E enjte, 31.10.2024, 11:59 PM (GMT)

Kulturë

Ramiz Lushaj: ''Festa e Shnapjetrës'' - dëshmi ilire

E enjte, 13.03.2014, 08:03 PM


“FESTA E SHNAPJETRËS”

TË HOTIT TË VENDIT – DËSHMI

E LASHTËSISË ETNIKE ILIRE TË TIJ

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Autariatët e antikitetit, fis i madh pagan ilir në brigje të Tarës e të Limit, paraardhësit e Hotit të sotëm skej liqenit të Plavës, qyshse në shekuj të parë pas Krishtit e përqafuan Krishtërimin në male e lugina të truallit të vet alpin, ma herët se në disa vende të Europës Perëndimore e ishujt e saj Atlantik.

Shën Pali, hebre i diasporës, qytetar romak, dishepull i Jezu Krishtit, një nga përkrahësit e martirët e parë të krishtërimit, aty nga viti 57 (në ma shumë se një vit) e kreu ungjillizimin e shqiptarëve në Prevezë, Nikopol, Durrës (letrat nga ky qytet bregdetar kanë hyrë në Biblen e Shenjtë). Disa gurra dokumentare fjalaflasin se ky Apostull, mbështetës i madh i Shën Pjetrit, ishte edhe në Mirditë, Bregun e Matit, Lezhë, Shëngjin, Zadrimën e Epërme e deri në brigje të liqenit të Shkodrës. Në disa nga këto vende u ngritën komunitete të krishtera ilire të Kohës së Apostujve dhe nga shek. IV-V deri kah Mesjeta ka pasë edhe kisha të Shën Palit.

Krishtërimi, fillimisht si fe ilegale, u shtri nga ultinat bregdetare të Adriatikut të Mesëm deri në Hotin e Vendit në Bjeshkët e Nemuna (Bekuara). Predikuesit fetar të shtyrë edhe nga përndjekjet e ashpra të shtetit perandorak romak u ngjitën në këto vise ilire alpine nëpër luginat lumore nga Moraça-Cemi-Vermoshi (krye-Limi) si dhe nga Drini i Bashkuar në dy nga degëzimet e tij: Valbonë dhe Drini i Bardhë-Ultina e Epërme e Limit.

2.

Shën Pjetri ishte një nga 12 Apostujt e parë të Jezusit të Nazaretit, i përzgjedhur si zëvendës i parë i tij, si themelues i kishës së tij, i cilësuar si një “shkamb” mbi të cilin do të ngrihej Kisha e Krishterë. Në vitin 33 zgjidhet Papë, i njohur i pari ndër 266 Papët e derisotëm. Ky udhëheqës hebre i dishepujve të Jezu Krishtit, drejtues i bashkësisë së parë të krishterë të Jeruzalemit, Peshkopi i parë i Antiokias, themelues e kryetar i bashkësisë katolike të Romës, martirizohet në Romë në vitin 67 dhe është Shenjt i pranuar e i nderuar nga katolikët edhe nga ortodoksët.

Dy shenjtorët e mëdhenj të krishtërimit, Shën Pjetri (1-67) e Shën Pali (5-67), duket se janë martirizuar nga perandori romak Neroni në të njëjtin vit e në të njëjten datë, më 29 qershor 67.  Shën Pjetri i kryqëzua i lidhur me zinxhirë po me kërkesë të tij me kokë poshtë që ekzekutimi i tij të mos ishte si i Jezu Krishtit 33 vjeçar, ndërsa Shën Palit iu pre koka.

Martirizimi i dy Apostujve të mëdhenj të Krishtërimit është përkujtuar në rreth 2.000 vjet si një festë liturgjike, e lashtë, e kremtuar edhe nga katolikët e ortodoksët, edhe nga anglikanët e luteranët.

Njihet si “Festa e Shën Pjetrit e Shën Palit”.

Fisi i Hotit të Vendit në krahinën e Plavë-Gucisë e ka kremtuar tradicionalisht, të paktën deri në qershor të vitit 1939, çka flet për hershmërinë historike trojenike të tij.

3.

Kur perandori romak me origjinë dardane nga treva e Nishit, Konstandini i Madh (306-337) e shpalli Krishtërimin fe zyrtare Hoti i Vendit u kthye në një qendër të rëndësishme fetare katolike me seli kishtare në Jasenicë, përmbi lumë, diku aty kah shkolla fillore e sotme.

Nga epoka (pas)akullnajore “Riss”, në Jasenicë, sikurse edhe në Guci, Gërbajë, Komariq, Rrozhajë, Pejë, etj. u krijua një gropë e madhe, e thellë, e gjatë; me lugina e lumenj, ku janë vendbanimet e sotme: Jasenica, Zabeli i Hotit (Vuthajve) e Hoti (i mbetur) i Vendit.

“Gropa e Jasenicës” është nga vendbanimet ma të vjetra të Hotit të Vendit, një vend tejet strategjik i Alpeve, ku ishte (krye)qëndra fetare katolike, e cila iu ka qëndue stuhive të kohërave të vështira  nga shek. IV-V deri në Mesjetë.

Gjurmë të kishave katolike në vende e etapa historike të ndryshme gjenden në tokën vrri e bjeshkë të Hotit të Vendit dhe në kujtesën e brezave të këtij fisi të lashtë, trim, fisnik, atdhetar.

Thuhet se ka pasë kishë katolike në fund të bjeshkës së Torkuzit; në Llominat e Mehajve (Sinanajve) ku janë gjetë edhe kryqa katolik; në trojet e Shar Ibres së Haxhajve, etj.

Në vitin 1912 prej qytetit të Plavës mbi kodrina e skej liqenit e Limit, kah “Sokaku i Hotit” erdhën pushtuesit malazezë me pushkë e kryqa të ortodoksizmit sllavë po u kthyen mbrapa tek Shkambi i Karamanit, se Hoti si kështjellë natyrore e burrave të pushkës e të mendjes i kishte marrë masat e veta për mos me e ndrrue plisin e bardhë me kapicen e zezë.

4.

Veprimtaria baritore e kësaj ipeshkvie (dioqeze) të Jasenicës, sipas statusit të saj, sipas madhësisë kufitare kishtare të ndryshueshme, sipas kushteve, rrethanave e rëndësisë historike, rrezatonte në vise ilire përgjatë Limit deri në Sanxhak të Pazarit të Ri, në luginën e Valbonës e tek bigimi i Cemit dhe deri në brigje të lumit Bosnja (ilirisht: Bosana-lumë).  Dritërimi i saj u zbeh në kohën e okupacioneve sllave, pati rritje në kohën e principatave shqiptare e të shtetit të Skënderbeut dhe me pushtimin otoman shënoi rënie të pandalur. Veçmas pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndikoi edhe terrori e genocidi shoven e fetar i Çetinës së Krajl Nikollës dhe i Beogradit të dinastive të Karagjorgjeviçëve e Obrenoviçëve, ai i Patriakanës Serbe e në prapaskenë edhe Patriakana Ruse.

Në koft se ndokush don me gjurmue fenë ilegale të pas kohës së Apostujve Shën Pjetër e Shën Pali apo edhe të periudhave përkohore të shpalljes fe zyrtare mjafton me kapërcye përpjetë mbi “Krojet e Vrujës” (Krojet e Vuthajve – Krojet e Ali Pashë Gucisë) dhe në një shpellë të atyshme (si edhe në të tjera të Plavë-Gucisë) gjen të shkruara kode të vjetra të krishtërimit të hershëm, kur priftërinjtë katolikë edhe në kohë inkuizicioni të ashpër shtetëror barbar e mbanin gjallë besimin e ritet e tyre fetare.

Vllaznitë e sotme të Hotit të Vendit mbi liqen të Plavës në 9- 10  breza apo afro tre shekuj, janë kthye nga të besimit katolikë në fenë muslimane. Të gjitha vllaznitë e Hotit të Vendit: Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj apo Mujaj takohen tek Gjoka. Kryeherët, në kohën e pushtimit otoman, fillimisht hotjanët u kthyen në mysliman “artificial” për me iu shpëtue taksave, me fitue tokë, etj. Asokohe, burrat shkonin në xhami dhe gra e fëmijë në kisha katolike.

5.

Festa e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, sikurse për rreth dy mijë vjet në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, kremtohet edhe në treva të banuara nga Hoti i Rrafshit si në komunën e Bajzës, në Hajmel, në Shën Pjetër, në bashkësinë katolike të qytetit të Gjakovës, etj.

Në komunën e Bajzës është një kishë e moçme, kisha-famulli e “Shën Pjetrit e Shën Palit” për bajrakun e Hotit, të Kastratit, etj. Komuniteti i Hotjanëve të Rrafshit, i dy bajrakëve të Rrapshës e të Traboinit (Hoti në Diasporë) në Detroit në bashkrendim me universitetet e Shkodrës, Tiranës, Prishtinës, etj. organizuan më 23-24 nëntor 2013 në Qëndrën Shpirtërore e Kulturore të Shën Palit në Rochester Hills–Michigan, një simpozium shkencor: : “Hoti ndër rrjedhat e shekujve”.

Këto përkime nuk janë të rastësishme po dhunti të Zotit, gjurmë të një tradite të lashtë sa vet feja katolike në Shqipëri, sa vet jeta e shembulli i dy Apostujve të Krishtërimit, Shën Pjetrit e Shën Palit.

Shën Pjetri thirrej nga Jezu Krishti me emrin “Kefa”, nga Shën Pali “Kefas”, etj. që gjuhën Aramike mjaft të lidhur me Hebraishten, gjuhë në kultin fetar, e folmja e Jezu Krishtit, etj, ka kuptimin “Shkamb”. Në faqe të Fondacionit Plavë-Guci e gjeta këtë emër. Ishte kompania “Shkambi” e vllaznëve Mehaj, katër djemëve të Xhemë Sadrisë të Hotit, Shabanit, Sadrisë, Naserit e Nezirit, të cilët ia dhanë një zyrë në përdorim për pesë vjet këtij fondacioni të vendlindjes. Emri “Shkambi” nuk është rastësi, po ka të bajnë me gene-traditën, me thirrjen e të parëve të fisit, me shenjtërinë e tyre.

Benedikti XVI, Papa i sotëm i Vatikanit, i ka vlerësuar lart këto dy figura të mëdha të krishtërimit: “Shenjtorët Pjetër e Pal shkëlqejnë jo vetëm në qiellin e Romës, por edhe në zemrën e të gjithë besimtarëve, që, të shndritur nga mësimet e nga shembulli i tyre, ecin në udhën e fesë, të shpresës e të dashurisë në çdo anë të botës”.

6.

Në Qafë të Hotit të Vendit në qershorin e çdo viti kremtohej Festa e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, përndryshe ma shkurtas në të folmen e kësaj treve: “Dita e Shpjetrit”.

Kjo festë në bjeshkë të Hotit ishte mjaft festive, kombëtare e fetare, e kulturuar, pa i cënue komunitetet etnike ardhacake në troje të hotjanëve e plavë-guciasve. Kishte lojra gjithfarësh: gjuaj me gurë, lodrime me kali shale, gjuaj bajrak, etj. Burrat vetëm. Gratë vetëm. Drekonin sipas vllaznive. Kuvendi merrte udhë...

Tek “Epopeja e Luftës së Nokshiqit” të studiuesit Zenel R. Haxhaj (SHBA, 1998) pohon një nga rastet kur graniçarët dhe xhandarrët malazezë e serbë provokonin hotjanët si në vitin 1939 kur: “Popullsia vendase ishte tubuar si vazhdimisht për ta festuar këtë festë fetare të Shën Pjetrit, si dhe 12 qershorin si ditë çlirimtare të këtyre krahinave” (fq. 94) Kësaj here ndodhën incidente provokative, keqpërdorim i forcës ndaj të moshuarëve, arrestime të padrejta të shqiptarëve, kalimi për gjykim në Gjyqin Suprem Ushatark të Beogradit, etj.

Në shekullin e kaluar, edhe pse hotjanët i kremtonin dy festa njëherash: Ditën e Shën Pjetrit e Shën Palit si dhe “Ditën e Çlirimit”, prapë shteti shoven malazez i “Masakrës të Previsë”, prapë Kisha Ortodokse Serbe dhe Malazeze luftuan me të gjitha format, mjetet e mënyrat për shuarjen e kësaj tradite të lashtë shqiptare.

Në kishën e lashtë katolike shqiptare të Jasenicës thonë se ende ndihen kumonët e saj të fshehura në thellësi të tokës etnike shqiptare. Ato i jehojnë historisë së sotme e të nesërme me mesazhin historik, biblik, etnik: Hotjanët e Alpeve skej liqenit të Plavës janë në këto troje etnike para Jezu Krishtit, festojnë Ditën e Apostujve Shën Pjetri e  Shën Pali tash dymijë vjet, do të jetojnë e luftojnë për të ardhmen e vet kombëtare e euro-atlantike.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora