Mendime
Florim Zeqa: "Nobelisti" me strajcë në krahë
E marte, 01.04.2014, 07:58 PM
"Nobelisti" me strajcë në krahë apo njeriu me shkop magjik ?!
Nga Florim Zeqa
Herë nën tokë e herë mbi tokë, herë në Bruksel e herë në Prishtinë,...viziton ara, fusha e male, lumenjë e shkrepa, delë nga një dyqan hynë në tjetrin,...duke shkuar nga dera në derë, nga fshati në fshat, nga qyteti në qytet, nga qeveria në parlament, nga biznesi në biznes,...herë bëhet bujk e herë mjek, herë punëtorë e herë polic,...shumë më pak kohë i mbetët të bëjë jetë në politikë !!!
Eshtë ky përshkrimi i njeriut të ditëve të sotme, i njërit nga "treshja" e Brukselit i nominuar për çmimin "NOBEL" për paqe, kryeministrit aktual të vendit tonë, zotit Hashim Thaçi.
Nuk e di se a do të ketë energji të mbajë këtë ritëm të aktiviteteve deri në fund të procesit (të pacaktuar) zgjedhor, por pavarësisht rënditjes së tij në fund të garës zgjedhore, do të ishte mirë që KQZ-ja të përgatis një çmim tradicional për "maratonën" më të gjatë zgjedhore, dhe një tjetër shpërblim për fitues "nderi" të zgjedhjeve, ngase gjasat e kryeministrit për fitore në zgjedhjet nacionale janë tejet të limituara!
Kur e analizojmë buxhetin e vogël të Qeverisë së Republikës së Kosovës kundrejt premtimeve megalomane të tij, atëherë kryeministri i vendit më tepër i gjasonë një "lypësi të varfër me strajcë në krahë" se sa njeriut me shkopin magjik!
Të kërkuarit e votës në këtë mënyrë, përveq frikës për humbjen e pushtetit qendror, e pasqyron edhe gjëndjen e palakmueshme politike në të cilën ndodhet kryeministri mbrenda partisë që ai drejton!
Rënja e kredibilitetit politik nga bisedimet politike me Serbinë, përmes të cilave lëndoi rënd shtetësinë e Kosovës (fusnotat***, asociacioni, amnistimi i kriminelëve serb të luftës), humbja e besimit tek qytetarët nga mospërmbushja e premtimeve nga dy palë zgjedhjet e kaluara në njërën anë, si dhe në anën tjetër ndarja e partisë në dysh më largimin e bashkëpuntorëve të tij më të ngushtë (Krasniqi, Limaj dhe të tjerë), e bëjnë Hashim Thaçin të ndihet humbës i dyfisht në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Tërheqja e tij nga kandidimi për kryeministër apo president të vendit, do ta ndihmonte procesin zgjedhor në vend dhe atij do t'ia ruante pak imazhin pozitiv të një lidershipi të përgjegjshëm.
Akti moral i tërheqjës së Thaçit edhe nga kreu i PDK-së, do të shënonte një standard të ri në politikën kosovare, për ndërprerjen e praktikave (të këqija) të mbajtjës së posteve jetësore në politikë, si dhe do të qonte në ristrukturimin, konsolidimin dhe profilizimin më të shpejtë të kësaj partie.
Në këtë mënyrë do fillonte rifreskimi dhe rigjenerimi i shumëpritur i politikës me kuadro të reja dhe profesionale, për çka skena politike do të bëhej më interesante dhe tërheqëse për daljën më masive të votuesve në zgjedhje.
Dhe krejtë në fund, do të dëshiroja që ky shkrim të mos kuptohet si kritikë ndaj kryeministrit, por si një këshillë, dhe më tepër për ndërgjegjësim të klasës aktuale politike, për çlirim nga egoja për poste dhe privilegje nga shteti, për t'iu lëshuar radhën liderëve të rinjë dhe të përgjegjshëm që janë të gatshëm të dhëjnë gjithçka nga vetja për interesin e shtetit dhe qytetarëve të vendit tonë.