E premte, 02.05.2025, 12:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Magjijim i vargut të bukur

E diele, 27.07.2014, 12:09 PM


POEZIA E BEZHANIT: MAGJIJIM I VARGUT TË BUKUR

Përkitazi për librin e fundit poetik:”Loja e hijeve” të Tahir Bezhanit

NGA QAZIM SHEHU

Tahir Bezhani,  poet nga Gjakova,  rendit në currikulën e vet letrare 12 vepra në prozë,  poezi,  studime të etnosit popullor. Pra,  ai është një personalitet shumëdimensional,  një njeri,  intelektual dhe krijues me interesa të gjëra. Libri ifundit “LojëHijesh”, mbetet një ngjitje estetike në krijimtarinë e tij,  një libër që na tregon energjitë e pashtershme dhe shpirtin rinor të autorit.

Sapo e mora në dorë këtë libër fillova ta lexoj dhe çova gjer në fund me kënaqësi,  po kur shkova në fund pata ndjesinë se libri nuk kishte mbaruar. E lashë aty,  në pritje dhe siç ndodh me vëllime të mira , libri sërish ma bënte me sy si një vajzë e bukur dhe m`u desh ta rilexoj sërish e të kuptoj se për libra të mirë ndodh gjithnjë një magji. Ato nuk mund të lexohen një herë, sidomos librat me poezi.

Dy cilësi themelore ka poezia e Bezhanit, cilësi që e mbajnë atë në nivelin e poezisë së mirë. Së pari poezia e Bezhanit buron nga shpirti,  ajo është e vetvetishme , vetanake,  nuk ngjet me askënd;së dyti kjo poezi është e figurës dhe ka një metafizikë që përcillet me një frymë të ngrohtë impulsive, të sinqertë,  këndellëse. Kjo tregon se Bezhani shkruan kur ndjen,  kur ka diçka për të thënë,  shkruan rrallë,  nuk ngutet,  por kur ai del në publik tërheq vëmendjen dhe na thotë natyrshëm:erdha , ashtu siç vjen një tufë rrezesh dielli pas një shtërngate. Pa e tepëruar   me cilësime të tilla,   mund të themi se Bezhani renditet sot në radhën e atyre poetëve seriozë,  të kultivuar, pa kërkuar bujë po që e fiton dashamirësinë e shumë lexuesve dhe miqve natyrshëm.

Libri në fjalë me dy cilësitë e mira që përmendëm na e sjell gjithnjë atë përjetim të individit të sotëm në një terren që shket, atë përjetim ekzistencial të këtij individi që kërkon realizimin e vetes tek e bukura,  që vuan trysninë e mediokritetit dhe tjetërsimit. E prej kësaj shkaktohet një brengë,  trishtim,  mospajtim, kundërshti voluptive dhe një turravrap drejt së mirës , së bukurës. Poezia e Bezhanit edhe në vëllime të tjera , po më së shumti këtu , e mbart gjithnjë qenien njerëzore të një treve të caktuar,  po gjithashtu edhe dimensionin universal,  kur përmes vargjeve të shkrifët plot kadenca e ritme të shpejtë jepet imazhi i jetës, herë si trallisje ndaj së bukurës,  herë si kujtim dhe herë në kthetrat e vetmisë ose përmes përfytyrimeve që sjellin një botëndjerje gjithë xixëllima të shpirtit që kërkon të realizohet.

Tahiri i thur ca kode të fjalës natyrshëm,  ai e vendos veten përballë kohës, vendit,  përballë territ,  drejt kërkimeve universale,  e nga kjo ngrihet e merr jetë imazhi gjallë i poezisë, imazh që përcillet përmes vargjeve delicate,  sa , nganjëherë , të duket se konstrukti i tyre do të thyhet nga pesha e brengave dhe mendimeve. Por nuk mbetet kështu,  pikërisht kjo butësi, ëmbëlsi,  dashuri,  është forcë,  veprim,  përpjekje universale dhe qenësi e habitshme. Duke i lexuar titujt e poezive:Piskamë, Mall i heshtur, Rrugët e zbrazta, Dera e mbyllur, Klithmë e ikur, Prushnajë, Gur i ndrydhur, etj,  krijohet një mozaik tematik i cili të fton ta lexosh me patjetër poezinë që në nisje.

Pasi e lexon çdo poezi  vë re se titulli ka qenë një ftesë e bukur, e cila vetiu të ka çuar në një gosti sa të hareshme aq edhe serioze,  ku në vend të verës së vargut  pive aromat e jetës, ashtu siç ndodh rrallë me poetë të mirëfilltë që titujt nuk i vendosin për tërheqje pragmatike, përkundrazi.

Poezia e Bezhanit me kohë mbetet një poezi e përfytyrimeve sa të zakonshme aq edhe trallisëse,  ajo e thith lëngun e truallit ku autori është mëkuar,  truallit të begatë të Gjakovës ,  por kurrkund ai këtë truall nuk e sjell si dekoracion,  as si përshkrim,  por gjithnjë si një vetëndjerje të bukur , e cila impulson përmes vargjeve të shkurtra gjithë gjallësi , sa të duket se je në një mëngjes pylli duke dëgjuar një alternim të cicërimave të zogjve në një freski joshëse. Si e tillë kjo poezi të afrohet pa u ndjerë si një kaprolle e bukur, zbritur nga largësitë e çetinave dhe vështrimi i saj loton e loton.

Karakteristikë kryesore e poezisë së Bezhanit është çlirimi i poezisë nga një metrikë klasike dhe gjithë organizimin metrik e ndërton dufi poetic,  ndjenja dhe fuqia imagjinative. Kjo lirësi e bën këtë poezi të lexohet si një frymë, si një nxjerrje e menjëhertë,  ashtu siç vjen papritur një tufë zogjsh dhe trazon ajrin. Fjala çlirohet nga prangat e të menduarit dhe krijon raporte asociative të afërta dhe të largta,  fjala merr flatra dhe trazohet në prushin e një shpirti të vetvetishëm dhe human. Kjo e bën poet të dallueshëm,  refleksiv e meditative,  i jep poezisë së tij peshë dhe forcë,  duke e sjellë atë nëpër perceptime të shprehjes moderne. ”Një mall rrugëton/rrugëve të vetmisë/thith kohën shterpë/ëndërr e vonuar…”Tridimensionaliteti kohor dhe gjithëkohësia shkrihen në poezinë e Bezhanit për të sjellë kahjen moderne ku vendoset qenia njerëzore,  ndaj poezia e tij mund të lexohet si e djeshme e sotme dhe e ardhme. ”Nata një shekull e gjatë/varur në tiktakun e orës. . ”Vini re sesi një çast kohor, një ndarje,  zgjat një shekull dhe matësi kohor lëviz dramën e pritjes së diçkaje. Përmes simbolikës dhe metaforës së natyrshme që Bezhani nuk e kërkon por ajo i vjen vetë përmes frymëzimit jetësor, autori shpalos dramat e mungesës së lirisë për njerëzit e atij Rrafshi,  kërkimet e pamundura të së mundshmes dhe kërkimet e mundshme të të pamundurës. Nga ky konflikt i thellë midis ëndrrës dhe zgjëndrrës,  midis afrimit dhe largimit , autori e mpreh nervin social dhe etnik të fjalës pa kaluar në retorikë të hapur po duke na e sjellë fatin e kombit dhe indivit të lidhur pazgjidhshmërisht.

Duke qenë poet i përimtimeve të spikatura  dhe i detajeve që thuren nga një mendim emocionues,  poezia e tij sa ç`është e thjeshtë aq edhe lexohet intelektualisht, sa ç`është e kuptueshme aq edhe mbart thellësi të mistershme të vargut duke potencuar magjijimin e fjalës së bukur. Sepse , siç thotë Lorka,  poezia nuk është gjë tjetër veçse bashkimi i dy fjalëve që krijojnë mister. Dhe ky mister gjendet tek bashkimet e fjalëve në konotacione lakuese tek poezia e Bezhanit , duke na esjellë herë pas here ëndjen e bukur për rikthim pasleximor.

Realizimi i këtij misioni,  natyrisht është shenja e një talenti të pjekur, E një poeti të metaforës që këtë figurë e ka të tijën dhe loz me të artistikisht , po edhe i kontrapunkteve, thyerjeve të befasishme që deraportojnë rendin e zakonshëm të shprehjeve standarte. Bezhani nuk e kërkon metaforën,  ajo vjen , ai nuk e stolis vargun me gurët e saj të çmuar, po vargu gjithnjë ndihet i stolisur,  kjo është veçori e imagjinatës dhe prirjes së tij të brendshme. Gjithashtu figura tek ai nuk fluturon për të na sjell gjëra prej të cilave ne duhet të çuditemi, jo; ne ndjejmë peshën e figurës si thellim të mendimit.

Duke qenë poet që kap aspekte të zakonshme të jetës,  çaste të thjeshta,  përjetime vetanake, për jetën,  vetminë,  për bashkëkohësit dhe kohën, ai arrin që këto çaste vetanake t`i bëjë tonat,  t`i sintetizojë dhe tu japë jehonën filozofike të kuptimësisë duke i shtrirë në rrafshe të gjalla e duke u dhënë jehonën e duhur. Kështu poezia e tij shtrihet në trajtën e një monologu që mbart peshën e kërkimeve dhe përjetimeve të gjalla,  konkrete,  plot dritë dhe emocion rrënqethës. ”Kot hesht brendësive/kujtimet ndrydhin mendimet, /piskama dëgjohet larg…Brengat shprushin, /plagët mbuluar, /durimi shkrihet në kore gjaku. . ”Mund të sillnim me dhjetra shembuj  vargjesh të tillë ku nënshtresat kuptimore vijnë e mbyllen përmes figurës duke u hapur pastaj në komentet tona për to. Pra,  kjo e bën poezinë e tij , vargun përgjithësues dhe ia heq elementin rrëfyes duke tentuar dhe ia arritur ta rrëfejë jetën në parakushtet e ekzistencës së saj. Në këtë kuptim,  poezia e Bezhanit bëhet si një kambanë e vetes dhe e kohës e cila e ka ruajtur gjuhëzën mos ia presin , as mos ia vjedhin. Këtë kambanë ai e ndjen të varur në varg, sepse ndjen:”Në gjuhën time, /dridhavajeve të jetës, /nëpër çaste të ankthshme, /zhurmë e shurdhët, /brenda palcës sime…”Kjo sintagmë të shprehuri shpesh i jeppoezisë së tij një ton elegjiak, vetëndjesi që shkkrihet në dënesën e largët të një kujtimi, dhe kujtime që qepin indet e tyre me penj të fortë të durimit.

Tahir Bezhani është një nga poetët më të mirë të Gjakovës dhe të Kosovës sot. Poezia e tij dallohet për ndjenjat që shpërthejnë si një fontanë pas kërkimeve të gjata, poezia e tij ngroh zemrat njerëzore dhe të shtie në mendime. Ajo nuk është cerebrale, e ftohtë,  e arsyetuar deri në maniakëri për të arritur me zor modelimin e të dukurit moderne siç bëjnë shumë poetë, përkundrazi ajo është e sinqertë , nga ajo buron dhimbje,  mirësi,  dashuri,  patriotizëm ,  vuajtje dhe krenari. Shumë ndjenja të pastra derdhen dhe formëzojnë atë,  larg shtirjes dhe dukjes për dukje. Tek i lexon të duket vetja se je në një pyll me lisa në Shkukëz të Gjakovës prej nga ndihet flladi i një mbrëmje verore qetësia që shtrihet pafund fushës së Rrafshit duke u dridhur pakëz nga nuancat e ngjyrave të dritave të qytetit të Gjakovës. Sepse është një poezi tejet humane duke e sjellë përputhshmërisht shprehjen:sit ë jetë poeti njeri ashtu mbetet edhe poezia e tij.

Poeti Lulëzim Logu do shprehet për të:”Krejt poezia e Bezhanit është një fushëbetejë e dashurisë njerëzore përballë territ dhe ofshamës së fatit…”Poetë të tjerë si Sejdi Berisha,  Muharrem Kurti,  Fatmir Terziu,  Mujo Buçpapaj, Halil Haxhosaj, etj,  janë shprehur për poezinë e Bezhanit me konsiderata maksimaliste,  duke nxjerr në pah karakteristika të poezisë së tij.

Libri i fundit me poezi përbën një arritje për poetin,  një kuotë të re ku ai ka arritur,  natyrisht,  ne kemi besim se kjo nuk është e vetmja kuotë për të. Kuota të reja presin. Arti i fjalës poetike nuk ka fund,  po gjithësesi ka përherë një nivel që të trondit. Dhe me këtë libër autori gjakovar ka arritur një libër të nivelit të mirë artistik gjithnjë në shtratin e stilit dhe  trilleve poetike ,  po duke e përsosur atë më tej…



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx