E diele, 10.11.2024, 07:41 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Drurët frutorë në Luginën e Devollit

E merkure, 21.05.2014, 07:05 PM


MBI TRADITËN E KULTIVIMIT TË DRURËVE FRUTORË NË LUGINËN E DEVOLLIT

NGA PËLLUMB GORICA

Panorama e Luginës së Devollit në Elbasan, veçoritë specifike të vendodhjes së saj, të shtojnë admirimin e thellë për bukuritë që të shpalosen para syve. Jo pak vendbanime të vjetra kanë mbetur në histori gojore, që dëshmojnë për lashtësinë e saj. Ajo karakterizohet nga klimë me ajër të pastër dhe të shëndetshëm e cila pasqyrohet në rrezatimin diellor, temperaturat e përshtatshme, reshjet e mjaftueshme. Kushte të favorshme për jetesë dhe kultivimin e bimëve bujqësore dhe drurëve frutorë, por edhe për mbashtrimin e blegtorisë, si një dhuratë e natyrës për banorët, të cilët kanë ditur t’i bashkojnë edhe punën e tyre të palodhur e këmbëngulëse. Lugina e Devollit ka një gjeografi të larmishme: Kalon rrjedha e poshtme e lumit Devoll. Shtrihet fusha, përrenj, kodra të valëzuara njëra pas tjetrës, që ndërthuren me brigje, qafa, shpate të pjerrta, ose siç njihen ndryshe, kodrat shkëmbore të Sulovës. Shekuj më parë, në pjesën më të madhe, Lugina e Devollit në Elbasan, territor i krahinës së Sulovës, ishte e veshur me pyje të shumta. Historitë gojore, dokumente historike, përshkrimet e udhëtarëve, flasin për pasazhe të këtij terreni të mbuluar me pyje. Poligloti Eqerem Bej Vlora, në botimin e tij “Nga Vlora në Tomorr”, viti 1906, faqe 154, shkruan: “Sulova me pyje të pafund e të dendur sa të hante syri”. Po ashtu edhe mikrotoponimia e arritur deri në ditët tona tregon për masivet pyjore, sepse edhe influenca e disa ligjeve të pashkruara respektonin pyjet, kullotat. Shumica e kodrave, në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas, u shpyllëzuan dhe në këto toka janë kultivuar e vazhdojnë të kultivohen drithëra buke, bimë industriale, pemë frutorë, ullinj e hardhi etj.

Historitë e shumta gojore, por dhe të dhëna të tjera si mikrotoponimet, drurë të moçëm, janë fakte që tregojnë se kultivimi i drurëve fturorë është i lashtë. Kjo bëhet më e kuptueshme kur dihet se kjo traditë është ruajtur e përcjellë brezave të sotëm me dashuri, për t’i shtuar me lloje e varetete të ndryshme. Sipas historive gojore, në shekujt e parë të pushtimit turk, si rezultat i lëvizjeve demografike, në Luginën e Devollit erdhën jo pak familje, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë, që sollën edhe një zhvillim të drurëve frutorë në llojshmëri, jo vetëm të mbjella pranë banesave, por edhe kopshtet, ara e buzë përrenjve. “Mbillnin pemë në ndarjet e arave pa zënë tokën e bukës”, “Çdo rrip toke ia rrëmbenin natyrës, dhe krijonin tarraca e mbi të cilat u mbollën drurë frutorë, vreshta e ullinj”, vijnë historitë deri në ditët e sotme. Më të përhapura: ulliri, hardhia, arra, mani, fiku, kumbulla, shega, thana, dardha etj. Një pjesë i mbollën në luginë, larg trojeve të banuara, ku bujqit kalonin vapën e drekës pas punës. Tregohet “se një sulovar fjeti nën hijen e një mani të moçëm, një ditë e një natë të tërë, pa u ngritur nga gjumi”.

Një ndër drurët frutorë të vjetër, që ka gjetur kushte shumë të përshtatshme zhvillimi dhe prodhimi në Luginën e Devollit është arra. Në sheshe, buzë përrenjve, anës arave dikur (dikur themi edhe para 30 vjetësh) gjendeshim me shumicë drurë të shumtë arrash, që arrinin trashësi 2 m dhe 30-40 m lartësi. Arra njihet si pema më fisnike në këtë krahinë e sidomos fenomeni i arrave binjake. Tregohet se kanë qenë disa të tilla, por më të njohura ishin “Arrat Binjake” shekullore në vendbanimet Kamuna dhe Selvijas, që u kthyen në toponime të njohura. Ato i bënë ballë tallazeve të shekujve zjarrit, rrufesë, por në vitet e kolektivizimit të bujqësisë (1955-1990) nuk i shpëtuan dëmtimeve, prerjeve.Për këto “Arra Binjake” historia tregon ngjarje, emra, vite. Eksploratorja britanike Edith Durham, në kapërcyell të shekullit të kaluar gjatë udhëtimt të saj në Shqipëri, do të kalonte edhe në Luginën e Devollit dhe teksa do të pushonte disa çaste nën hijen e “Arrave Binjake” në Kamuna do të shkruante: “Dolëm në një shesh të gjerë në mes të cilit gjendeshin dy drunj arrash të mëdhenj. Këtu suvaria (xhandar kalorës) ndali për t’u kënaqur me kujtimin e shenjave të plumbave në qitje me pushkë që kishin pasur bërë në këtë vend njerëz të ndryshëm. Një vit më parë dy katundarë, atë e bir qenë qëlluar nga të zotët e asaj shtëpie në kodër derisa u vranë të dy. Tani s’kish mbetur gjë veç qivuri i tyre, një grumbull i madh me gurë... Në çdo kryqëzim degësh të pemëve gjatë rrugës ka të vendosur nga një gur si shenjë për të përforcuar besimin e njerëzve. Ata vendosën mbi degët që të mos shkelin për çlodhje njerëzit e tyre të vdekur kur kalojnë fluturimthi. Ndër të gjitha rrugët ka shumë nga këta gurë, më duket se edhe qiraxhiu im vendosi një gur...” Edith Durham “Brengë e Ballkanasve’’ faqe 293-294. Një ngjarje tjetër e njohur në histori gojore, ka ndodhur në 1 shkurt të vitit 1925. Nga klika zogiste ishte vendosur për të eliminuar fizikisht mësuesin Salih Çeka në “Arrat Binjake” të vendbanimit Kamuna, për të ngatërruar si vrasës të tij, burrat e këtij fshati, që ishin kundërshtar me regjimin zogist dhe si mbështetës të Fan Nolit. Por në vend që ta vrisnin aty, xhandarët e ekzekutuan në “Arrat Binjake” të Selviasit’’. Gjithashtu tregojnë se në fshatin Mollas ka pasur me dhjetra drurë arrash, të cilët në kohën e kolektivizimit të bujqësisë u prenë pa mëshirë si lëndë mobiljesh për Kombinatin e Drurit në Elbasan.

Një dru frutor tjetër i njohur është edhe shega. Këtë e tregojnë përhapja e saj në të gjithë fshatrat, por edhe vjetërsia në formën e trungjeve të zgabëruar. Thuajse në ç’do fshat kultivoheshin edhe drurë frutor të gorricës, që më shumë përdoreshin si mbajtëse të hardhive në formën herek të pjergullave. Po kështu mund të flasësh edhe për thanën e cila ka gjetur përhapje në zonën kodrinore. Në vendbanimin e Qafës ka qenë e njohur “Thana me shtatë trupa”, por dhe “Thana e Madhe” në Topojan, për të cilën tregohen histori gojore, por më intriguese është ajo që tregon se “ushtarët italianë në vitet 1917, kur erdhën në Luginën e Devollit kërkonin “Thanën e Madhe" se “nën rrënjët e së cilës thuhej se kishte pa hesap flori”.

Ulliri gjatë shekujve, pavarësisht nga ngjarjet historike dhe nga ndryshimet shoqërore, është shtuar. Më këtë tregohet për një traditë të vjetër, një rregulli të pashkruar, që nga koha e Skënderbeut, që për çdo çift kur martohej mbillte ullinj. Ullinjtë e vjetër të mbjellë nga të parët e banorëve autoktonë në truallin rreth shtëpive si trashëgimi e familje të kamura, gjenden sidomos në vendbanimet: Qyrkan, Mollas, Kamuna, Selitë, Topojan. Kështu janë në kodrat e Mollasit “Ullinjtë e Çelajve, Ulliri i Koçit në Topojan, Ullinjtë e Masatit në Selitë, Ullastra në Dasar, Ullishtja në Skunaj etj. Në Qyrkanin e Sipërm janë dhjetra drurë ulliri të vjetër e të trashë, të zgavëruar nga koha, që mosha e tyre mund të jetë mbi 500 vjeçare. Ka pasur edhe në fshatra të tjerë, por fatkeqësisht janë shkatërruar nga ashpërsia e kohëve, luftrat, lëvizjet demografike, duke i zhdukur si gjurmë. Të ruajtura gjejmë mikrotoponimet e vjetra. Në vitet e periudhës së regjimit komunist nga specialistët e bujqësisë të zonës dhe të rrethit Elbasan u bë e mundur që të shpyllëzohen hektarë të tërë. Lugina e Devollit me tradita të kultivimit të drurëve frutorë e me kushte shumë të favorshme për zhvillimin e tyre, duhet të krijonte edhe blloqe të mëdha ulliri. Fakt është krijimi i blloqeve me mbi 30.000 rrënjë të Skunajt, Sutajt, Bregu i Mretes, kodra kurrizore në lindje të fshatit Mollas. “Bregu i Mretes”, dikur para 40 vjetësh ishte një pyll i madh me drurë jo frutorë si ngasje, shkozë, cërëmdel, mrete dhe shkurre të tjera që zhvillohen në këtë brez pyjor. Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, djersa e qindra të rinjve nga të gjithë fshatrat e Luginës së Devollit, nën parimin socialist:“T’u qepemi kodrave e maleve t’i bëjmë pjellore si fushat” e kthyen këtë kodër, si edhe kodra të tjera të saj, në një bllok të madh prej 20.000 rrënj, që formojnë kurorën e gjelbër të Mollasit. Historitë gojore flasin edhe për kulturën e vreshtarisë në formën e pjergullave, të veçuara në herek dhe mbi pemë në oborret e shtëpive, në fund të arave, kopshteve, në drurë të ndryshëm frutor arra, kumbulla, gorrica, dardha e jo frutor si lisa, shkoza, plepa, lejthata, ngasje me varietet të vjetër si: tajga e bardhë, hafuzali, pulsi. Hardhia është mbjellë në lloje e cilësi, duke iu përshtatur klimës së krahinës. Këtë e tregojnë edhe mikrotoponimet e ndryshme si “Vreshtas”, “Çorrush”, “Rrushtë”, “Vreshti i Ganiut”etj. Në vitet e kolektivizimit të bujqësisë, specialistët e pemtarisë konkretizuan idetë, edhe investuan për të krijuar plantacione me vreshta, por ndeshën në mentalitete kundërshtuese. Gjithsesi kjo nuk i pengoi ata të eksperimentojnë e më pas të krijojnë blloqe në Mollas, Kamuna, Floq etj. Janë të njohur “Vreshti i Shtodrit”, “Vreshti i Vilzës”, “Zhavuri”, “Graxhoi”. Dikur vite e shekuj më parë “Graxhoi”, ky toponim në Floq ishte një pyll i madh me drurë të ndryshëm e të dendur, të gërshetuara me ferra, driza, murriz etj, sa që tregonin se në mes të ditës, kur kalohej nuk shihej dielli. Po si rezultat i punës voluminoze me shpyllzimin që u krye, u zëvendësuan me drurë frutorë e hardhi me variete të mira në cilësi e rendimente. Para viteve ‘90 sipërfaqja e mbjellë me vreshta ishte 100 ha. Aktualisht është 200 ha. Në vitet ‘70-‘80 në Mollas, Selvias e Klos u mbollën edhe agrume deri në atë kohë të panjohura në krahinë, sot sipërfaqja e tyre po shkon në rritje me shtrirje në çdo vendbanim. Por, disa blloqe me pemë frutore me kumbulla, dardha, fiq, mollë, mushmulla, të krijuara me aksione u shkatërruan në vitet e para të tranzicionit (vitet ’90).

Banorët e fshatrave të Luginës së Devollit në Elbasan përpiqen t’u kthejnë blerimin e dikurshëm të luginës. Duke u orientuar më tepër në kultivimin e drurëve me sa më shumë efektivitet e të kërkuara për treg, mund të shkruajmë se shtimi i sipërfaqeve të mbjella është shtuar në krahasim me kulturat bujqësore: drithëra, bimë industriale, foragjere apo perimet. Janë krijuar blloqe të shumta frutore pjeshke, kumbulle, kajsie, qershie, etjer, të cilat kanë ndikuar jo vetëm në gjelbërimin e territorit të fshatrave, por janë edhe një tregues i zhvillimit ekonomik të banorëve. Mjaft banorë kanë sjellë nga emigracioni përvojën për t’i kultivuar, por dhe fidanë drurësh frutorë për ti mbjellë, duke konkuruar denjësisht në tregjet e Elbasanit, Lushnjë, Tiranës. Ndërkohë infrastruktura rrugore në disa fshatra e ka bërë  praktikisht të vështirë për t’i çuar sa më shpejt e të padëmtuara prodhimet që merren. Dhe sigurisht e bënë të largët ketë luginë, edhe pse është 80 kilometra larg Tiranës.

Lugina e Devollit në Elbasan ka fituar emër me kultivimin e drurëve frutorë dhe banorët e saj, duke jetuar me punën e jetën e tyre pranë natyrës, janë  shpërblyer me mundin dhe djersën e derdhur.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora