E diele, 28.04.2024, 12:21 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ramiz Lushaj: Martiri i policisë Azem Mëshi

E enjte, 19.06.2014, 08:01 PM


AZEM ALI MËSHI,

NJË NGA 254 MARTIRËT E POLICISË SË SHTETIT

NGA RAMIZ LUSHAJ

1.

Kosturri historik e gjeo-strategjik në rrafshinën e Hasit, përballë liqenit të Fierzës si ua përmbyti një pjesë të territorit dhe ndërmjet lumenjve të Lumës e Skatinës e krah’ Helshanit, është truall i luftrave të pazakonta qyshse në kohërat ilire e dyndjeve sllave saqë gojëdhanat gurgullojnë sikur vendi pas betejave ka mbet i mbuluar me turra kockash (kosturr). Ky fshat i madh bregdrinas me kala ilire e mesjetare edhe për skej tij, ka nxjerrë figura historike me emër e hapa përtej bajrakut e krahinës së vet, në hapësirat etnike shqiptare e rajonale. Në kohën ilire e mesjetare lugina e Skatinës me rrethina si pjesë etno-historike e administrative e Dardanisë Alpine apo e Rudinës, me vendbanimet e saj Kosturr, Zgjeç (Shëngjergj), Leniq, Zogaj, etj. sipas dëshmive e provave, ka qënë një zonë mjaft e zhvilluar nga ana zejtare, tregtare, kulturore, bile ma shumë se disa krahina të tjera.

Mendje akademike të penës nga ma të hershmit si Marin Barleti, Frang Bardhi e vargavijë dekteri tek të mavonshmit si krye/akademiku Aleks Buda e prof. dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, kanë dhanë argumentat e veta se tedeli dinastor i Kastriotëve është nga visi legjendar i Kosturrit. Isuf Meshi, ish i përndjekur politik, me shpirt, talent e kontribute poetike e publicistike, rrëfen se në pjesën jugperëndimore të Kosturrit gjenden edhe sot varreza e lisa të moçëm përreth kishës së Kastritotëve, ndërsa “Vidhat e Kastriotëve” të cekun edhe nga Barleti e Bardhi, janë ende në lagjen Meshaj, në mes të fshatit, pothuej ngjitas me Trojet e Vjetra dhe oborrin e Isuf Rexhës, të njoftun për mirë. E, paraardhësit genetik të Skënderbeut, kanë shtegtue nga Kosturri (Has) në Ujmisht e Lumë (Kukës) e mbasandejna në Dibër e në Mat, derisa nguli e ngriti selinë e dinastisë e shtetit të tij skënderbegian në Krujë.

Kosturri i luftëtarëve të lirisë e pavarësisë kombëtare shqiptare në luftëra me sllavët e otomanët si përgjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), Lidhjes së Pejës, (1899-1900), kryengritjeve për Pavarësi (1908-1912, 1913)...e deri në dy luftrat e fundit botërore (1914-1918, 1939-1945), ka qënë mikpritës në trollin e sofrat e tij të figurave historike të shquara si Haxhi Zeka, Sylejman Vokshi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e të tjerë.

Kullat e kosturrasve me frëngji prej guri kah verilindja për vrojtim e mbrojtje nga shovinistët serbë ruhen ende në kit’ fshat, bile disa si e Mus Hasan Mëshit e Musli Ram Gjonit janë shpall “Monument Kulture”.

Të moçmit e kanë përcjell një fjalë urtie: “Nuk bahet shpat e mirë prej metali të dobët”. E në Kosturrin hasjan, me tri lagjet e tri vllaznive Meshaj, Gjonaj, Nabollaj, e gjejmë një tjetër fakt: Azem Meshi, “Dëshmor i Atdheut”, (djali i fismë i Ali Ukshin Ademit të Ahmetafajve) u lind e u rrit i tillë, qëndrestar i çeliktë deri në aktin e fundit vetmohues në qershor 1999, me brumin e truallit e breznive të veta, të fshatit të tij legjendar.

2.

Kosturrasit u rritën me pushkë e udhëtar me trimërinë e lavdinë. Edhe Dera e Meshit, trungu genetik i dëshmorit të Policisë së Shtetit, Azem Meshi, ishte me kontribute e atribute të njohura.

Gyshi i tij, Ukshin Adem Mëshi, sëbashku me të vllanë, Arif Adem Meshin, ishin pjesmarrës aktiv në luftërat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Baba i tij, Ali Ukshin Meshi, mori pjesë aktive edhe në Luftën e Dytë Botërore. Fillimisht në Çetën e Hasit me Ismail e Man Pogën e u inkuadrue në rradhët e Brigadës XXV-S të Tropojës. Ka luftue për çlirimin e Kosovës dardane deri në Mitrovicë, të Sanxhakut Shqiptar (Tregu i Ri) si dhe deri në Bosnje. Asokohe ishte pesëmbëdhjetë vjeçar, ndër ma të rinjtë luftëtarë në formacionet ushtarake shqiptare.

Në kit’ luftë plot sakrifica dhanë jetën disa kushërinj të tij partizanë si Ram Sadri Meshi e Mehmet Ali Meshi, sot “Dëshmor të Atdheut”.

Në brezni kosturrasve iu rrinë zgjuar pushka në mbrojtje të kombit. Kjo u dëshmue edhe më 24 mars 1999 në Istog të Kosovës, ku në luftë ballëpërballë e deri trup më trup me milicinë serbe dhanë jetën dy djemtë e Qazim Meshit, vllaznit  Bashkim e Afrim Mëshi. Përkrah tyne luftoi edhe i vllai, Kujtim Qazim Mëshi, të cilin e morën e mbrojtjen istogasit e atyshëm. Në betejë mbetën të vrarë edhe nga serbët.  Rënia e dy vllaznëve Meshi në ditën e sulmeve të NATO-s mbi Serbinë përkujtohet me nderime në Kosovë, pasi ata tashma janë dëshmorë të Kosovës, dëshmorë të UÇK-së, po edhe dëshmorë të Shqipërisë.

Tre muaj pas epopesë të djemvë të derës së Mëshit në Istog të Kosovës, do të përseriste një tjetër epope qëndrestare edhe polici Azem Ali Mëshi në qershor 1999 në luftë më bandat e egra të krimit të zi në Yzberisht të Tiranës, duke sakrifikue jetën e tij 30 vjeçare. Ai hyri në kujtesën e historisë, në këngët e popullit. Atij i ngritën kangë: “Azem Mëshi nji djalë hasjan / Përball’ krimit jetë ka dhanë /...Ai ka ra si dasmor lufte / Shokët e mbajnë trimin mbi supe /.

Azem Ali Mëshi, mburojë-shqiponjë e shtetit dhe pasqyrë dëshmi e shtetit, për aktivitetin e tij 7 vjeçar dhe aktin e tij të lartë vetmohues, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me Dekretin Nr. 2639, datë 31 maj 2000, e ka nderuar me dekoratën “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes) me motivacionin “Për trimëri dhe akt të guximit qytetar në luftën kundër krimit deri në sakrifikimin e jetës”. Ai është nga të rrallët policë e ushtarak të shtetit që mban  një vlersim të tillë presidencial  meritor.

3.

Azem Mëshi, një nga nëntë fëmijët e Ali Ukshin Mëshit, e kreu shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, Kosturr të Hasit, ndërsa 8-vjeçaren në qytezën e Kamit të Tropojës, ndërsa të mesmen në qytetin e Kukësit. Në tre rrethe i përmbylli tre ciklet e arsimimit të tij. Biografia e tij politike nuk ia mundësonte ndjekjen e mëtejme të studimeve universitare, pavarësisht zgjuarësisë, kambënguljes e pasion të tij të madh. Atë e keq pengonte“biografia politike” e familjes.

Aty nga viti 1948 diktatura e kohës, me luftën e saj të klasave, hyri në kullën e Ali Ukshin Meshit dhe ia mori atij lirinë vetjake, cënoi liritë e familjes. Rregjimi komunist e arrestoi e dënoi për dyshime politike me 6 vjet burg politik. Ia hoqi për tre vjet të drejtën e triskës së Frontit, i pamundësoi pjesmarrjen në zgjedhje, në disa lami të jetës. E shpalli, sipas zhargonit politik popullor “të deklasuar”(!). Përndryshe, si i thuhej ma butë, ma me kulturë, me metaforë politike: “i prekur”(!). Pa asnjë bazë, përtej edhe hakmarrjes politike, ia sekuestruan pasurinë. Të gjitha këto ndëshkime ishin të tepërta, po nuk e thyen qëndrestarin Ali Ukshin Mëshi. Përkundrazi, ishte i fortë, apo “kreshnik” si e cilëson Bute Mëshi, mësuesja e klasës së parë të Azemit.

Rënia e Murit të Berlinit ishte hapje e siparit rrokaqiell të plotësimit të ëndrrave, dëshirave e objektivave të tij. Në vitin 1992 filloi punë në Policinë e Shtetit në Tiranë, në Repartin e Ambasadave e, mbasandej, me grupet e gatshme të Komisariatit të Policisë Nr. 4 të kryeqytetit. Në kujtimet e tyre, mësues/e e shoqnia e tij, theksojnë se e kishte me qejf të madh të vishej polic, pasi donte t’i shërbente Atdheut të vet dhe të “ç’vishej” nga mfeshjet politike të rënduara e të pamerituara prej ashpërsive e mbrapshtive politike të kohës komuniste. Pasi u plotësue kjo vinte e dyta. Edhe kjo e kahershme, si vrell në pritje. Të ndiqte shkollën e lartë. Ndaj e filloi e vazhdoi pa shkëputje nga puna Akademinë e Policisë në Tiranë. Përgjatë kësaj kohe krijoi edhe familjen e tij, me gjithë shenjtërinë e vet. Ai, nga martesa me Loretën, patën një vajzë, Gretën, dhe një jetë të mrekullueshme. Një dashuri të pamatë. Një lumturi në rritje pa kufi. Derisa erdhi ajo ditë e mallkuar e qershorit 1999, kur Azem Mëshi në përleshje me bandat u vra në krye të detyrës. Si hero. Mbeti dëshmor.

Në Policinë e Shtetit në Tiranë punonte edhe vllai tjetër i Azemit, Ahmet Mëshi që ka kryer me zotësi e devotshmëri profesionale në Tiranë, Elbasan e Durrës. E, me sa kam lexue diku, në se jam i saktë tërësisht, e mbante gradën kryekomisar. Po ai ka një tjetër kryegradë, si rrallë kush: “Njeri i mirë”, të cilën ia kanë dhanë genet e vllznisë Mëshi, jeta me sakrifica të mëdha, shoqëria, koha e derisotme.

Një nga shokët e tij të hershëm e të mirë, mjeku Shkëlzen Arif Ibra në Krumë të Hasit, shprehet: “I vetmi shok në jetë që kam njohur e sot e tutje nuk e kuptoj se si zotit Azem Mëshit i dilte koha për çdo gjë në botë... Ky njeri i bekuar, punëtor, besnik, trim dhe luftarak, e i ndershëm, kishte kohë për punët e shtetit. Ishte një prind i rregullt. Kishte kohë të dërgonte nusen në punë dhe vajzën në kopsht, kishte kohë të kujdesej për prindrit e Loretës (gruas së tij). Kishte kohë të shkonte në Selitë çdo ditë tek prindërit e vet. Të kujdesej për vëllezërit e motrat. Për çdo ditë pinte një kafe konsulte me vllain e tij të shtrenjtë, Ahmet Mëshi, por gjithësesi kujdesej edhe për ne studentët e Fakultetit të Mjekësisë, për mua, Shkëlzen Ibrën, për z. Olsi Çaushi dhe vllain e tij të vogël, Agron Mëshin”.

 Drejtori i sotëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, asokohe nënkolonel e komandant i Repartit “Renea” e ka pasë njohur Azem Ali Mëshin, ka qënë edhe në ceremoninë mortore përcjellëse të tij dhe për vizitë ngushëllimi në familjen e tij.  Ai e kujton me konsideratë të lartë Azem Mëshin për shembullin e tij të nevojshëm e të vyer, sa qëndrestar e ballor, edhe korrekt e të kulturuar, sidomos në vitet 1997-1998 në ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë si ministritë, bankat, ambasadat, RTSH, etj.  Ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bilbil Mema, rikujton atë ditë qershori 1999, kur e ashtuquajtura “Bandë e Yzberishtit” në rreth e shënjestër nga Policia e Shtetit, pasi kishin ndërmarrë një grabitje, sapo kishin vrarë shtetasin D. Gostivari nga Kosova, pas një ore, për shkak të cilësive të veçantë të detyrës, në përballje, vrasin edhe policin Azem Ali Mëshi, dëshmor i Atdheut. Një opinion vlerësues për punën e Azemit në rradhët e Policisë së Shtetit japin gjithato personalitete të Policisë, si ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, e të tjerë.

Polici i Shtetit, qytetari i shtetit demokratik, Azem Ali Mëshi, për kontributet e aktin e tij të qershorir 1999, me vendimin nr. 12, dt. 4 korrik 2003, së bashku me policët e tjerë të rënë në krye të detyrës, si Krenar Ismail Bako, Gjergj Hekuran Mehmeti, Kastriot Hajri Çiçi, Rufan Shaqir Hakrama, u shpall e iu dha Statusi ‘Dëshmor i Atdheut”.

4.

Kanadaja, në atë perëndim rrugëtim të diellit, ky shtet euro-atlantik, në vitin 1992 ka pasë policin e fundit të vrarë në ndjekje të një krimineli. Ajo ditë u shpall ditë zie kombëtare. Rreth dy milionë kanadezë morën pjesë në varrimin e tij. Prej asaj kohe, kjo ditë shenjohet e përkujtohet si Dita e Policisë. Shqipëria, dihet, ka një realitet krejt ndryshe. Bota e egër e krimit, për shumë faktorë e faktë që disa sish nuk varen as prej nesh, si shtet e qytetarë të tij, çdo vit po vret policë në krye të detyrës. Siç është edhe rasti i Azem Ali Meshit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, vjet, në Ditën e Policisë, dha një shifër: 254 oficerë të Policisë së Shtetit kanë humbur jetën në përballje me krimin duke lënë pas familjarët e tyre. Janë shumë në 23 vite të shtetit demokratik. Njëherash flasin edhe për punën e madhe sakrifikuese të Policisë së Shtetit në mbrojtje të rendit e qetësisë, të sigurisë publike, të shtetit ligjor demokratik. Nga ana tjetër, në të njëjten ditë përkujtimore me të drejtë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ngre një shqetësim të madh për politikën e kohën shqiptare: ka shumë nga familjet e policëve të rënë vazhdojnë betejën nëpër gjykata me qeverinë për të marrë statusin e familjarëve të dëshmorit. Në veprën e tij poetike e dokumentare “Dhimbja më grish”, Besnik Meta, ish oficer policor i sigurisë, dikur edhe gardian i qelisë së burgut të Ramiz Alisë, njëherash shkrimtar e poet me disa botime, na paraqet një listë me 194 oficerë e policë të rënë në krye të detyrës. Ndoshta i përket fundvitit 2002, pasi në fillim vitin tjetër (2003) e ka botue veprën e tij. Aty, pak prej tyre, kanë të shpallur e të marrun statusin “Dëshmor i Atdheut”. Numërohen me gishtat e dorës: Arben Ujka, Arjan Shemuni, Asllan Selamaj, Arben Lasku, Besim Manoli, Lulzim Sulollari, Ylvi Bengasi, Vladimir Ismailukaj. Shumë pak. Para syve kam edhe një listë tjetër: i përket shkurtit 2005, tërhjek kaherit nga faqja zyrtare e MPB. Aty janë 75 punonjës të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës që e kanë marrë në vitet 2003-2004 Statusin “Dëshmor i Atdheut”. Ndër ta edhe Azem Ali Mëshi.

Nuk kam asnjë informacion se si paraqitet kjo situatë në vitet e mapasme 2005-2014. Prapë, tue iu referue të njëjtit burim, Besnik Metës, që fjalën e shpirtit e shpreh në vargje për Policinë, të vrarët e të plagosurit e saj, shoh se nga 1991-2002 kemi edhe 250 oficerë e policë të plagosur apo gjymtuar në luftë me krimin. Në krye të kësaj liste, qyshse atëherit (2003), jo krejt rastësisht, për shkak të emrit apo kontributeve, e ka vnue të parin kolonel Artan Eqerem Didin, sot, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me Medaljen e Shërbimit Ushtarak” (1991) e “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (1998). Sidoqoftë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e Ministria e Drejtësisë duhet ta ndjekin kit’ çështje, në kofshin edhe pak raste të tilla pa Statusin “Dëshmor i Atdheut”. Për ma tepër, Presidenti i Republikës duhet të jetë ma i pakursyer në dhanien e dekoratave ndaj oficerëve e policëve të vrarë apo të plagosur, duke vlerësue veprimtarinë e sakrificat  e tyre. Po edhe çdo Prefektur e Këshill Qarku duhet të orientojë bashkitë e komunat që të kemi me emrat e dëshmorëve të Policisë sa ma shumë rrugë e objekte, të jepen tituj “Qytetar Nderi”, etj., Për shembull, prej kohësh, një rrugë në Kombinat, në Njësinë Bashkiake nr. 6  në Tiranë, e mban emrin e dëshmorit Azem Ali Mëshi.

5.

Sot, Azem Ali Mëshi, do të ishte 45 vjeçar, po ai është mes nesh si “Dëshmor i Atdheut”, i dekuruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (v. 2000). Ai është si një simbol i përkushtimit e i qëndresës së Policisë së Shtetit, është shqiponjë e trimërisë dhe e aktit të guximit qytetar në luftën kundër krimit duke sakrifikuar edhe jetën. Ai e dha jetën për të mbrojtur jetën, e dha jetën për të na dhënë siguri për jetën, e dha jetën për dimensionet reale të shtetit ligjor, e dha jetën për idealet njerëzore e hyjnore të Demokracisë.

Jeta e veprimtaria e Azem Ali Mëshit është përjetsue në një film dokumentar. Është gdhend në disa poezi si ato të Besnik Metës si “Vizitë në shtëpinë e Azem Mëshit” e “Kjo botë e egër”  (Dhimbja më grish. Tiranë, 2003, f. 43, 44), etj. I janë kushtuar këngë me çifteli në skenë e në odat malësore. Ka plot shkrime për martirin Azem Ali Meshi të botuara në shtypin shqiptar të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Amerikës, Zvicrës, Londrës, etj. Sikurse është edhe ky i sotmi. Shteti demokratik, shteti ligjor, i dha Azem Ali Meshit dimensionet e nderimit e të përjetësimit, i dha atributet e kohës për aktin e aktivitetin e tij kontribues e sakrifikues, i dha vendin e merituar në memorien e historisë dhe në memorialin e Policisë së Shtetit.

Rapsodët e njohur të Hasit, dy kangëtarë të vendlindjes së tij, H. Kastrati e P. Brati, i këndojnë një këngë, ku historinë e hapur të trimit martir, Azem Ali Mëshi,  e mbyllin me vargjet:  Kush jep jetën për vend t’vet / Është gjallë: O kurr’ nuk vdes”/. Poeti e polici Besnik Meta e përcjell në vargje thirrjen e tij e të kohës shqiptare për Azem Ali Mëshin: “O mik i zemrës sonë”. Përndryshe, edhe unë po e takoj të njohurin tim të hershëm me një kryefjalë shpirti: Tungjatjeta, o Azem Ali Mëshi!”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora