet para arkivolit me kufomën e   tij, para altarit në Kishën e Sh’na Ndout në Tuz, duke i dhënë lamtumirën e fundit këtij  njeriu  e humanisti të madh që aq shumë më deshti  mua dhe familjen me zemër,  çiltër, pa hile e interes, dhe aq shumë e deshta  dhe e deshtëm sinqerisht.

Mjek i jashtëzakonshëm

Derisa i shkruaj këto pak rreshta  në shenj kujtimi e nderimi  për këtë mjek të jashtëzakonshëm    ndjej dhembje një shpirt. Ndjehem i shqetësuar. Besa edhe i trishtuar. Nuk përmbahem së qari. Lotët për një çast  më ndërprejnë shkrimin. Natyrshëm, sigurisht. Sepse humbëm një burrë të mirë. Një njeri të madh. Një mjek model. Një shok e mik të çmuar.Një malësor të ndershëm. Një shqiptar të vërtetë e të devotshëm . Një humanist  të pashoq. Një iluminist. Një njeri të papërtuar. Një punëtor pa orar. Kurdoherë në shërbim të pacientëve pa dallim përkatësie kombëtare a fetare , kudo ka punuar në Kosovë e Mal të Zi, Amerikë apo vende tjera të cilat i ka vizituar, ashtu siç ishte betuar në fillimet e punës së vet si mjek.   Me punën e tij humane bëri emër si mjek i famshëm, i cili  shërbimet e veta mjekësore më shumë i bënte falas. Nami i mirë i kaloi kufijt e Malësisë .  U shtri në rrafshin mbarë shqiptarë,  dhe jo vetëm.   Mjeku Lukë Gjokaj ishte simbol i një profesionalizmi të rrallë për realitetet e shoqërisë sonë të tridhjetë viteve të fundit, ku për fat të keq shumë vlera morale njerëzore  janë shndërruar në kundërvlera. Edhe në një periudhë si kjo e tranzicionit arriti  jo vetëm të kultivoj por edhe të ruaj autoritetin e duhur profesional dhe intelektual, duke qëndruar mbi këtë kohë    vështirë  e stresuese për mendjen dhe shpirtin e njeriut. I tillë ishte edhe jashtë profesionit, në të gjitha fushat e tjera  të jetës    të cilat ai  me punën e vet shumëvjeçare ka dhënë  kontributin e tij të çmuar. Nga mjeku i jashtëzakonshëm Lukë Gjokaj Malësia në veçanti dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi, në kohën e një krize  vlerash,  trashëgoi objektivitetin dhe profesionalitetin, humanizmin dhe bamirësinë, virtyte këto të qëndrueshme   të civilizimit botëror.

Figurë kryesisht me tipare  të Malësisë

Cilido që e ka njohur nga afër dr.Lukën  besoj pajtohet me  vlerësimin  se  ai  ka qenë njeri kryesisht me tipare  të malësorëve, në kuptimin më të mirë të fjalës. Unë tek kjo figurë shumëdimensionale kam vënë re  se ishte i brumosur  me vlera të larta njerëzore. Në gjykimin tim ishte  njeri me integritet të lartë moral. I hapur e i drejtpërddrejtë. I vëmendshëm për të dëgjuar, por i gatshëm për të kundërshtuar.  I prirur nga mendimi ndryshe. Njeri i  urtë. I ditur.  Shumë i zgjuar. Spontan.  I matur.I heshtur. Serioz.  Shumë i qetë, një mësim që ma dha edhe mua.   I dashur. I ndershëm. I ndjeshëm. I fjalës. Besnik. Bamirës. Mikëpritës.  Fjalëmbël e fjalëpak. Fliste qetë, butësisht me  zë të ulët. Si natyrë njerëzore ishte mjaft romantik. E mbante dhe e kujdeste shumë veten nga pamja.  Gjithmonë vishej me shumë shije, deri në momentin e fundit të jetës së tij. Me këto  dhe karakteristika të tjera radhitej në mesin e njerëzve fisnik  e të kulturuar.

Humbje e  madhe

Bota mjekësore shqiptare humbi një mjek të përsosur, një humanist  për mua të rrallë, të lidhur ngushtë   me shëndetin dhe jetën e  shumë bashkënjerëzve të tij, kur ata i kërkuan ndihmën e tij.

Vdekja e rrëmbeu para kohe në moshën 64 vjeçare bashkëpunëtorin  tim , të paharruarin dr. Lukë Gjokaj. U nda prej të gjallëve kur kishte ende për t’i dhënë mjekësisë, bashkënjerëzve ( pacientëve)  të tij. Ikja e tij në amshim  padyshim është humbje e madhe jo vetëm për Malësi. Por nuk mund të lëjë një vend bosh për sa kohë fryma e tij  është shndërruar prej kohësh në një konstante humaniste dhe intelektuale.

E kam ende të freskët  në kujtesën time thënien e tij para shumë vitesh në ambulancën e tij në Tuz. “ Gjekë, të bëhesh mjek është e lehtë , por të jesh mjek është e vështirë”. Kjo sentencë e ka udhëhequr në të gjithë jetën e tij profesionale. Malësia, i ka borxh shumë këtij biri të saj, i cili  përveçse mjekonte jetë njerëzish, shpëtonte bashkë me të edhe dinjitetin e tyre.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora