Kulturë
Ilir Muharremi: Filmi dhe emocionet
E diele, 09.03.2014, 08:04 PM
Filmi dhe emocionet
Nga Dr. Ilir Muharremi
Fuqia e artit depërton përtej çdo aftësie, ekstaze, dehje, mirëfilli dhe i kundërvihet ndjenjave të thella të cilat posedojnë domethënie shumë më të madhe krahas me atë që përpiqen të shprehin. Përditshmëria arrin të nxjerr mendimet dhe veprimet, dhe mu këtu qëndron qëndrueshmëria e ndjenjave brenda shpirtit. Shpirti nuk arrin të njeh pasurimin e ndjenjave, ndoshta kjo duket si një nënçmim për të, sepse ndjenja arrin vetvetiu të shpreh universin dhe pasurinë, poashtu edhe mjerimin. Në këtë univers metafizikë në një farë mënyre i të menduarit, ekzistojnë xhelozia, ambicia, egoizmi apo në fund shpirtgjerësia, të gjitha janë të përcaktuara të tundojnë ekzistencën, dhe njeriu si skllav i tërë kësaj përditshmërie konfuze, por në të njëjtën kohë edhe të rrjedhshme, përpiqet të pasurojë kinemanë ditore. Fjala është për filmin dhe emocionet të cilat arrin të na krijoj filmi. Duhet theksuar se aparati marrës nga Evropa fluturoi në SHBA. Por, përse arti kinematografik sërish erdhi nga Amerika në Evropë? Kinemaja është i vetmi art që ka lindur në epokën borgjeze-kapitaliste. Rrënjët e të gjitha arteve të tjera shtrihen në epokat parakapitaliste dhe sjellin, ku më shumë e ku më pak, gjurma të formave të vjetra të lindura nga ideologji të hershme. Duhet të kihet parasysh tradita e estetikës dhe historisë së artit borgjez, të cilat themeluan, nëpërmjet ligjeve të amshueshme, autoritetin absolut parakapitalist, në veçanti tek artet antike, edhe pse ato nuk lindën në gjirin e shoqërisë së saj dhe nga ideologjia e saj. Këtij drejtimi i përmbaheshin të gjitha akademitë zyrtare të kulturës. Ky qe një botëkuptim i ngurtësuar estetik i evropianëve dhe nuk mundën t’i dhënë shtytje një hapi të madh i cili do ta kishte çuar pa asnjë periudhë kalimtare, drejtë artit borgjez. Këtë hap patën guxim ta bënin pa vonesë Amerikanët. Po ta analizojmë në më thellësi, vërejmë se ky novacion do ishte mjaftë i vështirë të kryhej nën hijen e Akademisë konservatore Franceze, përbri thesareve historike të Luvrit, pranë Commedie Francaise, ku edhe sot Rasini e Kornei deklamohen si dy shekuj më parë, e jo mbi terrenin e Holywoodit. Amerikanët nuk mbështetën në tradita të lashta kulturore dhe paragjykime artistike estetike. Arti i ri kinematografik përmbyt të gjitha traditat, zgjon emocione, vëmendje, lëvizje të brendshme e cila përshtatet mirë me temën e filmit. Por, një art i cili përmbyt të gjitha traditat e formuara, nuk mund të mos lindte nga një ideologji progresive, e kundërta do të kishte qenë paradoksale, e pashpjegueshme. Kemi rastin e David Grift, regjisor që shpërtheu revolucionin e formës në përmbajtjen e filmave. “Intoleranca”, një vepër e fuqishme e tij që u krijua në fillimet e Luftës së Parë botërore, ky qe një guxim pacifizmi i asaj kohe. Punët e një industrie amerikane po shkonin keq e më keq. Është e nevojshme të shfrytëzohet publiciteti, të bëhet popullor emri i tij. Industrialisti ngarkon të motrën, që ka të njëjtin mbiemër, të bëjë vepra bamirësie duke ndërtuar jetimore. Jetimoret nuk shërbejnë për asgjë, por mirëbërësia në çdo rast duket si publicitet i mirë. Kjo kinematografi posedon fuqi dramatike, kritiko-shoqërore.
Filmat e tashëm arrijnë fuqinë, vetëm nëse i referohen ngjarjeve reale të jetës. Në fakt, kur filmat marrin shkas nga jeta reale janë më të arrirë. Këtë e tregojnë shumë mirë kur fitojnë çmimin Oskar. Përse e vërteta e ditëve tona i jep shkëlqim kinemasë? Kjo ndodh sepse koha na merr për vete, por gjithmonë vjen një çast kur duhet të mendojmë se jetojmë në të ardhmen, nesër, më vonë, ndoshta përjetësisht, por me vazhdimin dhe shumimin e gjeneratave, prej të cilëve Evropianët gjurmojnë në antikitet dhe kërkojnë vlera estetike kinematografike. Por, në fund të fundit e rëndësishme është kur të vdesësh. Ne përcaktohemi në raport me kohën, këtë raport regjisori i mirë e ndërthurë në skenar dhe realizim, andaj kjo zgjon admirim emocional, dhe sheh pasqyrën brenda imazheve. I përkasim kohës, e nesërmja e pret të nesërmen, çdo ditë vazhdon me diçka të pa planifikuar për tu dukur më tërheqëse. Analizojnë përditshmërinë tonë e vërteta është kjo: Zgjimi, rruga për në zyrë, katër orë punë, drekë, pastaj prapë katër orë punë, darkë, dhe çka ndodh para gjumit? Pritje për një film të mirë, kjo e mirë do ishte e mirë, nëse rrëmben gjithë atë jetën ditore dhe distancon përmes zgjerimit tematik dhe lojës, por në esencë duhet të jetë aty. Nga kjo lodhje, kërkojmë çlodhjen, çlodhjen e duam prapë në imazhe reale të ndryshueshme gjatë minutave të filmit, sekuenca të shkurtra origjinale. Nëse analizojmë pasqyrimin e realitetit nuk është kryer, i përfunduar, por është në fazën e kryerjes, ai ecën, zhvillohet paralelisht me aktin e pasqyrimit. Krijuesi nuk thërret në ndihmë kujtesën e tij, por është dëshmitar dhe pjesëtarë i ngjarjeve. Tek esteti i artit filmik Bela Balazh realitetin e radhitë tek dikush që tregon për luftën e tij për jetë a vdekje, do të thotë se ajo situatë tashmë është tejkaluar. Të treguara nga i mbijetuari, edhe rreziqet më të mëdha nuk na tingëllojnë të tilla. Filmi nuk ka për qëllim të zbulon shpirtin në botë, por botën të reflektuar në shpirt. Atëherë, shpirti nuk tregohet ashtu si paraqitet në realitetin fizik, si gjest, mimikë, fjalë apo veprim, e as shpirtin mbi fytyrë, por fytyrën mbi shpirt. Por, nuk mund të mohojmë asnjëherë cilësinë e filmit sepse filmat ndahen në: Filma surrealistë, abstrakt, konceptualë etj. Kemi edhe këto zhanre: komedi, dramë, aksion, triler, fantazi, shkencoro-fiktiv... Të gjitha këto duhet të peshojnë në realitetin e ndodhur, apo që do të ndodh mbi referimet e ligjit të realitetit. Emocioni dhe pëlqimi buron nga shtytja nervore që e shkakton organizmin të veprojë, e kjo shtytje ngacmohet nga baza e realitetit, kjo bazë ë realitetit tashmë predikohet nga sekuencat e shpejta dhe kulmore, thjeshtë goditje në shenjë, pas çdo shenje, goditje e re, dhe kështu deri në pafundësi të filmit. Emocioni i nënshtrohet gjendjes së fuqishme mendore, por e pandërgjegjshme dhe shoqërohet nga ndryshimet si gëzimi, dashuria, keqardhja, urrejtja, nderimi... Mund të nxjerrët vetëm nëse filmi sinqerisht ka prekur thellësinë e asaj që po ndodh duke nivelizuar dialogun, detajet, skenën, fotografinë, muzikën ..... Njeriu gjatë pranimit të imazhit të filmit, reagon me gjendje psiko-fizike dhe komplet e nxitë organizmin të veprojë. Kjo vetëm nëse një fat i ngjashëm që thellësisht është i prekur dhe ngjanë kujtimin apo veprimin momental, mund të bënë bujë në emocionin, dhe është e logjikshme që çdo ngjarje reale është e ngjashme me çfarëdo ngjarje që ndodh në glob. Sekreti qëndron tek kjo se arti është fantazi që i nënshtrohet realitetit.