E enjte, 01.05.2025, 09:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Shpirti dhe malli - dhunti e Zotit

E merkure, 30.07.2014, 09:18 PM


SHPIRTI DHE MALLI I SHQIPTARIT JANË DHUNTI E ZOTIT

(Apo, Dan Kalisi i Krajovës)

Shqiptarët janë i vetmi popull i Ballkanit që kanë dy nobelistë: Nënë Terezën dhe Ferid Muratin, edhepse të parën mundohen ta bëjnë vllahe do vllehë të shitur të Shkupit. Dua të vi ta shoh Gjonovicën, thot Asllani dhe shton se e ëndërron këtë fshat, siç ishin para pushtimit osman fshatrat shqiptare të Sharrit e të Pollogut: me nga një kishë në mes, dhe me një ekologji të atillë, siç e kanë sot qendrat katolike të Kosovës, të Zvicrës e të Italisë.

NGA BAKI YMERI

Ksilofonia shqiptaro-vllahe dhe ksenofobia pansllaviste

Ngjashmëri, edhe përnga fizionomia, edhe përnga fjalori, edhe përnga mentaliteti. Kushdo që ka ardhur në Rumani, me të hyrë në kufi, krijon përshtypjen se gjendet në Shqipëri. Të çudisthëm na duken këta rumunët! Të ngjashëm përnga fizionomia dhe shpirti, vetëm me shqiptarët. Vetëm ata që s’kanë patur punë me ta mund t’i përqeshin! Shpirti i tyre është i florinjtë, porsi shpirti shqiptar. E themi këtë në kohën kur ksenofobia pansllaviste e intolerancës, e mosdurimit dhe mashtrimit, mbetet edhe më tej njollë e zezë e Ballkanit. Aq shumë e mashtruan botën gjoja se jemi “muslimanë ”, sa që edhe sot e kësaj dite jemi duke ia parë sherrin kësaj propagande djallëzore. Në krahasim me grekët dhe sllavët, që kanë krijuar përvojë tradicionale të urrejtjes, përbuzjes dhe përqeshjes, shqiptarët dhe rumunët i karakterizon ksilofonia: dashuria ndaj të huajve. Derisa të parët na e shkëputën me djallëzi diplomatike Kosovën, Çamërinë, Bukovinën dhe Besarabinë, të dytët janë në gjendje, edhe shpirtin t’ua japin të huajve. Kahmos e vëren këtë gjë: edhe në qytet, edhe nëpër fshatra. Edhepse e kanë përjetuar invazionin osman, nuk kanë urrejtje ndaj turqve apo traditave fetare islamike. Në Rumani e gjen kahmos nëpër shtëpi, karpetën me të ikurën nga saraji, apo sintagmën bajram, për ndonjë zbavitje me koktej.  Bajram rumunët i thonë zbavitjes, e jo festës fetare të sulltanxhinjve të Ballkanit. Vllehët dhe shqiptarët janë të lidhur ngushtë edhe me jetën baritore, ndaj jo më kot, arumunët e Shqipërisë, që flasin një dialekt të rumanishtes, shqiptarët i konsiderojnë si  çobanë.

Këtë e konfirmon edhe një shqiptar i Krajovës: Asllan Saliu, poet dhe mjeshtër arti për rregullimin e çative. Në faqet e revistave më të njohura letrare të këtij vendi, njihet me pseudonimin Dan Kalisi. Asllani ka prejardhje shqiptare nga Gjonovica e Gostivarit. Para nja 10 vitesh, patëm ardhur me një ekipë televizive në shtëpinë e tij, së bashku me regjizorin Alush Kamberi dhe një kamerman (Muharem Idrizi). Filmi dokumentar që pregadisnin për të, mbante titullin Rrënjët. Është fjala për një shqiptar të asimiluar përnga gjuha, si pasojë e martesave të përzjera, edhepse shpirti i tij, ndjen dhe flet shqip. Asllani na pret në shtëpinë e Xhemiles. Aty është edhe Niku, bashkëshorti i saj. Së pari dëshirojnë ta dimë kush jemi, e nga jemi. Është  kurreshtar dhe i preferon shakatë. Hungarezët sipas tij, kanë një krenari të atillë kombëtare, që shkon deri në nacionalizëm. Nacionalizmi i tyre, megjithatë, nuk është primitiv, siç ishte ai i shkijeve të Shkupit,  Beogradit apo Moskës, që rrokën armatimin e rëndë të prodhimit sovjetik, intolerancën, dhunën dhe terrorin kundër shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë, rumunëve të Transnistrisë, çeçenëve e boshnjakëve, duke ua mveshur do epitete që duheshte t’i mbajnë për vete: “terroristë” dhe “fundamentalistë”.

Termi maqedon në Rumani, përdoret vetëm për vllehët

Për t’u larguar ca nga tema, po shtojmë për herë të parë faktin, se boshnjakët, përveç gjuhës, nuk kanë gjë të përbashkët me sërbizmin. Ata janë vllehë që e përqafuan islamizmin, njësoj siç e përqafuan këtë fe, edhe një pjesë e vllehëve meglenitë, të ndodhur mes  Selanikut dhe Gjevgjelisë. Sot e kësaj dite, në zonat më të larta malore të Bosnjës, gjen fshatra ku flitet vllahisht, ndërsa dëshmi për këtë tezë të qëndrueshme, qëndrojnë raportet e gazetarëve përgjatë luftës, ksilofonia e tyre, si dhe toponimet e bjeshkëve: Durmitor, Vllahia, Romania etj. Në këtë kontekst relacionesh interetnike, vlen të përmendet për herë të parë, edhe një fakt tjetër: Edhepse flasin shkinisht, serbët e Krajinës së Kroacisë, nuk janë serbë por rumunë të serbizuar të Luginës së Timokut, të cilët i pat përzënë Serbia për shkombëtarizimin e kësaj zone, ku edhe sot e kësaj dite, në trekëndëshin Nish-Beograd-Klladovë, gjenden.rreth 300 fshatra të banuara me rumunë. Nuk e dimë në e dinë ata të NATO-s,  këtë komedi ballkanike. Se nuk e kanë asnjë kishë, asnjë shkollë dhe asnjë gazetë në gjuhën amtare, kjo është djallëzi qesharake, e primitivizmit politik të Beogradit.

Ndoshta është dashur të bëhen me kohë publike këto fakte, megjithate, më mirë vonë se kurrë, sidomos në këtë ditë solemne (5 shkurt 2003), kur eliminohet përgjithmonë nga harta e botës,, sintagma Jugosllavi. As maqedonët nuk janë sllavë, ndërhyn njëri prej nesh. Nëna ime ishte maqedone. E quanin Maria dhe fliste vllahisht, shton Asllani. Termi maqedon në Rumani, përdoret vetëm për vllehët. Tjetër punë është ajo se sllavët ua vodhën vllehëve dhe shqiptarëve, edhe trojet, edhe flamurin, edhe emrin. Flamuri i Maqedonisë, me diellin, herë me tetë e herë me dymbëdhjetë cepa, faktikisht është flamuri i motshëm i vllehëve të lashtë, që s’ishin kush tjetër, veçse vëllezërit e shqiptarëve. Urdhëroni e shkoni në Nizhopojë e fshatra tjera të Manastirit, ku pleqtë ende e përdorin sintagmën: Vllahu është vëlla. Janë këto argumente shkencore, që as topi i gjermanit nuk mund t’i luajë.

I amortizuar është shpirti i atyre që s’e lexojnë shtypin e përditshëm

Derisa i prezentojmë këto burime të shkëputura nga shtypi, e të dëgjuara nga populli,  na kujtohen fjalët e një shqiptari nga Zvicra: “Çfarë shqiptarësh janë ata që hedhin nam frangash për faltore, dhe s’e blejnë një gazetë shqipe! I amortirizuar është shpirti i atyre, që s’e lexojnë, shtypin e përditshëm.!” Për të mos ikur nga tema, regjizori i filmit shton faktin se fati i Asllanit, me një babë shqiptar nga Gjonovica dhe me një nënë vllahe, po nga ajo anë, është i ngjashëm me fatin e një nobelisti shqiptar, Ferid Murati, i biri i një babai shqiptar, nga Llakavica, dhe i një nëne amerikane. Merre me mend, vazhdon zoti Alush Kamberi, shqiptarët janë i vetmi popull i Ballkanit, që kanë dy nobelistë: Nënë Terezën dhe Ferid Muratin, edhepse të parën, mundohen ta bëjnë vllahe, do vllehë të shitur të Shkupit. Dua të vi ta shoh Gjonovicën, ndërhyn Asllani, dhe shton se e ëndërron këtë fshat, siç ishin para pushtimit osman fshatrat shqiptare të Sharrit e të Pollogut: me nga një kishë në mes, dhe me një ekologji të atillë, siç e kanë sot disa qendra katolike të Kosovës, të Zvicrës e të Italisë.

Duke shprehur interesim për jetën e bashkatdhetarëve tanë, Asllanin e emocionojnë fjalët e regjizorit lidhur me Ferid Muratin: “Shkuam deri në Amerikë për të realizuar një film dokumentar për të. Portreti i tij ishte në çdo kat të spitalit të Hjustonit. Posa u njohëm dhe ia prezentuam vendlindjen, zoti Murati na pyeti. “Po qe se vi në Llakavicë, ka kush të më presë atje?”. Do të Ju presin krejt shqiptarët, i themi, ngase nuk ka shqiptar që nuk flet për Ju. Ju i keni bërë nderin më të madh popullit shqiptar, përmes punës shkencore që keni bërë, përmes titullit dhe çmimit që keni fituar. Pos shqiptarëve, askush tjetër në Ballkan, nuk ka dy nobelistë, dhe kjo nuk është gjë e rastit”. “Po a mund brenda një dite, ta shoh, edhe Tiranën, edhe Llakavicën, dhe të më mbetet kohë, për të vajtur edhe në Marok?”, pyet më tej Ferid Murati, zbuluesi i viagrës. I thamë se të vështira janë rrugët e Ballkanit, për t’i realizuar këto tri dëshira, por do të intervenojmë te ata të NATO-s, që të ju sigurojnë një helikopter, në relacionin Tiranë-Gostivar. Dha Zoti, që këtë punë, e realizoi kryetari i Shqipërisë, i cili e shpalli Qytetar Nderi dhe ia mundësoi ardhjen me helikopter, nga Tirana e deri në Gostivar. Ate që kemi parë atë ditë, mund ta shihje vetëm në ëndërr. Rrugët e Llakavicës, dukeshin si të shtruara me qylim. Askush nuk mund ta harrojë momentin, kur u ngjit në binë Ferid Murati, dhe kur nisi të qajë si fëmijë, duke parë gjithë atë masë shqiptarësh, që kishin ardhur për ta parë, për t’i uruar mirëseardhje, për ta përshëndetur”.

Edhe një pikë gjaku shqiptar sikur ta kishte, malli i tij ndaj Shqipërisë do të ishte i pakufishëm

Derisa i përshkruan këto momente, Asllanin e kaplojnë emocionet  Ia tregojmë albumin me fotografitë e Ferid Muratit. I shfleton ato dhe thot:  “E shoh në fotografi këtë njeri, dhe e parandjej se çfarë shpirti të shenjtë mund të ketë. Edhe një pikë gjaku shqiptar sikur të kishte, malli i tij ndaj Shqipërisë do të ishte i pakufishëm. Edhepse kam lindur në fushë, mburrem që po zbres nga malet. Të lumtë o Zot që i bëre kaq të bukura, malet e Shqipërisë!”. Asllan Saliu jeton dhe vepron në Krajovë. U rrit si jetim që nga mosha trevjeçare, por në shpirtin e tij, thellë e ruajti dashurinë për rrënjën dhe truallin shqiptar.

Ndjeshmëria poetike dhe profili i tij moral është i hatashëm. Botoi qindra poezi në revistat më të njohura të Krajovës e Bukureshtit, së pari me pseudinimin e stërgjyshit të tij: Dan Kalisi. Ka të gatshme për botim dy vëllime, kryekëput me motive shqiptare, por ende nuk arriti t’i botojë, si pasojë e krizës ekonomike. Poetët e mirëfilltë janë të prekur nga flatrat e engjëllit, dhe bën kob, kush ua han hakun dhe kush tallet me ta. Shqipëria, Vallja e shqipeve, Kodrat e Krujës, janë tri nga treqind vjershat e tij ku defilon horizonti i shenjtë, i atdheut të Skënderbeut, këngët e amshueshme të djepit, foletë e lashta të shqiponjave, lindja dhe perëndimi i diellit përmbi shkrepat e Shqipërisë.

Në to vlon gjaku që i lulëzon ullinjtë në kodrat e Krujës, rekëtijnë zemrat e barinjve të diellit që shkojnë pas lotëve të vjelësve të yjeve. Aty është kënga që e shndrit rërën, natën deri vonë. Asllan Saliu është një krijues i mirëfilltë, i diasporës shqiptare. S’e di asnjë fjalë shqipe, por mburret se është shqiptar. Në pyetjen nga i vijnë frymëzimet poetike, na jep një përgjigje metaforike: “Në botë ekzistojnë dy lloj njerëzish: poetët, dhe të tjerët. Poezinë e krijon vetëm një elitë, një pakicë. Fjala e tyre është e errët, që të tjerët s’e kuptojnë. Frymëzimet e zgjedhin shpirtin e njeriut të veçantë. Nga qielli,  ato zbresin mbi malet e Shqipërisë dhe prej atje vijnë te unë, te ti, e te ata që e bëjnë botën më të lumtur”.



(Vota: 47 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx