E enjte, 18.04.2024, 05:10 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ramiz Lushaj: Aleks Selimaj - i vërteti

E enjte, 04.09.2014, 07:48 PM


ALEX SELIMAJ – I VËRTETI

NGA RAMIZ LUSHAJ

1.

Mjeshtri i fotografisë artistike, i nokshiqasi Alex Selimaj, banor i qytetit ilir të Gucisë, njëherash edhe shqiptaro-amerikan njujorkez, i përket të tretës epokë të udhës të fotografisë shqiptare që sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar fillton prej nga viti 1991.

Alex Selimaj është njeri i thjeshtë e pikërisht në atë thjeshtësi i rrinë madhështia e emrit dhe e veprës në lartësi e rekorde të fotografisë mbarëkombëtare shqiptare.

Sivjet, 175 vjet nga liçensimi prej Akademisë së Shkencave të Francës (1839) i shpikjes fillestare e plotore të fotografisë nga dy francezët Niepce-Daguerre, përndryshe, edhe 155 vjet pas çeljes ma të pares studio fotografike shqiptare ”Marubi” në Shkodër, shenjojmë se Alex Selimaj, është një ndër “100 mjeshtrit e fotografisë shqiptare të shek. XXI”.

Unë, me bindje të plotë do të thoja se disa nga fotot e tij artistike nga Plavë-Gucia me rrethina, nga Manhatani i Nju Jorkut, etj. më përngjasojnë me pikturat e Rembrandtit, Da Vinçit, Kolë Idromenos etj.,

Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi atëherit për Alex Selimaj nuk vjen në pyetje as vendi i tretë e as i dyti, po vetëm i pari. Ai është tashma në krye të vendit e të rendit, aq sa meritor edhe përkushtimor.

Sigurisht, në dy shekujt e fundit, pas mjeshtërve shqiptaro-amerikanë të fotografisë si Gjon Mili (1904-1984) Dhimitër Mborja, K. Sotiri e Fadil Berisha, hyn në pesëshen medalioniane Alex Selimaj, një emër që ban historinë e tij në lartësim përditësor në enciklopedinë e fotografisë shqiptare, që kontribuon pa cak si artist atdhetar në lidhjet kulturore shqiptaro-amerikane në dy anët e Atlantikut, që ia rrit vlerat visore vendlindjes e kombit të vet amë.

2.

Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj me fotot e tij nga albumet e reja të viteve të fundit apo fototeka e pasur e dixhitalizuar deri edhe me uebsajte në internet dhe nga disa ekspozitat të tij na japin një imazh real për të qesh sytë e rrit shpirtin tonë, nji imazh jetësor të realiteteve pamore deri në shfaqje të (pa)dukshme të tyre. Sigurisht, është i Vërteti me fotot e tij. Këndi i shikimit  është mjaft i gjetur për syrin e tij e objektin e tij fokusues. Në çdo rast është i ndryshëm si në kohë fizike e në pozicion gjeografik.

Thellësia e pamjes në fotot e Alex Selimajt është deri në kufij të pazakontë, tue na zdrit përballë edhe psikologjinë e karakterin e personazheve të galerisë së tij fotografike. Fotot e tij kanë temperament, mbajnë temperaturën e autorit, mjedisit, tematikës, kohës.

Alex Selimaj i ka pothuaj të gjitha fotot të ndjeshme. Pikturë e gjallë. Flakadojnë  frymëzim edhe për poetët, edhe për çobanin. Japin emocione. Mbartin kënaqësi të shumëfishtë. Sjellin çlodhje të qetë. Krijojnë atmosferë të mirë.

I përkushtuari mjeshtër, Alex Selimaj, e kap foton në ecje, në lartësi, në largësi, tue mat me sy profesionisti e pasion shpirtëror. Në të gjitha format e mënyrat, në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës e natës kur shkrep aparatin fotografik artno’ foto të mira, të rralla, të pazakonta, të pastra, me dritë.

3.

Artisti talent rrallë i fotografisë Alex Selimaj është një emër që i bën nder kohës, një emër që i nderon rremagenin e Selimajt të Nokshiqit të historisë, krahinën e vet etno-historike-turistike të Plavë-Gucisë, krejt Shqiptarinë kombëtare në Ballkan e kudo në botë.

Alex Selimaj ka botue gjithato foto në gazeta e revista amerikane si “In Toch Magazine”, “New York Daily News”, “Teen Magazine”, “Sky Magazine”, “Travel Magazine”, etj. dhe në media të tilla në shtete, treva e diaspora shqiptare si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Amerikë, Londër, Zvicër, Kanada, etj. Në disa libra të kohëve të fundit gjen gjithato foto dokumentare ilustruese të fototekës së tij.

Alex Selimaj ka hapur pesë ekspozita fotografike në Nju Jork (SHBA). Ma e fundit ishte ajo e shkurtit 2013 në mjedise të Ambasadës të Republikës së Kosovës në Nju Jork me foto të tij nga dita historike e Shpalljes së Pavarësisë të Kosovës më 17 shkurt 2008, pasi ishte i vetmi fotoreporter nga Nju Jorku pjesmarrës në këto festë të madhe në Prishtinë.

Alex Selimaj, ky mjeshtër i fotografisë artistike, talent e fenomen artistik i heshtur, me sa di, ka një ide me ecuri mbi dyvjeçare për me e botue nji album me pamjet e jashtëzakonshme nga luginat e Gucisë, e Plavës, e Jasenicës, e Gërbajës, e Komoranit, nga Alpet Shqiptare, nga Bjeshkët e Bekuara. Aty, në faqe të tij,  njëmendësisht, mund të hyjnë edhe ngjarje e figura historike të Plavë-Gucisë, tue nistue me gjurmë e gjetje arkeologjike të antikitetit ilir e të mesjetës së vonë, me Luftën e Nokshiqit, Masakrën e Previsë, etj.

Çdo kush mund të kqyrin fototekën e tij të madhe, me galeri të fotove të tij plot art’ e dritë, si tek ëebsajtet e tij alexselimaj.com, etj., në facebook “Plavë Guci”, etj. Aty ka ba publike një pjesë nga thesari i tij vetjak e kombëtar.

Thënia amerikane “Një foto vlen sa një mijë fjalë” në krijimtarinë e mjeshtrit të madh të fotografisë artistike nokshiqasit, Alex Selimaj, merr kuptim plotor e lartnim përditësor, ka vlerë risore e visarore, gjen vertikalitet e horizontalitet, flet për kontributet e atributet e tij (ndër)kombëtare.

4.

E gjithë krijimtaria e mjeshtrit të fotografisë artistike Alex Selimaj ka një hark triumfi nga Plavë-Gucia në Nju Jork, krejt dritë, plot rrezatim. Edhe vet jeta e Alex Selimaj prej artisti emblematik, veprimtari kombëtar e qytetari dinjitar është e ndame më dysh në segmente kohore motmotesh pothuaj të njëjtë në mes vendlindjes e mërgimit. Po tashti është rikthye përkohor apo pa limit nga Amerika në trevën e vet etnike.

Alex Selimaj me fotot e tij artistike nga Manhattani – “kryeqëndra e botës”, etj. si ato: Statuja e Lirisë me sfond yjet e natës, vjeshta me mozaikun gjethepërtokë apo dimri me fijatje bore në Central Park të Nju Jorkut, Ura e Brooklynit dhe e Manhatanit, etj. na e paraqet  madhështinë e bukurinë e Amerikës, mike e madhe strategjike e jetike e shqiptarëve.

I veçanti, mjeshtri Alex Selimaj, si rrallëkush, me fotot e tij hyn pastër tek flatrimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në “Logu i Bjeshkëve” në Kelmend; tek  guri i kullës malësore të Bruno Selimajt në Guci, etj.; tek gjethja e lisit në degë apo tokramje në lartësi të Ropojanit, tek lulja në ujët e liqenit të Plavës; tek lahuta e Januz Delajt në skenën “Alpet Shqiptare, Vuthaj, 2014”; tek pe-endja e xhubletës në ritmiken e valltares; tek dritërimi i Plavës natën; tek balluket e kalit të shalës në kullosë; tek damarët e gurtë të Majës së Vajzës, etj.

Sigurisht, fotot e tij artistike me bukuri të rralla natyrore nga Plavë-Gucia janë një ftesë e hapur për turistë shqiptarë e të huaj për të ardhë në kit’ trevë në çdo stinë të vitit. Duket se në kit’ shekullin e ri, veçmas kohët e fundit, mjeshtri Alex Selimaj është ndër të parët e nga të paktit që i promovon gjithanshmërisht e gjithkah bukuritë e magjishme turistike të vendlindjes së tij në sytë e botës.

5.

Qytetari i Gucisë e i Nju Jorkut, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, është një nga gjashtë vllaznit e familjes së madhe të fisme e të ndritshme shqiptaro-amerikane Selimaj. Secili ma i mirë se tjetri, të nderuar nga/për të gjithë si Bruno, Nino, Dino, Bali, Besimi, Alex-i. Të gjithë sëbashku shquhen si veprimtarë kombëtar. Biznesmeni kombëtar, Shaban Mehaj i Hotit të Plavës më thotë se djemtë e derës së Bajram Selimajt të Nokshiqit janë punëmirë, puna nuk iu ik duarsh, i rrijnë asaj në kambë në çdo situatë.

Alex Selimaj është djalosh e personalitet nokshiqas, i visit ligjendar ku u zhvillua Lufta legjendare e Nokshiqit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880), e cila ishte ma e famshme se ajo antike e Termopileve, ku u luftue kundër 7 krajlive të kohës të cilat kërkonin t’ia jepnin Plavë-Gucinë principatës së Malit të Zi dhe, njëherash, kjo luftë legjendare e paraardhësve të tij ishte Parathania e Pavarësisë së Pambyllun të Vlorës të 1912-tës.

Alex Selimaj vjen nga visi nokshiqas i personaliteteve të shquara mbarëkombëtare shqiptare si: Akademiku Esad Mekuli (1916-1993) ish kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe  kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Fuqi tjetër e madhe intelektuale ishte prof. Hasan Mekuli (1929-2013), ish pedagog i Universitetit të Prishtinës, ish kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës,  kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, studiues e kritik letrar, etj. i cili në Beograd, në një mbledhje zyrtare, kur ende pati kundërshti për çiljen e Universitetit të Prishtinës u ngrit e bani deklaratën e jehonshme: “Unë dij t’i mbathi opingat kaçake, ende i ruaj ato në tavane kullash...”. Poeti, prozatori, përkthyesi e studiuesi Qerim Ujnaki Selimaj ka hyrë edhe në antalogji të kohës e botës së sotme.

Alex Selimaj ka një pasion të kahershëm: kangën. I bie edhe çiftelisë. Shumkush më thotë se a kanë antar i parë i Shoqërisë Kulturore “Maja e Karafilit” në Plavë-Guci.

Alex Selimaj është djalosh kombëtar në gene e veprimtari të prejkohshme e të përditshme. Ashtu, disi të pabujshme e fort dukshme. Ai, për dy vite mandatore (2011-2013), ishte kryetar i zgjedhur i Fondacionit Plavë-Guci me seli në Nju Jork, një institucion kombëtar, humanitar, kulturor, një nga ma aktivët e cilësorët në të gjithë historinë e shoqërisë civile mbarëshqiptare. Ai gjatë ushtrimit të kësaj detyre fisnike ishte punëdrejt e bajemirë. Si gjithnjë në hapa të jetës së tij.

Veprimtari kombëtar Alex Selimaj ecë me kohën, i prin asaj. Shembulli ma i plotë e krejt i qartë është pasioni e frytet e punës së tij informatike moderne. E ka dixhitalizue prej vitesh veprimtarinë e FPG duke e hap ëebsajtin tematik e funksional. Para një dekade, kah vitet 2000, e ka çil ndër të parët një ëebsajt krejt të veçantë: Kosovasovrane.com në të cilën ndër vite flet haptë e flaktë për historinë e kulturën e lashtë e të re shqiptare, e ilustron me harta të hershme e me foto, me dokumenta arkivore e publike, etj.. duke i dhanë ndihmesë të vyer e të pashlyer  Kosovës, Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan e në Botë.

Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj e ka stolisë me fotot e tij të formateve të mëdha krejt Manifestimin e madh Shqiptar të vitit 2013, përndryshe: Paradën Shqiptare në Nju Jork, organizatore e së cilës ishte Kisha Zoja e Shkodrës në Hartsdale N.Y. me mbështetjen e shoqërisë civile shqiptare në Amerikë, ndër të cilët edhe Fondacioni Plavë-Guci, etj. Makinat e markave e tonazheve të ndryshme ishin veshur me fotot e Alex Selimaj, në të cilat ekspozoheshin foto nga të gjitha trevat shqiptare, etj. Ishte një ekspozitë e hapur në natyrë, në kryeqëndren e botës, në Nju Jorkun që ka ma shumë shqiptarë se çdo shtet tjetër i Amerikës.

Po tashti Alex u rikthye përkohor apo pa limit nga Amerika në qytetin e Gucisë dhe po e ringren aty moderne kullen e të parëve të vet. Ka ble truall për gjallnim oxhaku e tradite skej rrugës së madhe të Nokshiqit. Po e pasuron fototekën e tij me albume të reja nga vise të vendlindjes. Po e (bashk)ideon mundësinë e hapjes të një bar-restoranti edhe me galeri të pasur me foto historike e të ditës. Ka hap një kurs për mësimin e karatesë fëmijëve në qytetin e Plavës. Etj., etj. Ai gjen kohë për të gjitha këto tue i krye tetana në lartësitë e talentit të vet. Ai, kësisoj, me të tilla përkushtime, përjetime e realitetime ka pse me i prit’ mëngjeset, me iu gëzue diellnimit spektrues të ecunisë e lartësive të tij. Ai është kudo ku e  thërret arti i fotografisë, veprimtaritë shoqërore-kulturore-sportive, ndërtimtaria, albumi me fotografi, kanga, interesat e kombit shqiptar. Ky personalitet ngado ecë në udhët e tij e të kohës është një dritë e pastër e kombit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora