E merkure, 24.04.2024, 11:44 PM (GMT+1)

Faleminderit

Kota: Të fshehtat e patriotit Naum Veqilharxhi

E marte, 05.08.2014, 07:38 PM


Kushtuar 235-vjetorit të Lindjes të Naum Veqilharxhit, pionier i lëvizjes Kombëtare Shqiptare

Ja të fshehtat e panjohura të jetës së patriotit të madh Naum Veqilharxhi

Nga Harallamb Kota

-Në kohën kur lindi dhe u rrit Naumi, Vithkuqi ishte një qytet i vogël, por i lulëzuar

- Gjatë shekullit XVIII në Vithkuq u ngrit një shkollë në gjuhën greke, mbasi të tilla shkolla mund të funksiononin në krahina, të cilat ndodheshin nën autoritetin kishtar e klerikal të Patrikanës greko-bizantine të Stambollit

- Ushtritë otomane e kishin djegur Vithkuqin në 1781, para se të lindte Naumi

- Theodhor Anastas Kavalioti, ishte hartuesi i fjalorit greqisht – shqip dhe iniciatori i parë për t’i dhënë kishës ortodokse në Shqipëri librat fetarë në gjuhën shqipe, duke përkthyer  “Dhiatën e re”

- Naum Bredhi, u lind dhe u rrit në një qendër të dëgjuar dhe në një familje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti

- Në korrik të vitit 1819, një zjarr i madh përfshiu qytezën shqiptare të Vithkuqit. Ky ishte shkatërrimi i dytë i tij

-Kur po emigronte në Rumani, Naumi tha: “Edhe ne shqiptarët shumë shpejt do ta shkruajmë gjuhën tonë”.

- Në Rumani ai përvetësoi edhe rumanishten, frëngjishten, anglishten e ndopak italishten, pasi njihte shumë mirë disa vepra të arbëreshëve të shkruara në gjuhën e Dantes

- Naum Bredhi, është tepër aktiv në kryengritjen çlirimtare rumune, kundër sundimit osman të udhëhequr nga Tudor Vladimiresku

- Tashmë ai mban mbiemrin Veqilharxhi, të cilin e mori pasi mbante detyrën e Itendentit (Veqilharxhit) të batalionit dhe ishte udhëheqësi i elementit shqiptar në këtë revolucion

- Naum Veqilharxhi synoi të jepte një alfabet shqip krejt origjinal që të mos i ngjiste as alfabetit turk, as grek dhe as atij latin

- Sipas tij, shqiptarët një popull me gjuhë e zakone të veçanta duhet të dalloheshin nga popujt e tjerë edhe në fushën e alfabetit

- Alfabetin e përgatitur në vitin 1825, Naum Veqilharxhi për shumë kohë nuk e vuri dot në zbatim

- Vetëm në vitin 1844, ai del në skenë me botimin e “Evetarit” të parë, të shkruar me alfabetin e pregatitur në vitin1825

- Propaganda shoviniste e qarqeve greke, theksonte Naum Veqilharxhi, synon që shqiptarët të mohojnë përkatësinë e tyre kombëtare dhe të shpallen grekë

- Në vitin 1859, Naum Veqilharxhi vdiq i helmuar nga elementë antishqiptar

Vithkuqi -Vendlindja e Naum Bredhit

Naum Bredhi, i biri i Panajotit dhe nipi i Llazarit u lind në Vithkuq më 17 dhjetor 1797. Qyteti i vogël ngrihej në një pllajë me brigje të bukura, nga të cilat burojnë shumë ujëra të ftohta dhe rrethohet nga male, që shumë vite më parë ishin të veshura me pyje të dendura. Përfund tij, rrjedh lumi Osum, i cili kalon mespërmes qytetit mitik të Beratit. Në kohën kur lindi dhe u rrit Naumi, Vithkuqi ishte një qytet i vogël, por i lulëzuar. Vite më parë, Vithkuqi kishte qenë një qytet i madh dhe numëronte rreth 8000 banorë, të ardhur nga vendbanimet e kahershme të shqiptarëve të pushtuara nga ushtritë otomane. Vjetërsia e qytetit dëshmohet nga hapësira që zënë gërmadhat e shtëpive të rënuara, lagjet e shumta të dikurshme që ruajnë emrat e tyre të vjetra, numri i madh i kishave të ndërtuara dhe zbukuruar nga mjeshtrit beratas, Kostandin dhe Athanas Zografi, Kostandin Shpataraku etj., të ngritura në shekullin e XVIII dhe ekzistenca e dy manastireve, duke qenë kështu seli e një mitropolie kishtare që varej nga peshkopi i Kosturit. Banorët e Vithkuqit ishin shqiptar Për këtë dëshmojnë emrat e lagjeve dhe emrat e vjetër të banorëve, të cilët nuk kanë asnjë ngjashmëri me emrat me origjinë greke e vllahe. Ata merreshin me përpunimin e leshit, lëkurëve dhe bulmetit, sepse mbanin kope të mëdha me dhenë në malet me kullota të pasura të Sherës, Rugajës, Faqekuqit, Makrëzes e deri në malin e Ostrovicës. Në Vithkuq kishte edhe zejtarë që përpunonin drurin e metalet, duke krijuar një lagje më vete që quhej “Kovaças”. Vithkuqarët zhvillonin tregti jo vetëm me Voskopojën, Korçën fqinje, Beratin, por dhe me qendrat më të largëta, Durrësin, Shkodrën, Kosturin, Selanikun, Korfuzin, Vienën, Triesten etj..

Vithkuqi – Qendër e rëndësishme kulturore

Nga  pikëpamja e zhvillimit kulturor, mund të thuhet se, në shekullin e XVIII, Vithkuqi ishte një qendër e rëndësishme. Në një raport të lëshuar më 1699 thuhet se në shkollën e Himarës, ku mësohej edhe shkrimi i shqipes nga mësues bazilianë të ardhur nga Italia, vinin nxënës edhe nga Bitulki (Biltulchi) i Shqipërisë, i cili është pesë ditë larg Himarës dhe ka njëmijë frymë. Gjatë shekullit XVIII në Vithkuq u ngrit një shkollë në gjuhën greke, mbasi të tilla shkolla mund të funksiononin në krahina të cilat ndodheshin nën autoritetin kishtar e klerikal të Patrikanës greko-bizantine të Stambollit. Ngritja e kësaj shkolle, ishte e vetmja mënyrë për të përgatitur nxënës për të vazhduar studimet në “Akademinë e Re” të Voskopojës fqinje, e cila ishte nën ndikimin e kulturës iluministe, por të praktikuar në gjuhën greke. Gjatë këtij shekulli, Vithkuqi ka patur një bibliotekë të pasur në manastirin e Shën Pjetrit.

Atë ditë që u lind Naum Bredhi

Shtëpia e familjes Bredhi gjendej në qendër të Vithkuqit. Vendi ishte i pyllëzuar me bredha dhe ndoshta kjo ishte zanafilla e mbiemrit të tyre. Plaku i shtëpisë quhej Llazar dhe i biri Panajot. Pjesëtarët e kësaj familje ishin tregtarë. Panajoti ishte i martuar dhe në 1797, gruaja i kishte sjellë në jetë një djalë,të cilin e kishte pagëzuar me emrin Naum.

Pranë shtëpisë së tyre, gjendeshin shtëpitë e familjes Koço Kota, Tush Koleci, Sotir Kurtiqi, Nuçi Tona, Nasi Vithkuqi me të birin Maqon, etj.. Atë ditë që u lind Naumi, burrat e fshatit u mblodhën në shtëpinë e Llazarit dhe pasi uruan ardhjen në jetë të foshnjës djalë, filluan bisedat patriotike në odën e madhe. Llazar Bredhi tregonte plot pasion, një histori që i kishte ndodhur vite më parë: -Një Vithkuqar,-tha ai,-pasi kruajti tre herë fytin e piu ngadalë një gjysmë gote me ujë,- (një moshatari im, që unë e kam kushëri, banonte në lagjen “Dukas”, më tha që ta shoqëroja. Të dy shkuam në kishën “Shën Mëhilli”, pasi ai donte të pagëzonte fëmijën e sapolindur. Unë,- vazhdoi Llazari,-i kërkova priftit ta kryente ritin e pagëzimit në gjuhën shqipe, në gjuhën që i fliste e ëma e i ati. Prifti kundërshtoi e nguli këmbë për formulën në greqisht Pasi ne ngulnim këmbë në formulën shqip, prifti fanatik fanariot, na zboi nga kisha, duke e quajtur mëkat të madh mospagëzimin e fëmijës. Me fëmijën në krahë, qëndruam  para kishës, me shpresë se do ta bindnim priftin. Qe dimër i egër dhe nga cikma e madhe, foshnja e vogël u vdiq  prindërve në duar dhe ne e varrosëm në oborrin e Kishës. Panajot Bredhi e kishte mbaruar, tregimin dhe ndjehej tepër i kënaqur, që shihte në sytë e të pranishmëve ndezjen e urrejtjes, për padrejtësitë që i bëheshin shqiptarëve, të cilët ndaloheshin të mësonin në gjuhën e tyre dhe të luteshin në gjuhën shqipe.

Fëmijëria e Naum Bredhit

Ushtritë otomane e kishin djegur Vithkuqin në 1781, para se të lindte Naumi. Banorët të ndjekur e të kërcënuar,ishin larguar dhe ishin strehuar në qytete të tjera jashtë Shqipërisë, në Vllahi, Rumani, Egjipt, Greqi, Bullgari, Rusi, Poloni, Amerikë, etj.. Edhe Shtëpia e familjes Bredhi ishte djegur dhe ishte rindërtuar përsëri. Në vjeshtën e vitit 1786, Naum Bredhi u regjistrua në shkollën fillore të fshatit. Shkolla ishte greke dhe mësimet merreshin vetëm në gjuhën greke. Naumi ishte tepër i zellshëm në mësime dhe i kreu ato me një dëshirë të lavdërueshme. Me të mbaruar shkollën fillore, Naumi u regjistrua në “Akademinë e Re” të Voskopojës së bashku me versnikun e tij Thoma Kota djalin e xhaxha Mihalit, i cili ishte vëlla me Koçon, komshiun e tyre në Vithkuq. Familjet e tyre kishin qindra vite të ngulura në këto anë, qysh në kohërat kur ushtritë osmane pushtuan qytetin kala të Beratit. Voskopoja njohu një ngritje kulturore e arsimore nga çereku i fundit i shekullit XVII, por lulëzimin e arriti sidomos në vitet 1720-1760, me ngritjen e shtypshkronjës e hapjen e shkollës “Akademia e Re”. Disa nga idetë e iluminizmit, që shënojnë kulmin me enciklopedistët francezë në shekullin XVIII, hynë në Shqipëri dhe u përqafuan për herë të parë nga inteligjenca e Voskopojës. Sistemi arsimor i Voskopojës, synonte përhapjen e njohurive shkencore dhe të kulturës në përgjithësi, nëpërmjet gjuhës greke. Gjithashtu, në Voskopojë, nga nevojat e përditshme është shtruar kërkesa e përdorimit të gjuhës shqipe, jo vetëm në shkollë, por edhe në kisha, për të lidhur popullin më afër me shërbesat fetare.

Drejtori i “Akademisë së Re”

Drejtori i “Akademisë së Re”, Protopapë Theodhor Anastas Kavalioti, ishte hartuesi i fjalorit greqisht – shqip dhe iniciatori i parë për t’i dhënë Kishës Ortodokse në Shqipëri librat fetarë në gjuhën shqipe, duke përkthyer  “Dhiatën e re”. Në Voskopojë kishte studiuar edhe Theodhor Haxhi Filipi, i cili pat hartuar një alfabet origjinal. Shumë nxënës Vithkuqarë kishin mësuar dhe punuar në Voskopojë. Në kohën kur Naum Bredhi ishte ende i ri, kishin studiuar në akademi dy Vithkuqarë, të cilët merreshin edhe me lëvrimin e shkrimit të shqipes. Njëri prej tyre ishte Jani Evstrati, i njohur më tepër me emrin Evstrat Vithkuqari, mësues shkolle për mjaft kohë, në Përmet, Voskopojë, Gjirokastër, Artë dhe Janinë. Ai ka shkruar kodikë në Gjirokastër dhe në Janinë i ka dhënë mësime në gjuhën shqipe konsullit dhe shkencëtarit anglez Uiliam Lik, me të cilin bashkëpunoi në hartimin e një gramatike shqipe dhe në përpilimin e një fjalori shqip-anglisht-greqisht, pa zënë në gojë veprën historike të hollësishme mbi “Iliadën” e Homerit, ndoshta edhe librin me titullin “Rregullat logjike- etike të njeriut”.   Nxënësi tjetër i “Akademisë së re”, ishte Dhaskal Kostë Cepi, mësues shkolle në Berat, Vithkuq dhe Korçë, autor i manualit didaktik prej 174 faqesh, i cili përmban, midis të tjerave, transkriptimin e shkrimeve shqipe të Kostandin Beratit dhe një fjalor shqip-greqisht.

Këto hollësira u dhanë për të treguar se Naum Bredhi u lindi dhe u rrit në një qendër të dëgjuar dhe në një familje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti. Pikërisht në këtë ambient duhen kërkuar fijet e para të veprimtarisë së mëvonshme patriotike iluministe të birit të shquar të Vithkuqit.

Emigrimi i Naumit

Në korrik të vitit 1819, një zjarr i madh përfshiu qytezën shqiptare të Vithkuqit. Kjo ishte shkatërrimi i dytë i tij. Banorët e mbetur pa shtëpi dhe të terrorizuar nga ushtarët osman u larguan dhe u vendosën në fshatrat rrotull dhe në qytetin e Korçës. Gjëma ishte e madhe, pasi osmanët nuk dogjën vetëm shtëpitë, por vranë të rinjtë dhe mbytën bagëtitë. Natën vonë, në shtëpinë e familjes Kota në qytetin e Korçës, mbërritën pjesëtarët e familjes Bredhi të larguar nga shtëpitë e tyre të djegura në Vithkuq. Në krye ishte plaku i moçëm Llazari. Pas tij Panajoti me të shoqen dhe Naumi djali i tyre. Olimbia, gruaja e Llambit të Arbërit, i shtroi menjëherë të porsaardhurve sofrën për të ngrënë. Llazari pasi u qetësua, filloi të tregoj tragjedinë e madhe të ndodhur në fshatin e tyre. Burrat u hoqën mënjanë dhe e  kaluan natën duke kuvenduar. Naumi njëzetedyvjeçar me Gjergjin, djalin e xhaxha Llambit, i cili sa kishte mbushur të njëmbëdhjetat, bisedonin si dy shok te vjetër. Naum Bredhi kishte mësuar në shkollën greke të fshatit dhe në akademinë e Voskopojës, bashkë me Thoman, të cilin Gjergji e kishte kushëri të largët. Naumi papritur e kishte pyetur:

-Në shkollën e Korçës keni mësuar të shkruani shqip? Po në kishat tuaja a përdoret gjuha shqipe?. -Jo, i thotë Gjergji dhe e pyet bashkëbiseduesin: -Po tek ju, mësohet shqip.-Në “Akademi” kemi mësuar fshehtas të shkruajmë edhe shqip, u përgjigj Naumi. Mysafirët Bredhi të ardhur nga Vithkuqi, qëndruan në shtëpinë e familjes Llambi Arber Kota rreth dy javë. Në fillim të gushtit ata u kthyen në fshat. Naum Bredhi, së bashku me mikun e tij të një moshe Thoma Kota, nuk u kthyen më në fshat. Ata do të shkonin në Vllahi. Ishte mëngjes herët. Naum Bredhi duke u larguar nga shtëpia e familjes Kota, me kokën nga Gjergji, me zë të plotë bërtiste: “Edhe ne shqiptarët shumë shpejt do ta shkruajmë gjuhën tonë”.

Aktiviteti Patriotik i Naum Bredhit (Veqilharxhi)

Në vitin 1820 Naum Bredhi mbërriti në Rumani. Si bir tregtari ai u mor me tregti dhe u vendos në Brailë, e cila ishte skelë e rëndësishme me pozitë të favorshme në Danub, ishte port i lire, ku tregtarët mund të ngarkonin dhe shkarkonin mallra pa doganë.  Përveç shqipes –gjuhës amtare, greqishtes që kishte mësuar në shkollë e pak turqisht, në Rumani ai përvetësoi edhe rumanishten, frëngjishten, anglishten e ndopak italishten, pasi njihte shumë mirë disa vepra të arbëreshëve të shkruara në gjuhën e Dantes.

Braila ishte, gjithashtu, qendër emigracioni ballkanik. Kishte bullgarë, grekë, serbë, shqiptarë, të emigruar për arsye ekonomike dhe politike. Si e tillë ishte dhe një qendër e ideve revolucionare dhe anti-turke, si dhe një vatër e kulturës iluministe. Aty ishin të njohura idetë e revolucionit borgjez francez.

Naum Bredhi, është tepër aktiv në kryengritjen çlirimtare rumune, kundër sundimit osman të udhëhequr nga Tudor Vladimiresku, i cili shpërtheu në 18 janar 1821. Tashmë ai mban mbiemrin Veqilharxhi, të cilin e mori pasi mbante detyrën e Itendentit (Veqilharxhit) të batalionit dhe ishte udhëheqësi i elementit shqiptar në këtë revolucion.

Pas dështimit të revolucionit të 1821 në Vllahi, Naum Veqilharxhi ushqeu mendimin për çlirimin e kombit të vet. Idetë e iluminizmit që vepronin si ide udhëheqëse të lëvizjes kulturale të kohës, e drejtuan atë në rrugën e një aksioni të gjatë sistematik, të cilit iu kushtua deri në ditët e fundit të jetës. Veqilharxhi arriti në përfundimin se nëpërmjet lëvrimit të gjuhës amtare dhe arsimit, mund të zgjonte dhe edukonte ndërgjegjen kombëtare, pa të cilën nuk mund të arrihej fitorja përfundimtare. Deri në fund të viteve tridhjetë të shekullit XIX, Naum Veqilharxhi përgatitet për detyrën që i kishte caktuar vetes. Ai filloi të njihej me literaturën e kohës, bëri udhëtime dhe zgjeroi kontaktet me  rilindësit ballkanas dhe emigrantët shqiptarë. Në këto vite, ai ka qëndruar në Bukuresht, në qendrën më të madhe arsimore, politike dhe kulturale të Rumanisë.

Lufta për kulturën shqiptare kërkonte nga ana e vet, si hap paraprak luftën për arsimin shqiptar. Ai e kuptonte se nuk mund të flitej për zhvillimin e arsimit nacional po qe se vendi nuk praktikonte shkrimin e gjuhës amtare me një alfabet unik, që siç dihet në vitet 20 të shek.XIX, gjuha shqipe ishte jo vetëm shumë pak e lëvruar në fushën e shkrimit, por ç’ishte më e keqja edhe “pendat” e pakta që merreshin me të, praktikonin alfabete të ndryshme. Prandaj si çdo mendimtar dhe luftëtar i përparuar, edhe Naum Veqilharxhi mendonte të hidhte farën për një hap të madh në fushën e kulturës. Hapi i parë fillestar ishte zgjidhja e problemit të alfabetit edhe pse nuk kishte një përgatitje të veçantë linguistike. Naum Veqilharxhi synoi të jepte një alfabet krejt origjinal që të mos i ngjiste as alfabetit turk, as grek, dhe as atij latin, nëpërmjet të cilëve mund të ushtrohej një farë ndikimi politik. Sipas tij, shqiptarët një popull me gjuhë e zakone të veçanta duhet të dalloheshin nga popujt e tjerë edhe në fushën e alfabetit.

Alfabeti i Naum Veqilharxhit

Alfabetin e përgatitur në vitin 1825, Naum Veqilharxhi për shumë kohë nuk e vuri dot në zbatim. Vetëm në vitin 1844, ai del në skenë me botimin e “Evetarit” të parë, të shkruar me alfabetin e përgatitur në vitin1825.  “Evetari” ka katër fletë (tetë faqe) dhe është shumë i rrallë. Njihen vetëm tre ekzemplarë.

“Evetari” u botua për t’u shpërndarë në Shqipëri dhe për të shërbyer si tekst mësimi në radhë të parë nga nxënësit e shkollave të vendit. Një sasi të këtyre kopjeve Naum Veqilharxhi  i nisi për në Korçë me anë të Naum Haxhi Vasilit dhe me porosi, që ato të shpërndaheshin edhe në Përmet e Berat. Disa kopje u shpërndanë fshehtas në shkollën fillore të qytetit nga Aleksandër Kota, djali i Gjergjit.

Në parathënien e ribotimit të “Evetarit” në vitin 1845, autori për herë të parë hedh mendimet e tij, me një gjuhë shqipe të bukur, të pastër dhe popullore, ku mbi të gjitha mbizotëron toni patriotik Ai është përpjekur për pasurimin e gjuhës shqipe, me termat,  fjalët dhe shprehje, pa i munguar kujdesi për ta qëruar nga fjalë turke e greke, që nuk tingëllonin ëmbël.

Naum Veqilharxhi ishte përkrahës i shkollës laike dhe vendin kryesor në tërësinë e njohurive ta zinin lëndët shkencore. Burim për të gjithë të këqijat e popullit, quante paditurinë, të cilën e shihte si një plagë të madhe shoqërore. Ai dënonte shkollat e huaja brenda vendit, duke i cilësuar si përçarëse të popullit dhe shfaqte mosbesim tek mësuesit e këtyre shkollave, të cilët nuk duan dhe nuk mund të japin njohuri të sakta mbi kombin shqiptar.

Propaganda shoviniste e qarqeve greke, theksonte Naum Veqilharxhi, synon që shqiptarët të mohojnë përkatësinë e tyre kombëtare dhe të shpallen grekë. Porta e lartë për të realizuar sa më lehtë synimet e veta kundër popullit shqiptar, vazhdonte të identifikonte kombësinë me fenë.

Kundër veprimtarisë politike të Naum Veqilharxhit, u ngritën qarqet shoviniste greke, krerët e klerit ortodoks, disa elementë shqiptar të edukuar në shkollat greke dhe Porta e Lartë. Në vitin 1859, Naum Veqilharxhi vdiq i farmakosur nga elementë antishqiptarë.

Rruga e nisur nga Naum Veqilharxhi, u vazhdua më tej nga Rilindësit e tjerë, deri në njësimin e abetares shqipe, në Kongresin e Manastirit, në vitin 1910.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora