E merkure, 01.05.2024, 03:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Raporti regjisor dramaturg

E merkure, 22.01.2014, 08:51 PM


Raporti regjisor dramaturg

Nga Dr. Ilir Muharremi

Një tekst dramatik pavarësisht nga zhanri krijohet me qëllim të inskenohet në dërrasat e teatrit. Shkrimtari i dramës vendos syzhenë e pjesës të kompozuar më ndihmën e dialogut në kuadër të kompozicionit skenik. Gjatë leximit të tekstit, gjithnjë duke ju përshtatur si përjetim individual letrar ne hasim në pjesë narrative që shpërfaqen nga suazat e indit folës të pjesës së caktuar. Pastaj, më në vazhdim ndeshemi me dekorin, mizanskenën, gjestet , mimikën, veshjen, emocionin, kontrastin, kulminacionin, kompozicionin, strukturën..... të gjitha këto gjurmë, krijohen nga ana e autorit. Gjithnjë dramaturgu vendos pjesën apo shpirtin e vet duke ju nënshtruar të arriturave skenike të kohës së tij dhe në shënimet e veta ai në asnjë mënyrë nuk mund ta anashkaloj bashkëkohoren e ta quaj teknike si një brumë individual, që pritet të sendërtohet mbi aspektet skenike. Nuk duhet harruar se disa vepra dramatike krijohen në radhë të parë si vepra letrare e mandej ringjallen në skenë. Atëherë, shërbimi i regjisorit ndërtohet mbi gjurmët e përshtatjes të tekstit nga kërkesat skenike të pranueshme në publikë. Tekstin duhet transformuar, korrigjuar: shkurtohet, krijohet mizanskena e re, heqja e ndonjë personazhi, reduktimi dhe zbulimi i sekretit kulminant, përfundimet e reja të akteve, heqja e disa skenave të cilat në formë letrare tingëllojnë mjaftë poetike, derisa në skenë nuk kanë veprim. Para se të zbulohen dhe ndëshkohen të gjitha këto, regjisori duhet ta rilexojë sëpaku dhjetë herë të njëjtin tekst. Teksti skenik nuk radhitet në shkallën absolute të mos ndërhyrjes nga ana e vetë autorit, kuptohet nëse është gjallë.

Duke pas parasysh kushtet e reja të receptivit nga pjesa e lexuesve, por jo të publikut, autori mund ta përpunojë tekstin, dhe kjo autorin e vë në një detyrë para përgatitëse tekstuale. Autori mund t’i forcojë sëpari temat narrative, të zgjasë biografinë dhe parabiografinë e personazheve, ta thellojë , zgjeroj materialin tematik dramatik.  Gjuha e pastër skenike  në asnjë mënyrë nuk duhet të abuzohet. Plotësimi i dramaticitetit  arrihet atëherë kur përmes dobësimit të efekteve teatrore  plotësohet dramaticiteti folës në tekst. Ekzagjerimi i situatave dhe përpunimi individual i emocioneve të karaktereve duke pleks konfliktin dhe kontrastin mund  të veçohet përmes dialogut.

Autori është peng i fjalës poetike në skenë, regjisori krijon distancën magjike ndërmjet tekstit, e teatri nuk duhet të jetë vetëm i fjalës, por i veprimit. Të dyja tok, krijojnë lojën derisa veprimi paraprin fjalën. Fjala e shkruar pëshpërit idetë e qarta dhe të turbullta, të papërcaktuara, të caktuara, përkthimin shpirtëror përmes së folurës dhe emocionit. Fjala i nënshtrohet shpirtit,  mendjes , gjithë personazhit, përpiqet të bëhet e kuptuar përmes interpretimit. Kjo quhet dramë e fjalës dhe e shpirtit. Por, a duhet të ndryshojë fjala si pjesë letrare e thjeshtë? Teatri duhet ta ketë pavarësinë e vet, gjuhen e vet komunikuese me publikun, të mos jetë skllavërues i tekstit, por bazën ta ketë tek teksti sepse në radhë të parë është teksti dhe unë këtë do ta quaja si magjia ndërmjet: autorit, aktorit, regjisorit dhe publikut. Kësaj metafore regjisori duhet t’i mbetet besnik tërë jetën. Teksti duhet të jetë në gjendje t’i frymëzoj regjisorët, t’i magjepsë, sepse pa fjalë nuk mund të ketë mendim, e pa mendim nuk mund të ketë tërheqje për atë që ka dal në skenë. Edhe pse teatri përpiqet të jetë fizik dhe plastik, prapë duhet t’i referohet gjuhës, e cila përpiqet të distancohet nga plastika. Regjisori nuk duhet të jetë shërbëtor i tekstit, por nuk është e nevojshme ta tradhtoj tekstin. Loja ndërmjet regjisorit dhe tekstit apo “manipulimi” me të, duhet të ndodh nën përgjegjësinë e regjisorit e jo të shtypet mbi përgjegjësinë e autorit. Të shkelet mbi përgjegjësinë lejohet vetëm nëse këtë e dëshiron autori. Ndryshe “sadizojmë” atë që është shkruar dhe e nënçmojmë veprën e autorit. Veprat e autorëve të mëdhenj botëror, mesiguri është më lehtë të inskenohen ndonëse janë të  detajizuara në çdo veprim, klithje, madje edhe pantomimë. Vetë Henrik Ibseni ka kundërshtuar dhe pohuar se ai nuk është reformist , por poet. Nuk duhet hequr fjala në gjuhën e re teatrale nëse i respektojmë autorët e vdekur. P.sh tek drama “Hijet’ e Ibsenit , autori përgatit karakteret për realitetin e jashtëzakonshëm njerëzor, ata të gjithë kanë rëndësi morale dhe emotive për njëri tjetrin dhe shembull i veprimeve të tyre të ndërlidhura, beteja e tyre e verbër për trashëgiminë e Alvingut, është shumë e ngërthyer. Në këtë strukturë, qëndrimi i ndryshuar i zonjës Alving ndaj Osvaldit është vetëm një fije, ndonëse me mjaft rëndësi. Ky është një ritëm tragjik nga Ibseni, nëpërmjet realizmit modern. Duhet pasur kujdes reduktimi i fjalive. “Më bëhet sikur të gjithë ne jemi fantazma, zoti Manders. Nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me atë që kemi trashëguar nga prindërit tanë, por edhe me mendime gjithfarëshe të vdekjes, të çdo besimi të ngjashmet.... Ky pasus, me fjalët e ngathta të zonjës provinciale të Ibsenit, nuk qe poezi në vete e poetëve të mëdhenj dramatikë. Nuk e ka atë muzikën verbale të Rasinit, as stërhollimin e Hamletit, madje as forcën e korit Sofoklian, por në përgjithësi përmban poezinë e vetë të fshehur, një poezi jo e fjalëve, por e teatrit, e sensibilitetit teatror. Nga pikëpamja e brendshme e dramës, forma si shpirt i tragjedisë. Regjisorët me kujdes të shtuar duhet të angazhojnë edhe shkrimtarët, dramaturgët për përshtatjen e tekstit. Disa regjisorë nuk duan dhe nuk dinë të shkurtojnë tekstet, arsyetohen me atë se nuk dëshirojnë të bëhen vrasës të personazheve dhe situatave, vrasja ndodh vetëm në këtë rast të Ibsenit, të hiqet tërësisht ai pasus i cili shprehë   poezinë e brendshme shpirtërore të veprës dhe  teatrit.

Teksti dhe skena veprojnë në mënyra të ndryshme, atë të letrarit dhe rivalit-regjisorit. Regjisori cilësohet si përkthyes i mesazhit të dramës. Të gjallëroj teksti në teatër, duhet të krijoj raport tensionues me pamjen, të projektohet në hapësirën e fjalëve, konflikteve individuale kolektive me domethënie të plotë. Ajo çka lexohet në heshtje, ndryshe kuptohet kur interpretohet me zë. Këtë kuptim duhet ta përshtat regjisori. Roli i çdo replike si akt gjuhësor përcaktohet  si temë skenike, veprim, hierarki që filtrohen përmes regjisë.  Grumbullin skenik: tekstin, aktorin, skenografinë, kostumografinë, ndriçimin,,,, regjisori i paramendon, rregullon  harmonizon mbi konceptin të tij unik. Gjithnjë do të mbetet ajo se regjisorët krijojnë artin e tyre me ndihmën e poetit-dramaturgut. Në disa prova të mizanskenës, regjisorët kanë bindjen që pranë tyre, i tejdukshëm është ulur dramaturgu duke klithur në veshë për udhëzime shtesë të tekstit. Gjuha e fjalëve nuk është gjuha më e mirë e mundshme në skenë, ajo bashkohet me hapësirën regjisoriale dhe të dyja tok krijojnë shfaqjen.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora