E premte, 19.04.2024, 07:07 AM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Zëri shqiptar në Volkstheatrin e Vjenës

E hene, 10.03.2014, 08:58 PM


Zëri shqiptar dy ditë në Volkstheatrin e Vjenës

Fatos Kongoli, Joachim Rohm, Andrea Grill, Stefan Çapaliku, Alfred Trebicka dhe aktorë e regjisorë shqiptarë u prezantuan me sukses dy ditë në skenën e njohur të Volkstheatrit të Vjenës. Shqipëria e 12-ta në “Die besten aus dem Osten”. Edhe pse ishte paraparë që Ismail Kadare të lexon nga “Piramida”, kjo nuk u realizua.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Në Volkstheatrin e njohur të Vjenës ku dikur u shijua zëri dhe loja e përsosur e Aleksandër Moisiut, për dy ditë me radhë u prezantuan shkrimtarë e aktorë shqiptarë. Përkrah tyre përkthyesit e njohur në gjermanisht Joachim Rohm e Andrea Grill. Ky aktivitet ishte pjesë e “Die besten aus dem Osten” i përkrahur nga Ministria për Çështjet Europiane, Ministria e Mësimit, Artit e Kulturës së Austrisë dhe traduki. Prezenti ishin edhe diplomat nga ambasada e Shqipërisë dhe ambasada e Kosovës, veprimtarë, student e intelektual.  Shqipëria ishte pasuesja e 12- të e radhës së projektit. Organizatori prezantimin e fillon kështu:” Për “Land der Skipetaren” vendin e shqiptarëve si vend pasqyrimi në romanet e Karl-May-it, akoma mund të duken të fundit “njollat e bardha”  në hartën e Evropës. Edhe pas shkatërrimit të vazhdueshëm prej  40 vjetësh nga diktatura  staliniste e Enver Hoxhes, Shqipëria gjendet në një rrugë të mundimshme drejt  normalitetit të saj si shtet me synime bashkimin me shtetet evropiane.” Pasditja e parë filloi  me temën “Rruga e gjatë letrare në Shqipëri pas përmbysjes”. Për këtë temë foli përkthyesi të njohur gjerman Joachim Rohm i cili dha një pasqyrë të krijimtarisë letrare pas diktaturës, vështirësitë dhe sfidat aktuale. Ai është njohës i mirë i rrethanave në Shqipëri si përkthyes i veprave të Ismail Kadares, Fatos Kongolit etj. Ai njoftoi auditorin lidhur me literaturën dhe krijimtarinë letrare në gjuhën shqipe me theks të atyre krijuesve nga të cilët ai përktheu në gjermanisht. Shkrimtarja austriake Andrea Grill, e cila është njohëse e gjuhës shqipe, lexoi nga krijimtaria e saj. Trupa e “Teatrit Metropolit” nga Tirana dha komedinë   “Tri mendje në ankand”  nga dramaturgu Ferdinand Hysi me aktoret: Klodian Hoxha, Devis Muka, Alban Musa, Elona Hyseni, Lorenc Kaja, Doriana Çaushi. Udhëheqëse Suela Konjari. Regjia nga Elma Doresi, skena nga Beqo Nanaj, dritat nga  Julian Llukani dhe kostumet nga Edlira Qyshka.  Një komedi mjaftë e suksesshme e cilësuar nga Teatri Konvencional Europian si njëra nga paraqitjet e kohës në mesin e njëqind e njëzetë më të mirave në kontinent. Përkthimi në gjermanisht e bëri shkrimtarja Andera Grill. Salla anësore e Volkstheatrit- Hundsturm ishe e mbushur me spektatorë të shumtë për të cilët u dha koktej rasti.  Në ditën e dytë lexoi nga krijimtaria e tij shkrimtari Fatos Kongoli nga romani i tij “Lëkura e Qenit”, kurse në gjermanisht nga “Hundhaut” lexoi përkthyesi Joachim Rohm. Ai dha para auditorit biografinë dhe rrugën letrare të shkrimtarit që nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme. “Deri më tani Fatos Kongoli ka shkruar disa romane nga të cilat dy janë të përkthyera edhe në gjuhën gjermane dhe në disa gjuhë tjera”- tha mes tjerash. U zhvillua edhe një bisedë e shkurtër me publikun. Në vazhdim u dha pjesa teatrale nga  zhurnalistja, politologia dhe përkthyesja gjermane Jonila Godole  me titull “Der Sandmann” me të cilën e në vitin 2009 e fiton” konkursin europian “Talking About Borders”. Kur edhe  prezantohet në Burgtheater të Vjenës me pjesën teatrale ku si subjekt ka fatin e Robertit, i  riu shqiptar emigrant i cili fatin e kërkon në botën e jashtme. Një ditë kthehet në atdhe pas rrethanave konfliktesh të përmbysjes së kriminelit diktatorial Enver Hoxha. Babai e tij e kishte humbur kujtesën “Moskujtesa është e dhembshme sikurse kujtesa”, mendon babai i tij, kur tani shet trëndafila ku dikur kishte vrarë njerëz. Roberti kërkon të mëson për fatin e përgjakshëm të familjes së tij. Nisur nga ky motiv, aktorët e Volkstheatrit u prezantuan me një pjesë e zgjedhur nga aktori Hans-Joachim Lanksch në gjuhën gjermane. Regjia na Nicolas Charaux, aktorët: Hanna Binder, Erwin Ebenbauer, Anselm Lipgens, Roman Schmelzer dhe Günther Wiederschwinger. Loja e aktorë u përcoll me duartrokitje nga publiku i cili mbushte sallën.

Programi vazhdoi me monodramën “Fausti prej Tirane” një parafrazë nga Goette, e shkruar nga  Stefan Çapalikut i cili bëri edhe regjinë bashkë me Alfred Trebickën. Aktori Alfred Trebicka, luajti me mjeshtri duke fascinuar publikun. Zëri i tij i fuqishëm dhe melodioz të kujtonte zërin e Aleksandër Moisiut dikur që tani ruhet i vlerësuar në fonotekën muzeore të Vjenës.   Ai edhe vet i emocionuar nga duartrokitjet e pareshtura me  lot suksesi prej aktori, falënderoi publikun artdashës. Drama si subjekt ka peripecitë e brezit të intelektualëve shqiptarë pas thyerjeve të mëdha të viteve nëntëdhjeta.  Pjesa teatrale dha edhe një shtytje drejt kuptimi se Fausti i Goettes është një fenomen gjithëpërfshirës botëror, pra edhe shqiptar. Aktorë tjerë mbështetës ishin edhe Besmir Haliti e Julinda Emiri, muzika nga Agron Shala, skena e kostumet nga Adian Isufi. Animimin e punuan Elis Gjoni, Besmir Cani, Simon Dobërdaku e Albin Çifliku. Programi nga “Die besten...” përfundoj me koncertin e suksesshëm muzikor nga Orges - The Ockus-Rockus e Rrugëve. Grupi muzikor me përvojë u prit mjaft mirë nga publiku i cili e mbushte sallën. Projekti vazhdon me shfaqjet dyditore në qytetin e Gracit, qyteti i dytë në Austri pas Vjenës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora