Kulturë
Shpendi Topollaj: Tahir Bezhani pikturon brengat
E diele, 27.07.2014, 12:12 PM
TAHIR BEZHANI
(Rreth librit me poezi “Lojë Hijesh”)
NGA SHPENDI TOPOLLAJ
Për vlerat e larta njerëzore dhe atdhetare të Tahir Bezhanit më pati folur miku im Jak Mandrea (Gjergji) tek i cili ai familjarisht u strehua kur ngjau ai krimi i përbindshëm i ushtrisë serbe të Milosheviçit ndaj motrave e vëllezërve tanë kosovarë. Tregues i qartë i virtyteve të tij ishte dhe ruajtja e paprekur e një miqësie të sinqertë, vajtje - ardhjet mes tyre, sa në Durrës e sa në Gjakovë dhe respekti që ata manifestonin për sho - shoqin në çdo bisedë që bënin. Kurse vlerat e vërteta intelektuale, talentin gjithmonë në rritje dhe shqetësimin qytetar për fatet e Kombit të këtij burri fjalëpak, por që ruan gjithë atë zjarr brenda vetes, ashtu si ai prushi poshtë hirit, i mësova nga librat e tij të shumtë që pasi i botonte, nuk vononte të m`i dërgonte.
Sa herë takoheshim, ai në heshtje m`i ngulte ata sytë e menduar, sikur donte të më pyeste se si t`u duk libri im. Dhe e ndava mendjen, të shkruaj diçka për krijimtarinë e tij sapo lexova përmbledhjen e porsadalë nga shtypi “Lojë hijesh”, redaktuar nga poeti i njohur zemërmadh i Tropojës, Lulzim Logu, i cili me të drejtë e quan Tahirin një kalorës të paepur dhe të pandalshëm drejt ardhmërisë së përbashkët kulturore dhe jo vetëm.
Autor i disa monografive mbresëlënëse, gjurmues i fjalës së mençur popullore dhe veçanërisht i shumë librave me poezi, ku spikat dashuria për njeriun, për vendlindjen, himnizimi i jetës dhe stigmata e së keqes, Tahir Bezhani sot ka zënë vendin e vet plot dinjitet, jo vetëm te plejada e krijuesve të njohur gjakovarë, por shumë më gjerë. Ai, me vullnetin dhe këmbënguljen e tij karakteristike, ashtu pa u ndierë dhe me atë modestinë e tij të përherëshme, ka gdhendur autoportretin e tij artistik në sytë e lexuesve kudo që të ndodhen. Në odën e madhe të poezisë shqipe, ky bir i Smolicës është ulur këmbëkryq krahas penave të tjera të nderuara, çka e vërteton edhe përfshirja e veprës së tij të zgjedhur në “Antologji(në) e poetëve të Malësisë së Gjakovës”.
Ngado që
të burojë poezia, e çfarëdo shkolle a rryme që ajo të jetë, fundja edhe nga
çfarëdo sistemi politiko - shoqëror që të ketë dalë, përsëri, dy komponentët e
qenësishëm të saj që duhen analizuar, mbeten përmbajtja dhe forma. Natyrisht që
mësë shumti, në atë që po quajmë përmbajtje, do ndikojë pa tjetër, koha,
politika me shqetësimet e saj të paprera, gjendja ekonomike, aspiratat,
ndjenjat, impresionet, reminishencat etj. etj. ku edhe vetë mosha e poetit ka
rolin e saj. Unë jam i bindur se sikur Kosova të mos vuante nëpërkëmbjen
mesjetare të serbomëdhenjve, sikur fati historik të mos i shkaktonte popullit
të saj aq plagë, vuajtje, dhimbje e varfëri, edhe poezia e Tahir Bezhanit me
shokë do të ishte plot gëzim e dritë, plot optimizëm e dashuri. Por s`qe e
thënë: As vetë nuk e di se pse / Më vijnë qeshje të mbytura / Në vaj… (Nuk e di
pse). Dhe e gjithë kjo pasi edhe: … durimi përmbytej gjymtyrëve / Sa ishte
lodhur dhimbja me mua. (Lotim i djegur). Akoma më tej: Në mjegullën e mërzisë /
Valët e shpirtit qetësohen / Lulishteve të varreve… (Bardhësi e vuajtur). Epo,
ky shpirt i trazuar nga erozioni, kjo zemër e drynuar, ky shikim i gozhduar,
kjo bukuri e shëmtuar, madje edhe ky mall i varur në gozhdën e ndyshkur, a
s`janë mëse të mjaftueshme që poetit gjithçka t`i duket hije jete si anija para
fundosjes?
Dhe pastaj, pas sa e sa vitesh ndarjeje me tela me gjemba, kur sheh Zogajn, fshatin e nënës së tij apo Valbonën e magjishme, ai nuk përmbahet: Nuk desha të qaj / Më përmalloi gurgullima / Puhiza që përkëdhel / Si nëna fëmijën e saj / Fytyra më buzëqesh si në ëndërr / Malli më përvëlon, më përvëlon… (Loti në Valbonë). Ja pse vargu i tij çmendet, kur vegimet qëndisin fushën gungaçe të kujtimeve dhe ja pse i vetmi ngushëllim për të mbetet dasma e jetimit, ku gati bërtet: Bjeri tupanit sonte / Tupanxhi.
Dhimbja e poetit nuk ndalet këtu. Ai vajton ikjen para kohe të kolegëve të tij, Milianov Kallupit (Hajku sot ka ditë zie) dhe Ali Podrimes (Ti je gur trualli / Që të puthin / Mëngjeset e hershme).
Në ciklin “Letër babait” Bezhani shprehet te poezia “Dhoma ime” se ajo me rrëmujën e saj (po parafrazoj) ku gjithçka qan trishtueshëm, pret Van Gogun t`i pikturojë. Fare bukur. Por ai harron se edhe vetë, pa kuptuar është shndërruar në piktor. Dhe jo para ekspresionist si ai holandezi i shqetësimeve shpirtërore që e çuan te të marrët, por realist, i vërtetë, i arsyeshëm dhe me këmbët në tokë. Nga ata që gjithçka e pa me sytë e tij dhe tek e fundit që beson se ata që do të vijnë pas tij do vrapojnë pas bukurisë si Narcisi, por jo pa ndjenja si ai. Pjesë e kësaj bukurie të përjetëshme është forma që ky poet ka zgjedhur për të na zbrazur shpirtin e tij. Ka qenë dikush (Witgenstein) që thosh se “Fjalia shpreh ndonjë gjë vetëm kur është figurë.” Kushdo që e lexon librin e Tahir Bezhanit, fare lehtë e kupton se ai ka arritur një pjekuri artistike të tillë sa operimi me figura nuk të le të bezdisesh nga vargu i çrregullt. Sh. Baudelaire, autori i poemës “Lulet e së keqes” vërente se “e çrregullta, domethënë e papritura, e befta, habia, përbën një element thelbësor të së bukurës.” Poezia e Bezhanit i ka të gjitha këto elemente brenda saj, ndaj është aq e bukur dhe sidomos, aq e qartë.
Sidoqoftë, ai nuk i ndahet asnjëherë ritmit, kërkesës bazike të poezisë, sidomos tani që rimat po harrohen.
Nga ana
tjetër, Bezhani nuk bije në retorizëm, ai u shmanget fjalëve dhe shprehjeve të
fryra e stilit të rëndë.
Për të mjaftojnë fjalët e të mirit Sejdi Berisha se krijimtaria e tij ka bartur dhembje dhe vuajtje përmes rrëfimeve poetike që gjithnjë djegin e përcëllojnë brenda qenies së tyre. Pikërisht këto rrëfime na bindin se do të jetë më mirë.