E premte, 25.07.2025, 09:45 AM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Tribunali, komplot kundër pavarësisë

E hene, 31.03.2014, 07:52 PM


Tribunali, komplot kundër pavarësisë së Kosovës

Nga Alma Lama

Në ditë e ardhshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës, përpara se të mbyllin mandatin do të sfidohen edhe një herë, për të marrë një vendim shumë të vështirë. Bëhet fjalë për ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare mes Kosovës dhe BE-së e cila duhet të miratohet me 2/3, për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krime lufte. Në statust (draft) thuhet se Tribunali do të jetë gjykatë ad hoc e pavaruar ndërkombëtare dhe nuk do të jetë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Me një fjalë diçka e ngjashme me Tribunalin e Hagës kundër ish-Jugosllavisë, vetëm se më i vogël në kapacitete. Personalisht dua ta them që në fillim se jam kundër, pasi në asnjë mënyrë nuk mund të barazohet krimi, qindra mijëra vrasje të njerëzve të pafajshëm në gjithë ish -Jugosllavinë nga ushtria dhe policia serbe, dhunimet, vrasjet e fëmijëve, depërtimi i një milion shqiptarëve spastrimi etnik dhe tentativa e organizuar shtetërore për ta shfarosur një popull nga faqja e dheut, siç ndodhi me popullin shqiptar të Kosovës.

Për më tepër që si pikë reference për krijimin e një Tribunali të tillë përmendet te raporti i Dick Martit i 7 janarit 2011, i publikuar në Asamblenë Paralamentare të Këshillit të Evropës. Me një fjalë pas një konstrukti ruso-serb për akuza të përbindshme siç është ajo e trafikimit të organeve, ku i akuzuari numër një është kryeministri i Kosovës, gjërat po ecin përpara. Agjenda e tyre po shkon deri në fund, e ndërkohë Kosova është shteti që ende nuk është njohur nga Këshilli i Evropës.

Ky komplot ndërkombëtar i armiqve të pavarësisë së Kosovës, duket se ka gjetur mbështetje edhe tek vendet e BE-së dhe është pikërisht kjo që do të financojë Tribunalin. Dikush mund të thotë se vetëm kështu Kosova mund të pastrohet nga këto akuza dhe prandaj BE e mbështet, por mua nuk më duket kështu.

Së pari vetë hapja e një tribunali ndërkombëtar për të gjykuar krimet e luftës në Kosovë, diku jashtë territorit të Kosovës është një goditje e fuqishme në imazhin e saj. Bashkë me imazhin vjen argumenti se ju po gjykoheni për krime lufte në një gjykatë të hapur enkas për Kosovën, argument i cili do të përdoret nga dashakeqësit e këtij shteti.

Së dyti, prej përfundimit të luftës, ish – ushtarët e UÇK-së janë gjykuar e rigjykuar për krime lufte. Disa në Hagë si z.Limaj dhe z. Haradinaj, eksponentët kryesorë të këtij formacioni ushtarak dhe që kanë dalë të pafajshëm, e po kështu edhe grupe dhe individë të tjerë janë gjykuar e disa dënuar për shkelje të normave dhe zakoneve të luftës, apo vrasje ej.

Kosova është administruar nga ndërkombëtarët pas përfundimit të luftës, e po kështu edhe drejtësia. Një herë ishte UNMIK-u, gjyqtarët e prokurorët e të cilit janë marrë me këto gjykime, e tani është EULEX-i, mision i BE-së për sundimin e ligjit, i cili përbëhet nga gjyqtarë ndërkombëtare që gjithashtu janë marrë me gjykimin e krimeve të luftës dhe po merren ende.

Pra në rast se e pranojmë argumentin se në vetë nuk jemi në gjendje të ndajmë drejtësi për këtë problem, si mund të vihen në dyshim gjykatësit e prokurorët ndërkombëtarë në kuadër të misionit të BE-së? Pse u dashka që të ndërtohet një tribunal për krime lufte jashtë territorit të Kosovës, i pavarur, kur vetë EULEX-i është i përbërë nga gjykatës të pavarur ndërkombëtar?

Nuk është e vështirë të kuptosh edhe nga teksti i statutit (draft) ku thuhet vendet e BE-së dhe Shtetet (që shprehin dëshirë të angazhohen) se kjo bëhet për të përfshirë në këtë agjendë shtetet jashtë BE-së e që janë anëtarët e Këshillit të Evropës, ku bëjnë pjesë edhe Serbia e Rusia. Këtu nuk mund të përjashtohet edhe përfshirja e SHBA-ve.

Me një fjalë fati Hashim Thaçit apo të tjerëve do të varen nga kërkesa për “drejtësi” e Putinit apo e pasardhësve të Millosheviqit. Po supozoj këtu se gjykatësit do të jenë me kredibilitet të lartë dhe të paanshëm.

Ajo çfarë mbetet e çuditshme është se Serbisë edhe pse ka kryer krime të përbindshme në Ballkan përfshirë edhe ndaj shqiptarëve, i është mundësuar krijimi i një tribunali për të gjykuar krimet e luftës, pasi Tribunali i Hagës e përfundoi rastet e mëdha dhe përfundoi edhe mandatin. Serbia nuk ka prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë dhe duke qenë se në radhë të parë shteti ka qenë I inkriminuar, nuk di se kush është ai person që i beson se po gjykojnë vërtetë kriminelët e luftës. E vërteta është se disa gjykime i kanë bërë sa për sy e faqe, por po të shohësh, dënimet janë shumë të ulëta krahasuar me krimet që kanë kryer. Nga ana tjetër i gjithë sistemi i sigurimit të shtetit dhe ai ushtarak është parapolitika që udhëheq këtë shtet, i cili i ka të përlyera duart me gjakun e shqiptarëve prej më shumë se një shekulli.

Edhe vendeve të tjera si Kroacisë i është besuar bërja e drejtësisë nga vendorët, ndërkohë që paradoksalisht, Kosovës me prokurorë e gjykatës ndërkombëtare nuk i besohet. Kjo vetëm i shton edhe më shumë dyshimet për komplotin anti-pavarësi.

Rreziku është se hapja e këtij Tribunali mund të bëhet edhe pa nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare me Kosovën.

Kjo do të thotë se ndaj Kosovës do të aplikohej procesi i kushtëzimit nga ana e vendeve të BE-së që është aplikuar me Serbinë dhe Kroacinë, për dorëzimin e të akuzuarve në Hagë. Mbledhje fakteve, dëshmive, dorëzimi i të akuzuarave, mbrojtja e dëshmitarëve etj d.m.th. administrimi i drejtësisë, në rast të mosnënshkrimit të marrëveshjes mund të kthehet në një proces të pafund kushtëzimi ose këtë mund ta kryejë EULEX-i pa e pyetur fare Kosovën, gjë që është varianti më i keq pasi e dëmton shumë sovranitetin.

Prandaj Qeveria e Kosovës dhe secili prej nesh duhet të punojë shumë që ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që një tribunal i tillë, për gjykimin e krimeve të luftës, të pagjykuara deri tani, të ngrihet në Kosovë, si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Le të administrohet nga EULEX-i por kurrsesi të hapen gjykata ndërkombëtare të posaçme për Kosovën.

Unë mendoj se një gjykatë e tillë e dedikuar për krimet e luftës do të kishte shumë punë, së pari për të gjykuar serbët që dhunuan mijëra gra, për të gjykuar vrasësit e 800 fëmijëve që ndodh të jenë pikërisht brenda territorit të Kosovës, për të gjykuar edhe ata shqiptarë që mund të kenë abuzuar gjatë luftës, sepse vetëm kështu mund të vihet sado pak drejtësi për viktimat.

Nëse Dick Marti nga Zvicra nuk i beson gjykatësve të BE-së, e nëse Serbia që përditë shprehet se dëshiron t’i bashkëngjitet BE-së, nuk i beson kësaj se mund ta bëjnë këtë punë, është problem i tyre. E po kështu plotësimi i tekave të Rusisë po shihet se çfarë po prodhon, shih rastin e Krimesë. Prandaj kurrsesi Kosova nuk duhet të paguajë më çmime në emër të agjendave malicioze të disa shteteve.

(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx