Kulturë
Dan Kosumi: Romani ''Perandorët'' pushton Vjenën
E diele, 27.07.2014, 12:44 PM
ROMANI ’PERANDORËT’ PUSHTON VJENËN E KULTURËS EVROPIANE
Nga Dan Kosumi
Vjena, kryeqyteti i kulturës evropiane, ku janë rritur e kanë dalë artistë me famë botërore e ku, edhe shumë atdhetarë shqiptarë, njerëz e personalitete të letrave kanë marrë bekimin e parë, priti këtë herë me madhështinë e një vendi historik përkrahës të shqiptarëve, shkrimtaren nga Shqipëria, Majlinda Nana Rama.
Kjo pikëlidhje, aspak rastësore, duket se krijoi një simbiozë organike mes kësaj toke austriake dhe mesazhit që përçon autorja e romanit ‘’Perandorët’’më të përfolur kohët e fundit.
Ka qenë Ambasada e Kosovës në Vjenë, ajo që hapi dyert për të organizuar promovimin e romanit ‘’Perandorët’’, i cili erdhi aty pas suksesit në Shqipëri, Kosovë, Gjermani e Zvicër. Ndërkohë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë ‘’Aleksandër Moisiu’’ me kryetar Besim Xhelili, do të merrej me gjithë axhendën e aktivitetit, i cili, pati një sukses të paralajmëruar.
Në praninë e shumë krijuesve, Xhelili, si moderator i aktivitetit, do t’ja jepte fjalën përfaqësuesit të Ambasadës, Z. Bekim Halili. Ky i fundit, i uroi mirëseardhjen autores, duke u shprehur: ‘’Ndjehemi të nderuar nga prania juaj këtu. Dua të sjell përshendetjet e mia në emër të Ambasadës që unë përfaqësoj, duke shprehur njëherazi mbështetje në vazhdim për letërsinë, kulturën e artin që gjeneron vlera’’.
Një
vështrim profesional mbi romanin ‘’Perandorët’’ solli poeti Anton Marku, i cili
u ndal tek mënyra se si është ndërtuar romani, duke vlerësuar subjektin,
personazhet dhe strukturën. ‘’E kam lexuar me vëmendje romanin e Majlindës dhe
kam arritur të veçoj mënyrën me të cilën ka ndërtuar dialogun autorja. Ajo ka
folur me një gjuhë të thjeshtë, duke i dhënë kolorin e duhur subjektit.
‘’Romani ‘Perandorët’ ka në vetvete një korpus metaforik të zgjedhur, që të çon në thellësi të realitetit, duke lënë pak vend për imagjinacion, por shumë vend për reflektim. Majlinda ka ditur të skalisë mirë portretet e personazheve, duke u dhënë atyre larmi nuancash e dritëhijesh. Stralli artistik i saj ka ndezur shkëndija të reja në letërsinë tonë mbarëshqiptare dhe është një zë që duhet ndjekur. Majlinda ka sjellë një gjuhë të figurshme, me përshkrime, stile, konstrukt profesional për një botë romanore postmoderne, sic është romani ‘Perandorët’. Shkrimtarja nga Shqipëria është pjesë integrale e atij realiteti dhe, në këto kushte, ka vendosur të mos bëjë kompromis me të padrejtën, duke mbetur deri në fund vetvetja. Tek e fundit, ky është misioni i shkrimtarit, mision, të cilin Majlinda e ka kryer me sukses, duke na sjellë një prozë brilante, të një stili unikal në letërsinë e djeshme dhe të sotme shqipe’’,- ka vijuar më tej Kosumi.
Gjatë aktivitetit, poeti shkodran Ragip Dragusha dhe Jehona Sukaj, lexuan edhe fragmente nga romani.
Në fund të aktivitetit, fjala e përshendetjes iu dha autores, por kërshëria e të pranishmëve për të dëgjuar shkrimtaren në fjalë, bëri që bashkëbisedimi të zgjasë. Kjo mënyrë komunikimi i afërt, solli më të qartë përshtypjen për formimin dhe backgroundin e autores, çka bëri që të gjithë të iknin të kënaqur nga ky aktivitet mbresëlënës.