E marte, 08.10.2024, 12:36 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: FARK-u legjitimoi luftën në Kosovë

E enjte, 03.04.2014, 08:00 PM


HALABAKËT E LËVIZJES SABOTUAN LUFTËN

FARK-U LEGJITIMOI LUFTËN NË KOSOVË

- SHIK-asit mohojnë FARK-un, mohojnë luftën -

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Shëmtia e mendësisë staliniste shpërfaqet vrazhdët edhe në emërtimin "FAK". Shpërfillet qëllimshëm emërtimi natyral, fillestar i dhënë nga Presidenti Rugova -FARK -. Shqëlmohet e dhunohet sakrifica e shumë qindra të burgosurëve politikë të Kosovës, të cilët për shenjtërinë e emërtetsës - Republikë - u arrestuan, u torturuan, u dënuan dhe vuajtën vitet e burgjeve komuniste jugosllave. Dhe, kjo përdhoset aq lehtësisht nga pushtetarët e sotëm të përdhunshëm, të cilëve askurrë nuk u ka hyrë as ferrë në këmbë, nuk janë përballur me dhunën pushtuese. Edhe atëherë kur pretenduan se kanë luftuar, madje me pushkë në dorë, duke përsëritur slloganin bajat të çlirimtarëve, në pamundësi për ta faktuar "luftën e bërë", pranuan mashtrimin, gënjeshtrën e tyre magallomane dhe të turpshme, se kanë qenë jashtë dhe larg Kosovës, kur bëhej lufta, më sakt, masakra në Kosovë.

Inati, inferioriteti i përjetshëm i bandës komuniste në raport me urtakun e mentorin e papërsëritshëm, dr. Ibrahim Rugovën, nuk i lënë të qetë banditët në pushtet. Dhe, provokojnë popullin e Kosovës edhe me këtë emërtesë, që cungon më shumë se sa Republikën. Ata mëtojnë t`ia heqin simbolikën FARK-ut, i cili bëri bëri atë luftë që u bë në Kosovë, e cila. të paktën, legjitimoi para botës një forcë simbolike ushtarake, çka nuk arriti ta bëjë grupimi "ushtarak" i SHIK-ut, krijesë dhe vegël e Serbisë.

Në portalin e Internetit "Bota sot", më 10 mars 2014, në  prononcimin e një deputeti, lidhur me emërtimin e forcës ushtarake të Kosovës, në mes tjerash, është shkruar edhe ky fragment:

"FARK-u ishte emërtimi i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, një fraksion ushtarak,

i krijuar nga LDK-e, që kishte luftuar për pak kohë dhe në disa zona të caktuara të vendit".

FARK-u zë fill qysh në vitin 1990, kur dr. Rugova mendoi dhe veproi për organizimin e mbrojtjes territoriale të Kosovës. Këtij organizimi i dolën për zot policia e Kosovës, e larguar nga puna, në bashkëpunim të ngushtë me aktivistët e LDK-së. Një vit më vonë, juristi i atëhershëm dhe heroi i sotëm - Sali Çekaj, radikalizoi këtë nismë, duke aktivizuar grupin e armatosur të djemëve të Deçanit", i cili është edhe grupi i parë i armatosur në Kosovë.

Lëndëzimi i forcës ushtarake në Kosovë, u bë nga kuadrotë e LDK-së, të prirë nga gjeneral Hajzer Hajzeri, i emëruar personalisht nga  Presidenti Rugova. Disa nga organizatorët u arrestuan dhe u dënuan me burg, të tjerët morën arratinë jashtë Kosovës, përfshi këtu edhe Sali Çekaj,  Anton Kolaj me shokë, të cilët kishin kontribuar në koordinimin e këtij organizimi.

FARK- u e filloi dhe mbaroi luftën në Kosovë

Bërthama organizative e kuadrit ushtarak u ruajt, pjesërisht, në Kosovë dhe më vonë u bart në Mërgatë, përfshi këtu Shqipërinë, Kroacinë. Slloveninë dhe botën Përendimore.  Kontaktet, konsultimet ishin aktive, duke pritur kohë më të mira. Dhe, nën drejtimin e kolonel Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes të Republikës të Kosovës, ushtarakët profesionistë u vunë në shërbim të luftës. Ministër Krasniqi ishte njohës i shkëlqyer i artit ushtarak dhe luftarak. Ai mahniti kolegët ushtarakë me instruksionet organizative: krijimin e pikave ushtrimore, prej nga furnizoheshin vatrat e luftës në Kosovë.

Është krejt e pasaktë, madje e çuditshme nga ka rrjedhur mendimi se "FARK-u ishte një fraksion ushtarak, që kishte luftuar për një kohë dhe në disa zona të caktuara të vendit"!?! Ky është një falsifikim i vrazhdët dhe rrezikon përdhosjen e historisë, ngjashëm me historinë e sakatosur nga lakejtë komunistë të filosllavit Enver Hoxha, ku anatemohen e damkosën, pothuajse, të gjithë atdhetarët kombëtarë, që punuan dhe luftuan, për dekada radhazi, për ta bërë Shqipërinë zonjë.

FARK-u e vetmja forcë dinjitoze ushtarake

E vërteta, madje, në shkallën sipërore, është se FARK-u nuk ka qenë "fraksion ushtarak", por forcë e vetme dinjitoze ushtarake. FARK-u nuk ka luftuar "për pak kohë", por gjatë gjithë kohës, sa ka zgjatur lufta në Kosovë. Dhe, jo "në disa zona të caktuara të vendit", por, në të gjithë Kosovën.

Kryeministri në ekzil, me qëllim të gjithëpërfshirjes të mërgimtarëve në kontributin material dhe, më vonë, edhe ushtarak, i pyetur se në cilin fond duhet të paguajnë mërgimtarët, dha përgjigje të gabuar dhe fatale, duke thënë se "jipni ku të doni, njësoj është"! Më këtë kryeministri në fjalë amnistoi të gjithë hileqarët, horrat, sabotatorët, rrjedhimisht, kundra-kombëtarët, të cilët, ndonëse krerët e Lëvizjes, hafije të vjetra të UDB-së, Sërbisë, kishin manipuluar anëtarët e tyre, për të mos paguar asnjë mark në Fondin e Republikës të Kosovës, të shprehur në 3 % obligativ.

Gabimi i dytë i kryeministrit në ekzil ishte se pranoi siglën fallse "UÇK-e", e cila, realisht, nuk ekzistonte, përveçse në uniformën ushtarake! Pa mohuar vullnetin e mirë të kryeministrit në fjalë, për t`i bashkuar shqiptarët në një forcë ushtarake, të 7 (shtatë) vitet e kaluara në Mërgatë, duhet ta bindnin atë se krerët e LPK-së, me veprimet e tyre destruktive, në vijimësi, punonin për dikë tjetër dhe jo për Kosovën. Pra, ata ishin argatë të pushtuesit dhe sabotonin bashkimin e forcave luftarake, rrjedhimisht, sabotonin luftën dhe dështimi ishte i pritur.

Përdorimi në shumës i faktorit ushtarak, ishte i gabuar, sepse nuk kishte faktor të dytë ushtarak në terren, në luftë, përveç FARK-ut, i cili ishte forcë aktive dhe mirë i organizuar. E ashtuquajtura "UÇK-e" e Lëvizjes kishte një shtab, një komandë dhe ishte e ngarkuar, kryesisht, me burgjet e shumëta, të shtrira kudo në Kosovë dhe në zonat kufitare, brenda kufirit të Shqipërisë, të cilat i kishte aprovuar dhe mbështetur edhe gjenerali i zi Kudusi Lame. Kjo UÇK-e e LPK-së kishte ushtruar bandat speciale, me emërtesa rrethanore si "Shqiponjat e zeza" dhe emërtesa të tjera ogurzeza, të cilat ekzekutonin, në pusira e prapa shpine, veprimtarët e LDK-së dhe ushtarakët e FARK-ut.

Emërtesa "UÇK-e" - sajesë fiktive, inekzistente

Emërtesa "UÇK-e" është krijesë e socialistëve të Tiranës zyrtare të asaj kohe dhe e UDB-ashëve të LPK-së. Ata, të dy palët bashkë, me porosinë e Serbisë, aktivizuan organizatën terroriste SHIK-un, të themeluar qysh në vitet `80-a, nga sigurimsat "diplomatë" të Enver Hoxhës. Në krye të kësaj kampanje vrastare ishin vënë presidenti Mejdani, kryeministri Nano, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Fatos Klosi me vartësit e tyre.

"Kryeqyteti i kosovarëve është Beogradi", -  deklaroi Nano, pas takimit me Millosheviçin. Këtë e dëgjoi LPK-ja, Adem Demaçi, Rexhep Qosja me shokë e bashkë-ideatorë. Dhe, duke mos ndërprerë miqësinë me social-komunistët e Tiranës, aprovuan edhe autonominë e Kosovës, me kthimin e amandamenteve kushtetuese të vitit 1974.

SHIK-u mori udhëzimet për veprim. Viktima e parë u shënua në Tiranë: gazetari Ali Ukaj, ministri Ahmet Krasnbiqi, veprimntari dhe oficeri Sadri Ramqaj, oficeri Ilir Konushevci, doktor Hazir Malaj, tropojan, veprimtari Rushit Elezi, kukësian, dy vëllezërit Nikçi, luftëtarët e Kosharës Qazim Jaskupi e Muharrem Tafa me luftëtarët tjerë të Kosharës dhe të Pashtrikut, të humbur "pa shenjë e nishan".

Krerët e ShIK-ut u akomoduan, u rehatuen në Tiranë. Social-komunistët vendorë Hashimi Thaçin e bënë komisar të "UÇK-së", ndërsa Jakup Krasniqin zëdhënës të "UÇK-së", por, në fakt ishte zë i lobit të zi, tashmë, të bashkuar ideologjik, enveristëve të Tiranës dhe stalinistëve të Kosovës, fort të lidhur me Serbinë pushtuese. Njeriu që kishte vuajtur burgun politik, për kundërvënie Jugosllavisë, tani po i shërbënte zellshëm Serbisë, duke përçarë shqiptarët dhe sabotuar luftën. Në komunikatat e tij me shokë u harrua Serbia dhe u sulmua Shqiptaria, duke filluar nga Presidenti Rugova dhe duke vazhduar me LDK-në!

KONVERTIMI I FARK-UT NË UÇK-E, NJË MANIPULIM FATAL

"UÇK-ja" e LPK-së ishin komandantë pa ushtarë. "Ushtarët vinin nga LDK-ja", -  pranon Fatmir Limaj, i cili ishte nga të paktët kuadër të së majtës në Kosovë. "Kuadrot" e Lëvizjes u bënë rezidentë të Tiranës. Paratë i kishin të bollshme dhe rrethoheshin nga bukuroshet kryeqytetase. "Luftën" e bënin me fjalë, duke lëshuar plot gënjeshtra nga Radio-Televiziomni Shqiptar.

Uniforma njëshe, e FARK-ut me "UÇK-në", i njëjtësonte ushtarakët luftëtarë me ata fiktivë e hileqarë. Loja me uniformën u bë me shpresën e bashkimit të "dy faktorëve ushtarakë". Por, në fakt, krahu i LPK-së , i cili identifikohej me "UÇK-në", nuk përbënte kurrfarë faktori, sepse ushtarët ishin të papërfillshëm në numër, në raport me LDK-në, FARK-un.

Realisht, në Kosovë, edhe pse u bë një shkrirje hileqare e "faktorëve ushtarakë", asnjëherë dhe askurrë nuk arriti të bëhet ushtri e rregulltë, UÇK-e. Ai që bëri nismën e parë dhe që mund ta bënte UÇK-në, kolonel Ahmet Krasniqi me shokë, e vranë enveristët e Tiranës dhe stalinistët e Kosovës, përkatësisht, SHISH-i dhe SHIK-u, me porosi të Serbisë.

Kolonel Krasniqin e kishin zgjedhur ministër kolegët, duke njohur aftësitë ushtarake dhe vlerat njerëzore e morale të tij. Ndërsa, pas ekzekutimit zyrtar, në mes të Tiranës, të ministrit Krasniqi, ministri që e zëvendësoi u parashutua nga kryeministri në ekzil, i përzgjedhur nga halabakët e LPK-së. Ministri në fjalë udhëzohej e komandohej nga ata që e kishin zgjedhur. Dhe, ata, tashmë, janë faktur se ishin hafije të vjetra të UDB-së jugosllave.

Ministri i Mbrojtjes, i parashutuar, edhepse nuk njihej për të keq, brenda ditës u mësua se kush e emroi. Dhe, kjo mjaftoi që ai të mos e gëzonte besimin e oficerëve të karrierës, që, tashmë, ishin në front, në luftë.  Dhe, asnjëherë nuk u harmonizua ndërlidhja aq e nevojshme, në kohë lufte, e Shtabit të Përgjithshëm me komandantët në terren, në front. Komandantët e Kosharës e kanë denoncuar, madje publikisht, këtë hendikep, dobësi e fajësi të qendrës dhe kanë demantuar bindshëm gënjeshtrat dhe broçkullat të Kudusi Lamës, me banditë të tjerë, të lansuara nga RTK-ja dhe drejtuesit rrugaçë të emisioneve për luftën.

Mungesa e një Shtabi të Përgjithshëm unik, mungesa e përpunimit dhe e përcaktimit të taktikave dhe të strategjisë të luftës, betejave; mungesa e udhëzimeve dhe të urdhërave nga një komandë, qendër, janë dëshmi vetëfolëse se në Kosovë nuk arriti të krijohet njël ushtri e mirëfilltë, nuk arriti të krijohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por mbeti gjithnjë një ushtri e partizuar, me formacione grupore të luftëtarërve vullnetarë.

Detashmenti më i madh dhe më i organizuar ishte Kosharja. Grupimet tjera nuk kalonin pak dhjetra luftëtarë, të cilët, në të shumtën e rasteve, "komandoheshin" nga injorantë dhe profanë, të cilët nuk kishin kryer as shërbimin normal ushtarak! Janë pikërisht këta "komandantë" të dhunshëm, ushtarët e LDK-së dhe "komandantët" e LPK-së, që shkaktuan shumë viktima të panevojshme. Të ashtuquajturat pika pritëse, mbrojtëse, ushtarët tanë me pushkë, kurse pushtuesi me tanke, ishin fatale për shumë djem luftëtarë të Kosovës. Rasti i Istogut, ku u vranë dhjetrta djem, madje një nipit tim nuk iu gjet as koka në trup, ishte përgjegjësi direkte e ndoca "biçim komandantëve" analfabetë, të cilët, në mbarim të luftës grabitën të gjithë traktorët dhe pajisjet tjera teknike të fshatrave.

UÇK-të e diskotekaxhinjëve të LPK-së

Krerët e Lëvizjes, veteranët dhe juniorët, të rinjtë, themelimin e "UÇK-së" e shtrijnë në kohë që nga vitet `80-a e deri më 1998! Një bisedë e bërë në një klub, në një kafene, në një diskotekë, për çlirimin e Kosovës, për luftën, e konsiderojnë si themelim të "UÇK-së"! Deri më tani janë dëgjuar në prononcim, madje në media publike shkrimore e vizuele, 19 (nëntëmbëdhjetë) themelues individual të "UÇK-së"!!!

Por, shtrohet pyetja e ligjshme: Cilat ishin UÇK-të e LPK-së në pranverë të 1998-ës?

Ndonëse LDK-ja e Ibrahim Rugovës kishte startuar me grupin e armatosur të djemëve të Deçanit në fillim-vitet `90-a, duke u shtrirë në celula më 1997: Sali Çekaj në Dukagjin, Adem Jashari në Drenicë, Zahir Pajaziti në Llap e Gollak, Ahmet Hoxha në Ferizaj e Karadak, LPK-ja zhurmonte me thirrjet histerike "UÇK-e, UÇK-e", sallave luksoze të Përendimit, e "rinovuar" me ndoca renegatë përralltarë, të prirë nga Mujë Rugova, të ikur nga LDK-ja dhe të strehuar në LPK-e.

Në mars të vitit 1998, pas masakrës në Prekaz të Drenicës, krerët e LPK-së u bartën nga Përendimi, duke u dyndur në Tiranë. Vartësit zhurmaxhinj mbetën në shtetet e Evropës dhe të botës, duke begatuar Fondin emërshenjtë dhe shumë emocional "Vendlindja thërret", fond i cili u keqpërdor marrëzisht dhe kriminalisht nga krerët e LPK-së. Rolet ishin ndarë. Në sallat luksoze e shpenzuese të botës, tuboheshin "ushtarët" e Lëvizjes, tashmë, duke përfituar edhe disa hileqarë e mospagues të 3 % -it nga LDK-ja.

Për t`i nderuar "ushtarët e "UÇK-së", vjelës të dhunshëm të parave të mërgimtarëve, nga Tirana vinte ndonjë "kuadër" i LPK-së, duke spekulluar se "vinte drejt nga fronti i luftës në Kosovë", por që nuk mbante uniformën e "UÇK-së", për arsye të lëvizjes të lirë jashtë Kosovës! Hajde rrenë, hajde!!!

Disa nga anëtarët e LPK-së, kryesisht, ata që jetonin në Kosovë, por edhe ca të ardhur nga Mërgata, nuk duruan më hilën e hipokrizinë  e shefave të tyre  të vetëmëruar "komandantë",  por me rezidencë në Hotel Rogner dhe në vilat e Bllokut namzi në Tiranë. Ata rrokën armët individualisht dhe në grupe të vogla, si guerile. Të zhgënjyer dhe të demoralizuar për demagogjinë e pafund të "komandantëve" fjalëtarë e lavdëraçë, e pësuan në pritat e dyshimta, të denoncuar pikërisht nga "komandantët" e tyre, të cilët, nëpërmjet social-komunistëve të Tiranës, bënin punën e Serbisë.

Adem Jashari i LDK-së dhe Fehmi Lladrovci i LPK-së, edhepse u përkisnin dy ideologjive kundërshtare dhe tërësisht armiqësore në mes tyre, siç ishin nacionalizmi dhe komunizmi, ata, pra, Ademi dhe Fehmiu kanë përdorur të njëjtin term përcaktues për shefat e LPK-së: p i s a! Për dallim nga Ademi, i cili disa syrësh i përmend me emër, ata, pisat, që sot mohojnë FARK-un, Fehmiu, shokët ideologjikë të tij, të cilët kërkonin luftë, por kurrë nuk luftuan, i quan të gjithë - pisa -! Dhe, termi - p i s - shpehë negativitetin e skajshëm për një njeri, në njejës apo në shumës.

Jakupi të mos ndërrojë fytyrat si këmishat

Rrëmujën e krijuar në kampin e Lëvizjes, e cila kërkon luftë, por, në fakt, e anashkalon atë, nuk hynë në luftë e organizuar, e pranon edhe Jakup Krasniqi në Hagë, kur deklaron se "ishin grupe pa komandë, jashtë kontrollit". Pra, me gjithë morinë e UÇK-ve, "të themeluara" nga Lëvizja, Jakupi e pranon se në Kosovë nuk kishte UÇK-e të mirëfilltë, veçse grupe luftëtarësh ose banda bashibuzuke. Andaj, Jakupi nuk duhet t`i ndërrojë fytyrat si këmishat, kur në Hagë pranon gjendjen faktike, grupe të vogla, të armatosura, madje jashtë kontrollit, ndërsa sot e quan "UÇK-e", që "e çliroi Kosovën", duke e harruar NATO-n qëllimshëm, për të mos zvetënuar  "lavdinë e UÇK-së", edhepse dimensioni i lavdisë ka munguar, pikërisht nga sabotimi i porositur i luftës, për të mos cënuar aleancën ideologjike Tiranë - Beograd.

UÇK-ja e LPK-së është SHIK-u

Maksim Gorki porosiste: "Mos mohoni gjithçka tek tjetri, sepse rrezikoheni të mos u besojë askush". Dhe, deri tani numëruam vetëm llafollogjinë dhe hiçësinë e një grupacioni njerëzish, plot vese e mëkate, të tubuar në partizën Lëvizja, LPK-e. Por, pa u hyrë në hak, duhet pranuar "meritën" e madhe se krerët e LPK-së themeluan UÇK-në  me emrin shkurtesë SHIK, Shërbimi Informativ i Kosovës.

Për ndryshim nga "UÇK-ja" e pretenduar, e hamendësuar e fiktive, për të luftuar pushtuesin, UÇK-ja SHIK kishte organizim të përkryer, me një Shtab Qendror funksional, i cili kishte hartuar strategjinë e marrjes të pushtetit, gjithnjë në koordinim me enveristët e Tiranës, rrjedhimisht, edhe Sigurimin serb. Hartimi i listës emrore për likuidimin fizik të veprimtarëve të LDK-së, së pari, ata që e rrethonin Presidentin Rugova dhe kuadrin ushtarak profesional e institucional.

Qëllimi ishte i qartë: sabotimin e dështimin e luftës, për rrjedhojë, marrjen e pushtetit me dhunë dhe pranimin e një autonomie të zgjeruar të Kosovës. Objektivi i parë dhe i dytë u realizua, ndërsa autonomia dështoi, në saje të këmbënguljes të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës dhe miqëve të tij besnikë e fjalëmbajtës.

Gjuetia e shtrigave filloi në Tiranë, duke goditur në kokë organizimin e rezistencës dhe të luftës për çlirim, liri dhe pavarësi. Në mes të kryeqytetit shqiptar ekzekutohet, thuajse zyrtarisht, por pa gjyq , me linçim, Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi. Ekzekutimet vazhdojnë, të koordinuara në Shqipëri dhe Kosovë. Propaganda lehaqene e Jakup Krasniqit dhe e krerëve të tjerë kriminalë të Lëvizjes, pushton hapësirat shqiptare. Panegjerizmi, përlavdërimi pa fije mbulese, bëhet neveritës.

Pushtuesi serbo-sllav u harrua dhe bateritë u shprazën kundër LDK-së dhe Presidentit Rugova. UNMIK-u i Bernard Kuchnerit, në vend që ta alarmojë Evropën dhe botën, për krimet seriale dhe makabre, puthej me vrastarët! Gjykatësi i racës së tij, për ekzekuutimin e 4 (katër) oficerëve të Kosharës, dha dënime qesharake. Kriminelët mbajtën nga dy e tre vjet burg dhe sërishmi i ngjitën shkallet e pushtetit! Drejtësi dhe jo mahi! Drejtësi "made in" Kosovë!!!

Bandat e Dukagjinit, të Drenicës dhe të Llapit, të krijuara, të organizuara dhe të instruktura nga krerët e LPK-së, pasi i kanë denoncuar, duke i vënë në prita të pushtuesit dhe duke i vrarë prapa shpine kryeçetanikët e parë të këtyre trevave: Sali Çekajn, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin me shokë, u janë sulur me tërbim bashkëpunëtorëve të tyre të idealit dhe të luftës, duke i ekzekutuar ngeshëm, sipas një listimi paraprak, të hartuar nga grupi vicioz, tashmë, në udhëheqje të organizatës staliniste e terroriste LPK-së.

UÇK-ja e SHIK-ut, në kuadrin e sabotimit të luftës, hapi kudo burgje të improvizuara rurale. Në ato burgje u dergjën dhe u vranë shumë luftëtarë institucionalë, por edhe brenda llojit, të LPK-së, pra, ushtarët e pabindur në politikën kriminale të SHIK-ut. Dhe, burgjet ilegale të saj, LPK-ja i konsideron si kontribut, shërbim i "UÇK-së" për Kosovën!

Kuota marramendëse: 1.800 luftëtarëve të vrarë, prapa shpine dhe në pusira, gjatë dhe pas luftës, nga bandat, komandosët e organizatës terroriste, nën emërtesën kamufluese "SHIK"! Dhe, sot, kryekriminelët, hartues të listave të zeza dhe urdhërues të bandave vrastare, tallën me cinizëm: "Vrasjet janë bërë për inate dhe hakmarrje personale". Ky është një provokim i rëndë, si për familjet e viktimave të UÇK-së të SHIK-ut, ashtu edhe për të gjithë shqiptarët njerëzorë. Ky është një provokim kundra-njerëzorë dhe tërësisht rrugaçëror. Kjo është një rivrasje për heronjtë e ekzekutuar dhe një ftesë sfiduese për familjet e tyre, në veçanti, dhe shqiptarët në përgjithësi.

Kosova nuk arriti ta bëjë ushtrinë e mirëfilltë

Pavarësisht uniformës me siglën "UÇK", duke e bartur këtë edhe FARK-u, që përbënte tej 95 % të luftëtarëve në Kosovë, UÇK-ja e mirëfilltë asnjëherë nuk arriti ta justifikojë këtë emërtesë. Kurrë, qoftë edhe për një ditë, nuk ka pasur një Shtab unik komandues, një Komandë, një urdhër apo urdhëresë të obligueshme, të detyrueshme për zbatim. I ashtuquajturi "Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së", ka qenë fiktiv, lnekzistent. Këtë ka pasur burrërinë ta pranojë edhe Sylejman Selimi, kreu i këtij biçim shtabi.

Lufta ka filluar me grupe të armatosura dhe ka përfunduar me dështimin, humbjen e tyre në fushë-betejë. Detashmenti i vetëm i mirorganizuar, njëherësh, më i shumti në numër, i cili realizoi një serë betejash të suksesshme dhe qëndroi në këmbë deri në çlirim, ishte Kosharja.

Beteja e Loxhës, me protagonistin kryesor kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, është e vetmja betejë e fituar në Kosovë. Të suksesshëm kanë qenë edhe forcat luftarake të Pashtrikut.

Rrjedhimisht, Kosharja, Loxha dhe Pashtriku kanë legjitimuar rezistencën shqiptare në Kosovë. Dhe, që të tri fushë-betejat i kanë bërë Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës.

LPK-ja, stalinistët e Kosovës, të vetëquajturit "krahu i luftës", ishte ultra-minorë, i papërfillshëm në numër dhe nuk arrinte shifrën as 5 % të angazhuar në luftë. Edhepse thirrën në luftën, në çlirimin e Kosovës, madje pa e përmendur as forcën faktike çliruese të Kosovës, NATO-n, nuk kanë bërë asnjë betejë për t`u shënuar. Ndërkohë, propaganda e tyre lehaqene flet për luftëra, epopera e legjenda, pa mundur ta lëndëzojnë me asnjë fakt.

Mjafton të kujtojmë vetëgradimet idioteske, të turpshme të stalinistëve të Kosovës si: major, kolonel, gjeneral e tjera marrëzira emërtuese, pa pasur as edhe një ditë shkollim ushtarak, pa u provuar në asnjë betejë ballore, pa shënuar asnjë fitore! Ndërkombëtarët, duke parë, nga afër, oreksin e stalinistëve për mburrje e lavdërime, pa fije mbulese faktike, u tallën vrazhdët, duke mos i zhvlerësuar zyrtarisht këto gradime, unikale në historinë ushtarake të botës. Në Kosovë, ku "oficerët" e UÇK-së të SHIK-ut ikën nga lufta para ushtarëve dhe "ushtarët" para popullit, duke e lënë atë në "gojën e ujkut", nuk kishte vend për asnjë dekorim të tyre.

FARK-u ka ekzistuar dhe luftuar, LDK-ja nuk guxon të heshtë

Çështja e hapur sërishmi për zgjedhjen e Ministrit të Mbrotjes, gjegjësisht, të Luftës, kolonel Ahmet Krasniqin dhe FARK-un institucional, është trajtuar në publikimet faktike, në librat studimorë të veprimtarit veteran Shefqet Jashari - Strofci dhe të zëvendësministrit të Mbrojtjes, Agim Mehmeti si dhe në shkrimet dhe kujtimet e oficerëve të tjerë institucionalë, pjesëmarrës aktiv në luftën e Kosovës. Prandaj, përrallat e sotme të kryevrastarëve SHIK-as, nuk mund ta mohojnë se protagonistë të asaj lufte të bërë në Kosovë janë ushtarakët institucionalë, të organizuar në Forcat e Armatosura të Reoublikës të Kosovës, të shprehur me shkurtesën - F A R K -.

FARK-u është krijesë ekskluzive e dr. Ibrahim Rugovës, e Lidhjes Demokratike rë Kosovës. Kjo krijesë, kjo emërtesë ka shenjtërinë e saj, sepse u konsolidua si një forcë ushtarake, mbi një bazë solide të shkencës, artit luftarak nga strategu i sprovuar, kolonel Ahmet Krasniqi. Është FARK-u, Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, që bënë rezistencën e armatosur të organizuar. Dëshmi të këtij organizimi, të luftës janë betejat seriale të zhvilluara në Kosharen zëmadhe, në Pashtrik, Beteja fituese e Loxhës dhe përballjet tjera anekënd Kosovës.

SHIK-asit mohuesit e pacipë të FARK-ut

Ekzistojnë dëshmi të bollshme se FARK-u ka qenë faktik, lëndor dhe e vetmja forcë ushtarake në Kosovë, që ka shënuar beteja ballore. As edhe një forcë, apo grupacion tjetër ushtarak, nuk ka arritur ta bëjë një betejë ballore të organizuar. Sulmi koral i deputetëve kriminelë të SHIK-ut, që numërohen hiç më pak se 26 (njëzetë e gjashtë), shifër kjo e arritur nga një kompromis i ndyrë i kryesive robote të partive politike, përfshi këtu edhe LDK-në, mjerisht, duke e bërë Kosovën me një zonë zgjedhore, rrjedhimisht, edhe Parlamentin më kriminal në glob!

FARK-u identifikohet me LDK-në. Është organizim i saj, është dhimbja dhe krenaria e saj; ka dëshmorët dhe heronjtë e saj numerikë. Andaj është obligim, detyrim moral e njerëzor ta ruaj shenjtërinë e kësaj emërtese; vlerat madhore të këtij detashmenti luftarak. Është detyrë historike të ruhen, kultivohen, respektohen dhe përkujtohen ngjarjet e mëdha, me protagonistë vajzat dhe djemtë më të devotshëm, më të përkushtuar për çlirim, liri, pavarësi dhe demokraci. LDK-ja nuk ka mandat, nuk ka asnjë autorizim nga antarësia e saj, për të bërë pazare e marrëveshje me partitë e krimit, për të pranuar kompromise jo parimore, madje, rrugaçërore, siç duan të imponohen kryeministri dhe banda e tij, e cilat ka përgjakur Kosovën.

Stalinistët e Kosovës, si i gjithë soji i tyre komunist, pa moral e besë, sot nënshkruajnë e nesër e mohojnë, kanë menduar e vepruar, në vijimësi, për të fshirë faktet kopromentuese, për veten e tyre dhe luftën faktike të kundërshtarëve të tyre, FARK-ut. Fatmirësisht, ngjarjet, lufta nuk është bërë në prehistori, por në prag të viti 2000 të epokës tonë.

Vërtetësia e shkrimit të historisë -  kërkesë jetike

Plot 70 vjet më parë filloi falsifikimi zyrtar i historisë shqiptare dhe rrjedhojat e këtij shtrembërimi të qëllimshëm e fatal, vazhdon t`i vuajë shoqëria shqiptare. Nisma për korrigjimin e këtyre falsifikimeve të vrazhdëta e banale, u proklamua me bujë nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Dhe, vërtet, u bë një punë e madhe, duke rehabilituar shumë figura kombëtare, historike përgjatë dy shekujve të fundit, të cilët komunizmi sllavo-othodokës i kishte anatemuar, damkosur dhe veshur me petkun e zi të tradhtisë të pabërë. Dhe, këtë e bëri për të mbuluar e fshehur tradhtinë e vetë komunistëve, vegla shërbyese të Jugosllavisë  dhe të Rusisë.

Çuditërisht, në pozitivitetin e nismës të forcës demokratike, për ta shkruar një histori faktuese dhe jo hamendësuese e denigruese të qëllimshme të nacionalistëve, kombëtarëve të devotshëm të Shqipërisë, nis falsifikimi i historisë të Kosovës, pikërisht në ditën e ngritkes të shtatores të atdhetarit Isa Boletiuni! Lidhja, krahasimi dhe përlavdërimi i luftës të një shekulli më parë, me atë të sotmen dhe hymnizimi i "komandantëve", tashmë, të dyshuar për përgjakjen e Kosovës, me gjak shqiptarësh të pafajshëm, ishte provokuese dhe shokuese për shqiptarët e Kosovës, të cilët njohin realitetin e hidhur, krejt të prekshëm, me varret e burrave, vajzave dhe djemëve të vrarë si dhe jetimet e shtuar të Kosovës, të përjashtuar nga çfarëdo trajtimi njerëzor e material zyrtar, për të vetmën arsye se janë viktima të bandave të SHIK-ut kriminal.

Dhe, i gjithë ky provokim u kalua në heshtje, sikur nuk ndodhi asgjë në Isniqin e Isa Boletinit dhe të Rrustem Bruçit! Ishin shokët e armëve të Sali Çekaj: Saim Tahiraj dhe Osman Ferizi, përkatësisht, kryetar të Shoqatave "Sali Çekaj", në Zvicër dhe Gjermani, në emër të anëtarësisë dhe të bashkatdhetarëve, të cilët reaguan hatërueshëm e dhimbshëm, me letrën drejtuar, atëbotë, Kryeministrit të Shqipërisë.

Historianët, studjuesit shqiptarë, të Kosovës, Shqipërisë dhe të trevave tjera nën pushtim, tashmë, e kanë pasqyrën e keqe të falsifikimit të vrazhdët të historisë në Shqipëri. Lufta e nisur si çlirimtare, degjeneroi në luftë civile. Luftën vëllavrasëse e inicuan, filluan partizanmët komunistë të Enver Hoxhës, me instruktimin e emisarëve jugosllavë, kolonë të Kosovës: Dushan Mugosha e Milladin Popoviçi. Viktimat e shkaktuara nga pushtuesi, ishin simbolike, në krahasim me viktimat numerike të luftës civile, qytetare.

E njëjta histori u përsërit edhe në Kosovë, por, për ndryshim se SHIK-u ishte aleat i pushtuesit, i themeluar nga pushtuesi, bandat e të cilit vranë kundërshtarët politikë, veprimntarët e LDK-së dhe ushtarakët luftëbërës institucionalë. Ekzekutimet e SHIK-ut janë numerike dhe me një përzgjedhje cilësore.

SHIK-u - krijesë e Serbisë, sabotoi luftën

Kosova nuk arriti të themelojë, të këtë ushtri çlirimtare të standardeve të mirëfillta, sepse krijimi, konsoldimi i saj u sabotua nga LPK-ja staliniste, me infiltrimin e Sigurimit të Serbisë tek krerët dhe strukturat drejtuese të Lëvizjes, LPK-së. Historia më e re e Kosovës këtë fakt bazal nuk guxon ta anashkalojë, ta heshtë apo ta "harrojë" qëllimshëm. Forcat, grupimet e armatosura bënë një luftë të përkushtuar, një luftë të zakonshme, për mundësitë, kapacitetet dhe rrethanat tejet të rënda sabotuese nga pala e kundërshtarëve ideologjikë, LPK-ja. Për gjatë gjithë luftës nuk ka pasur as epopera, as legjenda dhe as legjendarë. Këto janë terma të sajuara dhe të lansuara nga stalinistët e Kosovës dhe enveristët e Tiranës zyrtare të kohës, për qëllime tymnaje dhe përfitimi politik.

Fundja, u provua ajo që parashikoi Presidenti i përjetshëm, urtak e vizionar Ibrahim Rugova se në Kosovë nuk do të këtë luftë të mirëfilltë, por masakër. Andaj, në vend të luftës të Kosovës, emërtesa adekuate do të ishte - masakra e Kosovës -. Dhe, shifrat janë kokëforta në dëshminë vetëfolëse të tyre: 11.842 shqiptarë të vrarë, kundrejt 237 srbëve të vrarë, gjithnjë, sipas statistikave zyrtare të Kosovës. Këto fakte dhe shifra duhet t`u shërbejnë, si guidë, prijëse, studjuesëve që mëtojnë ta shkruajnë historinë e vërtetë të Kosovës tonë, të përdhosur dhe të përtokur nga bandat vrastare të ideologjisë sllavo-ruse, tashmë, edhe në pushtet!!!



(Vota: 24 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora