Mendime
Elida Buçpapaj: Zëri i Amerikës nuk mund të mbyllet
E enjte, 27.03.2014, 07:29 PM
PROGRAMI SHQIP I "ZËRIT TË AMERIKËS" NUK MUND TË MBYLLET
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Dje duke përcjellë faqen e Zërit të Amerikës online u përballa me një lajm të cilin nuk do të kisha dashur kurrë ta lexoja, se programi shqip i Voice of America, krahas atij në gjuhën maqedone dhe serbe, për shkak të buxhetit, parashikohet që në vitin 2015 të ndërpresë transmetimin në radio dhe televizion.
Lajmi m’u duk gjëja më e pamenduar e mundëshme. Sepse ndërsa Voice of America shkurton buxhetin ngaqë s’ka para për të mbajtur në këmbë mediumin më të rëndësishëm për informimin e Shqiptarëve në Ballkan; në Shqipëri, në një nga vendet më të varfra të Europës, ku pensionistët e mbajnë frymën gjallë me 100 $ në muaj, parja derdhet lumë në dhjetra televizione, radio e gazeta, të cilat manipulojnë dhe dezinformojnë opinionin publik pasi kanë humbur pavarësinë si pushtet i katërt dhe janë kthyer në instrumenta të politikës, duke dalë totalisht jashtë rolit që kanë mediat në një shoqëri të lirë dhe demokratike.
Kur e kanë lexuar lajmin e mësipërm për mbylljen e programit shqip të VOA, baronët e madiave të Tiranës kanë fërkuar duart dhe i kanë shkelur syrin njëri-tjetrit, duke thënë me zë të ulët „e hoqëm qafe edhe Zërin e Amerikës“.
Kur lindi, Zëri i Amerikës, ishte pjesë e Zyrës për Informim të Luftës, pastaj kaloi nën Departamentin e Shtetit. Sot është nën varësinë e Qeverisë Federale të SHBA dhe mbështetet nga International Broadcasting Bureau (IBB), drejtori i të cilit zgjidhet direkt nga presidenti i SHBA me konfirmim të Senatit. Shikoni se çfarë rëndësi ka.
Një vit më parë Programi shqip i Zërit të Amerikës mbushi 70 vjet. Kjo radio filloi transmetimin për herë të parë më 1 shkurt 1942, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, kur William Harlan Hale do të shqiptonte: „Këtu ju flet Zëri i Amerikës. Lajmet mund të jenë të mira. Lajmet mund të jenë të këqija. Ne do t’ju themi të vërtetën”. Dhe me këtë kredo Zëri i Amerikës hyri në histori dhe bëri histori. Duke u kthyer në burim shprese për miliona dëgjues e shikues.
Zëri i Amerikës u përball me shumë sfida. Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, përmbysja e sistemit komunist.
Ishte një kohë, që zgjati gjysmë shekulli, kur ne shqiptarët ishim të rrethuar nga vargojtë e diktaturës dhe terri informatik. Por, me rrëzimin e Murit të Berlinit, në shtëpitë tona filloi të hynte një rreze dielli përmes Zërit të Amerikës. Programi i radios jepej me valë të shkurtëra, dhe fjalët dëgjoheshin me vështirësi, e copa-copa, por shqiptarët e kishin marrë mesazhin që u dërgonte SHBA, se do ta mbështeste popullin shqiptar në rrugën për liri.
Zëri i
Amerikës drejtohej asaj kohe nga Elez Biberaj, që vinte nga një familje
antikomuniste, të cilin organi i propagandës komuniste shqiptare Zëri i
Popullit e kishte shpallur armik. Elez Biberaj bashkë me ekipin e tij, të
gjithë shqiptarë që kishin përjetuar në një farë mënyre kalvarin komunist,
fliste në emrin e Zëri të Amerikës duke ngritur hov dhe trimëruar zemrat e
miliona shqiptarëve. Emisioni i lajmeve zgjaste vetëm 30 minuta, në orën
Kur të gjithë djemtë e mirë të Nënës që kishin shkuar në Amerikë për t’i dalë asaj në krah, nuk jetonin më,kur kishte vdekur Faik Konica, Fan Noli e dukej sikur komunizimi nuk do të shkulej dot, në skenë u rishfaq fuqishëm me një dimension të ri Zëri i Amerikës, që nuk kishte ndalur asnjëherë, prej vititi 1943, së foluri shqip.
Do të ishte Elez Biberaj që do të fitonte një popullaritet të menjëhershëm, si një profesionist i shquar, i guximshëm dhe figurë me integritet. Elez Biberaj është figura më e spikatur e diasporës shqiptaro-Amerikane këtë çerek shekulli. Ai do të vinte në krye të programit shqip, të cilin e kishte drejtuar më parë Frank Shkreli një tjetër shqiptaro-amerikan i madh me një shërbim shembullor për më tepër se 30 vjet tek Zëri i Amerikës, i cili e vazhdon kontributin e tij me përgjegjësi të madhe sot përmes gazetarisë së shkruar.
Elez Biberaj bëri që Zëri i Amerikës të hynte në çdo familje shqiptare. Dëgjohej nga të gjithë. Shteti komunist dridhej nga themelet, populli shqiptar ngrihej hov. Sepse përçonte të vërtetën.
Zëri i Amerikës ishte një nga faktorët që çoi në përmbysjen e diktaturës, sepse përçoi mrekullisht në gjuhën shqipe mesazhin e qartë që vinte nga qeveria e SHBA, ndërkohë që në qeverinë Amerikane përcolli zërin e shqiptarëve që kërkonin mbështetje për të përmbysur një regjim kriminal dhe mizor i cili përmes makinerisë të propagandës për 50 vjet e kishte paraqitur Amerikën si armiken e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Programit shqip i Zërit të Amerikës e kaloi me sukses edhe Luftën në Kosovë, po ashtu edhe konfliktin në Maqedoni që solli Marrëveshjn e Ohrit. Gjithnjë duke ruajtur kredon dhe misionin e tij.
Programi shqip i Zëri të Amerikës ka shoqëruar edhe tranzicionin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj, i cili është shumë i gjatë dhe i vështirë për shkak se klasa politike, duke patur si palë mediat, i ka tradhtuar interesat e Sovranit dhe vendin e diktaturës, pushtuesit apo shtypjes prej segregacionit e ka zënë diktatura e korrupsionit, që e ka kapur shtetin. Në këto kushte shumë delikate dhe të vështira, Sovrani kërkon që të ketë një aleat të besueshëm, që t’u thotë të vërtetën dhe t’i trimërojë. Dhe këtë mision mund ta kryejë Programi Shqip i Zërit të Amerikës.
Lufta kundër korrupsionit është po aq e vështirë sa edhe Lufta e Ftohtë apo lufta kundër rrëzimit të sistemit komunist. Zëri i Amerikës e ka treguar me punë dhe përkushtim se i përballon me sukses sfidat. Programi shqip i Zërit të Amerikës, duhet t’i kthehet kohës të tij më të mirë. Të vërtetat duhen shqiptuar troç nga njerëz të cilët me formatin dhe angazhimin e tyre, si profesionistë dhe personalitete gëzojnë besimin e audiences dhe teleshikuesve. Programi shqip i Zërit të Amerikës e njeh rrugën e këtij suksesi.
Unë, personalisht si gazetare, që e kam nisur karrierën si raportuese e Zëri të Amerikës, iu qëndroj besnike idealeve të këtij medium të lirisë, dhe bëj thirrje që Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe të fuqizohet që të ketë ndikim sa më të madh në realitetin shqiptar.
Prandaj, natyrisht jam kundër mbylljes së këtij programi dhe i ftoj shqiptarët e diasporës shqiptaro-amerikane të bashkojnë zërin e tyre, të lobojnë e të ndikojnë pranë miqve amerikanë dhe pranë institucioneve përkatëse të vendit mik dhe aleat me qëllim që të mbahet hapur programin shqip i Zërit të Amerikës.
Do të vijë ndofta edhe ajo kohë kur programi do ta ketë kryer misionin e tij fisnik, por kjo kohë tani nuk ka ardhur ende. Kauza e lirisë, ndërtimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, integrimet dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik janë sfida që kërkojnë mbështetjen e programit shqip të Zëri të Amerikës.