Kulturë
Krasniqi, Gashi dhe ZSH: Ndërroi jetë poeti ynë Shaban Cakolli
E hene, 28.07.2014, 09:00 PM
Poeti dhe miku ynë iku krejt papritur. Asnjëherë nuk gjendet një kohë e përshtatshme për të ikur, por kjo ikje është me të vërtetë e parakohëshme. Shaban Cakolli la shpirtin poetik në ''Tokën Dardane'', megjithatë ''Loti i Atdheut'' pikon.
Arti yt poetik do të jetë gjithmonë me ne. Faleminderit Vëlla. Nder për ne bashkëpunimi me ty. Qofsh pranë Zotit!
I shprehim ngushëllimet më të përzemërta familjes së poetit tonë, miqve, krijuesve e lexuesve.
__________
Shaban Cakolli u lind në Krilevë të Dardanës (ish-Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse studimet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Me shkrime ka filluar të merret që në fëmijëri. Shkroi poezi, prozë dhe publicistikë. Shkrimet e tij janë botuar në gazeta dhe revista që botohen në Kosovë dhe diasporë.
Ka botuar vëllimet poetike:"TOKË DARDANE", "LOTI I ATDHEUT", "DETI I QIELLIT", "KRISMA E FJALËS" dhe ''AGSHOLI".
Kishte në dorëshkrim edhe disa vëllime tjera. Disa nga shkrimet e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, kroate dhe turke. Është përfshirë në antologji gjermane dhe disa antologji poetike shqipe në Kosovë dhe diasporë. Ishte Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani (LSHAKSH).
__________
Agim Gashi: Lajmi që më tronditi
Me një dhimbje që nuk krahasohet, sot mora lajmin e kombshëm, se paska ndrrue banesë miku im, poeti Shaban Cakolli.
Kjo dhimbje dhe ky dëshprim, zymtoi ditën e parë të kësaj jave, zymtoi Festën e Bajramit dhe atë e mbushi me lot e dhimbje.
Familjes e të afëmëve, miqëve e lexuesve të veprave të Shaban Cakollit, me plot dhimbje i bashkohem lotit të përbashkët dhe ndaj dhimbjen me të gjithë Juve, njëherit duke Ju shpreh ngushllime për humbjen e birit, bashkëshortit, babait, mikut e poetit tonë.
Sot ne humbëm një njeri të ndritshëm, një mërgimtar plot dhimbje e mall për atdheun, një poet me plot vargje të dala nga shpirti i Tij njerzor, një pishtar të dijes që ndriqoi atdheun e kombin deri në frymën e fundit.
Natyrisht, ditë si këto, kur humbim pishtar të dijes e dritës, ngrejnë vellon e zezë, shpejtojnë rrjedhen e lotit, por edhe krenohemi që kishim një njeri me vyrtyte të larta njerzore si Shaban Cakolli.
Jam i sigurtë se ata që e dashten pa hile Shabanin, do të qëndronjnë denjësisht si një krah i ngrohtë dhe mbështetës për familjen që në këto momente ka nevoj.
Përqafime dhe ngushëllime të përzemërta për familjarët dhe miqët me të cilët ndaj dhimbjen, por mbi të gjitha, i përjetshëm qoftë kujtimi për poetin e mërgimit dhe u prehtë në paqe!
Me dhimbje e lotin në rrjedhë
Agim Gashi
Düren, 28.07.14
__________
Demir
KRASNIQI: In memoriam - Vdekja e Shaban Cakollit
Natë Bajrami – ditë Korriku ,
Mora lajm se na vdiq miku !
Jetë madhështore – jetë e shenjtë ,
More mikun ma të shtrenjtë !
Mik i dashur , o Shaban –
Ne të pritnim për Bajram ,
T’ festojmë bashkë e t’ bëjmë pushim ,
Por , Ti ike në amshim !
Miku ynë - Shaban Cakolli –
Mbet legjenda e këtij trolli !
Thuri vargje për këto treva –
Me te mburret gjithë Krileva !
Me ty mburret mbarë Gollaku –
Birë bujari , derë konaku !...
Me ty mburret mbarë Kosova ,
Gjithë shqiptarët dhe diaspora !...
Ti, po shkon sot në amshim ,
Por , shumë vepra na i le kujtim ,
Që t’ kujtojmë e t’i lexojmë –
Kurrë për jetë mos të harrojmë !
Shumë herët prej nesh u ndave –
Zemrat tona seç na i thave !
Ishe trim dhe burrë besnik –
Mburremi që t’ patëm mik !
Ishe pena e Malësisë ,
Udhërrëfyes i urtësisë !
Thure vargjet e lavdisë –
Për gjithë bijtë e shqiptarisë !
Pusho i qetë , biri i Nënë – lokes ,
T’ qoftë i lehtë dheu i Kosovës !
Veprat tua s’i kalbë dheu –
Me Ty, mburret gjithë Atdheu !
Gjilan, e Diele , më 27.07.2014.
( Nata e Fiter Bajramit )
________
CIKËL POETIK NGA SHABAN CAKOLLI:
ELDORADO
Aty sundon vetëm një stinë:
gjethet thahen
në bebëz
ku bën vapë tropikale.
Aty mbretëron vetëm një kohë:
Doruntina do t´mbetet pa u martuar
se treqind krushq
kanë humbur rrugën
deri te shtëpia e saj.
Çika potureshë këndon
balada
me një kurorë gjaku në kokë.
El Dorado është
ëndrra jonë shekullore
MALLËNGJIM
Motra kur u bë nuse
hapi portat e ngujuara
të një stine të re.
Qerrja e kuqe me katër rrota kohe
kaloi mbi fëmininë e saj.
Motra iku!
Ç´zog do të këndojë
në drurin e manit
mallin e saj.
PËLLUMB I HUAJ
Ai nuk e njeh
qiellin tim
që e ruaj në bebëz.
Di të fluturojë
vetëm mes reve me tym
që na i ngulfasin
mushkëritë tona fshatare.
Më kot shikojmë nga qielli
ai asnjë lajm nuk do t´na e sjellë
nga shtëpitë tona mbuluar me mall.
Edhe gugatjen
e ka në gjuhë të huaj
As dreqi s´i merr vesh
figurat që bën
tek fluturon nëpër qiell.
Më mirë është t´ia vënë
një degë dafine në sqep
dhe të lutemi të na sjell paqe
në këtë globin tonë
gjysmë tokë
e gjysmë ujë loti
ARBËRIA
Më e moçme se Hëna është Arbëria,
rrënjët i shtrin
tek mitet ilire
ku perëndesha Dea
qumësht i jep
gjarpërit të shtëpisë.
Ëndrrat arbërore
me Qerren e Diellit
udhëtojnë
për të pushuar
në svastikën
e djepave tanë.
Derisa flenë arbërorët
dy shqipe të pagjuma
ëndrrat na i ruajnë
netëve me hënë.
EMËR I NEMUR
Udhëtarë të territ
hyjnë dhe dalin
nga dera në derë
ecin për teh të thikës
duke u përpjekur
të kërcejnë në humnerë
hapur në anatemë
si fëmijë të humbur
thellë në pyll
lajkash e trishtimi
U lexohet në dritën e syve
mallkimi i territ
ngrysen e gdhihen
me një vel mërzie
Nuk kanë shteg as prag
s'dijnë kah nisen,
as ku ndalen
me këtë rrugë muge
emër të nemur
gurbet
LOT KOSOVE
Sllav e shkja
dhe djalli i zi
na lakmuan edhe gjelbrimin
e fushave tona
në sy
As me vetëveten s’ lanë
të flisnim njerëzisht
për njerëzimin
se njerëz s’ishin
Shkilnin tokën tonë të bukës
me thundrrat e tyre
me brirë therrnin
qiellin e kaltër
të bebëzave tona
Zjarrin që ka Kosova
për liri tund dheun
dhe shpërthen
deri në qiell
duke djegur e pjekur
mustakët e miu
në fytyrat satanike
Kur shiu i lotëve pushoi
rreze lëshoi liria
dhe me foshnje u mbush shtëpia.
PËR TY DRITË
Flakadan lirie
që n driconte nëpër zemrat tona
me shekuj
Shekull pagjumësie
është ky
ç’ të bëjmë me ty
në cilin qerpik
si në shandan
të vëmë
në cilin qiell
të bebëzave tona
të grisura
Tokë e shenjtëe
e Kosovës
me këtë florë
të kuqe gjaku
me xixëllonja stralli
që dalë kanë
nga nga limfa jonë
KUR MA VRANË KËNGËN
Unë, rrapsodi i harruar
këngën e kam pëlcitur
në një kohë të perënduar
jehonën e saj e lashë peng
anë e kënd nëpër Dardanë
por, atë ditë që nga nëna më ndanë
shpirtin ma dogjën dhe këngën ma vranë
BETIM NË VETE
Nuk ndahem gjallë
prej teje
gjaku im je ti
nëpër dje
dhe vetëm për ty
vdekjes përballë i rri.
DARDANIA
Trupin në valë
emrin në flakë
Dardania plakë.
Në valë-nuk mbytet
në flakë-nuk kallet
jeton-nuk ndalet.
Në gjak -ujitur
plagosur në zemër
prap jeton-ka emër.
Erdhi nëpër furtunë
trupin-flori
emrin-LIRI.
POETI
Nuk e di
nëse trupi i pikon gjak
por e di,brenda tij
kallet një oxhak
Në mes mallit e dhembjes
urnë që kallet
digjet në heshtje-bëhet prush
dhembjet e tij
s´i kupton askush!...
KITARA E FJALËS
Prej se jam lindur
jetën e ndjej dhe e
mbaj në mend mirë
ashtu si ishte
dhe kështu si është
e jo si desha unë
por s´i deshi ajo.
E IMJA ËSHTË KJO TOKË
Çka shohin sytë
Dhe shumë më përtej
Janë trojet e mia
Gjaku i diellit tim
Çka shohin sytë
Dhe shumë më përtej
Është qielli im
Është mhënë e atdheut.
Çka shohin sytë
Dhe shumë më përtej
Është fusha e rrafshët
Udha e dy Drinëve.
VENDI IM
Natë për natë shëtis
nëpër kosmosin me hënë
buzë lumit të atdheut
pranë arave dhe kopshteve
malli s´ikën nga unë
as kur hëna ikën
prapa gjelbërimeve
ORA JONË
Gjurmë pas gjurme
bjeshkë pas bjeshke
na ndoq sopata shpatën
nëpër shekuj
Këtu varrë e atje varrë
më bëhet shpirti mulli ere
në skëterrë pas skëterre
deri kur të bredh me bredh
kështu,o shpirti im?
nga të palarat
e botës pelim
Këtu s' jam
atje s’më lënë,
o nënë
qenia ime e ndarë në dysh
në udhëkryq