E shtune, 27.04.2024, 09:43 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ilir Çumani: Evanthi Ciko, kjo misionare e humanizmit

E shtune, 19.07.2014, 08:05 PM


Evanthi Ciko, kjo misionare e dijes dhe e humanizmit...

(In Memorium për “Mësuesen e Merituar” Evanthi Ciko, me rastin e 1 – vjetorit të ndarjes nga jeta)

Nga Ilir ÇUMANI*

Një telefonatë e beftë në mëngjesin e asaj dite të nxehtë korriku më stepi deri në përhumbje, më preu të gjithë humorin dhe fuqinë fizike për të nisur  ritmin e ditës, sipas ritualit të zakoshëm.Thirrja në atë orë të çuditshme ku dita sapo kishte nisur të zbardhte, më erdhi nga profesori i nderuar, maestro Zhani Ciko. E njoha menjëherë zërin e tij karakteristik, por nuk e di pse një parandjenjë e keqe më kaploi menjëherë,  sepse kohë më parë isha në dijeni edhe të shëndetit jo të mirë të nënës së tij, Evanthisë,  nënës tonë të madhe, ose siç njihet tashmë nga të gjithë, “Nëna e jetimëve”. - “Mamaja na la…” - Ky ishte togfjalëshi që vinte përtej linjës tjetër i telefonit nga një zë me dridhje, i lodhur edhe nga dhimbja, sigurisht. Nuk u besoja veshëve. Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se ajo grua e rrallë që rrezatonte kaq mirësi, kaq shumë dashuri dhe energji pozitive, ishte si të gjithë njerëzit e zakonshëm, që jetojnë por edhe vdesin, sipas ligjeve të natyrës…Edhe sot që u mbush plot një vit që nuk e kemi më midis nesh, nuk arrij të kuptoj se cila ishte ajo shtysë që më nxiste të mendoja gjithmonë  në imagjinatën time se Evanthi Ciko nuk bën pjesë tek vdekëtarët natyralë, ngase ajo që për së gjalli u kthye në sytë e të gjithëve ne,  në simbolin e jetës, dashurisë, gëzimit dhe lumturisë. Është e padiskutueshme tashmë se, Evanthi Ciko ka qenë dhe mbetet një prej figurave më të spikatura të jetës kryeqytetase  dhe të mbarë Shqipërisë në 50 vitet e fundit të shekullit që lamë pas. Ajo do të mbetet një model i shkëqyer si edukatore  dhe mësuese e talentuar, një personalitete e spikatur dhe veprimtare shoqërore, një trashëgimtare e denjë e kulturës dhe arsimit shqiptar.  Me këtë emër të njohur dhe të dashur nga të gjithë, personifikohet në mënyrë emblematike  dhe unikale,  filozofia e iluministëve përparimtarë, e njerëzve më të shquar humanistë të kombit tonë siç është edhe shënjtorja Nënë Tereza.Jam i bindur se,  gjithkush nga ata që e kanë  njohur Evanthi Cikon, kanë jetuar  dhe punuar me  të,  e kanë ndjerë nga afër  të gjithë përkujdesjen, çiltërsinë,  dashurinë, fjalën e ëmbël, këshillën e sinqertë,  dorën e ngrohtë të saj, si kolege edhe si mësuese, sepse ajo ishte dhe mbeti po aq vitale, po aq frymëzuese dhe  magjike,   si një shembull  i shkëlqyer dhe pikëreferimi për të gjithë ne  dhe brezat që do të vijnë. Ne, ish-nxënësit dhe bashkëkohësit e saj, e respektojmë dhe e vlerësojmë punën dhe veprën e shkëlqyer të kësaj gruaje të admirueshme,   sepse në personalitetin  e saj ishte modeluar dhe mishëruar më së miri virtyti, morali i pastër, edukata e punës,    personaliteti i njeriut me vlerë dhe pa bujë, toleranca dhe zemërgjërsia,  që na bëjnë të kujtojmë dhe kuptojmë se sot më shumë se kurrë, shoqëria shqiptare ka nevojë për shembuj të tillë.Në gjithë punën dhe veprimtarinë e  kësaj figure sa të thjeshtë,  aq edhe komplekse, padyshim, shpalosen natyrshëm dhe ridimensionohen me tërë madhështinë  gjurmët e një jete plotë dinamizëm, dhimbjesh e sakrifica, brengash por edhe optimizmi. Sepse pak kush si ajo, ka  patur fatin të ketë përjetur emocionet e një pune specifike që do ta bënte atë në pak vite aq të njohur dhe aq të dashur për shumë gjenerata fëmijësh jetimë të rritur dhe edukuar prej saj, siç ishin edhe fëmijët e shtëpisë së fëmijës në Tiranë.Koha që ajo punoi si drejtuese në institucionin e shtëpisë së fëmijës në Tiranë, ishte relativisht jo e gjatë në raport me vitet që kanë punuar edhe kolegë të tjerë të saj, por fryma si reformatore dhe filozofia që solli kjo misionare  në jetën e këtyre institucioneve, la gjurmë të pashlyera së pari në memorien e atyre fëmijëve  që edhe sot  e kësaj dite e kujtojnë me shumë respekt dhe dashuri, edukatoren, nënën dhe drejtoreshën e tyre Evanthi Ciko. Nën shëmbullin e modelit të saj, shtëpitë e fëmijëve, anembanë vendit u shndërruan nga institucione të tipit klasik, ku jeta e brendëshme organizohej në mënyrë kolektive dhe me shumë fëmijë në grup,  në institucione moderne e bashkëkohore. U ngritën mjedise të këndshme që u  përafroheshin  modeleve familjare edhe atje,  në shtëpinë e madhe ku jetonin shumë fëmijë.  U ndërtuan të tjera marëdhënie midis personelit dhe fëmijëve, marëdhënie të sinqeta të respektit dhe dashurisë reciproke, siç ndodh natyrshëm  mes prindërve dhe fëmijëve.Mund të cilësohen si  raste të  rralla,  që kjo grua fisnike,  ashtu si edhe  Persa Grabova, Kristina Kumi apo Aneta Shuteriqi, të kenë patur  një privilegj dhe status të veçantë nga ato që kanë të gjitha nënat shqiptare në përgjithësi. Sepse Evanthi  Ciko, sot njihet anembanë vendit jo vetëm si nëna e njërit prej figurave më të shquara të artit tonë muzikor, profesorit të nderuar  Zhani Ciko dhe bijës së saj Keti, por më së shumti  ajo njihet edhe si nëna e 268 fëmijëve jetimë që i rriti me  shumë përkushtim e dashuri, i edukoi, i përgatiti dhe i nxorri në jetë si pjesëtarë të denjë të shoqërisë tonë.  Këto gjurmë,   shihen dhe lexohen lehtë tek të gjithë ata  ish – fëmijë jetimë, sot burra e gra, gjyshër dhe gjyshe që kurrë nuk i njohën prindërit e tyre në fëmijëri, por që kjo grua fisnike dhe me zemër bujare,   bëri gjithçka që ata të mos kishin në fytyrat e tyre të njoma dhe të pafajshme dhimbje edhe lot, të mos e ndjenin kurrë mungesën e tyre. Ndaj,  si një kompesim për gjithçka ajo  bëri në jetën e saj edhe Zoti e shpërbleu duke e mbajtur gjatë në jetë, gjithnjë midis nesh, përherë të freskët, të bardhë e gojëëmbël, ashtu si dikur… Dhe iku, iku në heshtje dhe e kënaqur, e mbushur me shumë dashuri. Iku gjithë përulësi dhe pa zhurmë për të mos lënduar kënd në ikjen e saj përgjithmonë nga kjo jetë. Iku si një pulëbardhë për t’u rikthyer përjetësisht në zemrat dhe në memorien tonë,  Nëna jonë e dashur dhe e paharruar Evanthi Ciko. Për figurën,  rolin, punën e saj të shkëlqyer dhe të spikatur si drejtuese e sukseshme në shtëpinë e fëmijës në Tiranë, Evanthi Cikos i është kushtuar edhe një film artistik shqiptar, me titull shumë domethënës: “Si gjithë të tjerët”, rol i mishëruar dhe i realizuar  me mjeshtëri të lartë artistike nga Artistja e Popullit, Tinka Kurti. Ky ishte misioni dhe aspirata e saj. Ajo dëshironte gjithmonë që fëmijët jetimë të privuar nga  kujdesi prindëror të shikoheshin të barabartë në shoqëri, që ata të mos përbuzeshin, të mos nëpërkëmbeshin, të mos trishtoheshin edhe më shumë, të mos përjashtoheshin nga jeta sociale e shoqërore, por edhe ata të ndjenin se ishin si të gjithë bashkëmoshatarët dhe fëmijët e tjerë, pa dallime, pa cene dhe pa plagë sociale. Shumë ndere, tituj e dekorata morri  në jetën e saj, si  një vlerësim dhe mirënjohje për punë dhe kontributin e çmuar në fushën humane, si veprimtare e palodhur shoqërore, por edhe si mësimdhënëse e metodiste e shkëlqyer në profesionin e saj të mësuesisë. Mes tyre spikatin titujt “Mësuese e Merituar”, akorduar nga Kuvendi Popullor, “Simbol i Vlerave Humane”, akorduar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë  dhe Medalja e “Mirënjohjes”, akorduar nga Presidenti i Republikës, pak kohë se të ndahej nga jeta.

* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora