E premte, 11.10.2024, 07:44 PM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: “Gjarpri” i klonuar

E marte, 01.04.2014, 06:54 PM


“Gjarpri” i klonuar

Nga Arbana Xharra

“Gjarpri” politik i Kosovës ka qenë i njohur deri më tash për shkathtësinë e tij për të ndërruar lëkurën, por së fundmi po duket se Hashim Thaçi e ka klonuar vetën.

Derisa flet në KTV për planet e tij për mandatin e tretë në krye të qeverisë, një dorë tjetër poston fotografi në rrjetin social “Facebook”, ku Thaçi shihet duke blerë bukë. Pas katër vjet qeverisjeje me vota të vjedhura, duke u tallur me të gjithë dhe duke shkelur shumë ligje e rregulla demokratike, Hashim Thaçi tash del sërish në opinion e zgërdhihet herë në pazar e herë mbi gomar. Pasi arriti t’i integrojë në të gjitha strukturat e shtetit zhvatësit nga partia e tij, pasi futi nën kontroll çdo sektor kyç të shtetit dhe ekonomisë jo vetëm shtetërore, ai tani po bën përpjekje tejet këmbëngulëse që ta ruajë këtë rrjet që ka kapur shtetin.

Vetëm përfytyrimi se ky rrjet edhe katër vite mund të qeveris Kosovën do të duhej t’i mobilizonte qytetarët e këtij vendi që kjo të bëhet e pamundshme. Për vite me radhë angazhimi i Thaçit është shtrirë në dy segmente: i pari është ai zyrtar, ku bën sikur qeveris, por që në realitet ndërton mekanizimin, i cili nën hije kontrollon gjithçka, nga pazaret ditore të bizneseve të mëdha deri te vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, atëherë kur prekin interesat e tij apo klanit të tij. Dorën në zemër, i është dashur punë e madhe që të ndërtojë komplet makinerinë e nëntokës për të kontrolluar një sistem të tërë, së fundmi u mësua se ky klan në pushtet kishte bërë gati edhe ligjin për përgjim të çdo kujt që eventualisht mund të jetë pengesë për veprimet e tyre të paligjshme.

Një popull i varfëruar, në mos më i varfri në Evropë, i frikësuar se për çdo shenjë kryengritjeje do të pasojë hakmarrja nga ana e pushtetit, një popull i lodhur nga manipulimet politike është bërë dëshmitar i një parade manipulimi të organizuar nga Thaçi dhe të plasuar në opinion nga mediet e tij shtetërore, të cilat i financojmë ne, qytetarët e Kosovës. Kjo perandori, që e mbajnë njerëzit që kanë rënë në konflikt me ligjin, po feston aktualisht suksesin e vet më të madh: qëndrimin në pushtet me vota të vjedhura. Një qeveri e paligjshme arrin të mbijetojë për shkak të mungesës së një opozite të mirëfilltë, për shkak të një shoqërie civile të dobësuar, frikësuar e shantazhuar dhe për shkak të mungesës së traditës demokratike në këtë vend. Çfarë duhet të ndodh që kjo situatë të ndryshojë? Revolucioni nuk është zgjidhje, por një kryengritje e mendjeve kritike duhet të ndodh që të rrëzohet ky sistem kriminal dhe t’i kthehet dinjiteti këtij vendi.

Në këtë situatë është e domosdoshme që shumë mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës të kuptojnë se çmontimi i “sistemit të gjarprit” është në të mirën e tyre dhe të familjeve të tyre. Sa më herët që e kuptojnë këtë, aq më mirë për ta dhe për gjithë shoqërinë. Është dëshmuar ngaherë se Thaçi dhe grupi i tij nuk e shohin qytetarin si partner në ndërtimin e shtetit, por vetëm si instrument për arritjen e qëllimeve të tyre plaçkitëse.Në muajt në vijim Kosova do të ketë shumë arsye që ta dërgojë në anën e errët të historisë pushtetin e Thaçit. Drejtësia ndërkombëtare duket se do të prek në rrethin më të ngushtë të kryeministrit. Kjo jo vetëm se do ta nxjerrë edhe njëherë Kosovën në kryetitujt gazetave dhe në lajmet qendrore anekënd botës, por do të jetë hipotekë e madhe për vendin nëse në ndonjë variant PDK arrin të kacavirret në pushtet sërish. Kjo parti ka nevojë urgjente për reformë të brendshme, për pastrim të radhëve nga të dyshuarit për krime.

Një parti e tillë duhet të merret me vetveten, jo me punët e mëdha të shtetit.Thaçi e ka dëshmuar tashmë se për interesa personale është i gatshëm të bëjë çfarëdo kompromisesh dhe çfarëdo negociatash që nuk i sjellin kurrë paqe vendit e që

nuk i japin mundësi Kosovës të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e saj. Tashmë është parë propaganda e tij: një marrëveshje shtetdëmtuese përpiqet ta shesë si marrëveshje shtetndërtuse.E sa i përket buxhetit të vendit nuk e ka problem edhe të manipulojë me rritje pagash derisa nuk sqaron se si do t’i sigurojë mjetet.

Nëse nuk vjen në pushtet, atëherë nga komoditeti opozitar mund të akuzojë qeverinë e re për mospërmbushje premtimesh. Që të jetë e qartë: premtimet e Thaçit janë mashtruese dhe sa për të siguruar vota. Pas zgjedhjeve, nëse do të mbeste në pushtet, do të fliste një gjuhë krejt tjetër. Atëherë nuk do të bënte më “selfie” me sabah, por do t’ua tregonte gishtin e mesëm atyre që i besuan naivisht. Thaçi sillet ndaj buxhetit të Kosovës si të ishte pronë e tij private. Por, pronarë të këtij buxheti janë qytetarët e Kosovës.

Ata në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet t’ia dhënë votën një politikani të papërgjegjshëm dhe tinëzar. Menaxherë të arkës së shtetit duhet të jenë politikanë të tjerë, të cilët garantojnë harxhime sipas mundësive të Kosovës dhe investime e reforma aty ku është më se e domosdoshme: në shëndetësi, në arsim, në ekonomi. Këto tri degë i ka shkatërruar PDK-ja. Tani eksponentë të saj bëjnë “selfie” ose na terrorizojnë me fotografi qesharake.

Ta zëmë ministri i jashtëm, i cili e ka shndërruar dikasterin e tij në qendër nepotizmi, javën që shkoi në “Facebook” postoi një fotografi nga lokali i një berberi. Erdha për t’i prerë flokët pas një dite të gjatë pune, shkruante ministri. Cila është fotografia e radhës nga kjo marrëzi e pakufishme?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora