Mendime
Florim Zeqa: Kush e cakton datën e zgjedhjeve?!
E premte, 28.03.2014, 08:56 PM
Kush
Nga Florim Zeqa
Ditëve të fundit jo vetëm që është duke u folur e shkruar shumë rrethë datës së zgjedhjeve, por është duke u zhvilluar edhe një fushatë intenzive mediatike e partive politike!
Në prononcimet e të gjithë liderëve të partive politike (sidomos të atyre opozitare) vërehet qartë dëshira për mbajtjën e zgjedhjeve nacionale në afatin sa më të shkurtër kohor.
Madje në këtë drejtim kanë ndodhur edhe takime mes liderëve opozitar dhe atyre në pushtet. Mirëpo përveq pajtueshmerisë për mbajtjen e zgjedhjeve, nuk është arritur më shumë sa i përket datës apo modaliteteve tjera, siq janë reforma zgjedhore dhe ligji për zjedhjet!
Reforma e shumëpritur zgjedhore nuk ndodhi, ndodhën disa ndryshime të vogla teknike dhe kozmetike të ligjit mbi zgjedhjet dhe reformën. Mirëpo këto, jo që janë të pamjaftueshme, por as nuk garantojnë mbarvajtje dhe siguri të procesit zgjedhor.
Siq po shifet zgjedhjet mund të jenë shumë afër, kjo është nevojë imediate, madje e ngutshme për të larguar sa më parë keqeverisjen e këtij vendi, por akoma nuk dihet se a do të shkohet në zgjedhje të parakohëshme apo në ato të rregullta.
Kjo varet nga kalkulimet e partisë më të madhe në pushtet (PDK), si dhe nga planet e bashkësisë ndërkombëtare që synojnë të realizojnë në prag të këtij procesi zgjedhor!
Konfigurimi i EULEX-it dhe "Tribunali" i paralajmëruar për krimet e luftës në Kosovë mund të bëhen shkas për shtyerjen e afateve zgjedhore!
Nga arritjet në këtë drejtim varet edhe disponimi ndërkombëtar për (mos)ndryshimin e raportit të forcave politike në vend!
Janë këto enigma që determinojnë proceset e mëvonshme politike në vend.
Përderisa bashkësia ndërkombëtare në njërën anë do të jetë e interesuar që edhe më tutje të mbajë në pushtet një klasë servile politike, në tjetrën anë partitë që mbajë aktualisht pushtetin do të përballen më vullnetin shpërthyes të popullatës për ndryshime substanciale në vend.
Se a do të ngadhnjejë vullneti i qytetarëve ndaj kalkulimeve politike mbetet të shifet në përfundim të procesit zgjedhor!
Ashtu si partitë politike, edhe qytetarët e vendit tonë kanë mbetë në pritje të caktimit të datës së zgjedhjeve.
Përvoja e deritanishme e caktimit të datave zgjedhore, e sidomos ajo e fundit e zgjedhjeve lokale e caktuar në Bruksel (si rezultat i marrveshjes Thaçi-Daçiq), na bënë të jemi skeptik dhe të padurueshëm.
Deri kur do të presim, që qeveritarët e vendit tonë të kenë rolin prijës në marrjën e vendimeve të rëndësishme për vendin?
Deklarimeve të përditshme të liderëve politik se jemi shtet sovran dhe i pavarur, duhet t'u paraprijnë vendimet e liderëve shtetëror më caktimin e datës së zgjedhjeve, në të kundërtën ato mbetën vetëm si rëfren ngushlluesh dhe mashtrim i radhës për marrjën e votës nga qytetarët, për kënaqjen e egos së tyre për mbajtjën apo marrjën e pushtetit!